
Një familje shqiptare që pretendon të jetë në dy gjakmarrje në Shqipëri, në një prej të cilave është përballur me një shkëmbim zjarri, po lufton për të qëndruar në Kanada për të shmangur atë që ata e quajnë “vdekje e sigurt” nëse dëbohen.
Familjarët Razburgaj kishin përgatitur valixhet e tyre për t’u dëbuar të hënën, por Departamenti i Drejtësisë tani po i lejon ata të qëndrojnë deri në një shqyrtim gjyqësor të çështjes së tyre në gjykatën federale.
“Unë nuk mund ta besoj këtë”, shprehet Lule Razburgaj, nënë e pesë fëmijëve, tre prej të cilëve lindën në SHBA.
Burri i saj, Pashko Razburgaj, një piktor, tha se gjakmarrja e parë daton kur Shqipëria ishte një shtet komunist, dhe tokat e tij u konfiskuan dhe iu dhanë një familjeje tjetër me emrin Pjetracaj. Kur komunizmi ra në vitin 1992, familja Razburgaj u përpoq të kërkonte pronën e saj prej 3,5 hektarësh, por familja Pjetracaj refuzoi ta braktiste dhe kështu shpërtheu konflikti.
“Ata na sulmuan me një sëpatë, dhe vëllai im dhe unë, të dy u plagosëm, por arritëm të mbijetojmë për shkak të ndërhyrjes së anëtarëve të tjerë të familjes”, shkruante Pashko Razburgaj nën betim.
Lule Razburgaj ishte shtatzënë kur gjakmarrja filloi dhe në vitin 1999 u largua për në SHBA ku ajo shpresonte se do të ishte e sigurt. Por dhuna pasoi me një grindje të dytë, këtë herë në anën e familjes së Lule Razburgaj.
Në vitin 2003, vëllai i saj, Gjon Pepaj, qëlloi për vdekje një ish-mikun e tij gjatë një grumbullimi në një kishë shqiptare afër Detroit. Ai u dënua me burgim të përjetshëm.
Një vit pas gjakmarrjes së dytë, Pashko Razburgaj la Shqipërinë për t’u bashkuar me bashkëshorten e tij dhe fëmijët në Miçigan, ku një prej vëllezërve të tij kishte marrë statusin e refugjatit bazuar në një opinion politik. Në Shqipëri, debatet në lidhje me pronësinë e tokës, kulmuan më 26 shtator 2010 ku pati një dyluftim me armë.
Pashko thotë se një anëtar i ngujuar i familjes së tij,i është kundërpërgjigjur me zjarr familjes Pjetracaj. Një prej vëllezërve të Pashkos mori disa plagë dhe një anëtar i Pjetracajve mbeti i vrarë. Por, pati dhe një tjetër lajm të keq. Familjarët që pretenduan për statusin e refugjatit në SHBA, ju refuzua një gjë e tillë me argumentin se Shqipëria nuk është më shtet komunist dhe nuk mund të kërkohet azil politik.
Më 26 nëntor 2010, ekzatësisht një muaj për përplasjes me armë, Pashko dhe Lule Razburgaj bashkë me fëmijët hynë ilegalisht në Kanada dhe kërkuan leje banimi të përhershme bazuar në rrethana humanitare dhe mëshire. Në janar të vitit 2013, bazuar në besueshmërinë e marrjes në pyetje, gjykata e cilësoi historinë e familjes si të sajuar. Gjithashtu u tha se argumenti i gjakmarrjes nuk është përmendur asnjëherë në kërkesën për të qëndruar në SHBA.
Gjykata gjithashtu tha se qeveria shqiptare ofron mbrojtje për familjet që janë në gjak. Por, familjarët argumentuan se shteti ishte shumë i dobët për t’iu ofruar mbrojtje. Ata thonë se po shkuan në Shqipëri nuk do mund të dalin dot nga shtëpia pasi për ndryshe do të vriten.
Në përpjekje për të qëndruar në Kanada, ata apeluan vendimin e gjykatës në gjykatën federale. Por sërish humbën. Në shkurt të këtij viti gjykata federale u shpreh se Shqipëria është në gjendje të ofrojë mbrojtje për ta. Familja Razburgaj tani ka mundësinë e fundit me rishikimin e dytë të çështjes së tyre, në seancën që është planifikuar për në 28 shtator.
instantlajme.com


Leave a Reply