Mbrojtësi shqiptar, Riza Durmishi që luan për kombëtare e Danimarkës, ka thënë se i ka përjetuar rëndë komentet e shqiptarëve pas ndeshjes kundër Shqipërisë.
Në anën tjetër, ka kritikuar Federatën e Futbollit të Shqipërisë duke thënë se ata kurrë nuk e ftuan atë të luaj në Kombëtare.
“Nuk u ndjeva mirë kur dëgjoja ofendimet që mi bën tifozët shqiptarë, sepse ata nuk e dinë historinë time që nga fëmijëria e deri sa u rrita, dhe përse kam vendosur të zgjedh Danimarkën para Shqipërisë. Kur do ta mësojnë tani të vërtetën besoj se do të pendohen për vërshëllimat që mi drejtonin atë mbrëmje”, ka thënë Durmishi.
“E vërteta është se Federata shqiptare e futbollit kurrë nuk më ka ftuar. Ju betohem se asnjëherë nuk më kanë bërë asnjë telefonatë. Ku ka shqiptarë që nuk dëshiron të luaj për Shqipërinë. Edhe nga damarët e mi rrjedh gjaku i shqiptarit, edhe unë jam shqiptar, por nuk jam ftuar. E tash kur unë e kam bërë zgjedhjen, sepse më është dashur më në fund të zgjedh një kombëtare, FSHF-së i del gjumi. Tani gjithçka më është vonë”, ka shtuar më tej mbrojtësi nga Tetova.
“Ndihemi i lënduar që më quajnë tradhtar, sepse unë nuk ndjehem aspak tradhtar, por një shqiptar i vërtetë. Zgjedhjen e kam bërë, pasi kam parë se askush nga drejtuesit e FSHF-së nuk kishin shprehur interesim për mua. Kur erdhi koha për të vendosur askush nuk më është paraqitur, prandaj vendosa të luaj për Danimarkën, sepse më duhej të mendoja për perspektivën time si futbollist”, ka thënë ndër të tjera Riza Durmishi. /Express


Leave a Reply