
DRITAN KOKA: “ORGANIZIMI SHOQËROR I SHQIPTARËVE TË VERIUT”
HYRJE
Mora shkas për të bërë këtë studim duke lexuar një fragment nga libri Shqipëria e Epërme i Mary Edith Durhamit, etnologe e njohur angleze, e cila, duke vizituar popujt ballkanikë në fillim të shekullit XX, u godit nga veçoritë kulturore të shqiptarëve gegë të malësive të veriut. Natyra magjepsëse dhe mikpritja e vendasve e bënë këtë udhëtare një nga admirueset më të mëdha të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Duke vëzhguar malet magjepsë të Thethit, ajo shkroi: “Mendoj se asnjë vend tjetër ku jetojnë qenie njerëzore nuk më ka lënë një përshtypje të tillë izolimi madhështor nga e gjithë bota. Është një vend ku shekujt tkurren; lumi mund të jetë burimi i botës, brigjet e tij djepi i instinkteve parake, i pasioneve plot gjak e vrull”[1].
Fiset gege të Shqipërisë veriore që prej kohëve më të hershme kanë patur një tërësi rregullash të pashkruara me autoritet absolut, të njohura me emrin Kanun. Në një shoqëri të tillë, të organizuar deri jo shumë kohë më parë mbi baza farefisnie, ku nuk vepronte një autoritet shtetëror, rendi shoqëror duhej siguruar nga një kod moral i bashkëndarë, i cili parashikonte edhe hakmarrjen, të ndërmarrë nga pala e fyer në dëm të atij që kishte kryer një veprim të klasifikuar si të pamoralshëm nga Kanuni.
Filozofia që qëndron në bazë të Kanunit është e vështirë të kuptohet nga ai që nuk është rritur në mjedisin kulturor të Shqipërisë veriore dhe të Kosovës. Sidoqoftë, studimi i Kanunit ofron një depërtim mahnitës brenda një kulture unike, të bazuar mbi nderin dhe mbi burrërinë. E gjithë esenca e kodit juridik zakonor të shqiptarëve konsiston në një respekt të pakrahasueshëm për këtë parim themelor: mos ceno dinjitetin e njeriut, nderin, shtëpinë, jetën e tij.
Si në të kaluarën, ashtu edhe gjatë viteve të fundit, Kanuni ka ngjallur interesin e shumë antropologëve, etnologëve, juristëve, sociologëve, historianëve, filozofëve, shkrimtarëve e artistëve nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë zbuluar në traditën juridike të pashkruar të shqiptarëve embrionin e organizimit shoqëror të popullsive primitive, të cilave u mungon një autoritet i mirëfilltë shtetëror. Studiuesi japonez Kazuhiko Yamamoto pohon se parimet etike të Kanunit përbëjnë bazat e bashkëjetesës njerëzore dhe të qytetërimit[2]. Pa traditën e mikpritjes, për shembull, e konsideruar e shenjtë nga Kanuni, nuk mund të rriteshin bashkësitë e vogla farefisnore, për të formuar një shoqëri njerëzore më të gjerë dhe nuk mund të flitej për vlera njerëzore në një periudhë kur autoriteti politik ishte i dobët apo nuk ekzistonte aspak.
Në malet e padepërtueshme të veriut shqiptar ky ligj i lashtë i pashkruar mbizotëronte mbi të gjitha ligjet e shkruara, për shkak të autonomisë nga pushteti qendror që gëzonin fiset e këtyre zonave. As misionarët fetarë nuk ia dolën të çrrënjosnin krejtësisht mendësinë dhe praktikat mitologjiko-pagane të këtyre njerëzve, të cilët, për shekuj me radhë, kanë arritur ta ruajnë mënyrën e tyre të të jetuarit.
Kodi fisnor i quajtur Kanun, i ruajtur më gjatë në pjesën veriore të Shqipërisë dhe në Kosovë, është një nga pasuritë kulturore më të rëndësishme të popullit shqiptar. Ky kod e ka ndihmuar këtë popull të ruajë të paprekur identitetin kombëtar edhe në periudhat më të vështira të historisë.
