
Një azilkërkues në kushte anonimiteti ka pranuar të rrëfejë për Koha.net vështirësitë e rrugëtimit të tij nga Kosova deri në Gjermani.
Ai thotë se shkaku i një fatkeqësie është dashur t’i financojë dy familje, por këtë nuk ka mundur ta bëjë në Kosovë, prandaj u detyrua të ikte për në Gjermani.
Duke mos dashur të jap hollësi tjera shkaku i frikës nga arrestimi, ai thotë se nisja nga një stacion i autobusëve në Ferizaj ishte bërë në orët e vona dhe çdo gjë kishte shkuar mirë deri në Hungari kur gjërat filluan të vështirësohen për të.
Ai tregon se në Hungari u ka ndihmuar dy grave shqiptare të Kosovës që të iknin, pasi gjatë ndjekjes nga kufitarët, atyre u kanë humbur burrat.
Gjatë qëndrimit në këtë shtet, ai është arrestuar dy herë dhe ka rrëfyer se së bashku me të qindra të arrestuar janë mbajtur në qeli të improvizuara në oborr të burgut.
“Fal” korruptimit të policisë hungareze, ai u lirua ndërsa tregon për Koha.net se hungarezët pranojnë që të korruptohen vetëm që azilkërkuesit të dalin në Austri.
Nga Austria, ai arriti të dalë në Gjermani ku është duke qëndruar në një strehimore të rregulluar për azilkërkuesit shqiptarë.
Personi që ka kontaktuar me redaksinë e Koha.net, dhe që ka dashur të mbetej anonim, ka bërë edhe një video-incizim të hapësirës ku janë duke u vendosur azilkërkuesit shqiptarë në Gjermani.
Ai ka treguar për Koha.net edhe çmimet e biletave të autobusit nga Ferizaj e deri në kalimin e kufirit të Hungarisë. Nga Ferizaj deri në Beograd, sipas tij, bileta për person kushton 15 €, ndërsa nga Serbia e deri në Hungari, 80 € për person. Kjo shumë paguhet vetëm sa për ta kaluar kufirin.
Ndërkaq, prej kufirit të Hungarisë e deri në Budapest, bileta kushton 70 € për person. Më pastaj, siç rrëfen “i zhgënjyeri nga Kosova”, secili zgjedh rrugën e vet.
© KOHA.net


Leave a Reply