Fotot: Altin Çelmeta / revistawho.com
Mbrëmja e së enjtes ishte një datë e shënuar në kalendarin e eventeve VIP të Tiranës. Sinan Hoxha, një prej emrave më të lakuar të skenës shqiptare, me një karrierë të gjatë e shumë të suksesshme mbi supe, celebroi në martesë dashurinë e tij 2-vjeçare me bukuroshen nga Kumanova, Andrra Destani. Në një festë me 350 të ftuar, ku shumica ishin personazhe publike, Sinani dhe Andrra i thanë “PO”-në e përjetësisë njëri-tjetrit. Ata iu përgjigjën njëzëri pyetjes së punonjëses së Bashkisë, Eda Turku, fjalët e së cilës shoqëroheshin nga tingujt e bukur të pianos mbi të cilën luante i madhi Robert Radoja. Ceremonia që nisi në orën 20:00 të së enjtes u organizua nga “Geraldina Sposa”, ndërsa për ndriçimin u kujdes Eptan Lohja, ndaj jo më kot çdo element ishte i kuruar në detaje…

Nusja hyri në sallë me një fustan të stilistit Valdrin Sahiti, ndërsa gjatë mbrëmjes veshi një prej brand-eve të njohura të “Geraldinës”… Hyrja e çiftit u shoqërua me ovacione të shumta, ndërkohë që luhej “Love me like you do” nga violinçelisti Iljard Shaba. Këngëtarja që hapi dasmën ishte Artiola Toska, e cila përmbushi kështu një pretim që i kish bërë kolegut të saj në muzikë vite më parë. Përpara se të fillonte muzika, Sinani kërkoi fjalën për të falenderuar të gjithë miqtë e tij nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i zi e deri në Australi. Ai tha se në këto 16 vite karrierë, është mësuar të jetë një mik i mirë për të gjithë, ndaj dhe ju lut që vetëm për atë natë të harronin inatet e vjetra dhe të gëzonin të gjithë me njëri-tjetrin. Ishin Rozana Radi dhe Soni Malaj, dy mikeshat e ngushta të këngëtarit ato që hapën dasmën me kërcimet popullore. Por siç mund ta merrni me mend, nata ishte shumë e gjatë dhe mikrofoni kaloi dorë më dorë nga Artiola Toska tek Bujar Qamili, Shyhrete Beluli, Sinan Vllasaliu, Ramadan Krasniqi, Muharrem Ahmeti, Ermal Fejzullahu, etj. E duke i shkuar përmbas traditës, të gjithë të ftuarit dorovisnin me para çiftin e ri sa herë çohej për të kërcyer. Nga një përllogaritje e burimeve të “Bluetooth” në dasmë, mendohet të jenë hedhur më shumë se 15 mijë euro.


FOTO ME MYSAFIRET






















revistawho.com



Leave a Reply