“Ne ishim një familje e shkëlqyer…” kujtoj shpesh fjalët e babait tim të dashur. “Jeta na kishte ardhur me gjithë të mirat, ashtu si ç’dokush do ta dëshironte; Zoti na gëzoi me ju, tre djemtë tanë të mrekullueshëm, si yje, azganë. Mamaja juaj dhe bashkëshortja ime njëkohësisht, ajo nënë, ajo grua e rrallë siç e quaja unë, u gëzohej juve, mirëpo, mbante një si, brengë; donte të kishte edhe një vajzë. Jemi shumë mirë grua, i thohja unë. Jemi familje e lumtur dhe, dëshira jote do të plotësohet. Vitet ikin shpejt. Djemtë do na rriten, do martohen, do na sjellin tri nuse të mira dhe ti do ndjehesh mamaja më e lumtur në botë; mama me gjashtë fëmijë. Tri nuset e djemve do jenë edhe tri vajzat tona të shtëpisë. Ajo, siç e kishte zakon kur i pëlqenin bisedat e mija, më përqafonte nga kënaqësia e asaj që dëgjonte, më puthte dhe, ashtu të përqafuar me njëri tjetrin, ne qendronin disa çaste të lumtura duke shijuar lumturinë bashkëshortore.

Ti G., më thoshte babai mua, ishe tre vjeç atëhere, kur mamaja juaj u ankua nga një sëmundje e pashërueshme”.
Unë, nuk e mbaj mend fare mamanë tonë, por nga fotografitë që kemi në shtëpi, nga gjithë ato ç’na fliste babai shpesh, e imagjinoja atë grua, si mamanë më të mirë në botë.
“Ju ishit fare të vegjël, përsëriste shpesh babai. Ti, i drejtohej vëllait tim të madh, ishe 10 vjeç; ti, i thoshte vëllait tjetër, ishe 6 vjeç. Ndërsa ti, kolopuçi i babuçit, më drejtohej mua, ishe 4 vjeç e 5 muaj.
Babai, e ndërpriste bisedën; një ofshamë dhimbje i dilte nga thellësia e shpirtit. Me sy të përlotur dhe me zërin që i dridhej, mundohej ta përmbante veten përpara nesh dhe, pas një heshtje, vazhdonte: Ja, në atë moshën tuaj fëminore, iku njëherë e përgjithmonë nga kjo jetë bashkëshortja ime, mamaja juaj e pazëvendësueshme. Ooooohhh! – përsëri psherëtima nuk e linte të vazhdonte.
Ne e shikonim dhimbshëm në sy. Trupi na dridhej, zemra na rrihte fort. Ndjenim një gulç në fyt që na dukej se na pengonte frymëmarrjen. Unë, nuk mbaja mend dhe nuk dija se ç’është ledhatim përkëdheli nëne. Kisha dëgjuar nga moshatarët e mi që i zinte gjumi nga dora e ngrohtë e nënës mbi trupin e tyre duke i ledhatuar. E ëndëroja edhe unë një dorë të ngrohtë mamaje që të ndjeja dorën e ngrohtë, ledhatimet, përkëdhelitë e saja.
Vëllai i madh, mes dhimbjes së asaj që dëgjonim, si për t’ia lehtësuar dhimbjen, ia merrte dorën babait, ia shtrëngonte mes duarve të tij. Vëllai i mesëm, mbante kokën ulur dhe qante në heshtje, ndërsa unë, e përqafoja, e puthja dhe nuk doja të largohesha nga ai trup, nga ajo fytyrë e përlotur.
“Nuk u martova, bijtë e mi edhe pse isha i ri në moshë. Ju kisha juve, tre yjet, për të rritur dhe edukuar tre djemtë, jetgjatët e mi. Jeta mizore, fati im i pamëshirshëm, më dënoi dhe më detyroi të isha burrë edhe grua në këtë shtëpi; mama dhe baba njëkohësisht, që ju të rriteshit dhe të mos ju mungonte asgjë edhe pse ju mungoi gjëja më e shtrenjtë, më e ëmbël në jetë, dashuria e mamasë”.
* * *
Në moshën tonë të adoleshencës, ne, tre vëllezërit, filluam të bënim ushtrime gjimnastikore në palestër. Trupat tanë muskuloz dalloheshin nga trupat e moshatarëve tanë. Nuk kishim mundësi financiare; një shoku i vëllait tonë të madh na ndihmoi të shkonim në palestrën pronë e biznesit të tij.
Babai na shikonte me kërshëri. I qeshte fytyra. Ne e kuptonim atë, bashkë me fytyrën, atij i qeshte edhe shpirti. I kishim ngjarë babait, trupa me shtat mesatarë. Edhe ai në rininë e tij, thoshte, se ishte marrë me sport.
Ishte e papritur, por edhe dëshpëruese për të tre neve, kur nji ditë, vëllai i madh na tha, se nuk do shkonim më në palestër. As ai vetë nuk e kuptoi pse shokui tij na e ndërpreu stërvitjen në palestër.
Ishim që të tre të papunë. Pensioni i vogël që merrte babai ishte qesharak për vetë shtrenjtësinë e jetës së përditshme. Vëllait të madh prej kohësh i kishte lindur një ide dhe, një ditë vendosi ta bisedojë edhe me ne dy vëllezërit e tjerë; ose të largoheshim nga atdheu në një shtet tjetër për një jetë më të mirë, ose të rrinim në atdhe, të merremi me kultivimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Atë vendim të tijin, na porositi ta mbanim sekret, pa i treguar askujt, veçanërisht, babait.
Unë e mora me shumë naivitet propozimin e vëllait të madh. E imagjinoja veten, ashtu siç na kishte folur vëllai, në një shtëpi, vilë të madhe tre katëshe të mobiluar bukur si shumë shtëpi vila të tjera që kohët e fundit kishin marrë shpejtësi përhapjeje. Në imagjinatën time, përpara syve, m’u shfaqën duart me një shumë të madhe parash. Gëzimi dhe kënaqësia që po ndjeja në ato çaste kishin kapur gjithë qënien time trupore. Nuk po mund të duroja, isha gati ta fillonim atë aventurë sa më parë.
Vëllai i mesëm nuk foli, rrinte i menduar. Pas një heshjeje, e refuzoi propozimin e vëllait.
Vëllai i madh e qortoi, madje për t’ia mbushur mendjen, i tha, se ti duhet të jesh mbështetja ime kryesore duke parë edhe gjendjen e vështirë ekonomike të familjes.
Pas pak ditësh, çdo gjë midis ne tre vëllezërve u vendos. Dy vëllezërit e mi më të mëdhenj do largoheshin nga atdheu, ndërsa unë, si më i vogli, do kujdesesha për babain si edhe për anën financiare që do më dërgonin ata.
Vëllai i madh e mori guximin për ta biseduar me babain vendimin tonë. Babai e hodhi menjëherë poshtë atë çfarë i tha vëllai: “J’u kam dritën e syve të mi, bij – fliste babi me ton lutës. – J’u dua këtu pranë, në shtëpi, në tokën, në atdheun tonë. Unë tani nga ju pres ditën e shumëpritur, martesën tuaj, gëzimin, për të na ndritur shtëpinë, për të më ngrohur shpirtin tim të përvëluar, bijt e mi.
Fjalët lutëse të babait nuk na kthyen në vendimin tonë që kishim marrë.
* * *
Ikjen e dy vëllezërve jashtë shtetit, babai e përjetoi shumë dhimbshëm. “M’u boshatis shtëpia! Nuk më vjen të hyj në shtëpi, më duket e shkretë…” fliste shpesh babai me mua. Unë e shikoja, e dëgjoja, më dhimbsej shumë, por, menjëherë mendoja shumën e madhe të parave që do na dërgonin vëllezërit, ndërtimin e shtëpisë vilë tre katëshe…
Gjatë gjithë jetës sime nuk e kisha parë asnjëherë kaq të vrarë shpirtërisht babain edhe atëhere, kur ne të katër rrinim ulur në dhomën e ndenjies dhe babai na fliste për vuajtjet e jetës së tij, veçanërisht, kur kujtonte dhimbshëm humbjen e mamasë sonë, bashkëshortes së tij.
Unë, nuk kisha forcë t’ia qetësoja atë dhimbje të thellë shpirtërore që e kishte kapluar gjithë trupin dhe qenien e tij.
Një ditë, një burrë i panjohur për ne, trokiti në derën e shtëpisë sonë. Për fatin e mirë, babai nuk ndodhej në shtëpi. Burri më dorëzoi një çantë të zezë brenda së cilës ishte një si pako e mbështjellë mirë me letër ngjitëse. Çanta vinte në emrin e dy vëllezërve të mi. Sipas porosisë së vëllezërve që më kishin shkruar një copë letër, e hapa pakon. Ç’të shikoja! Një shumë e madhe parash! Po fluturoja nga gëzimi. Po ndjehesha djali më fatlum në jetën time. Ëndra jonë po bëhej realitet. Që nga ai çast, po më dukej se varfërinë e kishim shkelmuar njëherë e përgjithmonë.
