
Mira Kazhani
Imagjinoni sikur Konstandini që keni parë në atë foton që ka qarkulluar në të gjithë mediat tradicionale dhe sociale të ishte ndryshe: i veshur me një këmishë të bardhë, kollare dhe i sapo kthyer nga studimet për regjizurë. Imagjinoni sikur ai të ishte një vazhdimësi e familjes së tij prej artistësh. Por në fakt Konstandini i ka devijuar një rritjeje normale, një jete normale, i ka ikur mbiemrit të tij, duke u bërë si shumë të tjerë në këtë vend, vrasës!
Me siguri, jeta në xhirime e prindërve duhet të ketë ndikuar jo pak në këtë anomali shpirtërore dhe mendore dhe e zëmë se ka qënë kështu; kur familja nuk është njeriu mund të mësojë nga shoqëria, dhe mesa duket në shoqërinë tonë gjëja e parë që mund të përftosh është vesi.
Krimin dhe vrasjen e katërfishtë nuk e zbuloi djali i Gjergj dhe Luiza Xhuvanit. Ai është vetëm një pjellë e një shoqërie tranzicioni, e një shoqërie të (ri)ndërtuar si demokraci false dhe e përdhosur që na u ofrua pas ‘90-s e këtej nga politikanët tanë, dhe jo vetëm nga ata.
Ndaj ne të gjithë e dimë që çudia më e madhe “tri ditë do zgjasë” dhe më pas do vijë një tjetër histori që do ripeshkojë lehtësisht morbozitetin tonë. Para Konstandinit kanë ndodhur vrasje, përdhunime, pedofili, vrasje shtetërore, vrasje nga kryeministria, janë bërë hi fëmijë në Gërdec. Ka shumë varre që nuk gjejnë paqe në këtë vend që nga Tropoja e deri në Sarandë. Po ato nuk janë më “interesante” sepse janë harruar. Ndoshta kjo është diçka normale, për pjesen e turmës pa memorie, por kjo kujtesë, është detyrë e drejtësisë dhe e një shteti të mirëfilltë.
Konstandini është një nga deformimet e këtyre 25 viteve. Inati i tij i marrë dhe vrastar është i ngjashëm me vrerin e disa shkruesve, dhe atyre pak “analistëve të përhershëm” të cilët pretendojnë se janë normalë meqë (ende) nuk kanë vrarë askënd, ata, apo të afërm të tyre.
Po, Konstandini ka vrarë dhe jo vetëm një herë. Ka vrarë nuk e dimë nën çfarë efektesh, brenda çfarë personazhesh janë ndryrë 26 vjeçarët tanë të sotëm. “Ajo që ke bërë Konstandin është e tmerrshme. Me siguri e kupton edhe ti aty ku je e me gjasë do vazhdosh të jesh”. Ishe dhe pa fat, sepse të qëlloi që mami jot të jetë deputete e PS, prindërit e tu, miq të një “kryeministri të pashpirt si Edi Rama”, etj
Imagjinoni pak sikur të ishte djali i Damir Fazllic, i ndonjë miku të afërm, truproje apo farë e fis me ish-kryeministrin Berisha dhe të tijtë. Le ta themi copë atë që e dimë të gjithë: gjemb në këmbë nuk do të hynte Konstandin. As makina e propagandes nuk do vihej keshtu ne levizje. Dhe atëherë do të të kishim edhe frikë sepse ti vërtet je i rrezikshëm në liri. Po sa mirë që kryeministri aktual është një egoist që mendon vetëm si e si të bëjë dashuri me burrin shtetar, që mundet me gjasë edhe ta këtë përdorur nënën tënde për këtë qëllim “ogurzi”, Kostandin. Mundet të ketë bërë vetëm politikanin dhe jo mikun e humanin në ditën më të errët të saj.
E mori dhe e nxori para çakejve të cilët e bënë copë edhe kur e panë të dërrmuar përpara 4 morteve dhe përpara të birit që nuk ka si ta dorëzojë më shumë se aq, i dhanë dhe shkelmat e fundit duke u gajasur: i kujtuan se ajo paskësh dështuar në rolin e parë, atë të nënës. E nxorri Rama – thonë. Sa qesharake. Po pse 12 vjeç është Luiza? Dhe nëse “e nxorri Rama”, e çfarë pastaj? Nëse nuk doni që Rama të përzihet në këtë histori përse e kërkuat përgjegjësinë tek Rama atëherë? Ose Rama ka përgjegjësi, ose nuk ka. Të dyja nuk mund të rrinë, përjashtojnë njëra-tjetrën.
Nuk lamë qen e mace pa nxjerrë nga shpirti dhe mllefi s’na la të ndajmë ngushëllim për dhimbjen e 4 familjeve, ama ua pëllasim me të madhe këtyre të tjerëve. Qëkur u bëmë kaq të ndjeshëm ne njëherë?! Ne që japim vetëm mend…e s’mbajmë mend!
Ndoshta Edi Rama është një egoist i pashpirt por aty nuk është për të na dashuruar, për të na fërkuar plagët. Le t’i lemë inatet personale dhe qëndrimet e turbullta e konfuze dhe le t’i kërkojmë qartazi atë që ka premtuar: të na bëjë të mundur drejtësi. Drejtësia është garanci e përbashkët e miqve dhe armiqve. Granci e të sotmes, të ardhmes por edhe të së shkuarës. Drejtësi jo vetëm për ato 4 familje që kanë hapur dyert e mortit sot, por edhe për krimet e tmerrshme dje. Krimet ende pa ndëshkim të atyre që sot bërtasin më shumë nga të gjithë. Sepse vetëm ashtu mund të rithemelohet institucioni i moralit në këtë shoqëri.
Sot merremi me familjen Xhuvani; me udhëtimet e tyre, me xhirimet, me hallën që rriti Konstandinin; kemi gjetur një kazus që besojmë se është i atyre dhe pluskojmë vrer. Në fakt, është i të gjithëve Konstandini. Mos bëjmë sikur nuk kemi hasur në jetën tonë një kriminel. Vrasësit i kemi votuar, i kemi paguar me taksat tona, me heshtjen, “paanësinë” tonë madje edhe pushimet në Maldive, disa herë gjatë vitit. Mund t’i kemi komshinj, mund t’i kemi miq, thjesht jo të gjithë kanë pakujdesinë e Konstandinit që dehet e vret si supermeni. Kemi mes nesh vrasës profesionistë që të shkulin zemrën nga vendi pa e kuptuar fare; vrasës me kostume të amnistuar nga një dorë pushteti; vrasës që sot të japin mend si edukohet fëmija!
Është mirë t’i thërrasim mendjes dhe të bëjmë kujdes. Krimin nuk e solli Konstandini, ai e gjeti atë mes nesh. Ai të dënohet rëndë për atë që bëri. Por fatin e tij e paçin shumë të tjerë që fshihen e gëzojnë pas vrasjes në shtëpinë e kundërshtarit duke besuar se krimet e tyre janë mbyllur në kutinë e Pandorës.

FOTO LSA: Luiza Xhuvani, duke interpretuar gjate shfaqes “Shtepia e Bernarda Albes”, me regji te Kico Londos, ne sallen “Shekspir” ne Teatrin e Metropolit, shkurt 2014
Gazeta Dita


Leave a Reply