Nga Artur NURA
Kombi shqiptar, në mënyrë të veçantë populli i Shqipërisë dhe ai i Kosovës janë në radhën e shoqërive më pro-amerikane në botë. Në mënyrë të veçantë në rajonin e Ballkanit ku nuk mungojnë kombet të cilat mund të konsiderohen si jo simpatizantë të SHBA-ve. Si rezultat i këtij karakteri krejt të veçantë dhe plotësisht të justifikuar të marrëdhënieve të shqiptarëve me vendin më të madh të botës, qytetarët shqiptarë i ndoqën zgjedhjet presidenciale amerikane sikur të ishin votues të shtetit të 51-të të kësaj federate që dominon mbarë botën. Në fakt, në legjendat urbane ka qarkulluar gjithnjë dëshira popullore për tu bërë pjesë e politikës amerikane dhe është sugjeruar në mënyrë popullore varianti i një shteti plus 50 aktualëve. Diplomat të caktuar shqiptarë duke lexuar me lehtësi këtë vullnet popullor dhe për tu bërë simpatik tek opinioni kanë “abuzuar” duke paralajmëruar se shumë shpejt edhe SHBA-të do të liberalizojnë sistemin e vizave me Shqipërinë! Të tjerë diplomat karriere kanë thënë se një gjë e tillë është krejtësisht e pamundur, por pak i kanë dëgjuar këta të fundit! Njerëzit e thjeshtë kanë parapëlqyer të dëgjojnë të parët dhe kjo është e shpjegueshme.
Pikërisht si rezultat i kësaj dëshire popullore dhe në fakt jo politike, Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë trajtohet përgjithësisht në rolin e Senatit të munguar në Shqipëri. Vëmendja mediatike dhe e opinionit publik në çdo moment delikat të politikës shqiptare të cilët për fat të keq nuk janë të rrallë, presin çdo të thotë, si do reagojë, nga do të anojë ambasadori i SHBA, aktualisht Aleksandër Arvizu. Jam i sigurt që në momentet e para të karrierës së tyre diplomatike në tokën e Shqipeve ambasadorët amerikanë, por jo vetëm ata, janë ndjerë fillimisht në siklet për këtë vëmendje të jashtëzakonshme të medias dhe opinionit për ta dhe qëndrimin e tyre. Më tej janë mësuar me këtë fenomen dhe besoj se në fund u ka pëlqyer! Askund tjetër roli i ambasadorit do ishte kaq politik sa në Shqipëri dhe Kosovë e sigurisht kaq i rëndësishëm sa në këto troje. Ky relacion padyshim ka dhe kostot e veta problematike. Në zgjedhjet e fundit lokale Ambasadori i SHBA, por edhe ai i BE-së, respektivisht Aleksandër Arvizu dhe Ettore Sequi, u detyruan të përveshnin mëngët sikur të ishin jo Senatore të munguar, por vëzhgues të zakonshëm. S’kanë ç’bëjnë, pushteti ka kostot e tij. Por ndërsa në natën e bardhë të zgjedhjeve amerikane shumë prej politikanëve tanë e ndoqën procesin elektoral së bashku me Ambasadorin Arvizu në “Hotel Rogner” dhe pjesa tjetër sigurisht nga shtëpia, po i njëjti ambasador Arvizu nuk u lodh të thoshte në vazhdimësi se rezultat e miliona votuesve amerikanë u numëruan dhe publikuan vetëm në pak orë! Qartazi duke apeluar që të mos kenë të njëjtin fat me zgjedhjet e shkuara ato të ardhshme të qershorit 2013. Ambasadori amerikan Arvizu e konsideroi publikisht procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe fjalimet e kandidatëve për president si leksionin e radhës për politikën shqiptare. Por a mundet klasa politike shqiptare te dëgjojë nga kjo ane këtë leksion amerikan? Unë kam dyshimet e mia personale, por këtë radhë besoj se po nuk dëgjoi dhe mësoi nuk do të mund të gjejë asnjë justifikim. Pasqyrë më të mirë për të parë vetveten qartazi nuk do të mund të gjejë. Koha do ta vërtetojë nëse politikanët tanë janë parë si duhet në të. Veçanërisht të gjithë pushtetshmit.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply