Më 1 qershor 1850 lindi në Frashër të Përmetit njëri prej më të mëdhenjve të kombit shqiptar. Në këtë datë ai mbushte 165 vjet jetë, një përvjetor, që përveç një organi shtypi e përkujtoi, ndërkohë që gjithë media e folur dhe ajo e shkruar mbushnin edicionet e lajmeve gjithë asaj dite dhe ballinat me premtimet e kandidatëve për kryetarë bashkie. Por Samiu, megjithatë mbetet “LIS HIJERËNDË” midis gjithë këtyre kandidatëve, mbetet euridit që rrezaton jo vetëm mençuri por edhe urtësi, humanizëm, progresivitet…, pse jo edhe “Punë e dinjitet”. Ai mbetet majëmali apo kreshtë e lartë dhe e pakapshme nga të gjithë kodrinat dhe kodrat; mbetet burim apo gurrë uji i kristaltë, tek i cili kushdo mund të shuajë etjen pa u merakosur se mund të infektohet. Përkundrazi ai rrezaton prosperitet, dije, dashamirësi, punëdashësi, dinjitet…
Sami Frashëri në 165-vjetorin e lindjes -Mesazhet me vlerë që na sjell
(1 qershor 1850-1904)
Nga Safet N. Ramolli
Kush ishte Sami Frashëri ?
Ishte dhe mbetet dijetar i përmasave të mëdha; shëmbëlltyra e eruditit të kompletuar më së miri; poliglot dhe njohës shumë i mirë i disa gjuhëve; modeli i shkencëtarit pasionant dhe sistematik në shumë fusha të dijes; shkrimtar e dramaturg; përkthyes me vlera dhe publicist i shkathët e tërheqës. Mbetet një ndër ideologët kryesorë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në literaturën e huaj njihet me emrin Shemseddin Sami. Vinte nga një familje e njohur por edhe e shumuar: ishin pesë vëllezër dhe dy motra. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865 u vendos familjarisht në Janinë, çka shërbeu si pikë kthese dhe konsolidimi i së ardhmes. Së bashku me Naimin kreu shkollën e mesme greke Zosimea, ku përfitoi një kulturë të përgjithshme solide si dhe përvetësoi greqishten e re dhe të vjetër, por edhe gjuhën latine, frënge dhe italiane. Nga mësuesit e medreseve mori njohuri të mira edhe për gjuhën arabe dhe perse. Pra zotëronte në perfeksion pesë gjuhë dhe njihte mjaft mirë dy të tjera. Por ishin dhe mbeten gjuhë me vlera ndërkombëtare. Më 1872 u vendos në Stamboll, ku herët u integrua në lëvizjen për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar. Njëherësh bashkëpunoi edhe me përfaqësuesit më progresistë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke. Pati dëshirën e mirë dhe vullnetin e duhur për të kontribuar në çështjen e ndriçimit të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Më 1879 u zgjodh kryetar i Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip, njëherësh drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe ”Drita”, “Dituria”. Për nevojat e shkollës shqipe përgatiti librat “Abetare e gjuhës shqipe”, “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika) dhe “Dheshkronjë” (gjeografi). Është autor i traktatit filozofik “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet” (Mendime për shpëtimt të mëmëdheut nga reziket që e kanë rethuarë), i librit “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”, i një fjalori “Fjalor i përgjithshëm i historisë dhe i gjeografisë”. Hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe, por që s’mundi ta botonte. La në dorëshkrim edhe një përmbledhje këngësh popullore shqiptare. Samiu është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe. Shkroi mjaft artikuj në shtypin e kohës. