Në plotë tempuj e vende islame shfaqet ylli habrenj i Davidit pse?
Nga Jon LEKA -Plevje, korrik 2015 – Kam qenë ende në shkollën fillore kur ndodhi „incidenti“: një këshill bashkëfshatarësh organizoi të holla për t’i rrethuar me murr varrezat qendrore të fshatit Dobërdoll (Vitet e 80-ta). U bë një murr gjysmë metri dhe mbi të po aq zgjatej edhe dekorimi me grila hekuri. Pas disa muajsh, në kafenenë tonë Ismet Bakija, atëherë një i ri problematik i fshatit tha: “Na i kanë rrethuar vorret me yllin çifut”. Të gjithë hapën sytë, u afruan dhe vërtetë brenda çdo katrori në majë qëndronte lapidar ylli i Davidit. U alarmuan dhe më vonë nuk më kujtohet më se çka ndodhi. Më duket se i sharruan. Mend i mbaj spekulimet: “Djalli ia ka marrë shpirtin për vete majstorit”, thoshte një hafëz i pashkollë. Tjerët: “Majstori është agjent i çifutëve” ose “Çka donë të na thotë Allahu me këtë” e gjepura tjera.
Para disa ditësh, në kuadër të një megaprojekti shkencor (ku jam i angazhuar) që punon në studimin “Religjionet në Ballkan – nga inicimet e deri sot” dhe që mbështetet nga rreth 80 hulumtues nga 22 universitete të botës (nga oksidenti e orienti) vizituam xhaminë e Husein Pashë Boljaniçit në Plevlje të Malit të Zi. Shpesh na thirrke arkeologu i grupit, i cili gërmonte mureve e fasadave për të mbledhur elemente ndërtimore për laborator, për të na treguar kaligrafi, simbole që sipas tij ishin çudi të gjendeshin në një tempull fetar islam.
Për habinë më të madhe tonë përkundër dy restaurimeve (e fundit e akuzuar për falsifikime) në vitin 1880 dhe 2008 kupola e xhamisë është e mbushur me yjet tipike të Davidit.
Xhamija ndërtohet me urdhrin e vezirit Husein Pasha me origjinë nga Boljaniç- i i cili, sipas kronistëve osmanë sapo mbërrin si detyrë të parë administratës së tij ia jep ndërtimin e një xhamie në fshatin e tij si monument përballë manastirit të “Tre të shejntëve” ortodoksë. Pashai atëbotë është konsideruar si ndër më të aftit për ta udhëhequr luftën kundër habsburgëve.
Tani sërish pyetja: çka kërkon ylli i Davidit, simboli hebrenj në xhaminë e Pashës islam?
Njohësit e mirë të arkitekturës osmane thonë se Mimar Hajrduini i Ri (nxënës i të famshmit Sinan), ndërtuesi edhe i “sheherit” dhe urës së Mostarit gjithandej ka përdorur simbolet e të gjitha religjioneve abrahamite gjatë ndërtimit të tempujve fetarë. Versioni tjetër që ngul këmbë xhaminë ta kenë ndërtuar mjeshtrit e famshëm të Raguzës nuk ka fakte të mjaftueshme për pohimin.
Ishte një testament gjysmë i fshehtë i arkitektëve të mëdhenj osmanë nga shkolla e të madhit arkitekt Sinan për t’i lënë botës mesazhin që dihet se të të tria religjionet abrahamite të njëjtit prind kanë dhe se luftërat ndërmjet tyre janë vepër pushtetesh pushtuese që duan ta mbysin njëri tjetrin për ndikim e grabitje tokash? Donin arkitektët që aty ku shkonin njerëzit të luten të përballeshin me një të vërtetë që do t’i bënte luftërat religjioze të saj kohe absurde? Nuk dimë gjë. Kjo duhet të hulumtohet mirë. Ashtu siç duhet ta hulumtoj unë se kush i bëri yjet e Davidit në varrezat e fshatit tim.
Legjenda e fotografisë: Kupola e xhamisë së Husein Pashë Boljaniçit në Plevlje
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply