Biografi e shkurtë artistike…
Qysh në vogëli ajo impresionohej prej germave, dritave, ngjyrave, formave, gjesteve dhe motiveve të gjalla. Mahnitshëm ajo filloj me shkruejt, e lexue dhe me vizatue qysh kur ishte 3 vjeçe. Lindë ne Kukës dhe rritë në Shkodër në nji familje artistësh të mirënjohun, ajo thithi ajrin kristal të mbarsun me art e muzikë, gja që ushqeu dhe frymëzoi pareshtun talentin e saj artistik. Si nji hobi, ajo kultivoi për nji kohë të gjatë interesin e saj ndaj arteve pamore, duke e mbajtë atë mënjanë për vite me radhë, për me ndjekë nji karrierë të suksesshme në drejtësi dhe marrëdhanie ndërkombëtare.
Olta Dokle, jeton në Nju Jork që prej vitit 2006. Ndonëse e kënaqun me vijimësinë profesionale, vazhdimisht ka ndie nevojën për me ndjekë pasionin e sajë të vërtetë e gjithnji në rritje, për me zanë kshtu, nji vend tejet të randësishëm në jetën e saj përtej oqeanit. Kështu, nji ditë, shkundi prej pluhnave penelat dhe telajon e sajë, u regjistrue në disa kurse pasuniversitare të artit pamor duke e rrokë rishtaz atë edhe me ma shumë pasion.
Gjatë viteve të fundit ajo ka punue për rritjen e personalitetit të sajë artistik tue zbulue mundësi t’pafundme të t’shprehunit estetik.
Olta zbulohet artistikisht në vizatim, pikturë, arte dekorative dhe ato aplikative. Interesi i sajë në dizenjo dhe materiale nga ma të ndryshmit e kanë mundësue atë me mishërue vizionet e sajë, tue manipulue me ngjyra, struktura, tekstura, cilësi dhe intensitete të shumëllojshme, por në nji tanësi të ekuilibrueme. Veprat e saj janë intuitive, spontane dhe emocionale, shpesh të priruna drejt një fantazie andërrimtare. Ajo sjell nji përziemje të guximshme stilesh dhe fikson nji udhëtim të brendshëm nëpërmjet ekspresionit të saj t’prekshëm shumëngjyrësh, figurativisht apo n’mënyrë abstrakte. Arti i saj rrjedh prej mbrenda-jashtë, tue lejue ndërgjegjësimin e momentit me informue procesin origjinal krijues.
Synimi i artistes ashtë me frymëzue zemrën dhe shpirtin vëzhgues, tue mbjellë ndjesi paqeje, hareje dhe bukurie të sofistikueme.
“Nënreale” (Acrylic ne Canvas, 2009) © Olta Dokle
“Mbireale” (Acrylic ne Canvas, 2009) © Olta Dokle
“Për secilin prej nesh,
është mbjellë diku një pemë,
ështe tharë diku një dru…
As pemët nuk e durojnë dot vetminë!”
OD
pershkodren.com
Leave a Reply