Në ditët tona mendësia e Kanunit jo vetëm që nuk është çrrënjosur, po vazhdon të rregullojë shumë çështje të jetës së përditshme të shqiptarëve. Është e vështirë të kuptosh diçka prej formës mendore, prej karakterit dhe prej modeleve të sjelljes së shqiptarëve, pa patur parasysh Kanunin e famshëm të maleve.
Në këtë punim jam orvatur të shpjegoj zanafillën dhe strukturën e Kanunit në variantet e tij të ndryshme dhe ndikimin që ai ushtron edhe sot e kësaj dite mbi shoqërinë shqiptare, i vetëdijshëm se studimet mbi të drejtën zakonore të këtij populli, për shkak të ndërprerjes së gjatë që vijoi deri në shembjen e komunizmit, janë në fillimet e tyre. Ashtu si profesori japonez Yamamoto, një nga studiuesit më të njohur të Kanunit, edhe unë jam i bindur se kërkimet rreth kësaj teme nuk do të shteren kurrë[3].
I. E DREJTA ZAKONORE SHQIPTARE
1. Lindja dhe zhvillimi i së drejtës zakonore ndër shqiptarë
E drejta zakonore është një burim juridik i kudogjendshëm që nga fillesat e historisë njerëzore. Krijimi i saj nuk mund të lidhet me një njeri apo me një organizëm shtetëror, po më tepër me një bashkësi njerëzish, të cilët, duke bashkëjetuar, vendosin rregulla në mënyrë spontane, për t’i përforcuar më pas e për t’i bashkëndarë ndër vite. Staticiteti i këtyre rregullave arrihet nëpërmjet bashkëndarjes së përgjithshme të grupit, i cili i konsideron të drejta, pra, të nevojshme për mbijetesën e tij. Në shumë raste ky tip normative merr tipare të forta sakraliteti dhe forma e transmetimit gojor ndihmon për t’i formalizuar rregullat, duke i shndërruar në detyruese. Rregullat zakonore, pra, janë ajo çka lind më spontanisht në një grup shoqëror dhe kjo dukuri është verifikuar që prej fillimit të historisë njerëzore, deri më sot[4]. Ata që ndihmuan më tepër në krijimin, ruajtjen dhe evoluimin e normave të pashkruara ishin të moshuarit, të urtët e bashkësisë, të cilët kishin më tepër familjaritet me gjuhën dhe mendësinë e njerëzve të tyre (shih nenin 993 të Kanunit të Lekë Dukagjinit).
Bashkësitë blegtorale të malësorëve, që përfaqësojnë shoqërinë parake shqiptare, luajtën një rol vendimtar në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të vlerave autoktone gjatë periudhave të pushtimeve, duke pritur herë pas here shqiptarët, që largoheshin nga ultësirat gjatë ndeshtrashave të historisë. Tradita gojore, në transmetimin e zakoneve juridike, nuk pengoi, përkundrazi, përforcoi rreptësinë ligjore të këtyre rregullave. Kemi të bëjmë këtu me forma shoqërore fillestare dhe këtej kuptohet se si disa qindra norma kanë arritur të rregullojnë të gjitha aspektet e jetës shoqërore të këtyre bashkësive. Rregullat e së drejtës zakonore janë respektuar në mënyrë të vazhdueshme për një hark të gjatë kohor dhe janë shndërruar në zakone. Përmes përsëritjes, në ndërgjegjen e njerëzve krijohej domosdoshmëria për t’i respektuar dhe riprodhuar me saktësi. Normat zakonore, të njohura me emrin Kanun (kështu quhej legjislacioni otoman i kodifikuar nga Sulejmani II në shekullin XV[5]), ishin të njëjta për të gjitha shtresat e shoqërisë dhe nuk parashikonin përjashtime në bazë të përkatësisë shoqërore.
Në traditën popullore shqiptare, emri i Kanunit është i lidhur me personin e Lekë Dukagjinit III (1410-1481), princi trashëgimtar i Dukagjinit[6]. Me Lezhën si kryeqendër, principata e Dukagjinëve përfshinte Zadrimën, zonat në veri e verilindje të Shkodrës dhe shtrihej deri në Serbinë e sotme, me Ulpianën si kryeqendër të dytë. Sipas Marin Barletit, Leka ishte princi shqiptar më i fuqishëm pas Skënderbeut, përkrah të cilit udhëhoqi qëndresën e popullit shqiptar kundër pushtuesit osman.
Që para vdekjes së Skënderbeut dhe të rënies së qyteteve në duar të turqve, Leka u tërhoq në malet e prapatokës së principatës së tij, ku ndërtoi fortesa së bashku me banorët e lirë të atyre zonave, të cilët e pritën ngrohtë zotërinë e tyre, familjen dhe oborrin e tij. Në këmbim, princi i Dukagjinit u garantoi malësorëve të principatës së tij lirinë për t’u organizuar sipas dokeve të tyre fisnore. Kanuni u konsolidua në këtë periudhë, kur princi Lekë drejtonte të gjitha asambletë popullore dhe këshillat e pleqve. Sentencat e tij, të cilat janë bërthama e Kanunit, janë përçuar dhe pasuruar brez pas brezi për gati gjashtë shekuj si një lloj Common Law. Populli i maleve e ka lartësuar figurën e Lekë Dukagjinit, duke i dhënë karakterin e një miti homerik e duke u identifikuar me inteligjencën, mprehtësinë, guximin dhe ndershmërinë e këtij heroi fisnik.
Vlera e këtij princi ishte e padiskutueshme. Ai mbetet në kujtesën e bashkëvendasve të tij si “Justiniani” i atij që mund të emërtohet si shteti i parë shqiptar. Durhami shkruan: “Për të gjitha zakonet, ligjet, doket, njerëzit, si rregull, nuk kanë veçse një shpjegim: ‘Është në Kanunin e Lekës’… Rreth Lekës dihen pak gjëra. Fama e tij mes fiseve, që ende ruajnë emrin e tij, ia ka kaluar edhe asaj të Skënderbeut dhe ai mbetet i mbështjellë nga një re mitologjike. Ai nuk ka lënë gjurmë në historinë evropiane. Është thjesht një njeri me famë lokale, po duhet të ketë patur një personalitet imponues, me një ndikim kaq të madh mbi banorët, saqë shprehja ‘Kështu ka thënë Leka’ kishte forcë bindëse më tepër se dhjetë urdhërimet e Biblës. Mësimet e islamit dhe të krishterimit, ligjet e Sheriatit e të kishës, të gjitha duhet t’i nënshtrohen Kanunit të Lekës”[7].
Po në të vërtetë Kanuni është shumë më i lashtë se princi i Dukagjinit. Zakonet me natyrë juridike të shqiptarëve të veriut janë gdhendur gjatë shekujve dhe studiuesit bien dakord për faktin se nuk mund të provohet shkencërisht krijimi i tyre nga personi historik i Lekë Dukagjinit.
“Ligjet dhe kanonet që i atribuohen Lekës, duket qartë se janë më të lashta se shekulli XV… Ndoshta atyre ligjeve u janë bindur luftëtarët e panjohur me armë prej bronzi, që shihen në varret parahistorike. Ndoshta Leka ka mbledhur ligjet fisnore ekzistuese, ndërsa të tijat mund të jenë vetëm ato ligje që synojnë të kufizojnë apo të ndryshojnë zakonet e lashta me anë të ndëshkimit. Është e pamundur të besosh, për shembull, që Leka, siç thonë njerëzit, të ketë urdhëruar gjakmarrjen dhe, në të njëjtën kohë, ndëshkimin e hakmarrësit… Ai, siç duket, ka dhënë miratimin e tij për një sërë dokesh barbare. Dhe, me një popull të tillë konservator, nuk do të mund të bënte ndryshe.”[8]
Prifti françeskan Shtjefën Gjeçovi (1874-1929) nga Janjeva (Kosovë), ishte i pari që mblodhi dhe kodifikoi Kanunin e ashtuquajtur të Lekë Dukagjinit. Vepra u botua më 1933 nga provinca françeskane e Shqipërisë, pasi autori u vra nga milicët serbë.
Kanuni tejet i famshëm i Lekë Dukagjinit është kolona e së drejtës zakonore shqiptare, e cila, me variantet e saj të ndryshme, ka drejtuar rreptësisht për shekuj me radhë të gjitha aspektet e jetës shoqërore të shqiptarëve të maleve, që sot gjenden në veri dhe në jug të vendit, në Kosovë e në zonat e Malit të Zi dhe të Maqedonisë që kufizohen me Shqipërinë.
2. E drejta zakonore shqiptare si pjesë e një kulture ballkanike më të gjerë
E drejta zakonore nuk është një veçori vetëm e kulturës shqiptare. Ajo ka rezistuar pranë pothuajse të gjithë popujve ballkanikë, sidomos në zonat rurale, deri në kohët tona. Me shumë gjasa, vetë sovranët evropianë, para se të përqafonin vendosmërisht të drejtën romake, i qeverisnin popullsitë e tyre me rregulla zakonore. Siç dihet, në Ballkan është shumë e vështirë të shënosh kufij etno-gjuhësorë. Simbioza dhe bashkëdepërtimi i popujve ballkanikë, i kulturave, i gjuhëve dhe i traditave të tyre ligjore ka luajtur një rol përcaktues në formimin e një profili të përbashkët të njeriut ballkanik[9]. Ky unitet, i cili ekzistonte brenda kufijve të perandorisë bizantine, gjeti shprehjen më të lartë pasi gjysmëhëna zëvendësoi kryqin në kishën e Shën Sofisë më 1453. Nuk ngjall habi, pra, ngjashmëria e madhe që ekziston mes së drejtës zakonore shqiptare dhe asaj malazeze e boshnjake, që kanë zgjatur më tepër. Në hyrjen e botimit shqiptar të tragjedive të Eskilit, Ismail Kadare pohon se kjo e drejtë është pjesë e një kodi të lashtë ndërballkanik, i cili i ngjan së drejtës antike greke të kohës së Homerit, deri në lulëzimin e Athinës dhe se ngjashmëria duket qartë në shumë institucione homologe me ato të tragjedive të Eskilit. Ai shkruan: “E drejta romake, bizantine e pastaj ajo turke, me valë të njëpasnjëshme, fshinë gjurmët e fundit të kodit të lashtë ndërballkanik, që qytetërimi grek me zhvillimin e tij thuajse e kishte fshirë nga jeta. Grekët ishin në atë kohë pararoja e qytetërimit botëror dhe ishte e natyrshme që këtë hap ta bënin ata të parët”[10]. Hordhitë barbare, sidomos ato sllave, e bënë të zhdukej popullsinë shqiptare nga ultësirat dhe nga kodrat, duke e detyruar të tërhiqej në malet e padepërtueshme[11]. Gjatë pushtimit të tyre nuk mund të mohohet ndikimi reciprok në zakone, ndër të tjera, shumë të ngjashme në strukturë dhe në transmetim. Popullsitë serbo-malazeze ruajnë edhe sot një pasuri juridike të ngjashme me atë shqiptare; studime krahasuese janë bërë nga studiues të të dyja palëve.
Një tjetër faktor që përcakton ngjashmëritë mes kodeve zakonore të popujve ballkanikë është trashëgimia e tyre e përbashkët indo-evropiane. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e normave zakonore shqiptare janë autoktone, me veçoritë e tyre.
E drejta zakonore nuk ka qenë kurrë burim juridik ekskluziv. Roli i saj zyrtar ishte të mbushte zbrazëtitë e sistemeve të tjera juridike në fuqi. “Jeta” e dokeve shqiptare është karakterizuar nga një dualizëm i përjetshëm me sistemet e ndryshme juridike të pushtuesve. Bashkëjetesa, kohë pas kohe, me të drejtën romake, serbe, bizantine, veneciane dhe me Sheriatin gjatë pesë shekujve të sundimit osman nuk i ka zbehur veçoritë e zakoneve shqiptare. Thjeshtësia, efikasiteti, konkretësia kanë qenë gjithnjë vlera të përjetshme të kësaj të drejte në shekuj. E drejta zakonore shqiptare, në kompleks, është një nga të paktat që janë ruajtur në Evropë në gjendje pothuajse parake. Gjatë ndodhive të mundimshme historike që kanë përfshirë vendin e shqiponjave, ky “corpus iuris”, së bashku me gjuhën, ishte faktori kryesor i mbijetesës së identitetit të popullit shqiptar.
Gjatë pushtimit osman të tokave shqiptare ishte në fuqi Sheriati – ligji themelor apo ligji i shenjtë, nga i cili rridhnin normat fetare dhe juridike të së drejtës muslimane. Burimet ishin Kurani, tradita dhe vendimet e katër imamëve të parë. E drejta muslimane njihte edhe traditat lokale dhe i përdorte si burim ndihmës për çështje që nuk përfshiheshin në ligjet kuranore. Në parathënien e Kanunit të Lekë Dukagjinit, poeti i madh shqiptar, atë Gjergj Fishta, vë në dukje se, veç ligjeve të veta, perandoria otomane mbante në fuqi edhe Kanunin, të cilin e zbatonte ekskluzivisht për çështjet në zonën e Dukagjinit dhe si burim ndihmës në rajonet e tjera shqiptare. Paralelisht me Sheriatin, pra, në shumë zona të banuara nga shqiptarët vijuan të mbijetonin e të vepronin edhe normat zakonore.
Një rajon, për shembull, që ia kishte dalë të zbatonte gjithmonë doket e veta gjatë pushtimit osman, ishte sanxhaku i Mirditës. Ky rajon ka hyrë në histori si furnizuesi më besnik i sulltanit në lidhje me taksat, armatimet dhe mercenarët, në shkëmbim të autonomisë më të jashtëzakonshme që perandoria otomane i kishte njohur ndonjëherë një province[12].
Sigurisht, Kanuni shqiptar nuk ka mbetur statik, po ka ndryshuar dhe është kompletuar sipas rrethanave e nevojave të reja të jetës së njerëzve, për më tepër duke qenë e një drejtë e pashkruar. Siç mund të vihet re lehtë, Kanuni i Lekë Dukagjinit përfshin jo pak rregulla e institucione që kanë ardhur pas shekullit XV[13].
Edhe pas formimit të shtetit shqiptar, më 1912, normat e Kanunit mbetën në fuqi. Për shkak të pastabilitetit politik, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore Kanuni bashkëekzistonte me ligjet e shtetit. Gjatë komunizmit u ndalua zbatimi i tij, po pas rënies së regjimit u rishfaqën mendësia dhe praktika e disa aspekteve të Kanunit, si, për shembull, dukuria tragjike e gjakmarrjes, që, sipas Valentinit, “në Shqipëri ka shkaktuar ndoshta më shumë gjakderdhje se luftërat”[14].
3. Variantet e Kanunit shqiptar
Gjatë dekadave të fundit shumë etnografë shqiptarë kanë kodifikuar dhe studiuar normat e së drejtës zakonore shqiptare. Kërkimet shkencore kanë gjetur gjurmë të normave zakonore në të gjithë territorin e banuar nga shqiptarët, duke na siguruar për ekzistencën e Kanuneve të ndryshme lokale, të përdorura në periudha të ndryshme, në pjesë të ndryshme të vendit. Këto Kanune ishin kode të veçuara të ligjit zakonor. Ata nuk janë prodhuar nga individë, po nga grupe njerëzish. Në shumë raste këto rregulla u janë përshtatur nevojave të veçanta të dinastive feudale sunduese.
Kanuni i quajtur i Lekë Dukagjinit nuk është, pra, i vetmi koleksion i së drejtës gojore shqiptare. Krahas tij ekzistojnë burime të tjera të së drejtës zakonore si: Kanuni i Skënderbeut, Kanuni i Malësisë së Madhe, Kanuni i Pukës, ai i Mirditës, i Lumës, i Labërisë. Harta e varianteve theksohet edhe më tepër nga fakti se brenda një Kanuni ka veçori dhe dallime lokale nga zona në zonë. Këto veçori lokale nuk kanë qenë kurrë aq të thella, sa të thyejnë parimet themelore të përbashkëta të së drejtës gojore të shqiptarëve, së cilës ata i japin një karakter thellësisht shqiptar[15].
Falë botimeve të reja, dimë që Kanuni i Lekë Dukagjinit ka variante të tijat në thuajse të gjitha rajonet malore shqiptare. Fillimisht gjejmë mbledhjen e bërë nga atë Bernardin Palaj, OFM, nën diktimin e Mark Sadikut, të parit të “këshillit të pleqve” të Shalës, botuar në revistën Studime e tekste juridike të Insitutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, më 20 shkurt 1940. Kanuni i Malësisë së Madhe, i mbledhur nga famullitari Ernesto Cozzi[16], u botua, gjithashtu, në revistën e sipërcituar.
Kanuni i Malësisë së Madhe, shumë i ngjashëm me atë të Lekë Dukagjinit, është adoptuar nga fiset e Kastratit, Hotit, Grudës, Kelmendit, Kuçit, Krasniqit, Gashit dhe Bytyçit, të cilat gjenden në veri të Shkodrës dhe në pjesën lindore të maleve të Gjakovës në Kosovë, në veri të zonës së Dukagjinit. I ashtuquajturi Kanun i Skënderbeut, i njohur edhe si Kanuni i Arbërisë, zbatohej veçanërisht në rajonet e Dibrës, Krujës, Kurbinit, Bendës dhe Martaneshit, zona këto të përfshira në zotërimet e Kastriotëve, në jug të rajonit të Dukagjinit. Kanuni i Pukës dhe ai i Mirditës ishin në fuqi në zonat përkatëse, të cilat ndodhen në jug të Dukagjinit, në qendrën veriore të Shqipërisë së sotme. Kanuni i Labërisë është Kanuni i Shqipërisë së jugut, që përfshin Vlorën, Kurveleshin, Himarën, Tepelenën dhe sidomos atë territor të njohur rëndom si “rajoni i tri urave” (Drashovica, Tepelena, Kalasa). Edhe ky i fundit është një kod i ruajtur gojarisht dhe tradicionalisht lidhet me figurën e Papazhulit, themelues i fshatit të Zhulatit, pranë Gjirokastrës.
Për shkak të rëndësisë së madhe që mbart Kanuni i Lekë Dukagjinit në traditën gojore juridike të popullit shqiptar, do ta analizojmë strukturën e tij në një kapitull të veçantë. Në këtë paragraf do të trajtojmë tiparet e veçanta të blloqeve të tjera të normave zakonore, të bindur se ato përfaqësojnë variante të ndryshme të së njëjtës së drejtë gojore të kombit shqiptar.
Kanuni i Skënderbeut është varianti më origjinal dhe i veçantë i Kanunit të Lekë Dukagjinit. Frano Illia[17] ka qenë kodifikuesi i parë i Kanunit të Skënderbeut, të cilin e mblodhi teksa zhvillonte misionin e tij në malet e Krujës. Botimi i këtij Kanuni u bë i mundur vetëm në 1993, edhe pse vepra ishte gati prej të paktën tridhjetë vjetësh.
Kanuni i Skënderbeut e ushtronte ndikimin e tij në Shqipërinë qendrore, mes rajoneve të Principatës së Kastriotëve. Ndikimi i kësaj principate shtrihej nga lumenjtë Mat e Fan në veri, deri në lumin Shkumbin në jug, nga deti Adriatik në perëndim, deri në kufijtë lindorë të rajonit të Dibrës. Zanafilla e Kanunit të Skëndërbeut është e njëjtë si e Kanuneve të tjera të maleve shqiptare dhe mund të quhet edhe Kanuni i Arbërisë, në nder të shtetit të Arbërisë, të krijuar nga Skënderbeu.
Islamizimi i pjesës më të madhe të rajonit të Kastriotëve i ndikoi ligjet e këtij Kanuni, të cilat u zgjeruan me ato të Sheriatit, ligjit islamik, po pa ndryshuar tërësisht shpirtin dhe zakonet vendase.
Ndërtimi i tekstit juridik është i ngjashëm me atë të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Ndarja kryesore bëhet në pjesë dhe jo në libra. Pjesët janë të lidhura me familjen, shtëpinë, detyrimet, qeverinë, ndëshkimet, gabimet, dëmshpërblimet dhe kishën. Vepra i kushtohet vetëm pjesës normative, me një total prej 3534 nenesh, ku mungojnë shembujt praktikë dhe vendimet e autoriteteve kompetente.
Autori i ka dhënë një rëndësi të madhe “ligjeve të veçanta të Kanunit”, të cilat respektojnë traditat e rajoneve të ndryshme.
Sanksionet e Kanunit kanë më tepër karakter material, por ekzistojnë edhe rregulla që parashikojnë sanksione morale. Perbuzja morale shoqërohet me shprehjet “ka bërë diçka të pahijshme”, “është çnderuar”, “turp t’i vijë”.
