
Qemal Mixhozi, ka 8 muaj që është vendosur në Prishtinë dhe bashkëpunimi i suksesshëm në mes Kosovës dhe Shqipërisë është një ndër prioritetet e tij si ambasador i shtetit shqiptar në Kosovë. Më shumë na zbulon në këtë intervistë të veçantë në Flatra…
Intervistoi: Besa Gjoni
Fotografia: Shpend Maliqi
Mund të na tregoni z. Minxhozi kur keni ardhur për herë të parë në Kosovë?
Për herë të parë në Kosovë kam ardhur në vitin 2001, atëherë të gjitha takimet realizoheshin në hotelin Grand, sapo kishte mbaruar lufta dhe unë isha së bashku me një gazetar, mikun tim nga Danimarka. Ishte hera e parë për mua dhe kisha një emocion të jashtëzakonshëm, pasi kisha dëgjuar dhe isha rritur me histori për Kosovën, nëpërmjet radiove e televizioneve. Dhe pas një drame të madhe, që kishte kaluar Kosova, për mua ishte një moment shumë i veçantë. Holli i Grandit ishte i mbushur me gazetarë, në një moment afrohet një nga televizionet dhe më pyet: zotëri nga vini? I thashë nga Shqipëria. Çfarë mund të na thoni për Shkëlzen Jetishin, më pyet. Menjëherë në mendje më shkon se ky do të ishte patjetër ndonjë komandant apo figurë tjetër e luftës, nuk po më kujtohej në atë moment se kush ishte. I thashë se ne kemi një respekt shumë të madh për figurën e Shkëlzen Jetishit dhe se e vlerësonim shumë kontributin e tij dhe po flisja me një patos për të. Këtë nuk e kam thënë asnjëherë. Po flisja i dyzuar dhe gazetari më shikonte me një lloj habie dhe më tha pse kaq i njohur është ai në Shqipëri? I thashë se nga veriu në jug të gjithë e njohin, e atëherë mu drejtua, po si e njihni Xenin ju atje? Atëherë mu kujtua se bëhej fjalë për këngëtarin dhe nga një pamje dramatike e fytyrës sime fillova të buzëqeshja. Ky ishte kontakti im i parë me Kosovën, ndërsa sot jo vetëm që jam ambasador, por edhe krushk i Kosovës. Djali im është i martuar me një vajzë nga Prizreni.
Cilat janë prioritet tuaja si ambasador?
Po punojmë si Ambasadë që të rrisim edhe më shumë bashkëpunimet mes Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos bashkëpunimet ekonomike që janë shumë të rëndësishme, por nga ana tjetër ne po shikojmë mundësitë që Kosova të jetë shumë më prezente në Shqipëri. Të dyja vendet nuk kanë një bashkëpunim shkëmbimesh të kënaqshëm, vetëm 150 milion euro, janë të hyra nga Kosova. Ne do të donim ta ndryshonim këtë klimë bashkëpunimi, ka shumë gjëra që Shqipëria mund t’i përfitojë nga Kosova e them këtë për shumë arsye, për shembull, pushteti lokal këtu është më autonom. Po shohim mundësinë që gjithashtu të jemi si Kosova në fushën e doganave, sepse sistemi është më fleksibël dhe më funksional këtu në Kosovë. Ajo që i bënë interesante marrëdhëniet e të dy shteteve janë vendimet që u morën në mbledhjen e përbashkët në Prizren të të dy qeverive. Megjithatë ne duhet të shikojmë mundësitë e bashkëpunimit të strukturave poshtë, që të kemi një bashkëpunim më efikas.

Mes dy vendeve janë krijuar baza ligjore shume te mira, por megjithatë zbatimi i tyre ende le për te dëshiruar?
Tjetër është dëshira dhe tjetër është zbatimi i gjërave. Realja është se ka pengesa burokratike midis palëve, ka dmth mosnjohje të realiteteve aq sa duhet, po marr vetëm një shembull: panairi “Blej Shqip” është më i madhi që është organizuar në Kosovë gjatë vitit që kam qenë unë këtu dhe 80% e mallrave janë shitur. Kjo tregon se ne nuk e njohim tregun se çfarë mund t’i ofrojmë njëri-tjetrit, e që kemi shumë për të ofruar. Panairi tregoi se ne nuk jemi duke e përdorur si duhet hapësirën shqiptare. Kemi parasysh se të dyja vendet i përdorin shumë importet. Rreth 800 milion euro import në Kosovë dhe jam i bindur se shumë nga këto produkte prodhohen në Kosovë dhe janë cilësore.
Një tjetër fushë bashkëpunimi është edhe aspekti kulturor, cilat janë projektet tuaja në këtë drejtim?
Çështja është se në këtë aspekt e mbulojmë vetëm me disa koncerte dhe mirë është se ka shkëmbime në këtë sferë. Në Shqipëri nuk ka spektakël që nuk fton artistë nga Kosova dhe anasjelltas. Bashkimin në këtë aspekt e kemi realizuar 100%. Ideja është që ne duhet të ecim edhe në disa sfera të tjera të kulturës dhe shkencës. Po shohim mundësinë që orkestra e RTSH-së, Filarmonia e Kosovës të kenë një kalendar të përbashkët kulturor sepse në kemi personalitete të shquara të kësaj sfere. Gjithashtu do të bëjmë një punë të madhe për shkëmbime turistike. Do të fusim në programet shkollore që nxënësit nga Shqipëria të vizitojnë Kosovën, ashtu si ndodh me nxënësit në Kosovë, që vizitojnë Shqipërinë. Do të shikojmë edhe për bashkëpunime në fushën e Akademive të Shkencave.
Si ka ndryshuar jeta juaj këtu në Kosovë?
Në Kosovë kam ardhur me dëshirë shumë të madhe, është një privilegj për mua. Sepse për ambasadorin janë shumë të rëndësishëm dy faktorë: së pari varet se në cilin vend shkon, çfarë rëndësie ka ai shtet që përfaqëson ti në shtetin ku ke shkuar dhe e dyta, këtu ka mundësi të shumta për të shtyrë projektet e një bashkimi ashtu siç duhet, drejt ëndrrës evropiane.
revistaflatra.com


Leave a Reply