Sot u mbush një javë nga dita kur u hodhën zaret.
Unë i ndjej çdo ditë e më pak dhëmbjet e muskujve, por po ndjej çdo ditë e më shumë dridhjet e shpirtit.
Më kujtohen shumë momente mes takimesh me sytë gjithë shpresë që më vështronin, mes fjalësh gjithë moskuptim e vuajtje që duheshin kuptuar e çliruar, mes zhgënjimesh që nuk duheshin përsëritur, mes lotësh që duheshin përkthyer në buzëqeshje, mes premtimesh me shtrëngime duarsh që duheshin mbajtur, mes fëmijësh që kishin forcën që të ëndërronin së bashku pas çdo takimi me të rritur.
Më kaplojnë emocione të forta sa herë kujtoj diskutimet active deri në orët e para të mëngjesit për t’i dhënë zgjidhje 1001 problemeve të kësaj Shkodre me ju o miq të mirë, kur kujtoj se sa shumë ide të mira më keni dhënë, se sa shumë punë të mira kemi lënë së bashku, larg oportunizmit, iu dedikuam punës më të mirë që mund të bënim, Shkodrës. Ua kam borxh mundin dhe nderin që i dhatë kësaj fushate dhe që fati nuk e desh që tia jepnit edhe Shkodrës. Nuk e di në bëmë gjithçka duhej bërë, por ne guxuam të ndërmarrim, guxuam ti kundërvihemi indoktrinimit dhe ideologjisë që tash 25 vjet ia injektojnë papushim kësaj Shkodër duke i sjellë veç mungesë alternativash dhe varfërim. Guxova të hyj në këtë fushatë, duke e njohur riskun, aspak për vete se sa duke besuar ndryshimin. Isha fëmijë kur fillovaq të ëndërroj, tamam si ata fëmijë që për dy muaj ëndërruan së bashku me ne. Sot ndofta duhet të ndjehem fajtore që s’ia dola, që dija shumëçka dhe se thashë, që bësova tek përceptimi i më të mirës së shoqërisë. E dija që do rëndonin mbi kurrizin tonë dhe nga varfëria ndërmora hapin e bindur në mirëkuptimin e gjithsecilit që ëndërron të jetë pjesë e Europës së shpejti. E dija që strukturat e forcës sime politike nuk ishin në mood-in e tyre më të lartë, por realisht besova se projekti ynë ishte një inspirim shumë herë më i madh që i tejkalonte pakënaqësitë përsonale, ndaj s’fola. E dija që enveristët e fundit të kamufluar, zhugatur në blu, do na vërsuleshin sit ë ishim armiqtë e klasës dhe jo alternative tjetër me ide e potenciale për ta zhvilluar Shkodrën. E dija se s’kishte sit ë ndodhte ndryshe. Të pengmarrurit e sistemit të kaluar, do ta drejtonin me zhargonin e tyre të shpifjeve e thashethemeve , fushatën e një manikini, dhe prapë s’fola. E dija që paniku i humbjes së karriges e rehatisë së ardhur nga trajtimi apatik e kleptokratik i pushtetit local prej 25 vitesh, do i shtynte mizantropët “demokratë”,koka pa ide, të ishin më të zhdërvjellët në kurdisjen e kurtheve dhe s’fola. E dija që ata, pikërisht ata, që i përkasin klanit të të paaftëve, të korruptuarve, të indoktrinuarve, ata që janë mësuar ta vjelin qyl atë pak gjë që është bërë në Shkodër në 25 vjet, do vraponin të parët të përhapnin panic, me ngutin e tmerrit që I karakterizon injorantët kur ndjejnë erën e ndryshimit. Do shpejtonin, gjoja në emër të nderit a të idealit, për të përdorur çdo mjet e metodë të zvetnimit tonë në sytë e qytetarëve , për të na nxjerrë si pjesë klanesh apo grupesh mafioze, por prapë vendosa të mos flas , e bindur në gjykimin supreme të qytetarëve. E dija që do luanin çdo gurë mbi tavolinë e nën tavolinë që ndryshimi të mos ndodhte, sepse ndryshimi vjen për gjithkë e gjithçka, ndryshimi s’ka kahje, ndryshimi merr mbarë dhe jo gjithkush është i përgatitur.
E dija…, e dija…, por vendosa të mos flas sepse besoja fort që mekanizmat e kurtheve do i thyente intuita e më të mirëve që përbën opinionin public të një vendi. Por ndofta pikërisht kjo ishte e parakohshme , thonë kritikët. S’funksionoi aq sa duhej. Pikërisht ajo që unë, ne, shpresuam më shumë se gjithçka tjetër, duhej të funksiononte ndryshe. Shoqëria Shkodrane rezultoi që s’është ende e gatshme të udhëhiqet nga opinion public i formësuar në gjirin e elitave që përfaqësojnë vetë atë, siç ndodh në çdo vend të botës.
Ndofta këtu gabuam.
Kërkuam të njohim çdo hall e çdo problem që shqetëson realitetin shkodran, kërkuam ti japim zgjidhje çdo pengese filozofike e teknike që e mban paradoksalisht këtë bashki më të varfërën në Shqipëri, por refuzuam të kemi të bëjmë me pjesën e errët të realitetit , atë që pati ende forcën ta mbaje gjallë, përballë ëndrrave, shpresës, pasionit, aftësisë, energjisë, mundësisë së ndryshimit e qindra strategjive e netëve pa gjumë, pushtetin e hijeve, të dalë në pension prej kohësh, të shterruar idesh e energjishë dhe që zvarritet rrugëve të Shkodrës duke u mbajtur nëpër bastunër ideologjikë.
Megjithatë edhe pse më vjen keq pa fund dhe ndjej dhëmbje në shpirt që s’ia dolëm ta zhbëjmë totalisht këtë realitet të errët , nëse ndonjë kritik do më pyeste se si do të veproja pot ë mund ti ktheja gjërat nga fillimi, do i thoja ekzaktësisht njëlloj. Një e keqe kaq e madhe shmanget aq sa mund të shmanget vetëm me shpërfillje, duke mos e lejuar të të ulë në nivelin e vet apo të të bëjë pjesë të saj.
Faleminderit të gjithëve sa më keni mbështetur nga afër dhe në distancë! As ëndrra dhe as rruga për një Shkodër më të mirë nuk mbaron këtu. Shkodra do bëhet!
Pamfleti
Leave a Reply