
GazetaExpress E diel, 23 Nentor 2014
Policia e Kosovës ka ndaluar dhe ka kthyer më shumë se 300 qytetarë të Kosovës, të cilët tentonin të shkonin në shtete perëndimore përmes Serbisë. Derisa, Ferizaj është qyteti i radhës nga ku po ikin qytetarët të shumtë drejt Evropës. Vetëm ditëve të fundit nga Ferizaj janë nisur dhjetëra autobusë përplot njerëz për siç thonë në kërkim të shpresës për një jetë më të mirë.
Mbrëmjen e së shtunës, Policia e Kosovës, ka kthyer gjashtë autobusë me qytetarë të Kosovës, të cilët kishin për synim largimin për në vendet evropiane.
KTV-ja merr vesh se në pikën kufitare në Merdarë janë ndaluar më shumë se 500 kosovarë.
Autobusët ishin nga Prishtina, Prizreni dhe Ferizaj.
Ndërkohë, gjatë 48 orëve të fundit, qindra banorë të Ferizajt janë larguar nga Kosova, duke marrë fillimisht rrugën për në Hungari përmes Serbisë.
Kjo valë e largimit të qytetarëve të Kosovës, sidomos e atyre të Ferizajt, nuk ka të ndalur.
Ata, që po largohen thonë se fajin për ikjen e tyre nga vendi e ka Qeveria.
Fillimisht qytetarët mblidhen afër një pompe benzine në magjistralen Ferizaj-Prishtinë dhe aty futen në autobusë për të marrë rrugën për në Bashkimin Evropian.
Ata paguajnë shifra shumë të mëdha, që të shkojnë fillimisht në Bujanoc, Beograd e Suboticë, e më pas në Hungari.
Shumica prej këtyre qytetarëve bëjnë shpenzime të jashtëzakonshme, duke shitur shtëpitë e tyre, duke hyrë në borxhe të mëdha e duke marrë kredi nga banka të ndryshme.
Ndërsa, nuk përjashtohen edhe rastet kur gjatë përpjekjeve për të kaluar ilegalisht në zonën kufitare të shtetit të Hungarisë, qytetarët bien në duar të autoriteteve doganore dhe policore hungareze, përcjell Koha.net.
E më pas detyrohen të vuajnë edhe dënime me burgim dhe të ngujuar nëpër kampe të ndryshme në qytetet hungareze.
Lidhur me largimin e qytetarëve të Kosovës nga vendi, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Koalicioni PDK – LDK veçse i siguroi qytetarët e Kosovës që e keqqeverisja e deritashme do të rehabilitohet dhe do të vazhdojë. Kjo e bën Kosovën të pashpresë për secilin qytetar, hiq militantët partiakë të partive në pushtet. Andaj largimi në rrugë klandestine edhe pse me rreziqe të mëdha, kujtojmë këtu mbytjen në lumin Tisa më 22 tetor 2009, apo burgjet hungareze, po shihen si zgjidhje më e mirë, sesa mbetja në Kosovë nën mëshirën e qeverisjes së këtij koalicioni” thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Kohavisioni gjatë tërë kohës ka raportuar për largimin masiv të kosovarëve drejt vendeve evropian dhe kushteve me të cilat përballeshin këta qytetarë.
Kronika e plotë e KTV’së:
Vazhdon ikja e kosovareve by GazetaExpressTV


Leave a Reply