Nga Fotaq Andrea
Studim (1)
Fletore koniciane nr. 6.
Është e njohur figura poliedrike e pionierit rilindës Faik Konica. Me kryeveprën e tij dygjuhëshe, revistën “Albania” (1897-1909), themeluar në Bruksel, ai hodhi themelet në mjaft fusha të mendimit dhe veprimit shoqëror e atdhetar, duke filluar që nga gjuha e njëjësuar “letrarishte” shqipe, siç e quante ai, e deri te bazat e sociologjisë shqiptare. Ai piketoi dhe vendosi me dorë të sigurt gurin e parë të themelit në fushat e kritikës, estetikës, stilistikës e publicistikës shqipe dhe, po ashtu, shkëlqeu si bibliograf, enciklopedist, përkthyes, etnograf, novelist, poet, e deri muzikant dhe estet. Fakti është se që në numrin 2 të revistës (25 prill 1897), ai vendos qartë e prerë në ballinë krahas titullit “Albania” edhe nëntitullin frëngjisht: “Revistë mujore shqiptare për Letërsi, Gjuhësi, Histori, Sociologji”. Në këtë mënyrë, shohim për herë të parë në Letrat dhe Shkencat shqipe të shfaqet termi “sociologji”, përkrah fushave të tjera madhore dhe titullit domethënës “Albania”.
Duke përcaktuar publikisht fushat kryesore të tematikës së revistës, Konica djaloshar, vetëm 21 vjeç, shmangu me zgjuarsi çdo lloj censure, i detyruar të theksojë në frëngjisht, që në numrin 1 të revistës: “Revista shqiptare nuk trajton çështje politike”. Por tashmë, çdo shqiptar i kohës, i vetëdijshëm për rolin dhe forcën e kësaj reviste e kishte më se të qartë se shtylla kurrizore e saj ishte pikërisht zgjimi dhe forcimi i ndjenjës kombëtare, emancipimi shoqëror dhe beteja në fushën e politikës dhe diplomacisë për mëvetësi e pavarësi të Shqipërisë, në një kohë kur ishin ashpërsuar planet shoviniste të shteteve fqinje për copëtim të saj dhe i sëmuri i Bosforit ishte mbërthyer nga ethet e shpërbërjes së Perandorisë osmane.
Përqendruar në tematikën sociologjike koniciane, vërejmë se ajo është e gjithanshme dhe e lëvruar në disa rrafshe. Jo vetëm kaq, por Faik Konica shkon më tej, tek e tejkalon kuadrin e brendshëm të kohës, duke rrokur edhe tematika të mirëfillta sociologjike në rrafsh europian, konkretisht eseja e tij “Mbi edukimin”, që po e japim për botim për herë të parë në gjuhën shqipe, apo eseja tjetër e tij madhore “Mbi gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”, botuar që të dyja me pseudonime nga Librairie Kiessling et Cie, Bruxelles, më 1898 e 1904.
I pashembullt në gjenialitetin e tij, i cilësuar nga bashkëkohësit dhe bashkëkombësit me krejt vlerësimet e meritueshme, njohësi i 17 gjuhëve, “enciklopedia lëvizëse”, “shqiptari më erudit”, “diplomati emblematik”, “politikani i zhdërvjelltë e largpamës”, miku i ngushtë i Apolinerit të madh, Konica, tri herë i dënuar me vdekje nga sulltani, zbuluesi i flamurit të Skënderbeut, i pari shqiptar që komentoi armët dhe përkrenaren e Heroit kombëtar, Konica pra – diti mbi të gjitha të hedhë bazat e mendimit të përparuar dhe modern shqiptar, të vizionojë një Shqipëri të ardhshme europiane përkrah kombeve të qytetëruara të kontinentit të lashtë. Aq sa fshikulloi ashpër, si rrallëkush, mentalitetin e prapambetur shqiptar, “mendjet e klasit të katërt” siç i quan ai, krejt përgjumësinë pesë shekullore, po aq ai diti të ngrejë lart, në piedestal glorifikimi, në vetë botën perëndimore, vetitë më të mira të shqiptarëve, doket, zakonet, historinë, krenarinë shqiptare në shekuj, e mbi të gjitha, gjithçka të vyer shpirtërore që shqiptarët dhanë historikisht, krahas gjakut të tyre që rrjedh në damarët e Europës.
Le ta themi që në fillim se studimi ynë për sociologjinë e Faik Konicës nuk mëton të jetë aspak gjithëpërfshirës a shterues. Ne thjesht po përpiqemi këtu të përcaktojmë disa elementë themelorë e thelbësorë të sociologjisë koniciane, që përbëjnë njëfarësoj boshtin fillestar të vetë sociologjisë shqiptare në disa fusha apo rrafshe të caktuara horizontale, të cilat gradualisht – falë artikujve, epistolarit dhe veprave të tij madhore, si Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit apo Katër përralla nga Zululandi, etj. vijnë e mbishtresëzohen për të shfaqur në këtë mënyrë edhe përmasën vertikale të kësaj sociologjie.
Është e njohur pena e mprehtë koniciane për të goditur ashpër, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, por edhe me ironinë dhe sarkazmën e tij të rrallë, tërë dukuritë shoqërore regresive të Shqipërisë në kapërcyell të shekujve XIX-XX, botëkuptimin e prapambetur anadollak që kishte përgjumur shqiptarët për pesëqind vjet, kritikë kjo sociologjike e llojit volterian, me forcë e fuqi tronditëse, troshitëse, shkundëse. Në këtë kuptim, kjo lloj kritike koniciane me ashpërsi mbresalënëse ka karakter të theksuar konstruktiv, tek sendërton hap pas hapi vetëdijen kombëtare, çel sytë e mendjes, e vesh atë me forcë vepruese shoqërore, e orienton dhe e ngacmon drejt një qëllimi fisnik me synime të qarta në kuadër të një perspektive të afërt a të largët.
Ballina-e-nr.2-te-revistes-Albania-ku-perdoret-termi-sociologji
Që në numrin 1 të “Albania”-s, në kryeartikullin “Armiqtë e Shqipërisë”, Konica mbërthehet fort pas realitetit të zymtë të kohës kur shqiptarit i mungon “buka e barkut”, “buka e mendjes” dhe është i rrethuar nga armiq të jashtëm. Me dy paragrafë të shkurtër, ai shpreh dhimbjen e tij për këtë realitet të hidhur dhe veç kur shpërthen e revoltohet në paragrafin e tretë me ashpërsinë e një heroi homerian duke shpallur, deri dhe me qitje të largët, gjithë rezonancë aktuale: “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur argjend [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshërim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj.”**
Tek flet kaq hapur, pa dorashka, nën një qiell të zymtë shqiptar ku përzien e përplasen shtëllunga resh shekullore në hone të vetëdijes e pavetëdijes kombëtare, ai e kërkon fjalën të çiltër, të qëruar, të revoltuar e revoltuese njëkohësisht, që të shpërthejë me gjëmim rrufeje zeusiane. Topitja e përgjumja kombëtare ka shkuar nën cakun e flijimit dhe vetëflijimit, të durimit dhe vetëdurimit, dhe lypset tanimë ndërgjegjësim e vetëdije, me shpërthim vullkanik shoqëror.
Paul-Nocquet-Mbillni-qe-te-korrni-ilustrim-te-Albania-e-F.-Konices
Në numrin 2 të “Albania”-s, kur Konicës i bëhet presion nga një kategori bashkatdhetarësh për të kufizuar në shkrimet e revistës lirinë e pikëpamjeve të veta politike, shoqërore e fetare, pionieri erudit i Rilindjes tregohet i papërmbajtshëm, si një përrua që derdhet nga lartësitë qiellore me shkrimin Ç’është liria?: “Dua të marr shpatën, revoltohet ai, e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të këllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë m… njeriu, se të shkrojë për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja: unë i botoj letrat e tyre kur thonë që kanë fe, por nuk duan që unë të shajë fetë e tyre… “s’të lëshojmë lirinë që të shaç fetë…””. Dhe Konica tek përfundon: “Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes (la vie intellectuelle). Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të Kuptojmë*** që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë”.
Komentet këtu i shohim të tepërta, sepse citimet falsin vetë në përmbajtjen e tyre sa sociale aq edhe sociologjike. Por Konica nuk mund të rrijë pa theksuar se vetëm dashuria dhe vëllazëria mes shqiptarëve, bashkimi i tyre është çelësi i artë i shpëtimit të atdheut dhe çlirimi i shpirtit shqiptar, se ndarja, armiqësia, padija dhe errësira e mendjes duhen “të lipsen” siç thotë ai, në duam “të njohim të mirën tonë… të hyjmë në rrethin e kombeve të ndritura. E ç’punë ka myslimanëria apo krishterëria me shqiptarërinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë, po Shqipëria të jetë e të gjithëve ne, dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më e mira për të”. (Artikulli Të vimë nër ment, “Albania” 2). (Burimi: “Tirana Observer”)
*Ky studim është botuar për herë të parë në revistën “Lente sociologjike, vëll. 2, nr. 1, Tiranë 2012, dhe do të pasohet nga Esseja e Faik Konicës Për Edukimin.
** I kërkojmë ndjesë lexuesit që tërë paragrafët e cituar nga revista “Albania” i kemi dhënë me alfabetin dhe fonetikën e sotme shqipe, për ta lehtësuar sa më shumë përmbajtjen e tyre (F.A.).
*** Me germë të madhe nga vetë Konica.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply