
Sociologji – Ngjarjet e përditshme mund të jenë shpesh të dhembshme për t’u harruar dhe falur, por të bësh paqe me tjetrin, është ndonjëherë e vetmja mënyrë për të vazhduar përpara me shëndet të mirë mendor dhe fizik
Një nga gjërat më të vështira që mund të bëjnë njerëzit është të pranojnë faljen e dikujt që i ka lënduar. Na pëlqen të lexojmë historitë e të tjerëve që kanë arritur të falin dhe të lënë mënjanë zemërimin, depresionin dhe urrejtjen.

Një studim ka treguar se një kusht për jetëgjatësinë dhe shëndetin e mirë, është zhvillimi i virtytit të mirënjohjes dhe tejkalimit të lëndimeve të së shkuarës.

Dëshironi të jetoni një jetë të gjatë dhe të lumtur? Falni të pafalshmen. Është gjëja më e mirë që mund t’i bëni vetes. Armiku juaj mund të mos e meritojë faljen, por dhembja dhe çlirimi që do të merrni pas kësaj, do të jetë shumë herë më i madh.
“Urrejtja është si acid, gërryen dhe shkatërron vendin ku është zhytur.”
Si të falni?
Duhet të keni parasysh që ndjenjat tuaja nuk lëndojnë askënd tjetër përveç jush. “Të mos falësh, është sikur të pish helm e të presësh që kjo të vrasë armikun tënd.”
Hakmarrja më e mirë ndaj armiqve tuaj është të jetoni me sukses dhe lumturi. Dëshironi të barazoheni me dikë që do t’ju shkatërrojë? Tregoni forcë duke punuar sa më shumë me karrierën tuaj.
Një tjetër mënyrë për t’u përballur me të keqen është ta ktheni atë në të mirë. Mendojeni armikun tuaj si dikë që ju ndihmon të rriteni në vetvete dhe se çdo gjë e keqe që ju bëhet është një mënyrë e mirë për t’u forcuar nga karakteri.
Bëni një listë të gjërave që keni përfituar nga eksperienca jo e mirë. Mund të jeni përqendruar për shumë gjatë në anën negative të ngjarjeve, por çdo e keqe e ka nga një të mirë, ndaj nuk keni pse mendoni vetëm të keqen nga e gjithë historia.
Keni nevojë për ndihmë. Nuk mund ta kaloni një eksperiencë të hidhur vetëm, ndaj mos hezitoni të kërkoni ndihmën e një miku sa herë që diçka e keqe ju ndodh. Të keni mbështetjen e të tjerëve, ju ofron mundësi që të ndieni se jeta është më e gjerë sesa zemërimet e vogla, ndaj kështu e keni më të lehtë të falni.
Mbi të gjitha falni veten. Jini të durueshëm dhe të mirë me veten. Dhembja e madhe emocionale mund të ndikojë shumë te ju, si emocionalisht, ashtu edhe fizikisht. Përqendrohuni të bukuria e çdo gjëje dhe tek emocionet pozitive që ju sjellin gëzim dhe ju bëjnë të keni mirëqenie.
Fjala “fal” do të thotë fjalë për fjalë të zgjidhësh. Mënyra më e shpejtë për ta çliruar veten nga çdo e keqe që mund të jetë kapur në mënyrë të pavullnetshme te ju, është të falni dhe të ecni përpara pa u kushtuar rëndësi gjërave që ndodhin rreth jush. Të falësh do të thotë ta çlirosh veten nga zinxhirët e një burgu të errët zemërimi.
Një tjetër mënyrë për të falur është të gjesh balancën mes besimit dhe mençurisë. Kujtimet e hidhura mund të shërbejnë për të na mbrojtur nga e ardhmja që mund të jetë po aq e dhembshme. Siç shkruan edhe një shkrimtare, “mungesa e besimit është ndonjëherë njohja e kufijve të tjetrit”.
Të falësh nuk do të thotë të pranosh sjelljet e gabuara të dikujt, pasi mund të ruani distancën ndaj këtij personi. Të falësh do të thotë ta distancosh veten nga e keqja që të është bërë dhe të pranosh që kjo gjë nuk ka më ndikim te ty.
Kur një person kërkon falje dhe falja e tij pranohet, kjo është në një farë mënyre një premtim për të ardhmen se nuk do të ndodhë më një gjë e tillë e keqe.
Nëse dëshironi të falni e të harroni, mos vazhdoni t’u tregoni të tjerëve historinë e keqe që mund t’ju ketë ndodhur. Jo vetëm që kjo nuk ju ndihmon, por gjithashtu ju dëmton duke e përsëritur vazhdimisht. Harresa e një eksperience të keqe është hapi i parë drejt faljes.
Mendoni të ardhmen. Nëse keni plane të qarta për veten, gjërat që ndodhin pranë jush nuk do të mund t’ju fusin në hijen e pasigurisë, pasi ju do e keni shumë të qartë se çfarë kërkoni dhe ku doni të shkoni.





I. D.
Gazeta Shqip


Leave a Reply