Nga Marian Gega –
Të flasësh për familjen dhe rininë, si dhe të analizosh sfidat që koha jonë ka, është një argument shumë i gjërë dhe kompleks.
Do i hedhim një sy retrospektiv të këtyre dy realiteteve në shekuj dhe në traditë, për të kuptuar më mirë gjendjen në të cilën ndodhemi dhe përgjigjeve që duhet t’u japim sot sfidave të familjes dhe të të rinjëve.
Për sa i përket retrospektivës kam përzgjedhur që ti referohem në mënyrë kronologjike: Platonit, Besëlidhjes së Vjetër dhe Besëlidhjes së re.
Dikush mund të habitet, por “në Republikën ideale të Platonit(427-347) nuk ka vend për istitucionin e familjes: të ashtuquajturat martesa bëheshin me shkuesi në bazë të përkatësisë shoqërore dhe fëmijët nuk duhej të rriteshin dhe të edukoheshin nga prindërit natyral. Fëmijët iu hiqeshin familjeve të tyre menjëherë pas lindjes dhe dërgoheshin në çerdhe të mbajtura nga shteti. Në dy vitet e para ushqeheshin nga të ashtuquajtura nëna – ushqyese; menjëherë sapo u ndahej gjiri fillonte faza e parë e edukimit që përbëhej nga dëgjimi i muzikës dhe leximi i përrallave (të çensuruara deri në atë pikë, sa fëmijët të mos kishin asnjë mundësi përceptimi të realitetti” (Pedagogjia e Platonit).
Ndërsa në librin e VIII, Platoni ankohet për sjelljen e të rinjëve të kohës së tij, dhe thotë: “janë të lodhur (nga luksi i mundësive të shumta), të paedukatë dhe nuk kanë dëshirë të punojnë… dhe shton: “e sigurtë është se kur një i ri i edukuar në mënyrën e sipërpërmendur, i pa kulturë dhe meskin, shijon mjaltin e “dronit” (fluturon në boshësi) dhe ndjek ato insekte të trazuara dhe të rrezikshme, të afta për t’i dhënë kënaqësi të të gjitha llojeve, atë do ta kesh gjithmonë nën zotërim”.
Në Beslidhjen e Vjetër, në gjirin e popullit hebre, është thelbësor roli i familjes në edukimin e fesë së marrë prej atit Abraham. Në familje mësohej të njihej Hyji si “Hyji i atit tim” (Dal 15,12), “Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit” (Dal 3,6), pra Hyji i etërve. Në këtë mënyrë bekimi i Hyjit transmetohet nga ati tek i biri (Krh. Zan 27, 27-29). Familja e BV është djepi i edukimit për fëmijët. Lidhjet e gjakut në realitetin e Beslidhjes së vjetër janë një garancia e plotë për mirë konsolidimin e fesë dhe shoqërisë. Jeta dhe feja janë një dhuratë e Zotit.
Nëpërmjet familjes transmetohet tradita Izraelite dhe të gjitha mrekullitë që ka bërë Zoti në mbështetje të popullit të vet. Por edhe fëmijët kanë të drejtë të pyesin prindërit, d.m.th. më të vjetrit e familjes dhe të popullit, në cilësinë e ruajtësve të traditave. Për këtë arsye në udhërimet e Tënzot gjejmë: “Ndero nënën e Babain tënd në daç me jetue shumë për mbi dhe”. Me këtë nxitje për të dashur prindërit, Bibla ka si qëllim të promovojë idenë e jetegjatësisë jo domosdoshmërisht në vite të shumta, por në dimensionin e lumturisë. Një moment i lumtur është më i rëndësishëm se vite të shumta, pasi lumturia i jep ngjyrë jetës.
Në Beslidhjen e Re familja, vazhdon të mbetet vendi i priveligjuar i edukimit, njësoj si në BV, por ungjijt, Veprat e Apostujve dhe Letrat hapin edhe më tej gamën e të mirave që ofron realiteti familjar si: vendi i “gëzimit” në dasmën e Kanës (Gjn 2,1-2), vendi i reflektimit (Mt 22,2), vendi i përjetimit të paqes (Lk 10, 5-6). Ndërsa Jezusi privilegjon fëmijët dhe i shënjestron si pedagogët e sinqeritetit (Krh., Mt 18, 1-5). Në letrat që u shkruajnë bashkësive, apostujt interesoheshin shumë që familjet të ishin një vënd dashurie, ku duhet të mbizotërojë respekti i ndërsjelltë, rregulli, bindja e fëmijëve kundrejt prindërve, por edhe embëlsia e prindërve kundrejt fëmijëve (Kol 3,18-21; Ef 5,33-64). Martesa, në dallim me boten hebraike ose kulturat Greke dhe Romake, ku divorci ishte praktikë normale, për botën e krishterë përban detyrën e pandashmërisë, bazuar në misterin e unitetit të Zotit me Kishën. Një unitet i pazgjidhshëm, i pastër, i padangë e i parrudhë, i shenjtë dhe i papërlyer, ashtu burrat le të duan gratë e tyre (Ef 5,25-28). Nga ana e tyre gratë le t’u binden burrave të tyre, jo si skllavja kundrejt padronit të vet, por si një nuse që bashkëndan të njëjtën shpresë jete (1Pj 3,7). Në krishterim, koncepti i familjes zgjerohet gjithnjë duke marrë përmasa që e tejkalojnë lidhjen e gjakut, dhe familjarë konsiderohen të gjithë ata që ndajnë të njëjtën fe. Me konsolidimin e kësaj ideje, lind një sfidë shumë e madhe në lidhje me skllevërit e konvertuar në krishtërim. Në botën Greko-Romake skllevërit ishin pjesë e të të njëjtës shtëpi-familje, dhe kur një ndonjëri nga skllevërit, siç ishte Onezimi, bëhej i krishterë apostujt janë aty duke dhënë këshilla dhe qortime që të mund të jetohej vëllazërimi i fesë.
Tani do ndryshojmë totalisht qasje. Le të shohim dhe analizojmë kohen tonë që po përjetojmë.
Në mënyrë thuajse mekanike, kur të analizojmë kohën në të cilën jetojmë e bëjmë nëpërmjet dy kategorive: ose lartësojmë kohët e kaluara dhe përçmojmë të tashmen, ose anatemojmë gjithçka të vjetër dhe mbivlerësojmë të renë.
Në përgjithësi, më të vjetrit janë gjithonë hiperkritik dhe të pakënaqur me të rinjët. Ata mendojnë se të rinjët janë duke u fundosur dhe nuk kanë shpresë. Siç e dëgjuat edhe Platoni që ka jetuar pothuajse 400 vjet para Krishtit kishte të njëjtin mendim. Po ashtu të gjitha breznitë kanë jetuar me të njëjtën brengë dhe dilemë.
Imagjinoni kur breznitë e para modernizmit mendonin kështu, po tani, çfarë do të mendojnë ata që kanë mendësinë e së kaluarës? Sa më të “drejtë” kanë të dyshojnë sot! Platoni nuk ka qënë kurrë më aktual se sot. Të rinjët s’kanë qënë kurrë më të lodhur (nga luksi i mundësive të shumta), s’kanë qënë kurrë më të paedukatë, kurrë më dembela, kurrë si sot nuk kanë patur mundësinë të shijojnë mjaltin e “dronit” (fluturon në boshësi) dhe të ndjekin më lehtësisht ato insekte të trazuara dhe të rrezikshme, të afta për t’i dhënë kënaqësi të të gjitha llojeve… Të gjitha këto mundësi ua ofron të rinjëve zhvillimi teknologjik i dekadave të fundit. Nuk ka më një rrymë filozofike apo ideale të bashkëndara masivisht, gjithçka është e fragmentuar dhe nuk ka më një autorësi të dukshme të mendimit. Janë fare pak mendje që orientojnë/çorientojnë masa të pafundme njerzish me trende të pavlera që shpërndahen në rrjet me një shpejtësi marramendëse. Në të kaluaren mirë ose keq ekzistonin sisteme të tilla jetësore dhe shoqërore të cilat bënin që çdo individ të involvohej dhe të ndihej më i sigurtë. Sot kanë rënë sistemet. Të pakten në pamje të jashtme! Familjet dhe të rinjët e sotëm janë më vulnerabël se asnjëherë më parë. Duket paradoksale, por qoftë familjet, qoftë të rinjët janë më vetëm së kurrë.
Për hir të vërtetës, duhet shtuar se, zhvillimin teknologjik e pati parapri një zhvillim tjetër, që ishte ai IDEOLOGJIK i shekullit të kaluar ku rezultoi po aq i rrezikshëm dhe helmues e ndoshta edhe më shumë se të gjitha kohërat e marra sëbashku. Fashizmi dhe komunizmi u përpoqen që të realizonin idetë platonike duke minimizuar rolin e familjes në shoqëri, me anë të minimizimit të kufijëve të lirisë personale dhe shoqërore, shtetëzimit të shkollave që nga çerdhet e deri te kërkimet shkencore. Gjithçka ishte monopol i Shtetit, edhe dija, edhe mendimi, edhe liria. Të rinjët ishin mjete instrumentale në duar të diktaturave të cilët çmoheshin vetëm për të bërë fasadë dhe propagandë.
Ndërsa sot jetojmë më të lirë se kurrë, dhe më të kufizuar se kurrë; jetojmë më mirë se kurrë e më të pasigurtë se kurrë; s’ka më privatësi; shpeshherë modelet e familjeve jo natyrale zënë më shumë hapësirë në opinion dhe në media, se sa familjet natyrale; familjet e përbëra nga divorce të shumta janë një çoroditje në rrafshin e edukimit të fëmijëve [një burrë ishte martuar tri herë. Me të paren kishte pasë një fëmijë dhe gjygjtari në divorc ia beson të jatit. Pas disa kohësh vendosë të rimartohet dhe merr një grua që edhe ajo kishte një fëmijë. Pas ca kohëve ju lindë një fëmijë. Një ditë e merr gruaja në telefo dhe i thotë: djali im dhe djali jot kanë rrahë djalin tonë.]; fëmijët që i shohin prindërit e tyre vetëm në funksion të përfitimit… Edhe të rinjët po ashtu nga njëra anë kanë mundësi që asnjë brezni tjeter më para s’i ka patur, por për fat të keq janë edhe tejet të brishtë: vazhdojnë të ndjekin universitete, por në fund dalin vetëm me kulturen e wikipedia dhe te “copy paste”; kanë njohje të pafundme, por miqësi me askënd.
Përtej çdo lloj dallëdisjeje që të ofron mirëqënia dhe epoka teknologjike në pikëpamjen materiale, dhe eksperiencializmi si rrymë filozofike që karakterizon kohen tonë, mbetet e përhershme dhe e pandryshueshme thirrja e brëndshme e çdo njeriu që është përmbushja i jetës individuale në atë familjare. Familja është vëndi ideal i edukimit në përgjegjësi, i gëzimeve të vërteta dhe i paqes. Ajo është vendi i dashurisë! Ndaj, institucionet shtetërore dhe fetare duhet të dijnë që të jenë mirënjohës për arritjet e mendjes dhe shoqërisë njerëzore, pasi edhe ato janë dhuratë e Zotit, dhe t’i shfrytëzojnë këto hapësira të kohës për të orientuar të rinjët në mirëpërdorimin e lirisë dhe mundësive që u jepen. [Një ditë në një familje, nuk po punonte interneti dhe hanë dreken për herë të parë duke folur me njëri tjetrin. Pasdite djali hedh një status në FB ku shkruan: “sot zbulova se ata të shpisë time ishin njerëz të mirë”] Të rinjët e sotëm = familjet e nesërme!
Ndihma më e mirë në absolut që mund t’u jepet familjeve dhe rinisë qëndron në parimin e subsidiarietetit. Këtë parim e shpjegon vetë fjala e cila vjen nga gjuha latine që don të thotë sub-stare / me qëndrue poshtë, me mbajtë tjetrin, duke i ofruar ato çfarë i duhet pa interferuar në lirinë dhe dinjitetin e tij.
Kohët ndryshojnë, por thelbi është i njëjtë: dikush që kërkon të komandojë botën dhe njerëzimin, me ide, me forcë apo me marifete. Ndërsa historia na bëhet mësuese dhe udhëheqje, ne s’duhet të kemi frikë sepse drejtuesi i vërtetë është vetëm Një. Bashkë më grurin rritet edhe egjra. Le të rriten bashkë deri sa të vijnë koha e korrjes, thotë Jezusi, atëherë do ndahen gjerat përfundimisht. Pra përballë sfidave të reja të kohës nevojitet durim e zgjuarsi. Për ta gjykuar botën që jetojmë nuk mund ta bëjmë ne sepse është ajo gjithnjë në lëvizje, atë do ta gjykojnë brezat pas nesh. Ne na përket vetëm të angazhohemi me bindjen se e mira do fitojë mbi të keqen, pasi e mira është vetë Zoti.
(Teksti është një ligjëratë e don Marian Gegës në një takim nderfetar me të rinj i mbajtur në qytetin e Shkodrës rreth temës së familjes)
peregrinus.al


Leave a Reply