
Identiteti, trashëgimia dhe… krenaria
Një “mbretni” e pazbulueme vlerash e patriotizmi në familjen Çeka
Nga Pjetër Logoreci

Në mes të ndërtimeve të shumta, të reja e moderne që hedhin shtat çdo ditë në qendër apo lagjet më periferike të Shkodrës, të bien në sy çatitë e vjetra karakteristike apo ndonjë avulli e naltë e mbyllun me derë të madhe oborri prej druri. Lulevilet, lulemustaku apo shërmasheku që dekorojnë zymtinë e këtyne mureve janë gja e zakonshme…
Në një kryqëzim të zhurmshëm mu në qendër të qytetit, pas mureve shekullore të arnueme rishtazi shihet pjesa e sipërme e një shtëpie të vjetër e karakteristike qytetare me dritare të vogla që duket sikur fshehin pas tyre një mbretni të pazbulueme e sende të panjohuna të kohës së kalueme. Nga rrethimi, duket se shtëpia ka pasë një derë të madhe druri, që nuk egziston ma dhe asht zëvendësue me një metalike të mirëmbajtun. Mbi derë asht fiksue një tabelë ku shkruhet… Monument Kulture. Mbasandej hapet një oborr ku dikur gjendej pusi e rrasa e pusit, e sot asht vetëm lugu prej guri të latuem ku gratë rrahnin me lopatën e drunjtë rrobat që lanin. Nga oborri duhet të përshkosh ahurin e vjetër, shkallaren me gurë të latuem për me hy në ambientet e shtëpisë së familjes Çeka. Engjëll Çeka, i zoti i shtëpisë, një burrë i mbajtun dhe shumë xhentil, më fton të futem në dhomën e ndejës për kafe. Me të hymë përballesh me atmosferën karakteristike të qytetarisë të mirëfilltë e një kulture familjare të pashoqe. Shtëpia e cila në vitin 1963 asht shpallë si Monument Kulture, mban mbi kurriz një histori rreth 270 vjeçare. Ajo asht e ndertueme me madhësinë e një kulle nga të parët e familjes Suma-Çeka, të cilët ishin tregtarë të njohun në qytet ku zotnonin shumë dugaja si dhe toka në rrethinat e Shkodrës. Familja trashëgon në historikun e saj kontribute të mëdha për kombin shqiptar dhe ka pasë në gjinin e saj figura të përmenduna atdhetare.
E gjithë rruga asht vendbanim i disa familjeve të vjetra e shumë të përmenduna qytetare si ajo Shiroka, Guga, Çoba, Suma, Shuli, Gjonej, Kraja, Kamsi… Shtëpitë e tyre të mëdha e me histori të randësishme për qytetin, janë të vendosë pranë njena tjetrës në një distancë sa mban oborri.
Sapo ngjitesh në katin e dytë, befasohesh nga bukuria e dyerve të vogla prej druni të gdhenduna me shumë mjeshtri e shije që zbukurojnë korridorin e errët dhe të naltë. Në një dhomë të madhe të katit të dytë të familjes Çeka, e cila asht e tana e veshun me dru të punuem, vihesh përballë dokumentesh e dëshmish historike e të bahet sikur je në një muzeum etnografie. Dokumente të cilët origjinalin e ka në zotnim Arkivi i Shtetit Shqiptar, por që Engjëll Çeka asht kujdesë t’i ketë dublikatë, zbukurojnë muret e dhomës-muze të familjes. Bukuria dhe eleganca e gdhënieve me imitacione lulesh, apo motive popullore të shumë formash e llojesh, i japin pamje madhështore ambientit. Në ballë, në mes të dy dritareve të befason me bardhësinë e elegancën e tij një oxhak karakteristik i punuem me mjeshtëri në gips nga mjeshtrat e përmendun dibranë.

Foto 1: Oxhaku
Kati i dytë ka tri dhoma karakteristike druri, por në dhomën e zgjedhun për muze janë të përqëndrueme për me ia kënaqë synin vizitorit objektet ma të aëndësishme që ka shtëpia. Mbasi kundrova me kënaqësi për një kohë të gjatë fantazinë e artin e derdhjes të figurave mbi sipërfaqen e oxhakut karakteristik, vendosa të kaloj një vështrim mbi fotografitë, dokumentat dhe stolitë e shumta që mbushnin ambientin.

Foto 2: Zbukurimet
Sapo të afrohesh pranë murit ku varen kornizat me fotografi e dokumenta të radhë, të bie në sy një letër e vjetër sa formati A4 e shkrueme bukur me dorë dhe që mban dt. 8 shkurt 1854. Letra emërtohet “Çertifikatë mbrojtjeje” (Patentë de Protection) lëshue Filip Sumës–Çekës, i lemë dhe banues në Shkodër dhe vërteton marrjen e tij nën mbrojtjen e konsullatës franceze të Shkodrës me të gjitha të drejtat sipas marrveshjeve që Republika e Francës kishte me Perandorinë Osmane. Dokumenti asht lëshue nga konsullata franceze dhe mban vulat e saj.

Foto 3: Çertifikata e mbrojtjes e Filip Sumës
Objekt tjetër interesant për t’u tregue asht edhe dokumenti shoqnues i medaljes së arit akordue Mikel Sumës–Çekës, i cili nderohet nga ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Franceze, për punën e tij të mirë si përkthyes i konsullatës në Shkodër në periudhën 1856-1895. Dokumenti mban mbishkrimin e Presidentit të Republikës Franceze Felix Faure, Paris 23 prill 1895 dhe i asht dorëzue atij nga konsulli i kohës Hecquard. Ky dokument asht kopjue nga origjinali i cili ndodhet në Arkivin e Shtetit në Tiranë.
Një urdhën tjetër nderi për patriotin Filip Çeka që asht dhanë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, zen një vend të dukshëm në dhomë dhe mban datën 5.6.1978; me motivacion: Si aktivist i dalluar i lidhjes shqiptare të Prizrenit në vitet 1878-1881. Ka dhënë kontribut me pjesmarrjen e tij në luftën patriotike të masave popullore për mbrojtjen e tërësisë së tokave shiqiptare dhe për clirim kombëtar…

Foto 4: Medalja e Nderit nga presidenti francez

Foto 5: Urdhëri i Kuvendit Popullor për veprimtari patriotike për Filip Çekën
Në mes të këtyne margaritarëve historik gjendet një fotomontazh tepër i veçantë me të gjithë krenët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: Ali pashë Gucia, Jakup Ferri, Haxhi Zeka, Sulejman Vokshi, Mehmet Shpendi, Jusuf Sokoli, Kupe Danja, Nik Lekë Pepa e midis tyre, patrioti shkodran Filip Çeka.
Filipi ishte në përfaqësinë drejtuese të Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën. Rroku armët dhe luftoi përkrah Jusuf agë Sokolit për Plavë e Guci si dhe për mbrojtjen e Ulqinit nga malazezët më 1879. Qe firmëtar i telegramit të peticionit që ju dërgua Kongresit të Berlinit kundër copëtimit të trojeve tona dy ditë mbasi u çel.

Foto 6: Patrioti Filip Çeka

Foto 7: Filip Çeka dhe udhëheqësit e tjerë të lidhjes së Prizrenit
U bana shumë kureshtar për foto-skanimin e një dokumenti shumë të vjetër që mbante datën 6 tetor 1854 i lëshuem nga përfaqësuesi i Propaganda Fides kardinal Faransoni. Në përmbajtje të dokumentit vërtetohet përfaqësimi nga zyra tregtare e Pjetër Sumës (Çekës) dhe familja e tij në Venezia, të interesave tregtare të Vatikanit. Dokumenti mendohet të jetë përdorë për arsye zhdoganimi dhe tatimesh nga zotnuesi.

Foto 8: Dokumenti i Propagandës Fide i firmosun nga Kardinal Fransoni për familjen Çeka
Vlerat tradicionale – etnografike të shtëpisë
Nisun nga këto vlera duhet theksue që të gjitha ambientet e shtëpisë janë të stolisuna nga punime dore, në dru, në gurë, apo në gips. Sipas dëshmive të paraardhësve të familjes Suma–Çeka, në qytetin e Shkodres ishte shumë e vleresueme puna e dorës e dy punëtorëve dibranë, mjeshtrave Jashar Xhani dhe Jashar Lleshi. Dy artistët endacakë dibranë njiheshin nga të gjithë si dy Jasharët. Ato kanë lanë gjurmët e tyre në të gjithë qytetin e veçanërisht në ato familje që dikur ishin në gjendje të mirë ekonomike, që ishin reshperët e kamun të qytetit.

Foto 9: Raft muri në dru të gdhendun

Foto 10: Dera e dhomës muze në dru të gdhendun

Foto 11: Fasada e dhomës dhe balkonet e grave në dru të gdhendun

Foto 12: Arka e nuses e punueme në dru dhe e pikturuem

Foto 13: Tavani në dru të gdhendun
Objekte të tjera zbukuruese me vlerë që trashëgon familja

Foto 14: Kuti druni e gdhendun me motiv biblik

Foto 15: Shishe e punueme në xham venecian

Foto 16: Tangari i prushit në bakër

Foto 17: Stufë metalike
Ndërsa po shkruaej këta rreshta për të promovue vlerat artistike, pasuninë intelektuale, folklorike dhe etnografike që kemi trashëgue, me të cilën mund të krenohet vendi, më zen turpi dhe ngashërohem kur kujtoj se në Shkodër mungon (një ndër shtëpitë më të bukurat në Shqipëri) shtëpia e heroit tonë kombëtar Luigj Gurakuqi. Edhe pse MONUMENT KULTURE QE MBROHET NGA SHTETI, ajo u braktis, u la në mëshirën e fatit për rreth 10 vite (deri sa u shemb vedit) gja që ngarkon me përgjegjësi shtetërore pushtetin lokal dhe atë qendror. Shumë brezni që vizituen këtë shtëpi-muze, në mes bukurive të shumta që ndodheshin mbrenda saj, mund të kujtojnë rrobet e viganit liberator Luigj Gurakuqi të shpueme nga plumbat e armës tradhëtare, të skuquna nga gjaku i tij. Do të ishte në nderin e çdo politikani që ky simbol i patriotizmit, arkitekturës, vlerave historike e etnografike të rindërtohet për t’u shndërruar në një institucion atdhetarizmi, ku brezat e ri të gjejnë vetveten.
… sa mirë do të ishte… sa kemi nevojë…
Wien, 19.5.2014
Përgatiti dhe përmbledhi Pjetër Logoreci
pershkodren.com


Leave a Reply