
Pa shih nga lindja, dielli mbi male,
Si lëmsh i kuq ngre kokën sapo ndez!
Çdo sy në tokë, si shërbëtor i falet,
Lartmadhërisë së shenjtë, çdo mëngjes;
Dhe kur i ngjitet shpatit qiellor,
Si një djalosh me moshën në zenit,
Çdo sy e ndjek pas zotin madhështor,
Kur me karro të artë qiellit shëtit.
Po kur nga kulmi i qiellit merr rrëzim,
Si plakun që e rrëzon moshë e thyer,
Po ata sy që e shihnin me nderim,
Tani vështrojnë me tjetër anë të kthyer.
As ty, kur të të ngryset dielli i jetës,
S’të sheh njeri, po s’lë një bir pas vetes.
* * *
Në gjirin tënd çdo zemër kam të shtrenjtë,
Që kur mungoja, thashë, do jetë në varr;
Në të shikoj çdo dashuri të shenjtë
Dhe miqtë që dija vdekja m’i kish marrë.
Sa lot më vodhi dashuri e ndjerë,
Që borxhin e të vdekurve të lajë!
Tani më duken larg si asnjëherë,
Të fshehtët lot, në shpirt i fshehti vaj!
Ja varri ku jeton kjo dashuri,
Me dashuritë që shkuan e të dhanë
Gjithçka prej meje morën veç për ty;
Është yti gjithë borxhi që më kanë.
I desha gjithë ata që t’i pa syri,
Me shpirt e trup jam yti dhe i tyri.
* * *
Le të të shajnë, s’e ke ti gabimin,
Të ndershmin nuk e dashka asnjëri!
Për shenjë bukuria mban dyshimin
Në qiellin më të kaltër – korb i zi.
Veç bëhu i mirë, se aq më shumë ke vlerë,
Kur bota do që nderi të të ulet;
Ti je më e njoma lule në pranverë,
Por krimbat, e di, duan vetëm lulet!
Dhe në shpëtofsh nga grackat e rinisë,
Të rrish mënjanë a botën ta përballësh,
Asgjë s’do të fitosh prej ndershmërisë,
Dhe as gojët e liga s’do t’i ndalësh.
Po të mos kish dyshim për ty njeri,
Çdo zemër do të rrihte veç për ty.
* * *
Në daç të urresh, urremë tani,
Kur dhe me botën më ka ndezur sherri;
Ti qofsh për mua helmi më i zi,
Veç jo e fundit pikë e këtij vreri!
Në marrtë nga gjëma zemra arrati,
Ti mos ma ndiq hatanë që lyp mëshirë,
Mos natë me erë ma kthe mëngjes me shi,
Mos më gropos në varr njëherë e mirë.
Do të më lësh? Më le, po jo në fund,
Kur jam i mbytur nga të tjera halle;
Por lërmë menjëherë që të mund
T’ia ndiej fatit gjëmën më të madhe.
Në jetë nuk më tremb asnjë andrallë,
Veç në të humbsha ty e quaj hall!
Shqipëruar nga Kristaq TRAJA


Leave a Reply