Enkel Xhangolli*
Grabova e Sipërme ndodhet 34 km larg qytetit të Gramshit dhe prej kohësh në këtë zonë dergjet nën pluhurin e harresës historia e një qyteti antik. Në gjirin e saj shekuj me radhë fshihen vlera historike dhe arkeologjike që datojnë që në shekullin X. Shtëpi, kisha dhe ura të ndërtuara në stilin bizantin e bëjnë këtë fshat “memec” të flasë për historinë e tij. Në periudhën e lulëzimit, në këtë fshat ndodheshin rreth 2000 familje, ndërsa tani gjenden vetëm 40 familje, të cilat bashkëjetojnë me vështirësitë, bukuritë dhe vlerat e vendit të tyre. Grabova e Sipërme është dëshmi e gjallë e një popullsie të veçantë siç janë arumunët apo siç njihen ndryshe vlleh, të cilët me shumë fanatizëm kanë trashëguar brez pas brezi gjuhën, identitetin dhe kulturën e tyre. Rruga e degraduar e cila rrotullohet lodhshëm mes kodrave ku fshihet Grabova e bën edhe më të vështirë udhëtimin drejt fshatit.
Duke sfiduar gropat e rrugës më në fund arritëm në destinacionin tonë. Tani ndodhemi në Grabovën e Sipërme, në vendin ku mbizotërojnë heshtja, guri dhe historia. Sapo hedh vështrimin drejt këtij fshati, përpara shfaqet hijerëndë tabloja mesjetare, rrugë të shtruara me kalldrëm, shtëpi të ndërtuara afër me njëra-tjetrën me mure prej guri të skalitur me shumë mjeshtëri. Në këtë fshat me sa duket koha nuk ka ecur dhe shekulli i 21-të nuk ka ndër mend të vijë; duket sikur modernia ka frikë të hyjë në botën antike të Grabovës së Sipërme. Të hutuar nga kjo pamje e pazakontë morëm rrugën e kalldrëmtë, e cila përshkonte mes përmes fshatit. Tek ecim dëgjojmë zhurmën e hapave tanë, të cilët trokasin në gurët e kësaj rruge shekullore. Sakaq përpara na del miku ynë, Kristi Buzo, të cilin e kishim lajmëruar për ardhjen tonë. “Përshëndetje, miku im!” – më foli duke buzëqeshur. U përshëndetëm dhe vazhdojmë rrugën për të parë diçka më shumë nga ky fshat i stërlodhur prej rrugëtimit mijëvjeçar. Papritur Kristi më tregon me gisht: “Ja, ja ku është kisha e Shën Kollit. Shpejtojmë hapat tanë sikur të kishim frikë se kjo kishë e cila ka qëndruar shekuj me radhë në të njëjtin vend do të na ikte tani. Kisha është një ndër vlerat e shumta të fshatit Grabovë, që mbi supet e saj mban shekuj që i rëndojnë, por ajo ende qëndron e fortë në këmbë falë dashurisë dhe përkujdesjes së banorëve. Madje dhe sistemi komunist nuk arriti që ta shembë këtë shtëpi të Zotit; banorët me shumë zgjuarsi dhe trimëri e mbrojtën kishën dhe fenë e tyre. Grabova e Sipërme është i vetmi fshat në komunën Lenie me popullsi krishtere, pasi pjesa tjetër është popullsi myslimane. Por dhe pse të ndryshme në pikëpamje fetare, këta banorë gjithmonë kanë qenë krah njëri-tjetrit, gjë që dëshmon bashkëjetesën fetare në këtë zonë. “Nëse do të dish historinë e Grabovës së Sipërme, duhet të pyesësh prift Mihalin, ai do të të tregojë gjithçka”, – tha plot besim Kristi. Nxitojmë të futemi brenda, ku ndeshemi me bukurinë shekullore të kësaj kishe.
“Mirë se erdhe, biri im!” – na përshëndet prifti me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë. “Ky fshat është dhuratë nga perëndia për ne banorët e kësaj zone”, -fillon të flasë ngadalë prift Mihali. “Është ndërtuar rreth shekullit X nga një perandor bizantin, por i populluar nga rumunët e hershëm që sot njihen me emrin vlleh. Në periudhën e lulëzimit të saj kjo zonë u bë një qendër e rëndësishme, për shkak të popullimit të madh dhe prodhimet e saj në bujqësi, blegtori dhe zejtari, pasi populli vlleh shquhej për mjeshtërinë e punimit të drurit e gurit. Një tjetër fakt që ndikoi në lulëzimin e këtij qyteti antik ishte se në të ndodhej dhe kryqëzimi i rrugës “Egnatia”, e cila bënte të mundur lidhjen e qytetit me Voskopojën”, – na sqaron Mihali. Vëmendjen na e tërheq një histori tepër interesante. Historia e artistëve të familjes Çetiri, të cilët me shumë mjeshtëri kishin shpalosur talentin e tyre në pikturë jo vetëm në Grabovën e Sipërme, por dhe më gjerë, si: Fier, Vlorë, Lushnjë etj. Ikonat e kishave të këtyre vendeve janë pikturuar nga dora e mjeshtërve Çetiri. Kjo histori dëshmon për nivelin e lartë të kulturës së popullit vlleh dhe qytetit Grabovë e Sipërme të asaj kohe. Tashmë kishin kaluar më shumë se tri orë që bisedonim me prift Mihalin, duhej që të largoheshim për të shijuar bukuritë e peizazhit mesjetar. Përshëndetëm priftin dhe së bashku me Kristin vazhdojmë drejt “Përroit të Sharrës”, ku ndodhet ura antike. Dalëngadalë rruga e kalldrëmtë po ia linte vendin një rruge të çakullt; befas përpara nesh shfaqet madhërishëm ura që për shkak të ndërtimit të saj banorët e quajnë “ura me harqe”. Ura është e ndërtuar rreth shekullit XVII, dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës e ka cilësuar monument i tipit “me një qemer”. Në ndërtimin e kësaj ure është përdorur guri gëlqeror i zonës. Afrohemi ngadalë te ura plakë ndërsa plasaritjet e murit na vranë sytë… Me sa duket kjo urë nuk do të rezistojë dhe shumë gjatë. “Në këtë urë njerëzit kalonin bagëtitë, karvanët e gjatë të kuajve të ngarkuar me mall për t’i shitur në vende të tjera”, – filloi të fliste Kristi duke i shkëlqyer sytë. “Kjo urë është aq e fortë, sa dhe sot e kësaj dite shërben për kalimin e “Përroit të Sharrës”, por kam frikë se nuk do të rezistojë dhe shumë gjatë”, – vazhdoi ai, duke ulur sytë poshtë sikur t’i vinte turp. “Kujt t’i themi, asnjë nuk na dëgjon ne?!”. Qëndruam aty rreth një orë duke vështruar përroin që lëshohej me shpejtësi nga mali “Valamares” dhe përshkonte mes përmes “Shkëmbin e Kopaçit”, një shkëmb që gjatë viteve është gërryer nga ky përrua duke u ndarë në dy pjesë dhe tani ngjan si dy mbretëri. Duke kaluar afër një punishteje të vogël druri na zunë sytë një plak i cili gdhendte një trung të trashë, e të shtyrë nga kureshtja vendosim që të flasim pak me të. Plaku quhet Niko ose siç e thërrisnin të gjithë këtu xha Niko. Ai ka punuar gjatë gjithë jetës së tij në këtë zanat. “Unë e kam trashëguar nga im atë dhe gjithë jetës sime në këtë zanat kam punuar. Besoj se kjo punishte do të vdesë bashkë me mua, sepse të rinjtë e sotëm nuk kanë asnjë lloj interesi për këtë zanat”, – psherëtiu xha Nikoja, duke thithur cigaren e tij që e shoqëronte në çdo moment. Nuk kishim mënyrë tjetër më të mirë për ta mbyllur këtë ditë kaq të bukur sesa me fjalët e mençura që thoshte xha Nikoja. Koha iku pa u ndier, e teksa largoheshim, kamxhikët e pyetjeve na fshikullonin mendjen. Me keqardhje konstatojmë se askush nuk ka guxuar të vërë alarmin e zgjimit për instituci onet ton a të pë rgjumura. Këtë na e dëshmoi Grabova, ku askush nuk kujtohet për këtë thesar vlerash. Kështu lëmë pas krahëve Grabovën e Sipërme, e cila ende shpreson se lavdia e dikurshme do t’i rikthehet sërish, por ama vetëm shpreson…
Milosao


Leave a Reply