
Entela Resuli
Një “muze online” i quajtur i memories, a i kujtesës rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste.
Sipas muzeut online “muzeuimemories.info” mbështetur si projekt nga Ministria e Kulturës, 600 mijë familje shqiptare kanë gatuar në banjë në vitet 1980-1990.
Në kuadër të këtyre të dhënave, në sajtin online thuhet se 300 mijë familje shqiptare konsumonin gjysmë kilogrami mish në javë dhe 500 mijë të tilla 1 kg gjalpë në muaj.
Në të gjejmë imazhe të shqiptarëve në radhë, autorizimet për të blerë televizor a lavatriçe, tollonat e famshëm për sasinë e mishit që lejohej të blihej.
Në të thuhet se “Lodrat e fëmijëve ishin modeste dhe bliheshin vetëm për Vitin e Ri. Deri në vitin 1984, mustaqet, syzat e diellit dhe çanta e vogël ishin të ndaluara si shfaqje të huaja”.
Për të blerë, sallam ose mish të grirë, në komunizëm merrje një tip kuponi që quhej tollon. Në një fletë e zverdhur, shënohej se filan fisteku, i lagjes x, për 1 javë mund të merrte djathë, sallam apo mish të grirë përmes kësaj letre. Kishte radhë për qumështin, radhë kishte edhe për vajgurin.
Muzeu
“Muzeu i Memories” është një projekt i ideuar dhe realizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Politike dhe i mbështetur nga Ministria e Kulturës. Qëllimi i këtij projekti “është t’i përgjigjet nevojës për të nderuar dhe memorializuar viktimat e krimeve të komunizmit dhe nevojës për të informuar brezin e ri dhe shqiptarët që jetojnë në emigracion me krimet, dënimet, apo burgjet e diktaturës komunistë në Shqipëri”, thuhet në sajt.
Referencat dhe burimet e informacionit janë Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Arkivi i ISSK, Arkivi, Muzeu i Kujtesës Shkodër si edhe librat e Tomor Alikos, Femi Isufajt, Agim Mustës, Uran Butkës, etj.
Drejtuesi i projektit është Afrim Krasniqi dhe në realizimin e tij kanë ndihmuar Ark. Migen Qiraxhi, Lazer Stani, Rigels Xhemollari dhe Borana Elezi.
Sajti ofron të dhëna të larmishme, sipas nënndarjeve të ndryshme si: “Shqipëria në burg”, “Një ditë në komunizëm”, “Qëndresa antikomuniste”, “Gjyqet speciale dhe ushtarake”, “Stalinizmi në Shqipëri”, “Torturat”, “Gra, të dënuara e internuara”, “Artistë, të dënuar e të internuar”, “Religjioni”, “Vetizolimi”, “Punë të detyruara dhe veprat”, “Diktatori dhe bijtë e tij”, “Revoltat” dhe mbyllet me “20 shkurtin e vitit 1991″.
Secila kategori, ilustrohet me foto.
Gjyqet dhe torturat
Ndonëse në Shqipërinë komuniste thuhej se “ushtrimi i torturës në hetuesi dhe në burg ndalohet me ligj”, në realitet tortura përdorej. Sipas dokumenteve, =torturat më të përdorura kanë qenë: Djegie me cigare, thyerje kockash dhe shkulje e mishit me darë dhe përdorimi i korrentit, jeleku i torturës, dëmtimi i organeve gjenitale, lënia pa bukë, pa ujë e pa gjumë në këmbë për ditë të tëra, varje në qafë të zinxhirëve me pesha, varje prej krahësh të lidhur mbrapa, në një dritare ose çengel në lartësi, mbushja e gojës me kripë,etj, etj.
Në çdo qytet, kishte qeli me dimensione 2mX 1.20 m dhe qeli speciale me dimensione 1mX0.5mX 1m, ku i arrestuari as nuk mund të shtrihej, as nuk mund të rrinte në këmbë, por vetëm ulur këmbëkryq.
Biçikleta ishte e vetmja pronë private. Zona me luksoze konsiderohej Blloku, qe ruhej nga Garda e Republikës.
Shqipëria ishte një ndër 15 vendet më të varfra në botë, të gjithë visheshin njësoj, lodrat e fëmijëve ishin të limituara. Nëse të shihte dikush me mustaqe, syze dielli apo çantë të vogël në sup ndaloheshe për “shfaqje të huaj”. Madje, për një kohë të gjatë problem përbënin edhe disa modele pantallonash e flokët e gjata për meshkuj.

















Opozita.com


Leave a Reply