
Të gjithë përjetojmë ankth në momente të caktuara të jetës, sidomos në çaste kritike, si rrugës për një intervistë pune, përpara provimeve apo kur do takojmë një person të ri. Ankthi është pjesë e jetës tonë dhe funksioni i tij mund të krahasohet me atë të tensionit të gjakut – ne na duhet një nivel i caktuar i tij që të jetojmë, por nëse ky nivel ngrihet shumë atëherë mund të na dëmtojë. Lajmi i mirë për të gjithë ata që bashkëjetojnë me ankthin është që çdokush mund të mësojë të menaxhojë ankthin nëpërmjet teknikave të ndryshme, disa prej të cilave do të trajtohen në vijim.
– Mësoni të bashkëjetoni me ndjenjën e pasigurisë: Personat që vuajnë nga ankthi kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme siguri të plotë për çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ata shqetësohen gjatë gjithë kohës për çfarë mund të ketë ndodhur apo çfarë do ndodhë. Për më tepër, ata përqendrohen kryesisht tek skenarët negativë të së ardhmes. Shpesh herë ky shqetësim i vazhdueshëm perceptohet si një mënyrë e të qenit në kontroll dhe e bën dikë të ndihet më i sigurt për të ardhmen.
E vërteta është që sado që të vrisni mendjen për çka mund të sjellë e ardhmja, përsëri nuk mund ta bëni jetën më të parashikueshme. Dikush mund të ndihet më i sigurt ndërsa shqetësohet për të ardhmen, por në fakt ky efekt është vetëm një iluzion. Nuk është se mund të parandaloni ngjarje negative thjesht duke menduar për to. Përkundrazi, duke u përqendruar në mendime negative për të ardhmen, të cilat mund të mos realizohen kurrë, nuk shijoni dot të sotmen së bashku me të gjithë gëzimet e saj. Është e nevojshme për të ulur nivelet e ankthit në jetën tonë që të filloni të punoni dhe të ndryshoni nevojën për siguri dhe për të parashikuar të ardhmen.
– Mësoni si të qetësoheni dhe relaksoheni: Ankthi nuk është vetëm psikologjik por shkaktohet dhe shoqërohet dhe me reagime fiziologjike. Kur përjetoni ankth zemra ju rreh fort, frymëmarrja shpeshtohet, muskujt tensionohen dhe duart ju djersiten. Ndërsa kur jeni të relaksuar ndodh komplet e kundërta. Rrahjet e zemrës janë më të ngadalta, frymëmarrja është e thellë dhe muskujt janë të ç’tensionuar. Nëse arrini të relaksoni trupin në momentet që përjetoni ankth, atëherë dhe mendja do të çlirohet.
Teknika të ndryshme mund të përdoren për të arritur këtë qëllim, dukë përfshirë këtu relaksimin progresiv të muskujve, frymëmarrjen e thellë dhe jogën ose meditimin. Relaksimi progresiv i muskujve përfshin tensioninim sistematik të grupeve të muskujve në trup dhe më pas relaksimin e tyre; ndërsa frymëmarrja e thellë është një teknikë relaksimi që konsiston në marrjen frymë nga diafragma.
Për t’i përvetësuar sa më mirë këto teknika, është mirë të fillohet me 30 minuta ushtrime relaksimi çdo ditë. Me kalimin e kohës, këto teknika bëhen të natyrshme dhe aftësia për t’u relaksuar gjatë përjetimit të ankthit rritet.
– Kujdesuni për veten: Një stil jetese i balancuar dhe i shëndetshëm gjithashtu ndihmon në menaxhimin e ankthit dhe simptomave të tij. Është e rëndësishme që të ushqeheni në mënyrë të shëndetshme, duke ngrënë vakte të shpeshta por të vogla në sasi gjatë ditës. Nëse rrini pa ngrënë për një kohë të gjatë, bie niveli i sheqerit në gjak, gjë që mund t’ju sjellë ankth dhe gjendje të irrituar. Dieta duhet të përfshijë karbohidrate të ndryshme nga drithërat, frutat dhe perimet. Këto karbohidrate jo vetëm stabilizojnë nivelin e sheqerit në gjak por dhe ngrenë nivelet e serotoninës, një kimikati në tru që ka efekte qetësuese. Evitoni pijet me kafeinë si dhe nikotinën pasi të dyja këto lëndë stimulojnë sistemin nervor dhe rrisin efektet e ankthit.
Ndërkohë përpiquni të kryeni të paktën 30 minuta aktivitet fizik 2 ose 3 ditë në javë. Aktiviteti fizik ju ndihmon që largoni stresin, të merrni energji dhe ndihmon në mirëqenien psikologjike pasi gjatë stërvitjes çlirohen endorfina, kimikate si adrenalina që na bëjnë të ndihemi mirë. Mungesa e gjumit mund të jetë gjithashtu një faktor që sjell ankth gjatë ditës, prandaj kujdesuni që të plotësoni orët e gjumit që ju nevojiten.
vati.com.mk


Leave a Reply