Tiranë, 24 Prill/ATSH-Flora Nikolla/.- Në indin e shpirtit dhe të familjes së saj, Kozeta Zylo, gazetarja, poetja, mësuesja, intelektualja e njohur që jeton prej 18 vitesh në Nju Jork, SHBA, gjeti pozitivitetin, të qeshurën e saj të pafund, dashurinë për punën, jetën, profesionin. Qemali, bashkëshorti i saj është njeherazi kolegu i saj më i ngushtë. Të dy dinë të sjellin gjithnjë të bukurën sa edhe njerëzoren për këdo që i njeh dhe bashkëpunon me çiftin Zylo. E të gjitha këto i dogjën Kozetës në rrënjë plagët që mund të majiseshin dhe të bëheshin të padurueshme dhe pengesë për të gjetur çelësin e suksesit të saj dhë të familjes së saj të mrekullueshme . Puna, bashkëpunimi, përkushtimi, dashuria dhe sakrifica për më të mirën janë pikat ku mbështet fuqinë e saj Kozeta Zylo, një emër më shumë se i spikatur në Diasporën shqiptare. Ardhja e detyruar në Amerikë, në shkurt të vitit 97-të kur plasën trazirat politike dhe kur vendi u përfshi në luftë civile, kolapsja e plotë e vendit, uturima e avionit dhe shkëputja e tij nga Rinasi, ju duk një ikje e çmendur dhe totalisht pa kthim. Por tani ajo thotë se Amerika t’i krijon të gjitha mundësitë dhe bëhet realizuesja e ëndrrave të tua. Një ndër to është televizioni Alba Life në Nju Jork, krijimi i çiftit Zylo, i cili është në vitin e shtatë të punës së tij të pandalshme, me idenë për të treguar para amerikanëve, shqiptarët që punojnë me aq zell e përkushtim për kombin. Dhe ky televizion ka pasqyruar thuajse të gjitha aktivitetet kulturore dhe historike nga organizata dhe shoqata të ndryshme, personalitete të shquara të diasporës, ish të burgosur politike të regjimit komunist ashtu edhe mjaft shqiptarë që janë integruar me shumë kulturë në botën amerikane. Por mësimi i gjuhës shqipe dhe i ruajtjes së saj në diasporë duket se ka qënë një ëndërr tjetër e realizuar e familjes Zylo. Kjo ëndërr është e prekshme sot sepse shkollat Shqipe “Alba Life” janë të mirëorganizuara me program profesional në mësimdhënie. Organizimi i tyre nuk ka qenë i lehtë, sepse jetohet në Nju Jork në vendin ku flitet anglisht dhe ku fëmijët janë të detyruar të shkojnë në shkollat amerikane. Por shkolla shqipe “Alba Life” e ka arritur suksesin. Ajo operon aktualisht në tri lagje të Nju Jorkut, Staten Island, Brooklyn dhe në Manhattan. Shkolla shqipe “Alba Life”, në Manhattan u hap për herë të parë në historinë e diasporës, vitin e kaluar me leje nga Bordi i Edukimit të Neë Yorkut. Duke shkruar qindra reportazhe dhe duke e njohur shumë afër komunitetin shqiptar, Kozeta Zylo pohon në këtë intervistë se komuniteti shqiptar është shume aktiv, aq edhe i ndjeshëm ndaj Kombit të tij. Ajo thotë se, Diaspora ecën në gjurmët e të parëve të tyre, dhe sa herë që Atdheu e ka thirrur ajo i është përgjigjur denjësisht. Por kur e pyet për poezinë ajo të tregon se ajo është dashuria e saj tronditëse me shikimin e parë. Poezinë e saj, Kozeta Zylo, e ka driten e saj, ilaçin e shpirtit dhe , pa të duket sikur bëhet anemike dhe zemra humbet ritmin muzikal. Në rrjedhën e pandalshme të punës së saj, Kozeta Zylo, po punon së fundmi për librin “Zonjat Shqiptare në Nju Jork”, ideuar nga Albanian Excellence, e cila në vitin 2012, e kishte përzgjedhur Kozeta Zylon në 100 historitë e suksesit shqiptar në botë në vitin e 100- të të krijimit të shtetit shqiptar. Ajo thotë se është një inciativë unike për nga lloji dhe se libri “Zonjat Shqiptare në Nju Jork” do të sjellë risi dhe interes për publikun, pasi ka ne qëndër të tij, zonja që janë shumë të suksesshme, por që janë dhe të heshtura në punën e tyre. Ajo kujton Madeleine Albright ish sekretaren e shtetit amerikan me shprehjen e saj : “It took me quite a long time to develop a voice, and noë that I have it, I am not going to be silent.” që do të thotë në shqip: “Më mori shumë kohë për të përhapur zërin tim, dhe tani që unë e kam atë, nuk kam ndërmend më të jem e qetë”.
F.N: Zonja Këze Kozeta Zylo është një emër i mirënjohur në diasporën shqiptare në SHBA. Për aktivitetin shumë planësh që ushtroni, cili është çelësi i suksesit tuaj?
K.Z: Punë, bashkëpunim, përkushtim dhe dashuri për punën dhe sakrificën që bën. Në se e ke në shpirt bashkëpunimin, punën, dashurinë dhe sakrificën, asgjë nuk të ndal për t’i realizuar ato çfarë ke projektuar në kokë. Ardhja e detyruar në Amerikë, të arratisur në shkurt të vitit 97-të kur plasën trazirat politike dhe vendi u përfshi në luftë civile, që nuk ngeli prift dhe hoxhë pa ikur, apo mbyllja e ambasadave dhe e aeroportit, kolapsja e plotë e vendit, medoemos që kanë lënë gjurmë plage për të gjithë ne që i përjetuam ato ngjarje tragjike. Uturrima e avionit dhe shkëputuja e tij nga Rinasi, ku më duhet të shtoj se dilja për herë të parë jashtë Atdheut, më është dukur si një ikje e çmendur totalisht pa kthim. Mendoj se dhimbja e shkaktuar nga vetë qeveritarët që gjithmone ju hapin plagë shqiptarëve të bën që të punosh më shumë dhe mundohesh të japësh diçka jashtë trojeve ku jeton, pasi je stabilizuar në vendin që ke kërkuar strehim. I sjell këto plagë që s’mbyllen, pasi me siguri vetë shpirti kërkon medicinën e duhur për t’i mjekuar dhe shëruar, veçanërisht kur ikën dhe e grumbullon gjithë jetën tënde, gjithë energjinë tënde në një valixhe të kyçur dhe e shpie në një vend krejtësisht të panjohur. Amerika ku unë kam gati 18 vjet që jetoj, t’i krijon të gjitha mundësitë dhe bëhet herë herë realizuesja e ëndrrave të tua. Me sa duket dhimbja e ikjes e shkaktuar nga qeveritarët mediokër dhe pa vizion është ajo që mund të sjellë një farë suksesi dhe me siguri këtu gjen vend shprehja e shkrimtarit të shquar amerikan Joseph Campbell i cili thotë: “Find e place inside ëhere there’s joy, and dhe joy ëill burn out the pain”, që përkthehet: “Gjej një vend në brendësi ku ka gëzim dhe gëzimi do t’i djegë, shërojë dhimbjet”. Në indin e shpirtit tim dhe të familjes sime gjeta pozitivitetin, të qeshurën time pafund, dashurinë për punën dhe për profesionin të cilat i dogjën në rrënjë plagët që mund të majiseshin dhe të bëheshin të padurueshme dhe pengesë për të gjetur çelësin.
F.N: TV Alba Life është një televizion tribunë e vlerave të shqiptarëve në kontinentin amerikan, vlera të cilat ju së bashku me bashkëshortin tuaj Qemalin, punoni me shumë zell për ti evidentuar e së bashku me to dhe jetën e shqiptarëve në USA…
K.Z: TV Alba Life në NJu Jork është në vitin e shtatë të punës së tij të pandalshme. Qysh në fillim të misionit tonë për të hapur një kanal televiziv i kemi vënë vehtes si detyrë për të dhënë para amerikanëve dhe të huajve vendin e shqiponjave, shqiptarët që punojnë me aq zell e përkushtim për Kombin. Duke pasur vlera të jashtëzakonshme në traditen tonë, kulturën e lashtë, gjuhën shqipe ndër më të vjetrat, shembullin e tolerancës fetare, kostumet e mahnitshme shqiptare dhe shumë gjëra të tjera nga më të çmueshmet, doemos që së bashku me mediat e tjera si TV Kultura Shqiptare, TV 21, AA Vision, TV Arb, gazeta “Illyria” dhe “Dielli” etj, të cilat punojnë dhe më shumë se ne, kemi sjellë që amerikanët dhe të huajt t’i çmojnë dhe të vlerësojnë kulturën e popullit tonë. Mohimi i historisë sonë nga barbarët është një tjetër lojë e pisët në kurriz të shqiptarëve, ndaj të gjitha këto të bëjnë të punosh “hard” kur thonë amerikanët dhe të marrësh kënaqësinë e frutit të punës. Kemi pasqyruar pothuajse të gjitha aktivitetet kulturore dhe historike nga organizata dhe shoqata të ndryshme, personalitete të shquara të Diasporës, ish të burgosur politike të regjimit diktatorial si dhe mjaft shqiptarë që kanë ardhur pas rënies së komunizmit, por që janë integruar me shumë kulturë në botën amerikane.
F.N: Mund të veçoni një intervistë që ju ka lënë mbresë të veçantë?
K.Z: Çdo intervistë ka veçantinë dhe risinë e saj, po disa kanë brenda më shumë dhimbje, emocion, lot, plagë, pasi vetë jeta jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë e tillë. Janë disa intervista nga më dinjitozet dhe më të dhimbshmet që kanë lenë gjurmë brenda meje dhe stafit të TV Alba Life. Po e filloj me z.Viktor Martini ish i burgosur i regjimit komunist qysh në moshen 16 vjeç dhe familja e tij që bëri 104 vite burgu. Pëllumb Lamaj qysh ne moshen 19 vjeç, nga bangat e shkolles e futën në burgun e Spaçit, Eduard Dilo, familja e të cilit u fut e gjitha në burg, ku disa vdiqën para kohe nga torturat, prof. Sami Repishti, ish i burgosur politik që s’i hodhi nje dorë dhe nënës së tij të shtrenjtë, prof.Lume Juka, ushtare e UÇK-s znj.Time Kadrijaj, sot deputete e Parlamentit të Kosovës, gazetarin e zerit te Amerikes z.Elez Biberaj, Nderi i Kombit, z.Amir Suka, z.Alban Merdani, ish studentin e greves se urisë z.Shenasi Rama, aktorët e Hollivudit, Mike Dusi, Praq Rado, Marko Caka, z.Arben Bitri, vëllai i artistes së famshme Anita Bitrit, i cili erdhi nga Italia për të përcjellë në botën e përtejme tri pjesëtarë të familjes që humbën jetën tragjikisht nga mbytja me gaz, z.Qemal Lepenica, të ndjerin Ramazan Turdiu etj.
F.N: Është për tu vlerësuar aktiviteti juaj me shkollat shqipe në Staten Island dhe Brooklyn dhe së fundmi në Manhattan. Si ecën ky proces shumë i rëndësishëm i identitetit kombëtar?
K.Z: Mësimi i gjuhës shqipe dhe i ruajtjes së saj në Diasporë ka qenë vazhdimisht ëndrra e familjes sime. Duke qenë se brenda nesh është gati një Këshill Pedagogjik, ja vlente që këtë edukim dhe aftësi të mësimdhënies t’i vinim ne shërbim të fëmijëve në Diasporë. Në bashkëpunim të ngushtë me mësueset për të cilat gjej rastin t’i falënderoj, mendoj se ka pasur sukses. Koncertet që japin fëmijët sidomos në festat kombëtare si për 28 Nëntorin, 7 Marsin dhe Festivalin e shkollave shqipe janë tejet mbresëlënëse. Në se do të kishte sikur dhe pak vëmendje nga shteti me siguri nxënësit tanë në koncertet e mëparshme dhe të sivjetshëm do të debutonin pa frikë në Pallatin e kongreseve në Tiranë. Ata mirëpriten me duartrokitje nga të pranishmit, këngët e tyre përcillen me lot nga gjyshërit, të gjitha këto të bëjnë të ndihesh krenar dhe duket sikur merr bekimin e gjyshërve dhe të prindërve të tyre. Bashkëpunimi mësues, prindër dhe nxënës ka qenë shumë i frytshëm dhe shpresoj që të vazhdojë dhe të ketë më shumë progres dhe në të ardhmen.
F.N: Si janë organizuar shkollat shqipe që ju drejtoni?
K.Z: Shkollat Shqipe “Alba Life” janë të mirëorganizuara me program profesional në mësimdhënie. Organizimi i tyre nuk ka qenë i lehtë, pasi janë shumë gjëra që e vështirësojnë punën, sepse nuk jemi në Shqipëri, ne jetojmë në NJu Jork në vendin ku flitet anglisht dhe fëmijët janë të detyruar të shkojnë së pari në shkollat amerikane. Shkolla Shqipe “Alba Life” që operon në tri lagje të Nju Jorkut, Staten Island, Brooklyn dhe në Manhattan, kjo e fundit u hap për herë të parë në historinë e Diasporës, vitin e kaluar dhe janë me leje nga Bordi i Edukimit të Nju Jorkut. Programi mësimor zhvillohet në shkollat publike amerikane me një rregullsi dhe profesionalizëm, kjo fal punës së mësueseve të talentuara dhe plot përvojë si mësuese Ditës, Lizës, Lavdijes, Dr.Valbonës si dhe mësueseve të mëparshme, asistenteve Adelina, Laureta dhe Dea të cilat i janë përkushtuar me shumë dashuri mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë, artistëve të shquar si Petrika Melo, Lindita Mezini Lole, Dëshira Ahmeti Kerliu etj. Prindërit dhe nxënësit që janë regjistruar në këto shkolla vinë me dëshirën më të madhe dhe çdo semestër përgatitet një program i pasur artistik në shqip. Për Ditën e Flamurit, 7 Marsit dhe mbylljen e vitit shkollor jepet një koncert i përbashkët me të tria shkollat, çka i bën mësuesit dhe nxënësit më të preokupuar dhe më serioze në këtë detyrë të shenjtë. Ndërkohë është viti i dytë që do të zhvillohet festivali i shkollave shqipe në Diasporë ku dhe nxënësit tanë marrin pjesë denjësisht në këtë festival.
F.N: Sa të predispozuar janë prindërit për të sjellë fëmijët në shkollë dhe për të mësuar gjuhën amtare?
K.Z: Siç dhe e thashë më lart vështirësitë janë nga më të ndryshmet. Ka shumë prindër që kanë dëshirë për t’i sjellë fëmijët e tyre për të mësuar shqip, por punët e ndryshme, moskombinimi i orareve etj, i bëjnë ata që të mos marrin pjesë në këto programe. Një kategori tjetër prindërish sidomos të ardhurit rishtaz kanë ndroje t’i sjellin se ju duket sikur fëmija i tyre nuk do të integrohet në botën amerikane, s’do të mësojë anglisht dhe të tjera mentalitete që s’janë gjë tjetër veçse humbje e kohës për të mësuar gjuhën amtare ose një gjuhë tjetër të huaj. Mirëpo kushdo që mëson një gjuhë tjetër detyrimisht e shikon botën më ndryshe dhe e ka më të lehtë për ta kuptuar, çka të kujton eseistin dhe poetin e famshëm amerikan Ralph Waldo Emerson i cili thotë: “Language is a city to the building of which every human being brought a stone”, që përkthehet: “Gjuha është si një qytet në ndërtimin e të cilit çdo njeri vendos nga një gur”. Duke mësuar gjuhën shqipe fëmijët që lindin dhe rriten në Diasporë nuk i harrojnë rrënjët e të parëve të tyre, ata ndërtojnë një kala madhështore për të mbrojtur mosasimilimin.
F.N: Si gazetare, me përvojë cili do te ishte përcaktimi juaj për komunitetin shqiptar në SHBA?
K.Z: Duke shkruar qindra reportazhe dhe duke e njohur shumë nga afër komunitetin shqiptar sidomos në Neë York, meqënse dhe jetoj këtu pohoj se Diaspora është shume aktive, është shumë e ndjeshme karshi Kombit. Në se nuk do të ishte Diaspora si një urë e artë lidhëse midis Kombit dhe Shtëpisë së Bardhë, Kosovën nuk do ta kishim të pavarur sot. Në se nuk do të ishin shqiptarët e shekullit të kaluar që u bashkuan nën kauzën e vatrës së Fan Nolit dhe të Faik Konices, Shqipëria s’do ta kishte fituar Pavarësinë në vitin 1912 nga pushtuesit turq. Diaspora ecën në gjurmët e të parëve të tyre, sa herë që Atdheu e ka thirrur ajo i është përgjigjur denjësisht në shumë drejtime. Sigurisht që ka dhe shumë për të bërë sidomos në punët organizative, në ngritjen e shkollave shqipe të institucionalizuara në Amerikë, në hapjen e qendrave kulturore, në ngritjen e muzeumeve ku shqiptarët në qendrat me banime të mëdha kanë shkruar historinë e tyre, në lidhjet e afërta zyrtare me shtetin shqiptar që të bëhen protokallare dhe me projekte që i shërbejnë çështjes së Diasporës… Problemet janë të shumta, do të duheshin faqe të tëra, por shpresoj që me brezin e ri që po rritet i kulturuar dhe që po ja zbardhin faqen Shqipërisë do të ketë ndryshime të cilat i mirëpresim me padurim.
F.N: Ju keni një familje të mrekullueshme dhe dy vajza po ashtu të suksesshme në Amerikë. Ndjesia juaj përballë këtij fakti ?
K.Z: Thjesht si shumë prindër shqiptarë ndihem krenare dhe mirënjohese që morën rrugën e dijes.
F.N: Punoni me Qemalin, bashkëshortin tuaj në shkollat shqipe ashtu edhe në televizionin e mirënjohur “Alba Life” të themeluar nga ju si familje, si bashkëpunoni të dy?
K.Z: Në punë ne jemi kolegë dhe për mua ai është kritiku më i ashpër që nuk toleron për asnjë gabim. Puna së bashku është sa e bukur po dhe aq e vështirë, por sidoqofte së bashku sjellim të bukurën dhe njerëzoren.
F.N: Ju shkruani shumë bukur poezi, ndonjëherë duket sikur poezia është bashkëshoqëruese e jetës suaj…
K.Z: Poezia është dashuria ime gati tronditëse me shikimin e parë. Atë e kam Driten time, medicinën e shpirtit, pa të më duket sikur bëhem anemike dhe zemra humbet ritmin muzikal. Për poezinë time vleresimin e japin lexuesit dhe kritika e vërtetë, ata do të thonë atë që ndjejnë, por të gjitha ato që thashë më lart janë shijimi dhe ndjesia ime karshi poezise elegante të të tjerëve kur e lexoj në qetësi apo në një ditë të zymtë, që në se vargu i tyre më magjeps detyrimisht mua më ngjallin dhe më ndezin llambushkat e shpirtit në çdo kohë sado e mjegulluar qoftë.
