
Më 9 nëntor mbushen plot 25 vjet nga rrëzimi i simbolit të ndarjes njerëzore. Ata që e rrëzuan hynë në histori, megjithëse duket se protagonistët ishin më të shumtë nga ç’mendohej.Por si u ngrit dhe u shemb ai? Kush kontribuoi dhe përse mbetet akoma një mit? Kjo është historia e tij
Nga Armand Plaka
Ndodhi më 9 nëntor 1989, më shumë se 28 vjet pasi hodhi themelet, më 13 gusht 1961. Në historiografinë botërore e shkencat politike, tashmë ka hyrë si një nocion specifik e shumë i famshëm: Muri i Berlinit. Ata që e rrëzuan hynë në histori, por duket se protagonistët ishin më të shumtë se ç’mendohet. Pikësëpari, vetë populli gjerman. Paradoksalisht ndërtimi i tij, që deri në atë kohë, përbënte padyshim njërën nga ngjarjet më të mëdha (gjithsesi, në terma negativë) historike të shekullit të kaluar për mbarë njerëzimin, u fokusua nga rrëzimi i tij, ngjarje që ia zuri menjëherë vendin e u kthye në mit. Ish-kancelari Helmut Kohl në librin e tij më të ri me kujtime, thotë se ishte kolapsi ekonomik që e detyroi Gorbaçovin t’i bënte mirë hesapet e t’u hapte rrugë reformave që çuan në fund edhe në rrëzimin e murit. Dikush tjetër thotë se ishin milionat e markave gjermano-perëndimore të derdhura në kontot e Kremlinit. Shumëkush thotë se ishin padyshim konstelacionet e reja politike botërore, pikësëpari këmbëngulja e SHBA-së, e dikush tjetër mendon se ishte dëshira mbarëpopullore, disidenca e deri te roli i kishave që kishin arritur të kryenin një lloj “pjekjeje”, një ndërgjegjësim kolektiv drejt lirisë, që do ta çonte regjimin e vjetër pashmangshmërisht në atë hulli. Shumëkush, me apo pa dashje, harron kontributet e atyre që dhanë edhe jetën për të kaluar në botën e lirë, duke lënë pas një mesazh të fortë për ish-gjermanolindorët. Por ndoshta, mund të jenë edhe të gjitha arsyet së bashku. Ndërkohë, gjermanët prej shumë vitesh flasin edhe për “gabime” në procesin e ribashkimit gjerman. Sidoqoftë, në brendësi të shpirtit të tyre, ata duket se jo vetëm që s’janë penduar, por vijojnë ta shohin “rrëzimin” si aktin më madhor e më të lumtur në historinë e tyre.
***
Në propagandën e ish-RDGJ-së asokohe, dhe atë të vendeve të tjera anëtare të ish-Bllokut të Demokracive Popullore, përfshirë këtu fillimisht edhe Shqipërinë, derisa u rrëzua, ai vazhdoi të cilësohej si “Muri antifashist”, i cili do të mbronte “vendin e punëtorëve” e “bllokun e proletariatit” nga sulmet e dukshme e të padukshme të Perëndimit kapitalist, provokacionet e shpeshta dhe aktet e sabotazhit që minonin kështu përparimin e socializmit. Ai ishte pjesë e kufirit të brendshëm gjermano-gjerman dhe qysh nga 13 gushti i vitit 1961 deri më 9 nëntor 1989, ndante kështu pjesën lindore nga ajo perëndimore e qytetit. Ai vijon të mbetet edhe sot e kësaj dite, një ndër simbolet më domethënëse të Luftës së Ftohtë dhe ndarjes së njerëzimit. Gjatë përpjekjes për të kaluar nga pjesa lindore e tij në atë perëndimore, humbën jetën shumë njerëz. Shifra e saktë e viktimave është akoma dhe sot e kësaj dite e debatueshme, dhe, sipas të dhënave zyrtare e jozyrtare, ajo vërtitet nga 86 deri në 238.
Kur nis historia?
Në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në maj të vitit 1945, Gjermania, duke u bazuar në vendimet e marra në Konferencën e Jaltës, u nda në katër “zona pushtimi”, që duhet të kontrolloheshin nga katër fuqitë aleate: SHBA-ja, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Franca. Në mënyrë analoge, u vendos që Berlini, si ish-kryeqyteti i Rajhut të mundur gjerman, të ndahej gjithashtu në katër zona. Në vitin 1948, nuk do të vononte të vinte sinjali i parë i madh i rrezikut komunist kur Berlini Perëndimor iu nënshtrua bllokadës staliniste, e cila, gjithsesi, u përballua me sukses falë ndihmës amerikane pas lënies së lirë të korridorit ajror. Në vitin 1949, u themelua (fillimisht e ndarë në tri zona) Republika Federale Gjermane, dhe në Lindje, si reagim ndaj këtij hapi, u themelua në zonën sovjetike të pushtimit, një shtet i ri me emrin: Republika Demokratike Gjermane. Mes RDGJ-së e RFGJ-së, fillimisht në kufi u vendosën vetëm ushtarë apo policë të kontrollit kufitar, dhe më pas nga ana e RDGJ-së u ndërtuan me mijëra kilometra klone me tela me gjemba. Formalisht, Berlini gëzonte statusin e veçantë të një zone të demilitarizuar deri në atë kohë, të ndarë në katër sektorë, dhe ishte i pavarur nga të dyja shtetet gjermane, gjë e cila në praktikë, sigurisht, nuk duket se zuri vend kurrë. Thellimi i krizës që po sillte me vete Lufta e Ftohtë, frika për kryengritje popullore masive si ajo e 17 qershorit 1953 në RDGJ, embargoja ndaj bllokut lindor, lufta permanente diplomatike e ndërsjellë dhe kërcënimet e shumta e të shpeshta për të nisur një luftë të re, sollën edhe forcimin e madje hermetizmin e kufijve të RDGJ-së.
“Arsyet” e vendimit për të ngritur murin
Qysh nga themelimi i RDGJ-së e deri në momentin që akoma nuk ishte ndërtuar muri, numri i qytetarëve të saj që arratiseshin drejt RFGJ-së po njihte vetëm rritje. Duke ia nisur nga viti 1952, kufiri i brendshëm mes RDGJ-së dhe RFGJ-së, ishte siguruar vazhdimisht me gardhe e tela me gjemba: ishte ngritur ndërkohë një zonë e gjerë ndalimi (sigurie) prej pesë kilometrash, që nuk mund të kalohej pa leje të posaçme. Deri në kufi, kishte gjithashtu një rrip sigurie 500 metra të gjatë, pas të cilit (tani vinte kufiri) ishte ngritur një rrip tjetër më i fortë kontrolli prej dhjetë metrash. Ndërkohë, si një paradoks i vërtetë, qëndronte akoma hapur zona e sektorëve mes Lindjes e Perëndimit në Berlin, që sipas marrëveshjes nuk i nënshtrohej kontrollit, pasi ishte e lirë për të katër fuqitë dhe banorët e Berlinit. Mes viteve 1949–1961, kjo e çarë shkaktoi largimin e një mase shumë të madhe njerëzish, që vlerësohet të ketë kapur shifrën e rreth 2,6 milionë personave, të cilët po linin kështu RDGJ-në për një jetë më të mirë në RFGJ. Kështu, vetëm në dy javët e para të gushtit 1961, u larguan prej Berlinit Lindor 47 433 vetë. Përveç tyre, për shumë polakë e çekë, kufiri mes Berlinit Lindor e atij Perëndimor ishte bërë ndërkohë vërtet “Porta për në Parajsë”. Rreth 50 000 qytetarë të Berlinit Lindor punonin asokohe në pjesën perëndimore të qytetit dhe duhej të kalonin përditë në rrugët e linjat e qarkullimit publik që lidhnin akoma dy pjesët e tij. Por paradoksi është se atyre u leverdiste të punonin në Perëndim e të jetonin në Lindje, (ia vlen të kujtojmë këtu se niveli i këmbimit mes markës gjermano-perëndimore e asaj lindore, shpesh arrinte raportin 4/1). Kështu ndodhte që ky kontingjent të favorizuarish, ta bënte përditë këtë itinerar e të mos mendonte për arrati të përhershme në Perëndim, siç vepronin shumë të tjerë. Më 4 gusht 1961, grupimit të njerëzve që përmendëm më sipër iu ndalua me anë të një urdhri të posaçëm nga autoritet e RDGJ-së, të kalonin pa u regjistruar dhe gjithashtu u detyruan të paguanin në të ardhmen qiratë e kostot e jetesës së tyre në marka perëndimore (DM). Por qysh para fillimit të ndërtimit të murit, Policia Popullore kontrollonte në pjesën lindore të Berlinit, në mënyrë intensive, rrugët e mjetet e qarkullimit që të çonin në perëndim, për të dyshuar për arrati dhe gjithashtu edhe për kontrabandistë.