Kur babai erdhi në shtëpi dhe mësoi për pakon që na kishte ardhur nga vëllezërit, ndryshe nga ç’e mendoja unë, ai u zbeh në fytyrë. I hodhi një shikim përbuzës pakos që unë mbaja në dorë përpara tij dhe më tha: na mjafton pensioni im që marr.
Unë, nuk u kushtova shumë rëndësi atyre fjalëve të babait, vazhdoja të isha i dehur nga gëzimi dhe kënaqësia. Nuk kisha patur asnjëherë rast në jetën time të mbaja në duart e mija një shumë të madhe parash. Unë, jo vetëm që po i mbaja në duart e mija, por edhe i kisha në shtëpi, ishin pasuria jonë.
Gjatë ditëve në vazhdim, babai nuk më pyeti kurrë për paratë. E shikoja çdo ditë të menduar dhe të vrarë shpirtërisht. Jeta ime kishte filluar të ndryshonte, jo vetëm në veshjen e rrobave të trupit, por unë po bëhesha i preferuar edhe i pijeve të shtrenjta alkoolike. Disa herë kisha shkuar i dehur në shtëpi.
Babai ishte dobësuar shumë. E shikoja dhimbshëm shëndetin e tij.
Nuk e kisha menduar kurrë, madje, as më kishte shkuar ndonjëherë në mendjen time, ta shihja babin të qante si fëmijë kur merte përpara duarve fotografitë e vëllezërve të mi. E kishte marrë shumë malli për ta.
Një natë, u çova nga krevati për të shkuar në banjë. Në koridor, në errësirë, poshtë derës së dhomës ku flinte babai, pashë një fashë të hollë drite. Nuk doja ta shqetësoja, të trokisja në derë edhe pse meraku për shëndetin e tij nuk po më linte të qetë. Përkula kokën në vrimën e çelësit të derës. Ç’të shihja! Nuk doja t’u besoja syve të mi. Gjunjët, i gjithë trupi filloi të më dridhej si purtekë. Babai ishte ende zgjuar; ishte ulur në mes të dhomës. Përpara kishte hapur disa fotografi të mamasë sonë dhe të vëllezërve të mi. Ia pash syt e përlotur që herëpashere i fshinte me pëllëmbët e duarve. Fytyra i kishte marrë ngjyrë të trëndafiltë. Mbytyrazi, ia dëgjova zërin. Po fliste, po bisedonte me fotografitë si të ishin qënie të gjalla. Nuk po duroja dot më. Nuk doja të bëja zhurmë t’ia tërhiqja vëmendjen babait. U ktheva. Me hapa të ngadaltë, me hapa të rënduara nga pesha e madhe e dhimbjes, shkova drejt shtratit tim të fjetjes. Mbulova kokën me çarçaf. Nuk po mundesha t’i përmbaja lotët; po qaja me ngashërim. Në veshë më trokiste zëri i mbytyr i babait tek fliste me fotografitë. Doja të çohesha prap nga shtrati, t’i trokisja në derë, të rija pranë tij, ta puthja ta përqafoja, ti thoshja se je babai më i mirë në botë. Por nuk e bëra. Nuk po mundesha dot. Nuk po e përmbaja dhimbjen e madhe që më kishte kapuar shpirtin. Nuk doja të mendonte babai, se unë e përgjoja.
Që nga ajo natë, e vendosa, nuk do largohem kurrë nga babai, nga shtëpia, nga atdheu.
Një lajm i keq, i rëndë si bombë, tronditi shtëpinë tonë. Nuk donim ta besonim, por ishte fakt: Në shtetin e huaj, dy vëllezërit e mi, ishin arrestuar nga policia e atij shteti ku jetonin prej disa muajve, si përdorues dhe trafikantë të lëndëve narkotike. Lajmi i zi u përhap rrufeshëm në të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike. Disa media, shpejtuan në njoftimet e tyre, duke shtuar edhe akuzën e trafikimit dhe shfrytëzimit të vajzave të reja.
Pamjet filmike dhe fotografike të arrestimit të vëllezërve të mi në shtetin e huaj, e rënduan shumë gjendjen shpirtërore të babait dhe timen bashkë.
Më vonë, mësuam edhe për dënimin e vëllezërve. Vitet e gjata të burgut do t’i kalonin në shtetin ku edhe u arrestuan.
Njerëzit tanë, miqtë, të afërmit, pothuajse ishin larguar, nuk na vinin më në shtëpi. Po ndjeheshim të vetmuar, të përbuzur.
“Përse m’i shpërblyet kështu vuajtjet dhe sakrificat e jetës sime në rritjen dhe edukimin tuaj, bijt e mi! Përse! Përse!” fliste shpesh babai nëpër shtëpi.
Daljet jashtë shtëpisë, babai, pothuajse i rralloi fare.
“Nuk e kuptoj, përse duhet vazhdoj të jetoj akoma…” përsëriste shpesh me veten e tij këto shprehje.
Po kthehesha në shtëpi. Një shok më thotë, babai yt ndodhet në spital. M’u duk se qielli më ra mbi kokë; bota e tërë m’u shpërfytyrua. Me të shpejtë, shkova në spital. Sytë m’u errësuan kur hyra në dhomën ku rinte shtrirë mbi një krevat babai. Nuk po u besoja se, ai që po shihja përpara, shtrirë në krevat, ishte babai im. Fytyra i kishte marrë ngjyrën e dyllit. Buza i kishte shkuar shtrembër nga ana e majtë. Syt i mbante gjysëm të hapur, më tepër dukej si i përgjumur. Dy punonjëse të spitalit me bluze të bardhë, seç po i bënin në krahun e majtë me shiringa dhe tuba llastiku. Mbi kokën e krevatit i varej shishja me serum. M’u errësuan syt. Nuk durova dot: Babiiii! Bërtita fort dhe iu hodha sipër trupit tij. Babushi im. Jam unë, djali yt, kolopuçi yt, siç më thërrisje ti kur isha i vogël. Hapi syt babi; më shiko. Dua të të shikoj syt, ato syt e tu të bukur, baba. Ai u mundua t’i hapte pak sytë. Mua m’u duk sikur më pa në sy, sikur pamë njëri tjetrin në sy. Lëvizi kokën majtas djathtas si për të më thënë diçka. Unë e kuptova ç’donte të më thoshte në ato çaste; ishte e njëjta lëvizje e kokës kur babai fliste shpesh me veten e tij dhe me mua: “Përse m’i shpërblyet kështu vuajtjet dhe sakrificat e jetës sime në rritjen dhe edukimin tuaj, bijt e mi! Përse! Përse! Nuk e meritoja unë, babai juaj, këtë shpërblim nga ju!”
Dy punonjëset e spitalit më thanë, se duhet të dilja jashtë. Iu binda. Duke ecur me ngadale, me kokën e kthyer prapa duke vështruar babanë, dola jashtë dhomës. Në koridor, drejt meje po vinte një mjek. E dallova që ishte mjek nga stetoskopi që mbante varur në qafë. E pyeta për shëndetin e babait. Ai ma spjegoi me të shpejtë sëmundjen e pashërueshme të tij; goditje cerebrale. Nuk ia kuptova mirë fjalën e fundit se ku ishte goditja cerebrale, në tru, apo në zemër edhe pse kisha dëgjuar që goditjet cerebrare janë në tru. Por, më duket, se dëgjova nga mjeku edhe fjalën atak në zemër.
Nuk dija ku të shkoja. Nuk dija me cilin njeri të afërm të bisedoja. Po ndjehesha më i vetmuar se asnjëherë në jetën time.
Pa vetëdije, me gjunjët që po më dridheshin, këmbët më çuan jashtë spitalit. Buzët më mërmërisnin vetëm fjalën e shenjtë, baba. Përpara syve më qendronte pamja e babait që e kisha parë shtrirë në shtratin e spitalit.
Pas disa ditëve, ndodhi ajo që unë nuk e dëshiroja kurrë ta besoja. Ndërsa isha nisur për në spital të vizitoja babain, në hyrje të derës së spitalit, mjekët më dhanë lajmin e dhimbshëm. Babai im kishte ndëruar jetë…
Babain e përcollëm në banesën e fundit. Nuk kisha parë ndonjëherë në jetën time, kur njeriun e dashur, pjesëtar i familjes, por, që tashmë i pajetë i mbyllur brenda arkës mortore, e fusnin poshtë një grope të madhe, të thellë, të hapur në dhe’ me emrin e frikshëm, varr. Babai që nga ai çast, do rrinte përgjithmonë brenda atij varrit…
Unë po ndjehem i vetmuar, krejt njeri i vetmuar. Të gjithë miqtë, shokët, njerëzit më janë larguar. Edhe paratë që na dërguan vëllezërit po më mbarohen. Oh, sa shumë që po vuaj!


Leave a Reply