Zeneli asht si ajo tokë e mirë e plleshme ku fara dosido e hjedhun zen, rritet dhe ep fryt ma tepër se pritej.
I tham:
– Zenel, thueje ti atë që s’diti shoku…
Çohet me syt’ e tij të gështejtë të përqëndruem mendueshëm ndër syt’ e mij. Dhambët e bardhë, ftyra e zeshkët, balli i rregulltë, kryet e zgjatun përmrapa. Flet. Përgjigjet me besim të madh në vetvete. E at besim e fitoi me shum’ prova, mbassi gjithmon’ kur s’dijnë tjerët atij i takon me folë. Dhe flet me ball’ pak të rrudhun në mes të syve.
Nganjiherë – ashtu tue folë – e tradhton Zenelin fantazia fëminore, i hypë kalit imagjinar me flatra dhe fluturon nga reja në re, – por me të vumun re buzëqeshjen teme, kujtohet se asht tue gabue, ndalet, disi ndjehet ngushtë, ulet pa i thanë unë me ndejë, dhe mbulon fytyrën me duer nga turpi. Atëhere qeshem unë, qeshen shokët e tij dhe sjellin kryet herë nga unë, herë nga Zeneli.
Nganjiherë, rrallë, i mbushet mendja Zenelit dhe thotë: S’dijë, zotni.
Atëhere mësimi nuk shkon si duhet. Nuk dom me ditë për të.
Nganjiherë, gjithashtu rrallë, i futet Zenelit gëzimi fëminuer mu në zemër, asgjasend e ban të qeshi, dridhet nga gazi, s’rri urtë dhe trazon shokët. Dhe nuk ndihmojnë as qortimet as interesi i mësimit.
Mue atëhere më bahet se dhe më tallë dhe më qorton Zeneli në këtë mënyrë:
mjaft ma, zotni mësues, mjaft, mjaft na mësuet si duhet me jetue, ç’ka asht mirë e bukur mjaft mësuet – megjithatë na po rrojmë si rrojtën stërgjyshnit tonë, po n’ato gëzime e po n’ato mjerime, të lanun e të tretun ndër këto bjeshkë. Qe, na shiko njëherë, njenit nëpër këmishë të shkyeme i shifet supi i verdhë, tjetrit barku si drrasë, atij atje asht gati t’i bijë të fikët nga uria, një tjetër prap mezi përmbahet mos t’i bajnë dhambët brrr nga ethet…
Kështu më dukej se më qortonte me tallje ftyra inteligjente e Zenelit ndërsa qeshej.
– Pra na len pak të qeshemi – më dukej se thoshte – të gëzohemi deri sa jemë në shkollë: rroftë shkolla! Rroftë arsimi! Sa herë kemi këndue, e në shtëpi s’ka gaz, s’ka të qeshun… rroftë shkolla! rroftë arsimi! që na mëson këndim e shkrim, të cilët me të vërtetë nuk kan me na hymë shumë në punë në jetën tonë, por mjaft që kemi me marrë një hu… jo gja tjetër por, për të shkrue në qiellë: rroftë shkolla! rroftë arsimi!
I la fëmitë t’argtohen dhe sillem nga dritorja. Vërej. M’at bjeshkë të naltë përball’ asht një pyll i madh të cilit s’i dihet kufini e ku shkuem një herë në sheti; asht nji visar që s’bahet. Vërej shpatet e kodrave, të brigjeve, vërej ndoj anë të vetmueme në largësi, drujet, dhenë e kuq dhe gjelbrimin e verdhë; ma afër vërej kasollet e rrasuna për dhe që përbahen vetëm nga mbuloja e kashtës… tretem në kontemplacjon të mërzitshëm e buzët e mija makinalisht lëvizen, flasin me vetveten.
Shpejtë kujtohem se më shikon’ fëmitë, sillem e Zeneli:
– Zotni, a po bajmë mësim?
Orë gjeografije. Marr globin në dorë. U flas.
– Po Shqipnia ku asht? – pyesin dy-tre veta e tjerët i ngrehin qafat që të shofin ma mirë.
Kur ua dëftoj shejin: një pikë e kuqe në mes të ngjyrave tjera, ndëgjohen zanet e pakënaqunë, disi të shqetsueme:
Sa e vogël!…
– E vocërr e vocërr, mezi shifet…
– Po si, Zotni, kaq e vogël Shqipnia? – çohet njeri tue kundërshtue me dorë.
Të gjithë flasin njeni me tjetrin, të shqetsuem, thue se tashti, në kët çast u ba Shqipnia e vogël, ku duhet me u vra për me qëndrue mbrenda kufirit. Vetëm Zeneli s’flet gja; më shikon në dritzën e syrit me syt e tij të meçëm, si me më than: zotni, shpëto situatën, si tjera herë që e shpëtove kur kemi folë për mjetet teknike të bujqsis’ dhe shkaku pse s’i kemi, kur kemi folë për komoditetet e jetës, të cilat s’i kemi, për shtetet e pasun çka na nuk jemi – gjithëherë ke shpëtue situatën, shpëtoje dhe tash.
Vërej shpirtet e vegjël të shqetsuem, pse atdheu i tyne kaq i madh – si u duket atyne në natyrë – asht vizatue aq i vogël dhe mendojnë se asht gabim. E dij se ne nesre Shqipnia në glob ka me u rritë, ka me u ba kushedi sa e madhe prej dorës së ndonjenit nga shqipot e klasës.
Për me i ngjallë, me ua çue moralin, u flas:
– Çfarë? Shqipnia nuk asht e vogël! Asht e madhe! Po t’u pjestonte ndër njerëz sa jemi, i bjen kaq e kaq secilit sa nuk u bjen njerzve të shteteve të tjerë t’Evropës.
– Pse e kanë vizatue pra kaqë të vogël? Me zemrim dhe tue u ndihmue me duer flet mprojtësi i vogël i drejtave t’atdheut.
Mezi përmbahem së qeshunit dhe u flas:
– Pse jemi ma të vegjël se shtetet e tjerë. Por kjo s’do me thanë gja. Për me qenë të lumtun na mjafton kjo tokë qe kemi, veç duhet ta punojmë e… – në kët çast ra zili e fmitë ma nuk kuptojshin gja nga filozofia e lumnis’ që nisa t’u a zhvilloj. Duelën jashtë pa qejf, ngadalë, ende tue u skjarue me shoq-shoqin, ndërsa Zeneli mundohej të mbesi mbrapa pa u vue re.
Kur duelën të gjithë, më tha në mes të buzëqeshjes dhe hidhnimit:
– S’kemi kurgja, zotni, as vegla të reja për punë, as shtëpija higjenike, të mira, si shtetet e tjerë, jemi të vegjël…
E ndala. Deduksioni i Zenelit tem ish sa i hidhët aq edhe i vërtetë.
I fola. U mundova ta paqtoj. Nuk dij a më besoi.
Shpeshherë më pëlqente të mendoj mbi ardhëmënin’ e Zenelit. Por ç’e do. Nuk mjafton vullneti i mirë i em, që ta baj Zenelin të hypi ndër majat e nalta kah shpërthejnë horizontet e dritës. Mandej dhe pjesa eme fataliste arsyetonte: lene Zenelin të rrojë jetën stërgjyshore, primitive, e ka ma mirë, mos e merr në qafë me e hypë ndër majat e nalta nga mund të thej qafën i dëshpruem tue pa të vetët të dashtun tepër ultë dhe tue mos mujtë me e ndihmue.
Prandaj, kur erdhi koha, ja dhash’ Zenelit dëftesën e lirimit, u përshendetëm dhe kur shkoi m’erdh keq që s’do shifemi ma kurr.
Shkodra Daily
V:O Zeneli eshte emer real (Zenel Islami) dhe ne kohen e Enverit ky ka qene sekretar i pare i partise ne Puke (Nga Redaksia Alba – Dansk)


Leave a Reply