Ndërtimi i murit
Plani për ndërtimin e murit në Berlin ishte një sekret shtetëror për regjimin e RDGJ-së. Muri nisi të ndërtohej pas urdhrit të kryesisë politike të SED-it (Partisë së Socialistëve të Bashkuar të RDGJ-së) nën vëzhgimin e rreptë e mbikëqyrjen e forcave të Policisë e Ushtrisë (Nationale Volksarmee) nga punëtorë të ndërtimit, pavarësisht deklaratës së bërë afro dy muaj më parë nga sekretari i parë i partisë-shtet, Walter Ulbricht, në një konferencë ndërkombëtare për shtyp në Berlinin Lindor më 15 qershor 1961, i cili pas pyetjes së bërë nga një gazetare e huaj (në fakt gjermanoperëndimorja Annamarie Doherr), për ndarjen e qytetit, iu përgjigj tekstualisht kështu: “Unë e kuptoj kështu pyetjen Tuaj: se ka njerëz në RFGJ që dëshirojnë që ne të mobilizojmë punëtorët e ndërtimit të kryeqytetit të RDGJ-së, për të ngritur një mur. Mesa di unë, nuk ekziston ndonjë ide e tillë, e punëtorët e ndërtimit në kryeqytetin e RDGJ-së, kryesisht merren me ndërtimin e ndërtesave për banim, e po përpiqen të përmbushin më së miri synimin që i kanë caktuar vetes. Askush nukka ndërmend të ngrejë një mur!”.
Ulbricht u bë kështu edhe i pari person që përmendi termin “mur” në kontekstin që ai do të mbartte më vonë në realitet. Më 11 gusht 1961, Kuvendi apo Dhoma Popullore e RDGJ-së, siç njihej asokohe, kishte miratuar njëzëri deklaratën e dalë nga Mbledhja e Traktatit të Varshavës pak kohë më parë, ku i rekomandohej në thelb Berlinit Lindor zyrtar, që të merrte masa më të forta për të kontrolluar kufijtë e tij, pasi sipas saj, nga Berlini Perëndimor po ndërmerreshin shumë akte ndaj Kampit Socialist, por pa përmendur konkretisht ngritjen e një muri ndarës në mes të qytetit. Kjo pohohet edhe nga përkthyesi i Ulbricht-it, Werner Eberlein, shumë vite më vonë, nga ku rezulton se ndërtimi i murit në terma konkretë, sidoqoftë ishte një habi e madhe në vetvete, pasi nga ajo mbledhje nuk është gjetur akoma një dokument që të dëshmojë marrjen e një vendimi të tillë nga anëtarët e Traktatit, në Moskë. Gjatë natës së datës 12, duke u gdhirë 13 gushti 1961, nisën dhe punimet e koordinuara nga forcat ushtarake, policore e punëtore për ndërtimin e murit. Ishin më shumë se 5000 anëtarë të policisë kufitare, 5000 anëtarë të Ushtrisë Popullore që kishin dalë nga kazermat dhe 4500 anëtarë të grupeve të gatshme të luftimit, të cilët tashmë kishin bllokuar të gjitha rrugët e vendkalimet që të çonin drejt pjesës perëndimore të qytetit. Ndërkohë, trupat sovjetike qëndronin në gatishmëri të plotë dhe vëzhgonin nga afër lëvizjet e trupave aleate. Erich Honecker, që më vonë do të bëhej dhe sekretar i parë i partisë në pushtet, dhe njeriu më autoritar i RDGJ-së deri ditën që ky shtet pushoi së ekzistuari, asokohe ishte ngarkuar nga partia e tij të ndiqte pikë për pikë zbatimin e planit për ngritjen e murit. Deri në shtator të vitit 1961, vetëm nga forcat gjermanolindore të sigurisë, dezertuan rreth 85 vetë drejt Berlinit Perëndimor dhe përveç tyre, sigurisht, pati shumë përpjekje nga civilët, nga ku numri i atyre që ia dolën me sukses ishte 216, nga 400 raste përpjekjesh të konstatuara zyrtarisht. Të paharrueshme në mendjet e njerëzve në mbarë botën do të mbeteshin fotot e njerëzve që hidheshin nga shtëpitë e tyre në rrugë, e sidomos ajo e policit të forcave të mbrojtjes së kufirit, të riut gjerman, Conrad Schumann në rrugën “Bernau”.
