
(Informacion për historikun e krahinës dhe të Shoqatës së saj)
Nga Petrit Zeneli (studiues)
Vështrim i përgjithshëm
Krahina e Vakëfeve shtrihet në një terren të thyer e malor, në skajin jug-perëndimor të
rrethit Korçë, në të dy anët e paralelit 40° 30’ gjerësi gjeografike veriore, dhe 20° 30’ gjatësi
gjeografike lindore. Në lindje kufizohet me rrethin e Kolonjës, në perëndim me rrethin e
Skraparit, në veri me krahinën e Oparit, ndërsa në jugë, nëpërmjet lumit Osum ndahet me
krahinën e Dangëllisë të rrethit Përmet. Vakëfet janë tërësisht zonë malore. Tradicionalisht në
të përfshihen fshatrat Leshnjë, Vithkuq, Shtyllë, Panarit, Grabockë, Trebickë, Treskë, Katund,
Stratobërdhë, Ballabanovë (kjo e fundit më tepër ka qenë një qytezë që banohej kryesisht nga
punëtorët e sharrave të ujit, ardhur nga zonat përreth dhe mbulohej ekonomikisht herë nga Korça
dhe herë nga Kolonja), pse jo dhe Lubonjë e Rehovë, pavarësisht veçorive natyrore e historike të
tyre. Sipas arkeologut dhe studiuesit të mirënjohur Skënder Aliu, në Vakëfe përfshihen të gjitha
fshatrat që shtrihen në perëndim të rrjedhjes së lumit Osum (në rrethin e Kolonjës) e deri në kufi
me Skraparin, kjo për shkak të territorit të njëjtë fiziko gjeografik, si një bllok me kufij të qartë
natyrorë në raport me krahinat e tjera, lidhjeve të fuqishme ekonomike, e padyshim,
trashëgimisë së njëjtë historiko kulturore e shpirtërore të popullsisë së saj që nga lashtësia. Për
mua, – shprehet ai, – formësimi i kësaj krahine (edhe pse i ka mbetur emërtimi i vonë i shek XV,
Vakëfe) është shumë i lashtë, gjë që vërtetohet nga gjetjet arkeologjike në Luaras, Boshanj,
Treskë, Vithkuq, apo emërtimet Katund, Vilë (e Panaritit) etj.
Kështu që nuk mund të flasim për kufij të prerë me thikë për krahinën e Vakëfeve, sepse tjetër
gjë është emërtimi i para pesë shekujve (fundi i shek. XV-të) Vakëfe, dhe tjetër gjë janë kufijtë
natyrorë, marrëdhëniet e hershme ekonomike dhe trashëgimia historiko-kulturore e njëjtë e
banorëve të kësaj krahine.
Në veri, jugë dhe perëndim këta “kufij” janë të përcaktuar mirë, ndërsa në lindje e verilindje ka
fshatra të tilla si Lubonja, Rehova, Roshanji, bile dhe Selenica e Pishës, që të ndara nga lartësitë
e Malit të Zi, Piqerrit e Rrungajës, ekspozuar përballë Kolonjës, herë herë vënë në diskutim
përfshirjen e tyre në këtë krahinë. Megjithatë, për shkak të lidhjeve të ngushta territoriale,
ekonomike, administrative, etnike, demografike, shpirtërore, historike e zakonore,
tradicionalisht ato janë dhe mbeten pjesë e krahinës së Vakëfeve. Këtë krahinë, hera herës në
literatura të ndryshme e hasim dhe me emrin Malsia e Vithkuqit, apo krahina e Vithkuqit. Kjo
pasi, që nga shek. XIII-XIV, kur ra pesha e Panaritit (nga shpërnguljet masive në Shqipëri,
Ballkan, Itali e deri ne Amerikë) si qendra më e madhe dhe më e zhvilluar në zonë, Vithkuqi u
bë dhe mbeti deri në ditët tona kryeqendra e saj. Pra emërtimet Krahina e Vakëfeve apo Malësia
e Vithkuqit kanë të njëjtin kuptim dhe përmbledhin të njëjtat fshatra.
Duke marrë për bazë pikat më ekstreme të krahinës, në drejtimet Grabockë-Leshnjë, me gjatësi
rreth 15.5 km. dhe Ballabanovë-Qafa e Martës me gjatësi rreth 11 km (llogaritur nga fotografimi
satelitor) atëhere sipërfaqja e krahinës (tradicionale) është rreth 170.5 km². Kurse po të llogariten
të 13 fshatrat që përfshin Komuna (shto Gjançin, Lubonjën, Rroshanjin, Rehovën Çemerricën
e deri në Grabockë), sipërfaqja shkon 243.6 km². Pra, për nga ana administrative krahina bën
pjesë në Komunën e Vithkuqit, një fshat-qytet ky, i cili shquhet jo vetëm për numrin e madh
të popullsisë, zhvillimin ekonomik, nivelin e lartë të jetesës, por edhe për trashëgiminë e pasur
historike e kulturore, që nga lashtësia.
Vështirë të flasësh për numrin e popullsisë në krahinën e Vakëfeve, pasi lëvizjet demografike
aty kanë qenë të shpeshta dhe ndonjëherë masive, brenda për brenda e jashtë saj.. Po ashtu,
organizimi administrativ i krahinës ka qenë i ndryshëm në 100 vjetët e fundit, si Komunë,
Lokalitet, Rreth, Këshill i Bashkuar (sipas koop. bujqësore), dhe prap sot Komunë, gjë që ka
sjellë herë bashkim dhe herë ndarje të fshatrave, sipas organizimit. Megjithatë, deri në vitin
1990 ajo numronte rreth 4000 banorë, kurse sot, për mungesë të infrastrukturës, fshatra të tëra
pothuajse janë boshatisur fare si Grabocka, Trebicka, Treska, Katundi e Stratobërdha dhe numri i
popullsisë ka zbritur nën 3500 banorë.. Në to mund të gjesh tek tuk vetëm një apo dy familje (që
merren me blegtori) dhe ndonjë kthim sezonal në stinën e verës. Ende mbahet Panariti me rreth
45 familje, Shtylla me 21 etj. Kurse Vithkuqi, pavarësisht emigrimit të një pjese të mirë të të
rinjve për punë jashtë vendit, ruan madhështinë e dikurshmë dhe ka perspektiva të mira zhvillimi
në të ardhmen.
Disa të dhëna gjeografike
Relievi
Kushdo që do të eksploronte Trevën e Vakëfeve, qoftë edhe kalimthi, shumë shpejt do ta
shihte veten në një ambjent natyror të papërsëritshëm. Pozicioni gjeografik në të cilin është
vendosur e shtrihet kjo trevë, ka favorizuar egzistencën dhe zhvillimin e një flore dhe faune
të shumëllojshme, konfiguracion shumëformësh të relievit si dhe një hidrografi të pasur. Kjo
shumëllojshmëri është prezente edhe për shkak të ndryshimit të lartësisë mbi nivelin e detit.
Lartësia më e ulët ndodhet në kufirin jugor të saj, 558,2 m, te mulliri i Pashajt (kryqëzimi i lumit
të Panaritit me lumin Osum) dhe 584 m. te mulliri i Nukos (kryqëzimi i lumit të Treskës me
lumin Osum). Ndërsa pika më e lartë është Mali i Rrungajës, 1945 m.
Për të krijuar një pamje më të qartë e të plotë të relievit, po pasqyrojmë disa nga kuotat më të
spikatura të cilat “shkallëzojnë” gjithë sipërfaqen ku shtrihet treva e Vakëfeve. Shkalla e parë
formohet: – Bregu i Madh në fshatin Trebickë, lartësia 858 m. mbi nivelin e detit, mali i Melckës,
lartësia 1013 m, fillon rritjen në drejtim të Lindjes me lartësinë 974 m te Kisha e Shënkollit
në fshatin Treskë, dhe në drejtim të Perëndimit, në fshatin Grabockë, në lartësi afërsisht 1100-
1150 m. Nga fshati Grabockë, ky brez lartësie shtrihet në drejtim të Veri-Lindjes në Panarit me
lartësinë 990-1000 m mbi nivelin e detit.
Në këtë brez dominojnë shkurret dhe korijet me lisa. Mbi këtë lartësi fillon të dominojë përsëri
lisi deri në përzierjen me pyllin e pishës. Brezi ndarës fillon përafërsisht në lartësinë 1250-
1300 m. Deri në lartësinë 1500 m mbizotëron pylli i pishës dhe mbi të bëhet “zot” i vendit ahu e
bredhi, duke mbyllur kurorën e Vakëfeve nga Lindja, Veriu dhe Perëndimi. Edhe për kureshtarët,
por në mënyrë të veçantë për studjuesit, po evidentojmë disa nga lartësitë që dominojnë në zona
të ndryshme të krahinës:
Fshatrat:
● Katund-Stratobërdha 1250-1300 m
● Treska Qendër 974 m
● Trebicka M. e Poshtme 890 m
“ M. e Sipërme 1100 m
● Grabocka Shkolla 1130 m
● Panariti Shkolla 990 m
● Shtylla Shkolla 1560 m
● Vithkuqi Qendër 1200 m
● Lubonja Qendër 970 m
● Rehova “ 1150 m
● Leshnja “ 1060 m
● Rroshanji “ 1160 m
● Çemerrica “ 1370 m
● Gjançi “ 1210 m
Disa lartësi karakteristike
● Mulliri i Pashajt 558.2 m
● Pylli i Staropçes (maja) 1013 m
● Mali i Spëndalikut 1347 m
● Mali i Staraveckës 1575 m
● Mali Lirëz 1777 m
● Qafa e Martës 1823 m
● Qafa e Butë 1711 m
● Mali i Azimës 1854 m
● Mali i Sarakaçanit 1876 m
● Lëndinat e Mashkullorit 1700 m
● Mali i Rrahës (Shtyllë) 1676 m
● Mali i Rrungajës 1945 m
● Mali i Malingelos 1786 m
● Qafa e Kumbullës 1650 m
● Mali i Piqerit 1554 m
● Mali i Imshit (Katund) 1588 m
● Mali Pisha e Treskës 1393 m
● Shkëmbi i Ariut 1320 m
● Mali i Kaltanjit 1373 m
● Mali i Bogovës 1392 m
● Shkëmbi i Treskës 1262 m
● Mulliri i Nukos 584 m
Siç e shohim nga vlerat e sipërshënuara, lartësitë “valëzojnë” në gjithë shtrirjen e trevës duke
formuar kurorën e bukur të saj, e cila ka bërë të mundur prezencën e shumë pasurive pyjore,
ujore e bimore si dhe një faunë të shumëllojshme.
Pyjet
Pyjet në Vakëfe zënë një sipërfaqe të konsiderueshme me karakteristika të veçanta për secilën
zonë. Ato shtrihen në të gjithë sipërfaqen por më shumë mbizotërojnë në lartësitë 1200-1700 m
mbi nivelin e detit. Një përshkrim i shkurtër i pyjeve në Trevë:
Duke filluar nga skaji më i largët në pjesën perëndimore, sipërfaqja pyjore fillon me pyllin
e Lakshtës, vazhdon në drejtim të Juge-Perëndimit me Malin e Melckës (Pylli i Staropçes) ku
mbizotërojnë sipërfaqe me shkurre, lisa, shkozë, lajthi, thana, mëlleza etj. Në vendet ujëmbajtëse
rritet edhe shelgu. Duke vazhduar në drejtim të Veri-Perëndimit fillon pylli i Spëndalikut i
veshur me dru ahu, i cili vazhdon mbi fshatin Panarit me sheshin e majën e kurorës, Arishtëzat,
Çuka e Osman Kurtit, Çuka e Frëngut, Qafa e Thanës. Kjo kurorë vazhdon në drejtim të Veriut
deri te Qafa e Martës, prej këtu fillon shtrirja drejt Lindjes te Qafa e Butë, Pylli i Sherës, i
cili kufizon me fshatin Çemericë te luadhet e dëllinjës. Sipërfaqja pyjore e veshur me dru ahu
nga jugu kufizohet me malin e Azimës deri te lëndinat e Mashkullorit të Madh e të Vogël.
Pasi kalojmë lëndinat e Mashkullorit, vazhdon sipërfaqja pyjore te kroi i Merjemës; fusha e
Shqerrave, Brananica, pisha e Panaritit. Në drejtim të Veriut vazhdon Balta e Kuqe-Prroi i
Skraparit, në juglindje të Shtyllës vazhdon sipërfaqja e veshur me ah në faqen veriore të Malit të
Rrahës.