Legjislacioni u ishte besuar kuvendeve të pleqve, të cilët për normat e reja duhej të frymëzoheshin nga parimet e Kanunit dhe nga traditat e lokaliteteve të veçanta. Një ligj i ri miratohej nga mbledhja e kuvendit të pleqve, po merrte efikasitet të plotë vetëm me miratimin e kuvendit të vegjëlisë. Të dy këto organe ishin të parashikuara nga Kanuni.
Kanuni rregullon, mbron dhe ndëshkon si të fortin, ashtu edhe të dobëtin; të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, pa asnjë dallim.
Kanuni i Mirditës i përket zonës së Shqipërisë, shumë të famshme për një marrëveshje diplomatike që arritën princat e saj feudalë me pushtuesin osman, i cili u siguronte atyre autonomi të plotë në drejtimin dhe organizimin e brendshëm, në shkëmbim të detyrimit për t’i ofruar mercenarë, tribute dhe ndihma të çdo lloji tjetër perandorisë osmane. Populli i Mirditës i ruajti, pra, për shekuj gjuhën, traditat, fenë katolike, ligjet zakonore dhe gjithçka që i karakterizonte. Edhe pse nuk kemi ende një mbledhje specifike të Kanunit të Mirditës, ekzistenca e tij konfirmohet nga një seri studimesh. Për vetë veçorinë historike që përshkruam, ky rajon ka vazhduar ta përçojë gojarisht Kanunin e vet deri në ditët tona në formën më pak të përzier.
Në Kanunin e Lekë Dukagjinit familja e Gjomarkajve të Mirditës konsiderohet si themeli i Kanunit. Në Shqipërinë e veriut është e përhapur bindja se Gjomarkajt janë pasardhësit e Dukagjinëve, prandaj trashëguan funksionin e arbitrit, të cilin e mbajtën deri në fillim të shekullit XX. Me mbërritjen e regjimit të Enver Hoxhës, pasardhësit e Gjomarkajve u përndoqën dhe u zhdukën mizorisht.
Varianti i Pukës i Kanunit të Lëkë Dukagjinit është botuar nga studiuesi Xhemal Meçi[18] më 1996. Vepra është e ndarë në dy pjesë: pjesa e parë përmban 557 nene, të ndarë në tri rende kryesore: rendi shoqëror, rendi ekonomik dhe e drejta penale. Çdo rend është i ndarë në tema dhe çdo temë në krerë, të cilët janë të ndarë në nene. Pjesa e dytë, shumë e thelluar, sjell aspekte historike të rëndësishme mbi vendimet e Kanunit, mbi përbërjen e fiseve dhe mbi zbatimin e normave të veçanta juridike në jetën e përditshme. “Vendimet praktike” janë nëntëdhjetetre dhe secila sjell referimet e personave të gjallë që i kanë diktuar çështjet autorit. Fillohet nga një maksimë e shprehur në kuvende për të kaluar në shpjegimin e çështjes, me dëshminë e personave që e kanë jetuar ngjarjen.
Profesori Ismet Elezi[19], penalist i njohur shqiptar, ka përmbledhur informacionet mbi Kanunin e Labërisë, të quajtur edhe Kanuni i Papazhulit. Kjo tërësi normash ka rregulluar jetën shoqërore të malësorëve të jugut të Shqipërisë.
Për sa i përket emërtimit, profesor Elezi merr në konsideratë dy hipoteza: e para, e bazuar në një legjendë popullore, pohon se krijuesi i tij ka qenë Papazhuli, themelues i fshatit Zhulat rreth vitit 1481. Hipoteza tjetër është se, meqë “Kanuni i Papazhulit” është shumë i lashtë, ndoshta vetë Papazhuli “është një shpikje e legjendës”. Kanuni i Labërisë, si e gjithë e drejta zakonore shqiptare, rregullonte marrëdhëniet shoqërore, sjelljen e njerëzve, organizimin shoqëror, pronën, detyrimet, marrëdhëniet familjare dhe të martesës, trashëgiminë, të drejtën penale dhe procedurat gjyqësore.
Kanuni i fundit i mbledhur e i botuar në rend kohor është Kanuni i Dibrës, rajon lindor i prapatokës shqiptare, që përfshin edhe një pjesë të Kosovës dhe Maqedonisë. Kodifikimi i Kanunit të Dibrës është vepër e shkrimtarit Xhafer Martini[20] dhe botimi i tij i dytë përbëhet nga tridhjetë kapituj: Familja; Shtëpia dhe rrethinat; Lidhjet e gjakut; Fshati; Mali; Odat e Dibrës; Ekonomia; Fejesa; Martesa; Gruaja; Vdekja; Gjaku; Buka; Miku; Patronazhi; Ndërmjetësia; Pleqtë; Besa; Betimi; Ndarja e të mirave; Trashëgimia; Tregtia; Toka; Gjahu; Lajmëtarët; Kanuni kundër të keqes; I sëmuri mendor; Fjalë dhe shprehje; Tregime lidhur me Kanunin; Bibliografia.
Kanuni i Lumës, i mbledhur nga Shefqet Hoxha, ende i pabotuar, gjendet në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore të Tiranës, ndërsa Kanuni i Mus Ballgjinit mbulon malet e thella të Elbasanit.
[1] Edith Durham, Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët, Tiranë, 1998, f. 150.
[2] Kazuhiko Yamamoto, Struktura etike e të drejtës zakonore shqiptare, Tiranë, 2008, f. 208.
[3] Ibid., f. 218.
[4] Ibid., f. 18.
[5] Giuseppe Valentini, Ligji i maleve shqiptare, Tiranë, 2007, f. 10.
[6] Cf. Margaret Hasluck, Kanuni shqiptar, Tiranë, 2005, f. 24; http: //Wikipedia/Lekë Dukagjini.
[7] Edith Durham, op. cit, f. 116.
[8] Ibid., f. 117-118.
[9] Milan Shuflaj, Serbët dhe shqiptarët, Tiranë, 2004, f. 89-90.
[10] Eskili, Tragjeditë, Tiranë, 1986. f. 39.
[11] Edith Durham, op. cit, f. 427.
[12] Cf. Milan Shuflaj, vep. cit., f. 88; Peter Bartl, Shqiptarët, f. 64-66.
[13] Shtjefën Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Lezhë, 2001, f. 125-130.
[14] Giuseppe Valentini, vep. cit., Tiranë, 2007, f. 15.
[15] Cf. Xhafer Martini, Kanuni i Dibrës, Tiranë, 2007, f. 26-30.
[16] Lindi në Trento më 1870. Për më se njëzet vjet qe famullitar në zona të ndryshme të Shqipërisë. Botoi një sërë studimesh, mes të cilave Fiset e Shqipërisë së epërme, Si ruhet raca, Grupimet lokale (fisi, lagjja, vllaznia).
[17] Lindi në Juban, Shkodër, më 21.02.1918. U shugurua prift më 18.12.1943 dhe zhvilloi shërbimin meshtarak në malet ku abatohej Kanuni i Skënderbeut. U arrestua më 23.09.1967 dhe pas një viti u dënua me vdekje, si “bashkëpunëtor i Vatikanit”, vendim ky që u shndërrua në burgim të përjetshëm. Më 12.04.1988 u lirua. Më 25.04.1993 Gjon Pali II e emëron arqipeshkëv të Shkodrës. Vdiq në Shkodër, më 22.10.1997.
[18] Lindur në Kabash të Pukës më 1936, përfundoi fakultetin e gjuhë-letërsisë në Shkodër më 1959. Studiues i etnologjisë, ka depozituar 1500 faqe shkrimesh mbi traditat etnokulturore në Muzeun Historik të Pukës. Veç kësaj, ka mbledhur mbi 600 tekste këngësh popullore të zonës.
[19] Lindi në Fterrë të Sarandës më 1920, studioi letërsi në Firence gjatë Luftës së Dytë Botërore, për t’u diplomuar më pas në jurisprudencë në Leningrad. Ka qenë më pas për 50 vjet profesor i Fakultetit të Jurisprudencës në Tiranë dhe dekan i katedrës së të drejtës penale.
[20] Ka lindur në Fushë Alie të Dibrës më 1941. Poet i njohur, pasi botoi shumë poezi, tregime për të rinj dhe studime mbi gjakmarrjen, ka botuar edhe Kanunin e Dibrës.
[21] Kazuhiko Yamamoto, vep. cit., f. 31.
https://m.facebook.com/1432000753709508/photos/t.112335185507394/1514997835409799/?type=1&source=42&refid=17&ref=stre
(vazhdon)
Burimi – Facebook


Leave a Reply