Reagimet e aleatëve e të gjermano-perëndimorëve
Konrad Adenauer bëri thirrje në të njëjtën ditë me anë të radios, që popullsia të ruante qetësinë dhe iu bashkua një qëndrimi relativisht të butë, konform qëndrimeve zyrtare të fuqive aleate, të cilat duket se ishin plotësisht të papërgatitura për një hap të tillë nga sovjetikët. Vetëm kryebashkiaku i Berlinit asokohe, Willy Brandt, i cili më pas do të bëhej një ndër politikanët më të famshëm në vend, mundi të protestonte në mënyrë energjike ndaj këtij akti, por gjithsesi, pa sukses, sepse tashmë fati ishte vulosur. Reagimet e aleatëve nga ana tjetër, në fakt ishin shumë të vonuara: u deshën 20 orë pas fillimit të ndërtimit të murit, që forcat ushtarake të tyre të shfaqnin një prezencë serioze në vendkomandat e postblloqet përballë trupave sovjetike. Dhe do të duheshin gjithashtu, 72 orë që protesta diplomatike zyrtare e aleatëve të mbërrinte në Moskë.
Rënia e murit
Muri i Berlinit ra në natën e 9 nëntorit duke u gdhirë e premte 10 nëntor 1989, pas më shumë se 28 vjetësh ekzistencë. Për rënien e murit, asokohe kontribuan – përveç situatës së nderë ekonomike e politike dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë (si Perestrojka, afrimi i qëndrimeve mes SHBA-së e BS-së, si dhe prag-rrënimi i vetë BS) – më parë edhe demonstratat masive të popullsisë së RDGJ-së, e cila kërkonte më shumë liri e të drejta, në kuadër të reformave demokratizuese që kishin nisur ndërkohë në Bashkimin Sovjetik, e që ishin parë me skepticizëm nga udhëheqja kryeneçe gjermanolindore. Kështu, mijëra nënshtetas të RDGJ-së nisën rrugëtimin e tyre drejt perëndimit, duke shkelur më parë në territoret e ambasadave të RFGJ-së në Pragë e Varshavë, e më pas edhe nëpërmjet territorit të Hungarisë e Çekosllovakisë, të cilat asokohe në këtë aspekt kishin qenë më liberale e kishin lënë të lirë kufijtë ndarës me shtetet perëndimore.Pas disa zhvillimesh të tjera dhe një projektligji të hartuar nga qeveria e RDGJ-së për moskufizimin e lirisë së lëvizjes, më datë 9 nëntor, një konferencë për shtyp me anëtarin e Byrosë Politike, Gunter Shabovski në Berlinin Lindor, e cila transmetohej edhe nga televizioni shtetëror i RDGJ-së, dhe ku merrnin pjesë edhe gazetarë të huaj, u bë në një farë mënyre edhe shkak për rrëzimin (ndoshta të parakohshëm) të murit. Kjo, pasi Shabovski nuk ishte i mirinformuar për përpunimet që po i bëheshin këtij projektligji dhe kur u pyet nga një gazetar i huaj ( konkretisht: Ricardo Ehrmann nga agjencia italiane e lajmeve ANSA) se kur hyn në fuqi ky ligj, ai iu përgjigj, ndërsa shikonte si i hutuar në fletët që i ishin dhënë për të lexuar: “Mesa më rezulton mua, ky ligj hyn në fuqi qysh tani, menjëherë”.Pas lajmeve të agjencive të ndryshme e stacioneve televizive gjermanoperëndimore që kishin dalë me tituj bombastikë si: “Muri është i hapur!” etj., të përafërta me të, me mijëra qytetarë të Berlinit Lindor vërshuan kësisoj në vendkalimet kufitare pranë murit dhe kërkuan hapjen e tij. Në këtë kohë, “në mbrojtje” të