
Tek njeriu primitiv, nevojat seksuale duhet të jenë kënaqur siç ka qenë e mundur, në mënyrë të parregullt, deri kur u krijua mirë tipi njerëzor; u krijuan grupet ose kopetë e vogla me veti më të larta cerebrale të cilat gradualisht duke u rritur në numër filluan luftrat ku fituan e nënshtruan. Njeriu primitiv sipas Rusoit tek “Kontrata shoqërore”, i shtyrë nga nevojat seuksuale kërkoi aventurat duke u bashkuar seksualisht me kë të mundte edhe me kafshët, deri një ditë (e qe kjo nisja e vërtetë e shoqërisë njerëzore) kur deshi për vehte një femër të ngjashme me të, me të cilën u fut në shpellë. Kjo femër që atëherë i qëndroi në krah e i lindi fëmijë, i shumëzoi forcat për gjueti e për t’u mbrojtur. Kështu burri punoi për të ndërkohë që ajo qëndronte në shpellë shtatzanë e me fëmijë. Kështu kemi burrin shumë në lëvizje, në gjueti për të siguruar ushqim; dhe gruan pa aktivitet që i drejtohej botës bimore për të marrë ushqim, e më vonë edhe kapjes së kafshëve dhe shtëpijëzimit të tyre duke i dhënë ushqim e duke marrë prej tyre vezë, qumësht, mish dhe lëkurë. Kështu ngadalë gruaja u bë zot i shtëpisë ku burri kthehej vetëm për t’u shlodhur e për të plotësuar nevojat seksuale. Prej këtej erdhi logjikshëm, ideja e matriarkatit, që i takon gruas për motive biologjike, të cilat dëshmojnë se ajo është organizuesja fizike e shpirtërore e fëmijëve, pra edhe e familjes. Indianët thonë: “Nëna vlen më shumë se njëmijë baballarë…” Kështu gruaja-nënë ishte qendra e familjes, rreth saj grupoheshin fëmijët të cilët nuk dinin kush ishte i jati, dhe as ajo si poliandre nuk dinte se cili burrë ishte babai i krijesave të saj. Kështu prindësia e parë e njerëzimit ishte mëmësia.
Por në një kohë për shumë arsye, si simpatia, dhe për ta pasur vetëm të vetën, burri ja shkëput gruan të tjerëve me forcë (nis xhelozia si nisje e monogamisë). Edhe femra bëhet xheloze. Kështu u institucionalizua bashkimi monogamik që u shpreh me impulsin e parë ndërtimin e shtëpive. Një proverb indian thotë : “Burri është një gjysëmnjeri, gruaja gjithashtu gjysëm, vetëm babai e nëna me fëmijën e tyre përbëjnë një njeri të plotë”. Kështu arrimë në martesën monogamike e në familjen e njeriut në zhvillim.
Gruaja bëhet gjithnjë e më shumë e lidhur me shtëpinë, nga e cila burri largohet gjithnjë e më pak ose kthehet më shpesh. Edhe instikti seksual kthehet në tendencë seksuale e më pas në dashuri. Gjithmonë e më shumë burri punon duke zhvilluar trupin, muskulaturën dhe trurin, kurse truri i femrës nuk u zhvillua në atë nivel. Prandaj tek ajo mendimin e pushton ndjenja që zmadhohet prej dashurisë e kujdesit për fëmijët, burrin e shtëpinë. Gradualisht me zhvillimin e njeriut erdhi një moment në të cilin ai e ndjeu të nevojshme të bëjë të njohur para shoqërisë, tashmë me rregulla e ligje, bashkimin me gruan e tij.
Por kushtet ekonomike krijuan tek gruaja e qyteteve konditat e inferioritetit të zgjedhjes seksuale. Asaj nuk i është dhënë gjithmonë mundësia për të zgjedhur, por ajo duhet të zgjidhet, të merret ose të lihet si një send. Dhe ajo poqese do të fitojë konsensusin e njerëzve të saj e të quhet vajzë e mirë duhet të heqë dorë nga çdo ideal dhe t’i nënshtrohet fatit. De Traz e përshkuan gruan e qytetëruar që shkon në martesë si “një e komanduar”, po kështu që më 1174 kontesha Champagne shkruante: “Në martesë mungon dashuria e vërtetë sepse mungon elementi thelbësor liria”. Martesa (bashkimi shoqëror i sekseve) është një kontratë, shpesh një biznes për një nga të dy ose për të dy. Ajo nuk merrte parasysh prirjet seksuale reciproke e për këtë paraqet një dhunim të Natyrës.
Në shumicën e rasteve martesat bëhen në mes të një vajze të re dhe një burri të moshuar që ka 15 deri 20 vjet më shumë se ajo, – dhe këtu fillojnë problemet. Eshtë e vërtetë që gruaja për shkak të lindjeve edhe të jetës së vështirë bie shpejt nga gjendja e saj fizike e seksuale dhe shumë më tepër kur vjen menopauza, kurse burri vazhdon të ruajë energjinë e tij edhe në moshë të avancuar. Megjithatë unë mendoj se diferenca më e pranueshme do të ishte 3-5 vjet dhe se ajo nuk duhet të jetë kurrë më e madhe se 15 vjet dhe jo më e vogël se 3 ose 4 vjet (duke llogaritur se mashkulli arrin pjekurinë anatomo-fiziologjike në 25 vjeç e femra në 21 vjeç.) Martesat me diferenca të mëdha përveç që sjellin probleme në planin fiziologjik seksual duke lenë të paplotësuar dëshirat seksuale të gruas, duke shkaktuar shpesh prishjen e qetësisë dhe të besnikërisë bashkëshortore, rreziku tjetër është në planin psikologjik që në fillim me zhgënjimin e ëndrrave të vajzërisë, me raportin që krijohet ngaqë vajza e sheh të shoqin si baba e gjysh e jo si shokun e të dashurin e saj të të njejtës moshë që gjithmonë ëndërronte, e në fund kemi të bëjmë me dy botë, me dëshira e mendime të ndryshme për shkak të ndryshimeve të moshës. Kështu gruas së re i pëlqen të shkojë në kinema, burrit në moshë të rrijë në shtëpi; asaj të shkojë në një vizitë për të biseduar diçka, burrit për të lexuar gazetën, asaj për të shkuar në det e për t’u larë, atij të rrijë në shtëpi (sepse ai i ka kaluar ato qejfe në moshën e tij e tashmë vetë mosha i dikton një jetë tjetër të qetë, të ndryshme me atë që dëshiron e shoqja shumë më e re ).
* * *
Ne pretendojmë virgjërinë tek vajza dhe besnikërinë tek gruaja, por padrejtësia fillon kur morali i shoqërisë dënon tepër rëndë gruan, pa u kujtuar që në të njejtën fushë – i lejon burrit, bile e rrethon me një aureolë lavdie për çdo femër të re që fut në dorë. Për çudi këto meshkuj shihen me simpati edhe nga gratë. Burrat janë poligamë, por dashuria e virtuti i gruas mund t’i bëjë monogamë. Mantegazza shkruan: “Natyra e ka bërë burrin poligam, është misioni sublim i gruas ta bëjë monogam”.
Problem tjetër është beqaria e femrave dhe meshkujve, që është edhe një nga arsyet e prostitucionit. Leckj në librin e tij “Historia e moralit europian” shkruan: “Prostituta është tipi i vesit e është mbrojtëse e virtutit: ajo është priftëresha e përherëshme e njerëzimit, sakrifikuar për mëkatet e popullit”. Sipas shumë statistikave të ndryshme beqarët jetojnë më pak se të martuarit. Dhe se martesa është më e domosdoshme për meshkujt.
Mëmësia ndriçon jetën e çdo femre. Alfredo Oriani vëren: “Amësia është një instinkt atësia është ndjenjë: femra është nënë para se të jetë grua, mashkulli nuk bëhet baba veç pasi ka qenë një kohë të gjatë burrë”. Gruaja është nënë që kur fillon të luajë me kukulla, e tillë shfaqet në çdo manifestim të ndjenjave të saj, e kështu edhe kur rritet është jo vetëm kundrejt fëmijëve të saj e të të tjerëve, por edhe me të dashurin, burrin, njeriun të cilin do dhe përkëdhel me lajka amësore. Ajo është gjithmonë pak nënë me të gjithë; me vëllezërit e motrat; bile edhe me kafshët e të vegjëlit e tyre. Gruaja thellon amësinë në çdo veprim, edhe kur për fatin e keq nuk i është dhënë mundësia e gëzimit të madh të lindjes së fëmijëve, ajo ka sensin e amësisë shpirtërore e shoqërore. Ndjenja e amësisë është e zhvilluar edhe tek beqaret në moshë apo tek murgeshat. Amësia është një shfaqe e seksualizmit që tek njeriu merr formën e psikoseksualizmit që në rastin tonë përbën lindjen, rritjen, zhvillimin e edukimin e njerëzimit. Ky është misioni më i lartë shoqëror e biologjik. Zemra e nënës është e shprehur magjishëm poetikisht nga Fernando Russo: … kur djali plangprishës i ngul thikën së ëmës në zemër e ndërkohë që do t’ia nxjerrë zemrën nga vendi, gjakos dorën… Nëna mes gjakut e zemrës që i rreh për herë të fundit, ndërsa metali i mprehtë gërmon në gjoksin e saj, i thotë të birit gjakatar me ankthin e përhershëm të nënës: A u vrave bir?!
“A u vrave bir” në këto fjalë të dhëna nga shkrimtari i madh është sinteza, këtu përmblidhet gjithë jeta, filozofia e psikologjia e Nënës, familjes dhe njerëzimit.
Në kuptimin e amësisë hyn edhe qumështimi, pra ushqimi i fëmijës, kështu edhe organi që e kryen që është gjiri me thithëzat. Gjiri ka një funksion të madh seksual, stimulues, erotik, por me qumështimin merr karakter mëmësor. Qumështimi nuk është vetëm detyrë por edhe nevojë për gruan. Të mos i japësh fëmijës për të pirë, (siç ndodh ndonjë herë për të mos prishur bukurinë e linjën, do të thotë të rebelohesh ndaj një ligji biologjik, është antibiologjike, prandaj dhe e dëmëshme, kur kjo nuk ndodh organike, pra kur gjëndrat japin rregullisht prodhimin e tyre. A ka gjë më të bukur se nëna kur i jep gji fëmijës. Ky simbol i fuqishëm u gjet tek ulkonja romake që ushqen me gji dy fëmijët, duke paraqitur shprehjen më të bukur të amësisë.
Icard tregon se si një grua që donte të ngelte shtatëzanë vetëm për të provuar kënaqësinë e të dhënit qumësht fëmijës.
Lombroso na bie një tabelë të kohëzgjatjes së qumështimit në popuj të ndryshëm: 10 muaj normal, 2 vjet në Rusi e Persi, 2-4 vjet në Kinë e Mongoli, 7 tek Eskimezët, 14-15 në Malejzi. Zakonisht qumështimi tek kafshët dhe njeriu zgjat sa shtatzania, aq sa zgjat koha nga një lindje deri në fillimin e menstruacioneve. Pra është një kohë e llogaritur nga Natyra për të mbrojtur fëmijën, e që gruaja nuk mund të mbesë shtatzanë.
Ndërkohë është për t’u theksuar superioriteti i padiskutueshëm i qumështit të gjirit para çdo ushqimi tjetër për përmbajtjen e tij e harmonizmin, pra për rëndësinë që ka se është nga i njejti organizëm që ka krijuar vetë fëmijën. Ai është një ushqim fizik dhe shpirtëror. Vetë qumështimi lidh edhe më shumë raportet fëmijë-nënë.
Logoreci.com


Leave a Reply