
Këngëtarja me famë botërore, me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, u nderua nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga me Medaljen Presidenciale “Ambasadore e Nderit”. Ceremonia u zhvillua në ambasadën e Kosovës së hapur në Londër.Në ceremoninë e organizuar morën pjesë edhe ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, zotëri Tony Blair, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, lordi George Robertson, ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali Michael Jackson, përfaqësues diplomatikë ne Londër, miq të Kosovës dhe familjarët e artistes së famshme. “Si Presidente e Kosovës, kam nderin që t’i ndaj sot, artistes më të suksesshme të Kosovës, të mrekullueshmes Rita Ora, dhe ta nderojë atë me titullin “Ambasadore Nderi” e Republikës së Kosovës në botë.

Ky titull u jepet shtetasve të huaj dhe qytetarëve me origjinë kosovare, të cilët kanë kontribuar dhe kontribuojnë për interesin kombëtar të Kosovës. Ne jemi të mahnitur nga Rita. Përmes vullnetit dhe talentit të saj, ajo është bërë një frymëzim për kombin e saj. Me vështirësitë e jetës së një refugjati, të larguar nga shtëpia e tyre, familja e saj nuk e humbi shpresën.

Nuk u dorëzuan. Ata kërkuan për mundësi të reja këtu në Britani, në një shtet që i përqafoi si të ishin të tij dhe i lejoi ata që të konkurrojnë si të barabartë, pa asnjë diskriminim.Rita, ti përfaqëson tërë atë që ne jemi si komb.. Përtej talentit dhe suksesit tënd, që na bën të gjithëve krenarë, ne jemi shumë mirënjohës se je një vajzë e Kosovës, e cila është krenare për rrënjët e saj.”, tha Jahjaga.



(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply