Për dialog duhen dy e më shumë veta, në të kundërtën – gjithçka është monolog. Maqedonia ka mbi 2 milionë banorë dhe sistem pluralist, por politika vazhdon të “flasë vet me vete”. Edhe ato që në një kohë quheshin “takime liderësh”, me gjasë duket se janë lënë në sirtarin e harresës. Analistët thonë se dialogu në Maqedoni jo që është në krizë, por nuk ekziston fare
Venera LATIFI-AZIZI
Shkup, 9 nëntor – Në një periudhë kur vendi po përballet me sfida aktuale – gjetja e zgjidhjes për emrin, integrimet euroatlantike, ndryshimet në Kodin zgjedhor, zgjedhjet lokale, paralajmërimet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, Ligjin e forcave të sigurisë, marrëdhëniet me fqinjët, marrëdhëniet ndëretnike, por edhe të tjera sfida që vazhdimisht dalin në sipërfaqe… në Maqedoni duket se për momentin gjithçka është e mundshme, por athua a është i mundur një dialog politik? Apo dialog s’ka as midis partive, as midis institucioneve, as midis partnerëve të koalicionit, opozitës, as në Parlament, ndërsa janë harruar edhe ato tryezat e liderëve, ku krerët e politikës dialogonin dhe bisedonin problemet… dhe thjeshtë politika në Maqedoni po zhvillon një monolog. Analistët thonë se dialogu në Maqedoni jo që është në krizë, por nuk ekziston fare dhe se kemi një situatë ku s’kemi as përpjekje elementare për t’u ulur dhe biseduar.
Në vend të bukës, kaviar
Profesoresha Biljana Vankovska sqaron se dialogu politik është në thelbin e modelit që ne e kemi. Posaçërisht, ajo vëren se ndryshimet pas vitit 2001, supozojnë një lloj të demokracisë konsensuale, respektivisht arritjen e zgjidhjeve përmes negociatave, bisedimeve, pikërisht me gjithë atë që e përfshin dialogu politik dhe situatë që aktorët politikë nuk do të ndaheshin në humbas dhe fitimtar. Megjithatë, Vankovska thotë se për hir të së vërtetës, duhet tw pranohet se edhe në të kaluarën, kur kishim forma të caktuara të të ashtuquajturve dialog politik, ai nuk zhvillohej në institucione ku edhe e ka vendin, respektivisht para se gjithash në Parlament, komisione parlamentare, apo edhe përmes fushës publike – mediave, emisioneve debatuese, dueleve televizive, shkëmbimit të argumente e ngjashëm. Por, ajo vëren se gjithmonë i njëjti zhvillohej nën presionin e komunitetit ndërkombëtar. “Komuniteti ndërkombëtar ishte ai që shpiki samitet te presidenti edhe pse formalo-juridikisht ai nuk ka ingerenca të atilla, por si lider politik mund ta bëjë këtë. Pastaj, kishim lloj të dialogut politik në klubin e deputetëve, që sërish bashkësia ndërkombëtare e favorizonte. Pra, atë mediator midis aktorëve të grindur politik apo të aktorëve të papjekur politik, e mundësonte komuniteti ndërkombëtar”, sqaron Vankovska. Por, shton ajo, viteve të fundit puna ka ndryshuar në mënyrë të dukshme, sepse “komuniteti ndërkombëtar ka prioritete të tjera në botë dhe në përgjithësi kriza që është edhe politike edhe ekonomike atje ku qëndrojnë prioritetet na lanë vet t’i zgjedhim këto çështje”. Ajo vëren se tash kemi monolog politik në aspektin se të gjithë aktorët politikë konsiderojnë që është më me rëndësi t’i flasin pjesës së vet të elektoratit. “Pra garë e vazhdueshme zgjedhore, apo garë për fitimin dhe ruajtjen e mbështetjes nga qytetarët si votues, sesa lëshim pe dhe përpjekje të dëgjohen argumentet e tjetrit, të vendosen në pozitën e tyre sepse pa këtë nuk ka mirëkuptim dhe tolerancë politike, nuk ka zgjedhje të përbashkëta të pranueshme”, shprehet Vankovska. Sipas saj gjithsecili preferon që në pjesën e vet të elektoratit të tregoj se sa është i vendosur, se sa nuk lëshon pe, i mbron të drejtat politike, ideologjike apo etnike. Pra, shton ajo, kemi një situatë ku s’kemi as përpjekje elementare për t’u ulur dhe biseduar. “Fotografia më pikëlluese është në Parlament. Secila seancë parlamentare na tregon jo vetëm përçarje midis asaj që është debat klasik politik pozitë-opozitë, por kemi mosmarrëveshje të thella edhe në atë që është koalicion qeveritar, që ndonjëherë na detyron të pyesim se a e dinë ata çka dëshirojnë, a e dinë ku na çojnë, kanë vizion, plan, apo ‘ad-hok’ do të krijojnë krizë e gjoja pastaj e zgjidhin. Përsëri hyhet në krizë të re dhe kjo thjeshtë ‘popullit në vend të bukës i jepet ikër’. Kjo është taktikë e vjetër posaçërisht në situatë kur nuk kihet zgjedhje për çështjet qenësore në shoqëri”, sqaron profesoresha Vankovska.
Jo në krizë, por nuk ekziston
Profesori Alajdin Demiri është i prerë se dialogu politik në Maqedoni jo që është në krizë, por nuk ekziston. Për arsye se, shton ai, partitë politike kështu të konceptuara edhe siç funksionojnë, janë parti cilat merren vetëm me veten dhe me atë se si mund të imponojnë vullnetin e tyre, qoftë për të bërë koalicione, qoftë kur funksionojnë koalicionet, për probleme të caktuara, të rëndësishme apo edhe sporadike.
“Fakti që në Maqedoni zëri i opozitës nuk dëgjohet askund, që me opozitën askush nuk negocion, nuk dialogohet, ky fakt më vonë përcillet edhe te çështjet me rëndësi vitale, i cili monolog, ose narcizoizëm ekziston brenda, tenton të imponohet edhe jashtë. Që do të thotë – nuk dialogohet me Greqinë, heshtet problemi me Bullgarinë, ose imponohet mënyrë e partive, e qeverisë, mënyrë ultimative si urdhëresë të shkohet deri atje që të mësohet edhe bashkësia evropiane edhe negociatorët, ambasadorët e BE-së se si të vendoset. Fakti kur Gruevski shkon dhe thotë se duhet të vendoset në këtë mënyrë që ‘Maqedonia të quhet Maqedoni’ dhe të injorohen kërkesat dhe vetot e Greqisë, dëshmon se këta njerëz nuk e njohin dialogun dhe nuk dëshirojnë ta njohin”, thotë Demiri. Ai më tej shton se kultura politike e partive, posaçërisht atyre në pushtet është jo të negociosh me rivalin ose kundërshtarin, por ta mundësh, ta thyesh dhe ta eliminosh. Sa i përket takimeve të liderëve, analistët nuk shprehim ndonjë dozë optimizmi. Demiri thotë se ato takime nuk e shprehin esencën e dialogut, sepse janë më tepër takime që shprehin fuqitë e individëve, jo të realitetit të dialogut, sepse realiteti i dialogut duhet të jetë edhe me liderët por edhe me nivelet e gjëra. “Nuk ka dialog vetëm me liderë. Dialogu është pak më i gjerë dhe më gjithëpërfshirës”, thotë ai. Ndërkaq Vankovska na shtyn të përkujtohemi në rezultatet e atyre takimeve të liderëve posaçërisht të fundit që u mbajt në vitin 2011, ku thotë se nuk ndodhi asgjë spektakolare.
“Vetëm se ne i pamë, të paktën përmes kamerave, ata njerëz që rënd është të mendojmë se mund të ulen në një tryezë dhe u ulën. Madje edhe drekuan, ndoshta krijuan edhe një iluzion të udhëheqësisë shtetërore, të klasës së pjekur politike që bisedon për çështjet qenësore, megjithatë zgjidhje nuk ka as nga ato samite”, thotë Vankovska.
Pro et contra
Nga Partia Demokratike Shqiptare thonë se mungon dialogu politik dhe se për çështje me rëndësi, për miratimin apo harmonizimin e të cilëve në jetën politike të pluralizmit në Maqedoni u krijua një praktikë e quajtur “Marrëveshje”, që dilte nga dialogu politik i katër partive më të mëdha në vend. Burime nga kjo parti vërejnë se meqë në Maqedoni ka tema shumë të hapura, sigurisht se ka nevojë për mbajtjen e takimit të liderëve midis katër partive më të mëdha në vend, por shtojnë se nuk presim një gjë të tillë nga kjo konjukturë e partive në qeveri. Kurse zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani shprehet se partia e tij gjithmonë ka qenë e qëndrimit se çështjet politike, çështjet e hapura duhet të zgjidhen me dialog dhe me konsensus të gjerë shoqëror.
“Ne asnjëherë nuk i kemi ikur inkuadrimit të gjithë faktorëve politik në dialogun e brendshëm dhe në arritjen e konsensusit për çështje madhore. Bile ne kemi qenë ata që kemi iniciuar aktivitete për dialog dhe për inkuadrim të të gjithëve, edhe përkundër faktit që kemi qenë në pushtet dhe kemi pasur shumicë të mjaftueshme për të vendosur vet. Gjithmonë kemi afruar dorën e pajtimit edhe ofrimit edhe me partitë opozitare, ashtu që mbetemi në atë qëndrim që çështjet madhore duhet të jenë produkt i konsensusit gjithë-shoqëror, duhet të marrin pjesë kryesisht katër partitë kryesore”, shprehet Osmani. Sa i përket organizimit të një takimi të liderëve, ai është i mendimit se duhet të vlerësohet se për çfarë tema do të bisedojnë në atë takim të liderëve. “Nëse është çështja e emrit, ju e dini se konsensusi te partitë shqiptare është i arritur, se ne do të pranojmë atë zgjidhje që do të jetë e përbashkët përveç emrave që ne i kemi konstatuar se janë të papranueshëm, temë tjetër nuk shohim për momentin e cila mund të jetë e një rëndësie që mund të zgjidhet nga takimi i liderëve, por nëse ndokush e inicion, absolutisht jemi të gatshëm ta shqyrtojmë”, shprehet Osmani i BDI-së. Ndryshe, dialogu politik në Maqedoni doemos përmendet edhe në raporton e fundit të progresit të Komisionit Evropian, ku thuhet se janë ruajtur funksionimi i Parlamentit dhe dialogu politik, por shtohet se dialogu duhet të fuqizohet më tutje, duke përfshirë çështjet ndëretnike.
KOHA
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply