
Sipas dijetarëve, martesa në kuptimin gjuhësor, vjen me kuptimin e bashkimit, ndërsa në sheriat, vjen me kuptimin e një lidhjeje apo kontrate midis dy bashkëshortëve. Martesa është bërë detyrë për atë që ka mundësi të martohet. Gabimisht, disa njerëz mendojnë se kuptimi i kësaj “ai i cili ka mundësi” ka kuptimin ai që ka epsh. Mendimi më si saktë për këtë është se martesa është detyrë për atë që ka mundësi (pasuri) për të mbajtur bashkëshorten dhe për t’i dhënë të drejtat e saj, sikurse thuhet në hadithin e nxjerrë nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerët nga hadithi i Abdullah ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “O ju të rinj! Nëse keni mundësi martohuni, sepse martesa të largon nga shikimi në harram dhe është mbrojtja më e mirë për nderin. Ai i cili nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse për të agjërimi është mbrojtje.”
Nëse qëllimi i fjalës së profëtit (alejhi selam) do të ishte “ai i cili ka fuqi (epsh) prej jush” nuk do të thoshte: “ai i cili nuk mundet, le të agjërojë…”
Pra, martesa është ligj dhe detyrë për çdo njeri i cili ka mundësi financiare për të mbajtur familjen. Gjithashtu, martesa është detyrë edhe për atë i cili ka frikë nga vetja e tij se nuk mund t’i ruhet dot harrameve dhe gjynaheve. E gjithë kjo, pasi lënia e harrameve dhe gjynaheve nuk plotësohet vetëm se duke i braktisur ato. Lënia e harrameve dhe mëkateve është detyrë, e, nëse njeriu nuk gjen mundësi për mbrojtjen e nderit apo ruajtjen e shikimit të tij, atehërë këto i gjen vetëm tek martesa.
Imam Buhariu dhe Muslimi kanë nxjerrë nga hadithi i transmetuar nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se tre persona erdhën tek pejgamberi (alejhi selam) dhe e pyetën për punën e tij. Dhe kështu, e lajmëruan për punën që bënte pejgamberi (alejhi selam). Puna që bënte pejgamberi (alejhi selam) iu duk e paktë dhe njëri prej tyre tha: “Përsa më përket mua, unë do të agjëroj pa e çelur fare.” Ndësa tjetri tha: “Unë do të falem gjithë natën dhe nuk do të fle.” I treti prej tyre u shpreh: “Unë nuk do të martohem asnjëherë me gra.” Kur pejgamberi (alejhi selam) u kthye dhe dëgjoi për fjalët e tyre, u zemërua, hipi në minber, falenderoi Allahun e Lartësuar dhe tha: “Përsa më përket mua, unë agjëroj dhe çel (ha), ngrihem natën të falë namaz, por edhe fle e martohem me gra. Kush largohet nga suneti im (nga kjo që unë veproj), ai nuk është prej meje (prej umetit tim).”
Duke kometuar fjalën e pejgamberit (alejhi selam) “…edhe martohem me gra…”, dijetarët thonë se kjo thënie është për ata që kanë epsh dhe dëshirë për gra dhe nga kjo i largohet frika personit nga mëkatet. Kush është në këtë gjendje detyrohet të martohet. Gjithashtu, dijetarët thonë se është e ndaluar që të mos martohesh fare. Kjo duke u bazuar në hadithin e saktë të Sad ibn Ebi Uekas (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), në të cilin thuhet se pejgamberi (alejhi selam) e ka ndaluar tredhjen. Për këtë, Uthman ibn Matumi dhe Sadi u shprehën se po të mos ishte e ndaluar, do të ishim tredhur të gjithë. Lejohet të mos martohet personi, kur nuk ka mundësi të shpenzojë asgjë për bashkëshorten apo nuk ka epsh, pasi kjo e fundit, nëse martohesh, është në dëm për gruan. Allahu i Madhëruar thotë: “Mos i prekni ato, duke iu bërë dëm atyre.” e kështu, duke kaluar jashtë të drejtës së tyre duke i dëmtuar.
Nga suneti është që të martohesh me një grua që është e butë, të mos jetë sterile, siç ka nxjerrë imam Ahmedi në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: ” Martohuni me ato që janë të mira, të buta në fjalë dhe me ato që lindin fëmijë, sepse unë shpresoj që të shtohet me ju populli im.” Gjithashtu, duhet që gruaja të jetë e virgjër, bazuar në hadithin e Xhabirit kur ai u martua dhe profeti (alejhi selam) i tha: “Si është, e virgjër apo jo?” Xhabiri iu përgjigj: “E ç’virgjër.” Pejgamberi (alejhi selam) tha: “A nuk gjete ndonjë të virgjër që ta kënaqje atë dhe të të kënaqte ty?” Pra, nga kjo është ligjëruar në sheriat që kur të zgjedhë njeriu, ta zgjedhë të dashur, të mos jetë sterile dhe të jetë e ndershme (të jetë e virgjër) ashtu siç duhet që të zgjedhë atë që është fetare, e bukur dhe nësë është e pasur, është edhe më e mirë. Sipas hadithit të transmetuar në librat e saktë të haditheve se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Martohet femra për katër gjëra: për pasurinë e saj, nderin e saj, bukurinë dhe fenë e saj. Zgjidhni atë që është fetare, që të keni begati.” Nëse këto katër cilësi të përmenduar në hadith gjenden tek femra, kjo është akoma dhe më e mirë.
Nëse fejesa bëhet më një grua të madhe në moshë, atëherë duhet t’i flasësh asaj vetë, ndërsa nësë bëhet me një vajzë të vogël, duhet të flasësh me prindërit apo me kujdestarët e saj. Në një hadith pejgamberi (alejhi selam) thotë: “E divorcuara martohet duke biseduar drejtpërdrejt me të, ndërsa për të voglën ( të pamartuarën) kërkohet leje; përgjigja e saj për pranin është heshtja.” Në një hadith të saktë transmetohet se pejgamberi (alejhi selam) kur u fejua me Umu Selemen shkoi tek ajo dhe bisedoi vetë dhe dërgoi Hatib ibn Ebi Belten për ta kërkuar atë. Ndërsa, për Aishen bisedoi me babain e saj Ebu Bekrin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)
Nuk lejohet për muslimanin që të fejojë një femër, të cilës është futur për fejesë (në të njejtën kohë) një vëlla tjetër musliman, derisa ajo të mbarojë punë plotësisht me të parin; pra të ketë dhënë një përgjigje përfundimtare për çështjen. Në “Sahihun” e Buhariut është transmetuar se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Të mos fejohet një burrë në fejesën e vëllait të tij, ashtu sikurse nuk lejohet të kërkojë një grua që i ka vdekur burri i saj për katër muaj e dhjetë ditë.” E nëse personi nuk dëshiron të bisedojë më të me fjalë, por ia lë të kuptojë atë me ndonjë shenjë, atëherë kjo është e lejuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Dëshira juaj për martesë, ndaj grave që kanë kryer afatin e tyre, në mënyrë të tërthortë ose mbajtja fshehtë në veten tuaj nuk është mëkat për ju.” Ndërsa në një ajet tjetër thuhet: “Allahu e di se ju do t’ua përmendni atyre dëshirën për martesë, por kurrsesi mos i premtoni atyre diçka tjetër, përveç që t’iu thoni fjalë të lejuara dhe mos vendosni lidhjen e kurorës, derisa të përfundojë afati i caktuar. Ta dini se Allahu e di se çfarë fshihni në vete, prandaj kini frikë prej Atij dhe dijeni se Allahu është që fal shumë, është i butë.”
Nuk lejohet fejesa apo kërkimi i dorës së femrën në dy gjendje:
Nësë ka shkuar për ta kërkuar një person tjetër besimtar musliman dhe nëse ndodhet brenda afatit kohor katër muaj e dhjetë ditë, pasi i ka vdekur burri apo nësë është e divorcuar.
Martesa nuk plotësohet vetëm se me një ndërmjetësues dhe dy dëshmitarë të drejtë. Daru Kutni ka nxjerrë nga hadithi i Aishes se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Nuk ka martesë, përveç se me ndërmjetësues dhe dy dëshmues të drejtë.”
Lejohet për mashkullin dhe për femrën që të logjikojnë mirë përpara se të ndërmjetësojë një tjetër, ashtu siç ka ardhur në një hadith të saktë se profeti (alejhi selam) i ka thënë një gruaje: “A je e kënaqur sikur të martoj ty?” “Po.”- i është përgjigjur gruaja. Atëherë ai i tha: “Do të martoj ty me filanin.”
Para se të bësh martesën, lejohet që të shikosh tek ajo që dëshiron të martohesh. Është transmetuar në një hadith të saktë se një person nga ensarët donte që të martohej me një grua nga ensarët dhe profeti (alejhi selam) i tha atij: “A e shikove atë? Sepse në sytë e ensarëve ka diçka.” Në një hadith tjetër transmetohet se profeti (alejhi selam) i tha njërit prej sahabëve, kur ai donte të martohej: “Shikoje atë, sepse kjo është gjëja më e mirë që t’iu bashkojë juve të dy.”
Lejohet, gjithashtu, që mashkulli të shikojë në fytyrë dhe në dy duart, e përveç këtyre, nuk lejohet që të shikojë gjë tjetër. Nëse është e domosdoshme, le të dërgojë gra, p.sh: nënën, motrën për ta parë atë dhe gjendjen e saj, në të kundërtën, le të mjaftohet me shikim e fytyrës së saj, me paraqitjen që ajo ka.
Për një martesë të lumtur – Themelet e nje martese te lumtur

Besimi: Atributi më themelor dhe esencial i një martese islame është besimi i përbashkët që e lidh çiftin. Meqë Islami është mënyrë jetese, dhe jo thjesht fe e kufizuar në adhurimin javor, bëhet kështu pjesë integrale e jetës së muslimanit. Kur pika e referimit është e përbashkët, çiftit lehtëson komunikimin dhe ndarjen e vlerave, gjë që nuk është e mundshme në një martesë ndërfetare. Është shumë e rekomandueshme që besimi të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e një marrëdhënieje dashurore.
Për shembull, siç tha Pejgamberi Muhammed (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të), kur një burrë ushqen gruan e tij, ai shpërblehet për këtë akt dhe Allahu shton lidhjen e dashurisë mes tyre. Kështu që, kur ne e dashurojmë njëri-tjetrin për hir të Allahut, NE AKTUALISHT RRISIM BESIMIN TONË.
Falja: Kur Pejgamberi i pyeti sahabët: “A dëshironi t’iu falë Allahu?” Thanë: “Sigurisht, o i Dërguar i Allahut.” Ai u përgjegj: “Atëherë, falni njëri-tjetrin.”
Një ndër përbërësit kryesor të një martese të lumtur është fakti se bashkëshortët arrijnë ta falin njëri-tjetrin, nuk mbajnë mëri ose paragjykime ndaj njëri-tjetrit. Është e pritshme që, kur jeton me dikë, mund të krijohen situata ku thuhen ose bëhen gjëra që mund ta lëndojnë bashkëshortin-bashkëshorten. Sfidë nuk është të vazhdohet me fjalë ose të hidhet faji te tjetri, por të tejkalohet kjo situatë. Kjo mund të arrihet vetëm nëse nuk jemi aq krenarë sa të kërkojmë ndjesë dhe kur nuk jemi aq koprrac për të falur.
Nëse presim që Allahu të na falë, atëherë duhet të mësojmë të falim.
Harrimi: Kur ia kujtojmë bashkëshortes-bashkëshortit vazhdimisht rastet kur na poshtëron ose na lëndon, ne nuk kemi falur me të vërtetë. Gjërat e së shkuarës duhen lënë atje, dhe të mos përdoren si municion i freskët në situata të reja. Çiftet që përdorin këtë teknikë zakonisht e përsërisin këtë gjë dhe shndërrohen në viktima të zemërngushtësisë së tyre, pa mundur të çlirohen prej kësaj.
Vetëpërmbajtja: Sabri (durimi) është mjeti më i çmuar për bërjen e një jete të shëndetshme. Të qënit i durueshëm dhe i vetëpërmbajtur na vë në një kornizë provokative mendore, na afron me Allahun me anë të mbështetjes dhe besimit tek Ai. Ne zhvillojmë një mekanizëm të brendshëm që na jep forcë të kalojmë momentet e vështira të jetës. Siç ka thënë Allahu në suren Asr: “Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në humbje të sigurtë. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” [Asr, 1-3]
Elasticiteti: Shumë çifte pa pasur nevojë e vështirësojnë jetën e tyre për shkak se nuk janë të gatshëm të ulin pak kokën.
Nuk duhet të presim që bashkëshorti-bashkëshortja të jetë vazhdimi ynë. Ai-ajo është vetvetja, me personalitetin, pëlqimet dhe mospëlqimet e veta. Duhet ta respektojmë të drejtën e tij-saj për të qenë vetvetja, përderisa kjo nuk ia kompromenton dinin (fenë). Të qënit joelastik dhe mospranimi i dallimeve individuale çon në një atmosferë të tendosur dhe përplot stres.
Miqësia: Ky aspekt i martesës ka tre përbërës.
Së pari, të zhvillosh një miqësi me bashkëshortin-bashkëshorten. Marrëdhënia e bazuar në miqësi i qëndron më mirë trysnisë së jashtme.
Ne i nderojmë, i besojmë, i respektojmë dhe kujdesemi për miqtë tanë megjithë dallimet tona. Këto janë aspekte miqësie që duhet t’i fusim edhe në martesën tonë.
Fatkeqësisht, aspekti i vetëm që njerëzit mendojnë të fusin në martesën e tyre, madje pa vend, është ai “shokut”. Sheriati (ligji islam) i ka dhënë bashkëshortit rol prijës në familje. Kjo kërkon edhe njëfarë dekori, i cili nuk mund të arrihet nëse bashkëshortët e konsiderojnë njëri-tjetrin si shokë.
Kjo nuk duhet të japë idenë se burri është një diktator, por se një bari i përgjegjshëm për tufën e tij. Ky është pozicion me përgjegjësi të madhe dhe i ngarkon një barrë të rëndë atij. Për më tepër, fëmijët kanë nevojë t’i shohn prindërit si miq e jo si shokë të njëri-tjetrit, pasi kjo nxit në mosrespekt.
Përzemërsia: Aspekti i dytë i miqësisë është pasja marrëdhënie të përzemërta me vjehërrit. Kur çiftet garojnë se kush i ka prindërit më të rëndësishëm, kjo gjë bëhet burim hidhërimi. Shumë kohë e vlefshme harxhohet për të bindur njëri-tjetrin se prindërit e kujt janë më të mirë. Është më mirë të pranojmë se bashkëshortët nuk do të bien brenda natës në dashuri me vjehërrit vetëm sepse na pëlqen kështu. Për sa kohë që ata mbajnë marrëdhënie miqësore të përzemërta, të bazuara në respektin e ndërsjellë, ne nuk duhet të këmbëngulim shumë.
Miqtë: Aspekti i tretë i miqësisë është rrethi ynë i miqve. Është në rregull të kesh miq individual të së njëjtës gjini, por çiftet duhet të përpiqen të kenë edhe miq familjarë, në mënyrë që të shoqërohen së bashku. Nëse shkaktohet ndonjë fërkim prej ndonjë miqësie të caktuar, kjo nuk duhet të ndodhë në dëm të martesës. Pejgamberi Muhammed alejhi selam na ka këshilluar të zgjedhim për miq njerëz që i frikësohen Zotit, duke qenë se synojmë të ndjekim rrugën e tyre. Miqtë duhet të jenë burim hareje, jo ligësie.
Shakaja: Çiftet që nuk qeshin mes vete duhet të përpiqen të kenë momente të gëzueshme. Pejgamberi dihet se luante me gratë e tij. Një shëtitje e thjeshtë në park mund t’i japë ngrohtësi marrëdhënieve. Të luajturit së bashku ose shikimi i një filmi humoristik të pastër mund të jetë një tjetër mënyrë për të qeshur.
Besnikëria: Të qenit besnik ndaj bashkëshortit-bashkëshortes na është urdhëruar nga Allahu. Tradhtia bashkëshortore është krim kapital në Islam, dhe dënohet me vdekje. Megjithatë ka disa forma të sjelljes jobesnike ndër muslimanët.
Më e rëndomta është mbajtja e marrëdhënieve me gjininë e kundërt përtej kufijve të Islamit, si dhe dyshimi i bashkëshortit-bashkëshortes. Moda e re e marrëdhënieve nëpërmjet internetit është gjithashtu në kundërshtim me etikën islame dhe po shkakton probleme serioze ndërmjet çifteve. Po u fut hija e tradhtisë, është e zorshme të riparohen këto marrëdhënie. Një tjetër formë e mosqenies besnik-besnike është atëherë kur çifti tradhton konfidencat. Kjo është çështje besimi dhe kur njëri e kompromenton atë, atëherë ia ka ngrënë zemrën martesës.
Drejtësia: Zakonisht, kur jemi të inatosur ose kur na ka ngelur hatri, kemi tendencën të jemi hileqarë. Përpiqemi ta bindim veten se, meqë e kemi patur gabim, është në rregull të jemi të padrejtë në sjelljen dhe në thëniet tona. Allahu thotë në Kur’an që të mos jemi të padrejtë në çdo situatë, madje edhe kundër armikut, e këtu po flasim për partnerin e jetës dhe prindin e fëmijëve tanë. Të përdorim fjalë si “kurrë” dhe “gjithmonë” kur përshkruajmë sjelljen e partnerit është e padrejtë dhe e vë tjetrin në pozicion mbrojtjeje.
Financa: Një ndër pikat e zakonshme të grindjeve në martesa është paraja. Ekspertët thonë se 80% e konflikteve martesore bëhen rreth parasë.
Kështu që është fortësisht e rekomandueshme që çifti të shpenzojë kohë dhe mund për zhvillimin e një plani financiar menaxhues të pëlqyeshëm për të dy partnerët dhe që rishikohet çdo gjashtë muaj ose përafërsisht. Përgatitja e një buxheti së bashku është gjithashtu një mënyrë ndihmëse dhe e mençur për administrimin e të hollave të shtëpisë. Duhet mbajtur parasysh se në Islam paratë e bashkëshortes i përkasin asaj, për t’i përdorur si të dëshirojë vetë, dhe për këtë nuk duhen konsideruar si të ardhura familjare, me përjashtim të rastit kur ajo zgjedh të kontribuojë me to për familjen.
Familja: Të bëhesh prind mund të jetë një eksperiencë përplot strese, nëse prindërit nuk janë të informuar mirë. Kjo në anën tjetër mund të ushtrojë trysni mbi martesën.
Ndonjëherë çiftet janë naivë për ndryshimet që ndodhin në stilin e jetesës. Kjo mund të shkaktojë në disa raste depresion dhe në disa të tjera pakënaqësi dhe keqkuptime. Një rregull e artë që duhet zbatuar gjithmonë është: Familja është parësore.
Kurdo ku ka dëshmi se familja nuk është e lumtur ose nuk është përparësia jonë kryesore, është momenti të ulemi në tavolinën e kuzhinës dhe të diskutojmë me zemër dhe mendje të hapur. Çiftet që kanë prindër të moshuar kanë përgjegjësi edhe më shumë për përkujdesjen ndaj tyre. Edhe kjo mund të jetë shumë stresuese, nëse çifti nuk është i përgatitur për këtë.
Duhet hartuar një plan përkujdesjeje me vëllezërit dhe motrat dhe me prindërit e të dy bashkëshortëve, se cili do të jetë përkujdesësi kryesor dhe ç’lloj përkrahjeje do t’u jepet prindërve. Në rast të pamundësisë mentale, duhet të vijë në ndihmë edhe noteri. Bërja e një testamenti është shumë thelbësore.
Ndjenjat: Pejgamberi Muhammed ka thënë se Allahu fal të gjitha mëkatet nëse pendohemi, por jo ato që kemi bërë ndaj të tjerëve, p.sh. i kemi lënduar ndjenjat e tyre, vetëm nëse personi që kemi lënduar na e fal.
Çiftet janë ndonjëherë shumë të pakujdesshëm kur është fjala për ndjenjat e bashkëshortit-bashkëshortes, duke e marrë për të qenë se tjetri e kupton se për çfarë bëhet fjalë. Është e çuditshme që njerëzit janë më të ndjeshëm dhe më të sjellshëm ndaj të huajve sesa ndaj të dashurve të tyre. Secili duhet të jetë përherë vigjilent dhe i kujdesshëm që të mos lëndojë ndjenjat e bashkëshortit-bashkëshortes dhe, nëse doemos e bën, duhet të kërkojë ndjesë sa më shpejt të jetë e mundur. Duke qenë se askush nuk e di se kur ka për ta lënë këtë botë dikushi që ai e do, a nuk është më mirë të përmirësojmë sa kemi kohë?
Liria: Martesa në Islam është partneritet e jo varësi ose skllavëri. Ta konsiderosh gruan pronë është e huaj për konceptin islam të rolit të bashkëshortit dhe të bashkëshortes. Shpirti i skuadrës forcohet e nuk zbehet kur anëtarët e skuadrës janë të lirë të jenë vetvetja. Liri në sensin perëndimor është të jesh i lirë të bësh si dëshiron, ose të jesh egoist. Përkundrazi, të lejosh lirinë e bashkëshortit-bashkëshortes, do të thotë të jesh i vëmendshëm për nevojat e tij-saj dhe të njohësh kufizimet e tij-saj.
Flirtimi: Një mënyrë e sigurtë për ta mbajtur gjallë romancën në një martesë është flirtimi me bashkëshortin-bashkëshorten. Shumë martesa të sukseshme kanë ruajtur një sjellje rinore duke adoptuar emra specialë për secilin dhe stile sekrete komunikimi.
Sinqeriteti: Keqkuptimi ndodh kur bashkëshortët nuk janë të sinqertë me njëri-tjetrin. Në marrëdhëniet martesore është vendi ku partnerët duhet të ndiejnë veten të sigurtë të flasin lirisht duke konsideruar ndjenjat e tjetrit, pa kompromentuar pikëpamjet e veta. Kur komunikimi nuk është i sinqertë, pengon zhvillimin e afrimit dhe mirëkuptimin e thellë të brendisë së secilit.
Lehtësimi: Kur duam të zgjedhim një partner, ne duhet, siç ka thënë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, të kërkojmë një musliman-muslimane të devotshëm-devotshme. Arsyeja është se synimi i vetëm dhe vendimtar është kënaqësia e Allahut. Ky zotim ndaj Allahut na bën lehtësues të shkëlqyer në rritjen e partneritetit shpirtëror. Në esencë, çifti e bën më të lehtë angazhimin e vet familjar ndaj Allahut dhe Fesë së Tij.
Lajkatimi: Bërja e komplimenteve dhe kënaqja me lajkatime të ndershme është një mënyrë shumë e lirë për të fituar zemrën e bashkëshortit-bashkëshortes. Secili dëshiron të jetë i vlerësuar dhe në pah. Pra, të qenit koprrac komplimentesh është aktualisht privimi i të qenit i vlerësuar.
Premtimbajtës: Të jesh i-e besës mund të jetë për bashkëshortin-bashkëshorten një eksperiencë e kënaqshme dhe shpërblyese. Të jesh i dashuruar nënkupton të japësh vetveten. Zemra nuk vendos kushte ose lidh kontrata. Ajo jep pa pritur asgjë në këmbim, por kjo dhënie e vetvetes gjithmonë shpërblehet dhjetëfish.
Gabimi: Shpesh ndodh që shpresat tona të jenë aq të mëdha, saqë na del nga mendja se jemi qenie të gabueshme. Kur çiftet nisin të kërkojnë të pamundurën, ata duhet t’i rikujtojnë vetvetes se vetëm Allahu është i përsosur.
Simpatia: Shpesh çiftet nuk arrijnë të krijojnë simpati të ndërsjellë, duke dështuar të shohin bashkëshortin-bashkëshorten si njerëz përmes syve të miqve. Bërja dhe ndarja e aktiviteteve është rrugë ku secili krijon simpatinë.
Ardhmëria: Çiftet me mend e planifikojnë të ardhmen së bashku. Ata i përkushtohen planeve të tyre financiare dhe atyre që lidhen me pensionin, hartojnë plane dhe i diskutojnë me fëmijët e tyre. Kjo sjell çlodhje mendore dhe i bën të sigurta marrëdhëniet.
Për një martesë të lumtur – Detyrat e bashkëshortes ndaj bashkëshortit

Femra është një krijesë njerëzore sikurse edhe mashkulli dhe janë të të njëjtit lloj, siç thotë Kurani Fisnik në suren Nisa, ajeti 25: “Ju jeni nga njëri- tjetri (të një origjine)”.
Dallimet mes mashkullit dhe femrës në disa drejtime kanë ardhur duke pasur parasysh dallimin natyror të tyre dhe rolin e ndryshëm që ka femra në disa fusha të jetës. Ekzistojnë disa dallime të caktuara fizike dhe shpirtërore ndërmjet gjinive dhe kjo ka sjellë disa dallime të caktuara në disa drejtime dhe obligime (p.sh: trashëgimia).
Njëri nga shkaqet që Allahu subhanehu ue teala e krijoi femrën është edhe ajo se mashkulli gjen prehje tek ajo gjatë martesës. Nëse martesa është e lumtur dhe e suksesshme, atëherë pa marrë parasysh shqetësimet që mund të ndodhin, pa marrë parasysh vështirësitë që hasen në jetë, pa marrë parasysh sëmundjet dhe rrethanat e padëshiruara, të martuarit do t’i presin ato duke qenë të sigurt, pasi ndodhen brenda një kalaje, brenda mureve të së cilës do të mund të harrojnë qoftë edhe për pak çaste vështirësitë e ndryshme dhe do të kenë dashurinë e njëri-tjetrit.
Është shumë e rëndësishme që në një martesë të mirë muslimane bashkëshortja ta respektojë bashkëshortin e saj. Në të kundërtën, martesa e tyre do të jetë vetëm një përvojë e keqe. Njëra prej rregullave themelore në një martesë muslimane është që bashkëshorti të jetë kreu i shtëpisë dhe të tregohet se ai e meriton këtë pozicion.
Në Kuranin Fisnik, Allahu kërkon prej bashkëshorteve që të jenë të dëgjueshme ndaj bashkëshortëve të tyre, t’i respektojnë ato derisa kjo nuk është në kundërshtim me dëshirat e Tij. Pejgamberi (alejhi selam) njëherë ka thënë se nëse do t’i ishte lejuar që ta urdhëronte një qenie njerëzore t’i përkulej një qenieje tjetër njerëzore, ai do t’i kishte urdhëruar gratë që t’u përkuleshin burrave të tyre.
Disa nga detyrat e bashkëshortes ndaj bashkëshortit:

– Gruaja duhet t’i bindet bashkëshortit për ato gjëra që nuk e kundërshtojnë Allahun e Madhëruar, siç thuhet në Kuranin Fisnik: “E nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre” (Nisa, 34)
Dhe siç ka thënë i Dërguari i tij, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të: “Nëse gruaja nuk i shkon burrit kur ky e fton në shtrat, dhe ai gdhihet i zemëruar me të, atë e mallkojnë engjëjt deri në agim.” (Hadith i saktë, përzgjedhur nga Ebu Daudi, Hakimiu, Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu, i cili e ka cilësuar hadithin të vërtetë.)
– Të ruajë nderin e burrit dhe të sajin, të kujdeset për pasurinë, fëmijët dhe punët e shtëpisë, sepse Allahu i Madhëruar ka thënë: “Gratë e mira janë respektuese dhe besnike ndaj së fshehtës….” (Nisa, 34) Ndërsa Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të ka thënë: “Ndërsa gruaja është kujdestare e shtëpisë së burrit të saj dhe e fëmijëve të tij.” (Buhariu dhe Tirmidhiu).
“Detyra e tyre ndaj jush është që të mos fusin në shtretërit tuaj tjetër kënd, veç jush, dhe të mos lejojnë të hyjnë në shtëpitë tuaja ata që nuk i doni”. (përzgjedhur nga Taberaniu me sened të besueshëm – sahih).
– Të mos dalë nga shtëpia pa lejen dhe miratimin e të shoqit, të ulë shikimin dhe zërin e saj, të mos bëjë e të mos flasë keq, të sillet mirë ndaj prindërve dhe të afërmve të burrit, sepse Allahu i Madhëruar në suren Nur, ajeti 31 ka thënë: “Thuaju besimtareve të ulin shikimin e tyre, të ruajnë pjesët intime dhe të mos i shfaqin bukuritë e tyre, përveç asaj pjese që duket ”.
I Dërguari i Allahut paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të ka thënë: “Gruaja më e mirë është ajo që, kur e sheh të gëzon, kur i flet të bindet dhe kur largohesh, ruan për ty nderin e saj dhe pasurinë tënde.” (hadith i vërtetë). Përzgjedhur nga Tabariu dhe Kurtubiu.
– Gruaja duhet të jetë e dëgjueshme ndaj burrit të saj. I Dërguari i Allahut, Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Kur gruaja i zbaton pesë kohët e namazit, agjëron gjatë Ramazanit, e mbron nderin e saj dhe e dëgjon burrin e saj, ajo mund të hyjë në xhenet nga cila derë të dëshirojë.” (Transmeton Ibën Hibani, el-Bezari, Imam Ahmedi ibën Hanbeli, et-Tabarani dhe el-Bani)
– Gruaja e mirë është arsyeja e lumturisë në këtë botë. Ajo e ndihmon burrin e saj ta adhurojë Allahun, subhanehu ue teala, i afron atij qetësi shpirtërore dhe paqe. I Dërguari ka thënë: “Kjo botë (jetë) është kënaqësi dhe kënaqësia më e mirë e saj është gruaja e mirë.” (Transmeton Muslimi).


Leave a Reply