F.N: Dhe si do ta përcaktonit ju poezinë tuaj?
K.Z: Poezine time shpesh herë e kam muzikalitet të vargut, e kam partnerin tim si në valsin e Danubit!
F.N: Cila është një ditë e Kozeta Zylos?
K.Z: Ekstremisht e zënë, pasi kryej punën time të përditshme që marr rrogën dhe mbaj familjen, shkoj në studio për takimet që kemi lënë me personalitete të shquara ose të zakonshëm për intervista, mbulojmë aktivitete të ndryshme të organizatave ku jo vetëm i filmojmë, por dhe i pasqyrojmë në shkrime të ndryshme. Jap mësimin shqip në Staten Island dhe ulem për të lexuar si dhe për krijimtarinë time që e kam gëzimin dhe dhimbjen time njëkohësisht, sidomos për kohën e munguar. Në punët private ju shërbej me dashuri mbesave dhe babait tim 87-vjeçar që e kam në shtëpi. Të gjitha këto bëhen nëpërmjet një disipline rigoroze dhe një zemre të mbushur me dashuri dhe plot pasion për Diasporën dhe familjen.
F.N: Ëndrra juaj që ka mbetur ende pa u realizuar ?
K.Z: Bashkimi i Kombit dhe kthimi i miliona shqiptarëve në tokën amë.
F.N: Jeni bashkautore e librit “Zonjat Shqiptare të Nju Jorkut” cila do të jetë e veçanta e këtij botimi ?
K.Z: Libri “Zonjat Shqiptare të Nju Jorkut”, ideuar nga Albanian Excellence, është unik për nga lloji, pasi një libër për gratë, sukseset e tyre botohet për herë të parë në Nju Jork, ku më duhet të them nuk janë gratë më të suksesshme, pasi nuk është e lehtë t’i evidentosh të gjitha, por ndërmjet tyre. Ndonëse “Albanian Excellence” e ka filluar qysh në vitin 2012 me botimin e shqiptarëve të suksesshëm në botë dhe vazhdoi me shqiptarët e suksesshëm në Tiranë, Berat, Vlorë, Fier, libri “Zonjat Shqiptare të Nju Jorkut” do të sjellë risi dhe interes për publikun, pasi ka ne qëndër të tij, zonja që janë shumë të suksesshme, por që janë të heshtura në punën e tyre. Këto zonja të kujtojnë Madeleine Albright ish sekretaren e shtetit amerikan e cila ka thënë: “It took me quite a long time to develop a voice, and noë that I have it, I am not going to be silent.” që do të thotë në shqip: “Më mori shumë kohë për të përhapur zërin tim, dhe tani unë e kam atë, unë nuk kam ndërmend më të jem e qetë”. Thjesht dhe fisshëm, libri do të sjellë zërin e grave që mund të bëhen burim frymëzimi për emigrantet e reja që shumë prej tyre hasin vështirësi në vitet e para të ndryshimit të jetës së tyre në një botë krejtësisht të panjohur.
F.N: Çfarë do të donit të ndryshonit në Shqipëri?
K.Z: Ka shume gjëra esenciale për të ndryshuar në Shqipëri, por në se vendosen dhe zbatohen ligjet e një kushtetute demokratike kjo do të sillte padyshim ndryshime thelbësore, që mjerisht nuk ekzistojnë. Shqipërisë i duhet një udhëheqës vizionar me mendje të pastër dhe të kthjellët që duron, punon, ecën dhe bashkëpunon me opozitën, ndryshe proceset demokratike do të ecin tepër ngadale, siç dhe po ndodh në realitet.
http://www.ata.gov.al/endrrat-plot-drite-te-keze-kozeta-zylos-254744.html
Leave a Reply