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (Kamus-i türki, 1901), i cili përmban 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore, duke mbartur vlera të çmueshme edhe në ditët tona. Ka pregatitur edhe disa fjalorë dygjuhësh si frengjisht-turqisht, turqisht-frengjisht, arabisht-turqisht etj. Vepra më madhore në gjuhën turke mbetet Enciklopedija (“Kamus-ul alám”), botim i vitit 1900 në gjashtë vëllime, në të cilin pasqyron mjaft gjerë edhe botën shqiptare. Njëherësh është edhe shkrimtar mjaft autoritar. Ka shkruar romane e drama. Drama “Besa” u botua më 1875 me subjekt nga jeta shqiptare, por u shfaq në teatrin perandorak të Stambollit një vit para botimit. Pregatiti dhe hartoi tekste të ndryshme, botoi edhe antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia botërore, kryesisht ajo orientale. La në dorëshkrim 11 vepra nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë. Mbetet edhe një gazetar me origjinalitet dhe timbër të veçantë. Shkroi në gazetat “Terxhuman-i Shark”, “Sabah”, “Hafta” etj. Shquhet edhe si përkthyes, sidomos në gjuhën frënge. Ishte i pajosur me kulturë të gjerë, në bibliotekë kishte 20 mijë vëllime. Për veprimtarinë patriotike dhe për frymën përparimtare që shpalosi në veprat e tij, Porta e Lartë e përndoqi dhe e persekutoi, deri edhe duke e izoluar dhe internuar. Megjithatë, për kontributin e çmuar dhe specifik që dha, mbetet njeri me vlera të veçanta edhe për Turqinë. Kultura turke krenohet me Samiun, ashtu si një nga stadiumet e Stambollit mban emrin e djalit të tij. U shua në vitin 1904. Eshtrat e tij prehen në Turqi.
Çfarë mesazhesh përcjell përmes veprës “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?
Në rreth 70 faqe, si një histori e shkurtër, shtjellohen probleme që janë “Thembra e Akilit“ e popullit shqiptar. Mbetet modeli i një Traktati Politiko-Historik, shpalosur në një prozë të vërtetë poetike, ku mposhtet dialektalizmi dhe imponohet lëçitja me një frymë. Përmban informacion të pasur, por edhe të grish të thellohesh në argumentet dhe analizën e fakteve.
Që në krye, si patriot e filozof, me mallin-prush të atdhetarit, me përgjegjësinë e intelektualit, por edhe me keqardhjen për një komb, i cili rrezikohet të copëtohet, ai rreket të japë “… mendime për shpëtimn’ e mëmëdheut nga reziket që e kanë rethuarë…”. Më se njëherë, përmes ideve që trajton, synon t’i bëjë apel atdhetarizmit dhe përgjegjësisë morale të popullit për t’i dalë Zot Vatanit, të kanosur dhe rrezikuar realisht deri në shpërbërje përmes “krasitjes“ territoriale dhe asimilimit nga fqinjët shovenë e të pabesë. Më së shumti si patriot sesa si historian e filozof, merr përgjegjësinë të sqarojë e publikojë çështje të tilla si: autoktonia e padiskutueshme e popullit shqiptar në trojet e veta; aftësia për të mbijetuar në kushte shumë të vështira; atdhetarizmi e besa si cilësi të vyera, aspirata mbarëkombëtare për të ngritur një shtet demokratik të vërtetë mbi baza organizative, ekonomike, kulturore e morale të shëndetshme.
Tezën e autoktonisë e pohon disa herë, ashtu sikurse bën gjithçka që ta argumentojë sa më bindshëm. Për “Dijetarin“, sikurse është epitetuar meritueshëm Samiu, Ballkani ka qënë trevë e banuar që herët në Evropë, ku edhe janë formuar fiset: Ilire, Maqedone, Trake, Frygase, e të tjera. Në jugë Ilirët shtriheshin deri në lumin Vjosë, duke bashkëjetuar në fqinjësi të mirë me Epirrin, fis tjetër ky po Ilir. Këto dy mbretëri kanë bashkëjetuar normalisht; kanë patur gjuhë të përbashkët, ngjajshmëri në formën e qeverimit administrativ me një organ kolegjial; kanë nxjerrë mbretër të ditur e të fortë si Pirua, Teuta, etj. Deri në shekullin e 6–7, kur dynden shqehët dhe bullgarët nga veriu e lindja, Ilirët jetonin në trojet e tyre në thuajse 80.000 kilometra katror, ose tre herë më shumë se sa sipërfaqja e Shqipërisë së sotme.
Origjinën pellazgo–ilire të popullit shqiptar, “Dijetari” e argumenton edhe përmes etimologjisë dhe të dhënave fiziko–fiziologjike të banorëve shqiptarë. Nocionin tjetër “Shqiptar“, e shpjegon me prezencën e zogut “Shqiponjë”, të cilit stërgjyshët tanë i faleshin, ashtu sikurse shëmbëllenjën e saj e vunë në Flamur si simbol të trimërisë, të mprehtësisë, të forcës, të jetëgjatësisë, simbol të cilin e kemi edhe sot në Flamurin Kombëtar.
Ai shtron e argumenton edhe tezën e aftësisë për të mbijetuar edhe në kushte tejet të vështira. Analizon cilësinë moralo–luftarake, atdhetarizmin e pashuar, që e ka bashkëshoqëruar popullin shqiptar ndër shekuj, në sajë të së cilës Ilirët nuk humbën por ruajtën njësinë e bashkësisë; nuk u përzjenë me të ardhurit dhe as që muarën mënyrën e jetesës së tyre, por ruajtën gjuhën, marrëdhëniet midis tyre; bashkarisht u bënë ballë rreziqeve dhe vështirësive; u treguan të aftë për të mos humbur guximin, (cilësi morale që e ka bashkëshoqëruar dhe i ka kombëtarizuar shqiptarët përgjatë rrjedhës së historisë.) Këtë sentencë në mënyrë konçize e shpreh: “Shqiptarët, sado që u mundnë e u vranë, nuk u pushtuan e s’u bënë robër…”. Nuk duhet të jetë rastësi vlerësimi dhe qëndrimi i përbashkët edhe i At Gjergj Fishtës, i cili pohon edhe sa vijon: “…Ka patur pushtuesa të Shqipërisë, por pushtuesa të shqiptarëve nuk ka patur kurrë…”.
Qëndrueshmëria dhe mbijetesa e shqiptarëve janë rrjedhojë e trimërisë dhe e forcës që ata kanë ekspozuar në gjithë rrugëkalimin e historisë së tyre dhe aspak e lëshimeve a sjelljeve “të buta” të kundërshtarëve. Kombi shqiptar është ndër më të fortët dhe më të shëndoshët. Edhe pse me popullsi relativisht të vogël, gati dy milion, ka aftësinë të nxjerrë një ushtri prej 500.000 vetësh, një formacion ushtarak prej 200 mijë shqiptarësh është i barazvlerëshëm për nga vlerat luftarake me një formacion tjetër ushtarak prej 500 mijë vetësh. Si personifikim të trimërisë shqiptare “Dijetari” merr Skenderbeun, i cili njëherësh është simbol i heroizmit, besnikërisë, qëndrueshmërisë, bukurisë, fisnikërisë, humanizmit, etj. Për Heroin Kombëtar Shqiptar, Samiu formulon vlerësimin se, historia nuk “… i tregon nonjë shok a shëmbëllë në trimërit; në diturit’ të luftës, në forcë si dhe në dije…”; ”…se ai ishte i drejtë në mendime, i ëmbël dhe i madh në zemër e në shpirt”. Njihet fakti që lidhja në fjalë dhe dhënia besë për shpëtimin e Shqipërisë pas Besëlidhjes së Lezhës (2 mars 1444 S.R ), rritën qëndrueshmërinë e shqiptarëve, të cilët për gati tridhjetë vite u vunë përballë armiqve të shumtë në numur, të armatosur më mirë, por që gjithmonë triumfuan, ”… duke vrarë e handakosur armiqtë…”. Burim force e frymëzimi gjithmonë ka shërbyer çështja kombëtare, e cila ka ndezur prush atdhetarizmin. Në emër të atdhetarizmit shqiptari ka dhënë besën, ka lidhur fjalë dhe ka vënë gjithëçka në shërbim të çështjes