Sipërfaqet me pyje janë të shtrira pothuajse në të gjitha pjerrësitë perëndimore të malit të
Rrungajës siç janë ato te gropat e Tushit të cilat shtrihen në juglindje deri te Fusha e Madhe.
Në drejtim të Perëndimit dhe Jugut pasi ndahemi me Pyllin e Merjemës vazhdon pylli te Qafa e
Ujkut, Limeri i Shashos, Qafa e Kacanos-Pisha e Katundit deri në Sheshevanjë e Gurrë.
Kjo sipërfaqe kufizohet në pjesën perëndimore me pyllin e Drenit dhe Eremëdhit të cilat
kufizohen nga Lumi i Humbës Treskë. Në skajin më lindor të trevës shtrihen pyjet e bukura
të Stratobërdhës me pishë, ah e bredh të cilat kufizohen me Qafën e Kumbullës, Selenicën e
Pishës, Fusha e Makërzës. Mbyll kurorën në drejtim të Lindjes dhe Juglindjes pylli i Pishës së
Treskës, i cili fillon nga ura e Laskës-shkëmbi i Ariut, mali i Kaltanjit me ujërrjedhje në drejtim
të Perëndimit ku kufizohet nga lumi i Treskës. Sipërfaqja nga Shën Mitri (M. Kaltanjit) deri te
mulliri i Nukos është i veshur me dru lisi, shkozë, dëllinjë dhe shkurre të ndryshme. Në këtë
sipërfaqe rriten gjithashtu edhe gorrica, thana, murrizi, frashëri etj.
Në përgjithësi pyjet në trevë janë të natyrës “pyje të përzierë”. Karakteristike kjo përzierje është
në pyllin e Staropçes (pylli i Lakshit) deri te fusha e Çaireve në fshatin Grabockë. Të kësaj
natyre janë koriet që shtrihen në jug të fshatit Trebickë-nga lumi Osum-Bregu i Madh-Fusha e
Moçaleve deri te Vreshtat e Trebickës. Në drejtim të Lindjes sipërfaqja e veshur me shkurre e
lis vazhdon nga lumi i Treskës-pylli i Zavorit-Dhiobërde deri tek arat në Shendëlli të Trebickës.
Llojshmëria e pemëve ndryshon gjatë gjithë shtrirjes jug-veri të Shkëmbit të Treskës. Korijet
që shtrihen në jug të fshatit Treskë janë të një natyre të veçantë, sidomos nga burimi i Thomos
(Skaji më jugor i Shkëmbit të Treskës), Sheshtës, Vreshtat e Treskës, Navakovë (Korijet në Jug
të Mëhallës së Poshtme, fshati Treskë). Në këtë sipërfaqe, përveç dushkut (atij të butë e lisit
qarr), si dhe shkoza, mëlleza, dëllinja, murrizi, thana, gorrica, molla e egër etj. rriten edhe disa
pemë karakteristike si: lajthata, vernia (përgjatë lumit), vidhi, frashëri, kreka, vathëza etj. Duke
u ngjitur drejt Veriut (mali i Bogovës) më i zhvilluar është lisi, dëllinja, thana e gorrica. Këto
sipërfaqe shtrihen në veri të rrugës që lidh Mëhallën e Gurit me Mëhallën e Madhe në fshatin
Treskë dhe gati humbasin te lëndinat e Llokofit (Treskë), pylli Gorica e Madhe (Trebickë), fshati
Grabockë-Luadhet e Janqishtit në fshatin Panarit.
Korije me përzierje shkurresh e pemësh shfaqet në pjerrësitë veri-perëndimore të malit të
Bogovës (Vila e Panaritit). Fusha Sheshet e Treskës në malin e Bogovës dhe gjithë pjerrësia
lindore deri te lumi i Humbes Treskë janë të veshura me shkurre si: dëllinjë, shkozë, mëllezë,
murriz etj. Tek-tuk ka edhe pishë të veçuara, të cilat janë mbetje të pyllit me pisha të Bogovës,
i cili ka egzistuar vite përpara dhe është zhdukur nga keqshfrytëzimi i banorëve të trevës. Sipas
tregimeve të të moshuarve, të thëna brez pas brezi, pisha e Bogovës pëlqehej si lëndë ndërtimi
për cilësitë e saj shumë të mira.
Hidrografia
Burimet hidrike në trevë janë një pasuri me shumë vlerë e saj. Që në kohë të hershme, uji, kjo
dhuratë bujare e natyrës, është shfrytëzuar nga banorët e saj jo vetëm për nevojat jetike, por edhe
për ujitje, në mullinjtë për bluarjen e drithit, në sharrat, në dëstila dhe nga mesi i viteve 30-të
e deri në ditët tona është përdorur edhe për prodhimin e energjisë elektrike në hidrocentralet e
ndërtuar në fshatin Katund e Treskë.
Larmia e formave të relievit në krahinë ka kushtëzuar përshkimin e saj nga një rrjet i dendur
përrenjsh, të cilët pavarësisht drejtimit të rrjedhjes së tyre, derdhen në dy lumenj kryesorë (nëse i
quajmë të tillë), në lumin e Panaritit dhe atë të Treskës.
Me drejtim rrjedhjeje gati veri-jug, lumi i Panaritit formohet nga ujrat e burimeve dhe përrenjve
që rrjedhin nga pjerrësitë jugore të malit të Azimës, përshkojnë gjithë pllajën e Panaritit me
drejtimin perëndim-lindje, pjerrësitë lindore të malit të Lirzës, duke vazhduar me përrenjtë që
formohen në pjerrësitë lindore të malit të Spëndalikut, në jug të fushës së Çaireve në fshatin
Grabockë etj. Prurjet më të mëdha të tij sigurohen nga përrenjtë që grumbullohen në Panaritin
e mesëm, lagjia Pinderas, përroi i Dinçes (në kufirin Grabockë Panarit) dhe shumë pak nga
lagjia Vilë dhe pjerrësitë perëndimore të pyllit të Goricës së Madhe (mali i Bogovës). Duke
qenë se ai përshkon një terren malor me pjerrësi të konsiderueshme, karakterizohet nga një
rrjedhje e shpejtë dhe me një forcë të madhe erozive. Mbi të janë ndërtuar, rreth vitit 1965, dy
ura teli, pasarela. Njëra në Panarit, që lidh Shëngjonin me Lëmbadhin dhe tjetra në rrugën që lidh
Grabockën me Trebickën.
Me drejtim rrjedhjeje verilindje-jugperëndim, lumi i Treskës formohet prej ujërave që rrjedhin
nga pjerrësitë veriperëndimore të malit të Piqerrit, pjerrësitë jugore të lartësive Katund-
Stratobërdhë, pjerrësitë perëndimore të lartësive të Ermëdhit e Drenit, ujrat që burojnë nga
fusha e Shqerave, nga burimet e Stinevodës (shtëpitë e Hasan Xitkës), si dhe nga ujrat që
rrjedhin nga burimet në pjerrësitë perëndimore të Pishës së Treskës. Burim kryesor janë ujrat
që burojnë nga Pylli i Piqerrit, Stratobërdha e Katundi. Lumi ka karakter të theksuar malor, me
rrjedhje të shpejtë e forcë të madhe. Në ndryshim nga lumi i Panaritit që e ka ndërtuar shtratin
mbi tokë më të butë, lumi i Treskës, nga Ballabanova e deri në fshatin Treskë, lëviz nëpër një
shtrat pothuajse shkëmbor e për rrjedhojë uji i tij është më i pastër. Ai e vazhdon rrjedhjen në
drejtim të jugperëndimit, deri në bashkimin e tij me lumin Osum, te vendi i quajtur Mulliri i
Nukos. Në vitet 1960-1962, në Treskë u ndërtua një mulli dhe një hidrocentral i vogël, të cilit,
pas vitit 1970-të, iu shtua edhe një tjetër hidrocentral, duke shfrytëzuar ujin e këtij lumi. Këta
hidrocentrale, të quajtur Treska 1 dhe Treska 2, funksionojnë dhe janë në gjendje pune edhe në
ditët e sotme. Së shpejti pritet të ndërtohet edhe Treska 3.
Ndërsa lumi i Osumit përshkon gjithë kufirin jugor të krahinës, duke i marrë kësaj edhe ujrat
që rrjedhin nga lumi i Treskës e Panaritit. Duke patur parasysh veçoritë e relievit në pjesën
që përshkohet nga lumi i Osum, ujrat e tij kanë qenë pothuajse të pashfrytëzuara nga banorët
e zonës. Më tepër lumin Osum banorët e kanë shfrytëzuar për nevojat e blegtorisë në stinën e
nxehtë të verës, sidomos banorët e fshatit Trebickë, ku edhe rezervat ujore kanë qenë më të pakta
në krahasim me fshatrat e tjerë të Vakëfeve.
Shto këtu për hidrocentralet e Vithkuqit Lubonjës, klimën pyjet, disa lartësi etj….
Informacion i Përgjithshëm për Komunën e Vithkuqit
Komuna e Vithkuqit është njësi administrative e qarkut të Korçës. Ajo shtrihet në jugperëndim
të qytetit të Korçës, në një distancë prej 26 km ( qytet – qendër e komunës). Ka një sipërfaqe të
përgjithshme 243,6 km².
Njihet si vendbanim që në Mesjetë. Treva e Vithkuqit është e banuar qysh në periudhen ilire. Për
herë të parë Vithkuqi gjendet i regjistruar si fshat në vitin 1484. Madhësia e Vithkuqit si qendër
banimi në shek XV nuk na lejon të themi që kemi të bëjmë me një fshat të sapokrijuar pasi në
regjistrimet e viteve 1568-1569, Vithkuqi ishte një nga vendbanimet me popullsi më të dendur
(331 shtëpi/8000 banorë)
Komuna e Vithkuqit është e ndarë në 13 fshatra: Vtihkuq, Leshnjë, Gjanc, Roshanj, Rehovë,
Lubonjë, Shtyllë, Cemericë, Panarit, Grabockë, Trebickë, Treskë dhe Katund-Statoberdhë.
Dendësia e popullsisë është 12 banorë për km². Komuna ka 2,863 ha tokë të shpërndarë në 13
fshatra.
Shpërndarja e Tokës sipas fshatrave është:
Vithkuq 542
Leshnjë 170
Gjanc 259
Rroshanj 126
Rehovë 185
Lubonjë 427
Shtylla 291
Çemerrica 108
Panariti 340
Grabocka 127
Trebickë 114
Treskë 88
Kat -Statober 90
Numri i krerëve të blegtorisë deri ne vitin 2005 (si komunë)
Dele 12100
Dhi 2850
Gjedhë 645
Shpendë 6070
56 familje me asistencë sociale nga të cilat 31 në Panarit
Nr. i familjeve në vitet 2000 2005
Vithkuq 255 245
Leshnje 50 55
Gjanc 35 33
Rroshanj 21 14
Rehove 113 48
Lubonje 177 152
Shtylle 59 38
Çemernice 20 11
Panarit 203 125
Grabocke 33 19
Trebicke 34 16
Treske 25 11
Kat-Statober 18 6
Komuna (Total) 1043 773
Shpërndarja e Popullsisë
Fshati Femra Meshkuj Gjithsej
Vithkuq 438 470 908
Leshnjë 111 108 219
Gjanc 49 64 113
Rroshanj 21 31 52
Rehovë 98 106 204
Lubonjë 284 280 564
Shtyllë 76 87 163
Çemerricë 27 32 59
Panarit 238 221 459
Grabockë 39 35 74
Trebickë 31 36 67
Treskë 17 17 34
Kat-Statober 13 10 23
Komuna 1442 1497 2939
Në komunën e Vithkuqit objektet arsimore janë të përqëndruara në tre qendra: Vithkuq, Lubonjë,
dhe Panarit. Aktualisht Vithkuqi numëron tre shkolla 9-vjeçare në të cilën mësojnë 250 nxënës
dhe ka 19 mësues dhe një shkollë të mesme me 41 nxënës dhe 4 mësues. Në komunë ka dhe 2
kopshte fëmijësh në Vithkuq dhe Lubonjë me një total prej 35 fëmijësh,
Sistemi shëndetsor në komunë përbëhet nga një qendër shëndetsore dhe 6 ambulanca ku punojnë
1 mjek dhe disa infermierë dhe mami.


Leave a Reply