murit nuk ishin më as trupat e kufirit e as nëpunësit e kontrollit të pasaportave, të shoqëruar nga anëtarët e njësive të veçanta të STASI-t. Të gjendur kështu pa urdhra konkrete e udhëzime nga lart, ata nëpunës të paktë që ishin në postet e duhura, sigurisht, të hutuar e të frikësuar edhe nga presioni i masës së njerëzve që sa vinte e shtohej, ndërsa ora po shënonte pak minuta para 23:00, një vendkalim çahet në rrugën “Bornholm” në Berlin, e më pas, po në atë mënyrë u hapën dhe shtigjet e tjera të lira, jo vetëm në pjesën e murit, por edhe në pika të ndryshme në kufirin gjermano-gjerman. Gjatë kësaj mbrëmje, ndërsa kishte kaluar tashmë mesnata, shumëkush e kishte parë “live” në televizor hapjen e murit e kështu që dolën nga shtëpitë e vërshuan rrugëve të Berlinit nga të dyja anët e tij. Turma e madhe e njerëzve, ndërsa ishte duke gdhirë tashmë data 10 nëntor 1989, në orën dhjetë të mëngjesit u grumbullua më në qendër, pasi nata gjithsesi sikur “e kishte vënë në gjumë” hapjen e murit. Shtetasit e RDGJ-së u pritën në këtë mënyrë me lot në sy e krahëhapur nga vëllezërit e tyre në Berlinin Perëndimor. Nga euforia e përftuar tashmë, edhe gjermanët e pjesës perëndimore të Berlinit, filluan të godisnin e shkatërronin me mjete të forta murin. Kur lajmi për hapjen e murit u bë i njohur tashmë zyrtarisht, dhe Bundestagu në Bon ndërpreu mbledhjen e tij të planifikuar për buxhetin. Deputetët e tij u ngritën në këmbë dhe ashtu spontanisht nisën të këndojnë himnin kombëtar.
Raporti i STASI-it më 1989
Struktura e murit
Ashtu sikurse edhe pjesë të tjera të kufirit gjermano-gjerman, edhe muri ishte i mirëkontrolluar e mbrojtur në mënyrën më të sigurt, për ta bërë kështu sa më të vështirë depërtimin e atyre që donin të arratiseshin. Ai ishte i pajisur me një sistem të tërë sigurie me klone me tela me gjemba, gropa, pengesa me tanke, pika kontrolli dhe kulla vëzhgimi. Në dispozicion të murit ishin vënë, sipas një raporti në vitin 1989, rreth 1000 qen të stërvitur. Ky sistem sigurie u përmirësua (ashpërsua) edhe më shumë me kalimin e viteve. Objektet e shtëpitë që ndodheshin rastësisht në territorin pranë murit u hodhën në erë për të pasur kështu një fushëpamje sa më të qartë, e banorët e tyre u shpërngulën. Sipas një raporti të Ministrisë së Sigurimit të Shtetit (STASI), në pranverë të vitit 1989, të dhënat për murin rezultonin si më poshtë:
Gjatësia e murit:
41,91 km mur-kufi, 75 prej të cilave me një lartësi prej 3,60 m
Gjatësia e klonit metalik:
68,42 km me lartësi 2,90 m si një paramur mbrojtës
Gjatësia e rrugës së ndriçuar përreth murit:
161 km
Gjatësia e klonit sinjalizues:
113,85 km
Kulla vëzhgimi (rojash):
186
Vendkalime:
31
Nga 156,4 km kufi në total me Berlinin Perëndimor, 43,7 km ishin direkt në kufirin me Berlinin Lindor dhe 112,7 km në Qarkun e Potsdamit. 63,8 km të gjatësisë së kufirit ndodheshin në një zonë rurale, 32 km në një zonë pyjore dhe 22,65 km në zonë të hapur. Ndërsa 37,95 km e kufirit shtrihej në lumenj e liqene.
Gazeta Shqip


Leave a Reply