
Idajet Beqiri
Vizita e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama në Beograd, deklaratat e tij në konferencën për shtyp, në prani të kryeministrit të Serbisë Vuçiç dhe mesazhet që dha atje kryeministri ynë, bëjnë krenar të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, nëpër botë. Ndryshe nga 23 vjetët e fundit, kur Shqipëria dhe shqiptarët janë udhëhequr nga një lidership konfliktual, mediokër, të paqytetëruar dhe kundër interesave kombëtare shqiptare, më 10 nëntor, në Beograd, pamë me sytë tanë dhe dëgjuam me veshët tanë, që në krye të qeverisë së Shqipërisë kemi një kryeministër me vizion perëndimor dhe europian, një kryeministër qytetar, vizionar, pajtues dhe paqtues, skrupuloz dhe jokompromist për të vërtetat. Ai tregoi se është përfaqësues i denjë i një lidershipi të spikatur të kursit të ri politik të të gjitha shteteve të gadishullit të Ballkanit, si edhe brenda Europës së Bashkuar.
Shqiptarët, në Beograd, përmes përfaqësuesit të tyre më të lartë të qeverisë, kryeministrit Edi Rama, nxorën në pah dhe manifestuan kryevlerat e tyre, si popull dhe komb ndër më të vjetrit dhe më të kulturuarit në Europë, ndër më paqedashësit dhe më liridashësit, ndër më të eturit dhe më të interesuarit për të jetuar në paqe, harmoni, mirëkuptim dhe në bashkëpunim me të gjitha kombësitë e shtetet e rajonit të Ballkanit.
Për fat të keq, kjo kryevlerë e shqiptarëve, që u manifestua në mes të Beogradit, për 23 vjet me radhë u mbajt e shtypur, e madj,e u shfaq në të kundërtën e saj, për shkak të lidershipit tonë të kompromentuar, të paemancipuar, dhe të papërgjegjshëm ndaj interesave kombëtare shqiptare.
Nëse deri dje, domethënë para 23 qershorit 2013, ne shqiptarët vajtonim për lidershipin tonë në qeverisje, dhe modelin e politikanit dhe të shtetarit e kërkonim në Europë dhe në botë, sot kemi fatin ta kemi brenda hapësirave shqiptare, dhe ai është kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama!
Në këtë përjetim të ditëve të sotme, gjithkush ka të drejtë të bëjë diferencat midis qeverisjes aktuale, nga njëra anë, me “axhendën” e opozitës së Shqipërisë, nga ana tjetër. Rikonstatojmë me dhimbje se kësaj opozite, që udhëhiqet nga dyshja famëkeqe Berisha-Basha, i ka mbetur ora tek ajo e Beogradit të Rankoviçit, të vitit 1968, si edhe tek ajo e Beogradit të Milosheviçit, të viteve 1989-1999! Kjo opozitë nuk po emancipohet së paku as te Beogradi i Vuçiçit të sotëm!
Shqipërisë së sotme me orientim të qartë evropian, i mungon vetëm një opozitë e përgjegjshme kombëtare, aq shumë e dobishme për ardhmërinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në Ballkan. Shqipëria dhe shqiptarët, sot kanë vetëm një kundërshtar të vërtetë, opozitën destruktive të Berishës dhe Bashës!
Shekulli


Leave a Reply