kombëtare, duke përdorur krahas njëra-tjetrës pushkën dhe penën. Shqiptari besën që jep nuk e merr, atë asnjëherë nuk e thyen apo nuk e prish, por e ka të shtrenjtë dhe bashkëudhëtare të përjetëshme. Por, autori mendon se, atëmot duhet bërë një “Besë e Madhe”, e përjetshme dhe e përgjithshme. Për hir të saj duhen lënë mënjanë deri edhe hasmëritë apo gjakmarrjet, si dy vija ndarëse të fuqishme në psikologjinë e shqiptarit. Në kushtet kur është evident rreziku i copëtimit dhe i asimilimit të kombit, Samiu si patriot e diplomat jep sentencën: “… kush ka për të marrë gjak, ta dhurojë…”, sepse gjaku i shqiptarit është shumë i vlefshëm, ai kurrësesi nuk duhet derdhur kot. Ai e çmon magjinë e kësaj cilësie morale si burim force e bashkimi, prandaj lëshon thirrjen, gati apoteozë: “O burrani o shqipëtarë! Zihni me të dy duartë në besë, në lidhjet’ e në bashkimt, se kjo do t’u shpëtojë…”.
Aspirata për të ndërtuar një shtet demokratik mbi baza të shëndosha organizative, ekonomike, kulturore, psikologjike, etj. është e gjerë dhe e thellë. Këtë mesazh përcjell Traktati Politiko–Historik “Shqipëria ç’ ka qënë, ç’është dhe ç’ do të bëhetë?”, përmes të cilit Samiu vlerëson unitetin kombëtar, i cili është me të shkuar të lashtë, por që mbetet po kaq i ri dhe imperativ. “Dijetari“ parapëlqen formën republikane të qeverisjes. Kjo sepse ai kishte ideale të qarta demokratike, të cilat i pohon qartazi në disa raste në këtë vepër. Kur flet për paraardhësit tanë, midis cilësive dhe virtyteve të larta që formonin psikologjinë kombëtare në përgjithësi, veçon idealin mbarëkombëtar për të qeverisur në bashkësi. Mentaliteti dhe mendësia për t’u qeverisur nga një Këshill apo një Kuvend të përbërë nga shumë të mençur dhe jo nga një “… vetë që bën ç’do në qeveri e në besë..”, duhet parë si pikë referimi bazë për Samiun. Sugjeronte që, qeverija të bëhet nga një organ i zgjedhur në mënyrën më demokratike, ku të marrin pjesë njerëz të mësuar, të ndershëm, me dëshirë për të punuar për popullin. Këto organe duhet të jenë të shkallëzuara, të kenë kompetenca rreptësisht të përcaktuara, të zgjidhen sipas një rregulli të qartë dhe të detyrueshëm periodik, (rrotacion e quan politika e diplomacia e ditëve tona), etj. Këshilli i Pleqësisë do të kryente funksionet e Presidentit; Këshilli i Përgjithshëm – ato të Parlamentit; një organ i tretë – ato të Ekzekutivit… Duket qartë që Samiu ishte për një shtet me demokraci të gjerë, i cili pronën private ta trajtojë të shenjtë; një shtet i begatë ekonomikisht, me motiv të qartë për zhvillimin kulturor e arësimor masiv dhe cilësor të krahasuar me kombet më të përparuar. “Dijetari” pohon që Qeveria duhej të punonte “… pas nevojës e pas të drejtave të shqipëtarëve..”, sepse, qoftë problemi ekonomik, por sidomos arsyeja psikologjike, nuk do të ishte në një rrjedhë me qeverisjen prej një mbreti apo princi, qoftë ai edhe jo shqiptar.
S. Frashëri konkludon se, ndarja e popullsisë në pikëpamje territori në gegë e toskë, apo në pikëpamje të përkatësisë fetare në të krishterë e myslimanë, nuk ka përbërë ndonjë fatkeqësi për popullin tonë. Në të kundërtën, ato nuk kanë sjellë të çara në bashkëpunimin dhe frymën e bashkekzistencës së popullit. Këto marrëdhënie të popullit midis krahinave dhe besimit fetar, besës, sikurse i thotë Samiu, janë të zakonshme, të rregullta. Ato nuk kanë krijuar shqetësime, përçarje, e për më tepër as vëllavrasje apo gjakmarrje. Në të kundërtën, “… të gjithë janë një komb…., nuk ka çarje në mes të shqiptarëve… Shqiptari është shqipëtar përpara se të jetë mysliman a i krishterë”, e sentenca të tjera si këto, që na bindin në konkluzionin e “Dijetarit“, si edhe shumë bashkëkohës të tij, se ideja e atdhedashurisë ka përshkuar në gjithë rrugëkalimin historik kombin shqiptar.
Tepër interesante dhe domethënëse është ideja se, ku i kërkon, ku i gjen dhe ku i rekomandon miqtë e vërtetë të shqiptarëve. Mëse një herë nënvizon me forcë, se popujt e Evropës tek shqiptarët gjejnë e vlerësojnë trimërinë, burrërinë, besën, autoktoninë… Në veçanti ata çmojnë ndihmesën që u dha popujve të Evropës Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu, i cili gozhdoi për një çerek shekulli armiqtë e kristianizmit, osmanët aziatikë.
Me shikimin tek Evropa e pajosur me dije, por edhe në lëmin e qeverisjes në demokraci, Samiu me largpamje të kthjellët hedh idenë se, Kombi Shqiptar, që të zërë vend denjësisht në Komunitetin Evropian, që të përparojë e të ecë përkrah tyre, duhet të mësojë gjuhët e Evropës së përparuar përmes arsimimit të lartë. I pajisur si rrallëkush me inteligjencie natyrore të hollë, i kompletuar me kulturë të gjerë oksidentale bashkëkohore, i pajisur me shpirt të lirë demokratik, shpëtimin e Shqipërisë e shikon drejt Perëndimit, drejt Evropës. Kjo sepse, Shqipëria është pjesë integrale e saj në pikëpamje gjeografike; ajo është fqinje me Italinë e Austrinë, ka kushte të përshtatshme gjeografike e psikologjike të ngjashme me Evropën. Prandaj, nënvizon S. Frashëri, Shqipëria “… mund shumë çpejt të hyjë në qytetëri e të përzjehetë me Evropën…”, por me një mendim të konsoliduar, se në fund të fundit, shpëtimi apo humbja e Shqipërisë është në dorë të vetë shqiptarëve, të cilët nëse dëshirojnë që ta shpëtojnë vendin e tyre, duhet të bashkohen gjithë sa janë, të bëjnë besa–besë, të qëndrojnë të patundur në fjalë, të kërkojnë me këmbëngulje të drejtën e tyre, sepse, “… s’ mund të ketë Shqipëri pa shqipëtarë, s’ mund të ketë shqipëtarë pa gjuhë shqip…”, konkludon Samiu, “Dijetari“ ynë si rrallëkush.
Por, a nuk janë këto mesazhe, të cilat bëjnë apel në ditët tona për bashkim, për shqiptarizëm, për ndjenjë kombëtare, për investim të vlerave intelektuale dhe të aftësive fizike në interes të çështjes kombëtare, që Shqipëria të zërë meritueshëm vendin që i takon në Evropë?!!
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply