Grevistët: Sali Berisha, mos shpik armiq siç bënte Enver Hoxha.
Grevistët i janë kundërpërgjigjur kryeministrit Berisha përmes një deklarate të përbashkët ku i kërkojnë të mos shpikë armiq të kotë si Enver Hoxha, siç shprehen ata, por të takohet me ish-të përndjekurit për plotësimin e kërkesave të tyre. “Kur nuk do të zgjidhë problemet, ai shpik armiq. I bëj thirrje kryeministrit që të heqë dorë nga këto dhe që të pranojë një takim urgjent”, ka deklaruar një prej grevistëve. Në orët e pasdites shëndeti i njërit prej grevistëve është rënduar së tepërmi, ndërsa ky i fundit nuk ka pranuar të shkojë në spital, pavarësisht këmbënguljes së mjekëve. “Shumë sëmurë është. Ai e ka refuzuar vajtjen në spital. Do të shohim nëse gjendja e tij do të përmirësohet ose jo”, ka thënë një prej grevistëve. Për herë të parë, dhjetëra ish-të përndjekur politikë që kishin mbërritur nga qyteti i Shkodrës janë mbledhur në afërsi të ambienteve ku po zhvillohet greva e urisë, për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj grevistëve. “Ne ju respektojmë dhe do t’ju mbështesim derisa sakrifica juaj sublime të marrë zgjidhje. Në emër të baballarëve të ish-të përndjekurve i bëj thirrje qeverisë që të vërë dorën në zemër dhe të zbatojë ligjin”, deklaroi vajza e një të përndjekuri. Gjendja e grevistëve është rënduar edhe për shkak të rrebesheve të shiut që kanë lagur çadrën e improvizuar në qiell të hapur. Ndërkaq, gjatë paradites situata është tensionuar kur koordinatorët e grevës kanë tentuar të rifusin në grevë ish-grevistin Arif Beu, por nuk janë lejuar nga forcat e policisë. Ish-i përndjekuri ishte larguar nga greva dy ditë më parë për shkak të gjendjes shëndetësore të së bijës. Pas përballjes me forcat e policisë, koordinatorët e grevës kanë paralajmëruar një tjetër grevë, në një tjetër ambient, me grevistë të rinj.
Tufa-Berishës: Ti je bashkëpunëtor i
Sigurimit, ke dënuar Hysen Shoshorin
Skënder Tufa ka reaguar pas akuzave të kryeministrit Berisha në drejtim të tij. Ai i ka cilësuar shpifje ato, ndërkohë që ka pohuar se Berisha është ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, që ka dënuar Hysen Shoshorin. Sipas Tufës, Berisha është një skizofren që duhet të largohet nga drejtimi i vendit, ndryshe do të ketë fatin e Gedafit. “Ti je bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. E ka thënë Hysen Shoshori. Nuk do të them se ti je bashkëpunëtor i UDB-së, siç ka thënë ZP apo Penicilina, apo je personi që je shtruar si psikopat, sepse nuk kam prova. Por do të them që je një skizofren që ke mbytur politikën shqiptare. Duhet të largohesh sepse mund ta pësosh si Gedafi. Më ke hequr bukën e gojës, më ke bërë presion, por këtu nuk shtrohet çështja e Skënder Tufës, pasi do ta shtrojmë një herë tjetër. Ti si komunist i vjetër po i lë të vdesin grevistët, ne jemi zëri i vërtetë i demokracisë. Largohu dhe lëre këtë vend të qetë”, ka thënë Tufa. Berisha e akuzoi këtë të fundit se është marrë me trafik femrash dhe për disa vite me radhë ka pasur një bordello në mes të kryeqytetit.
Rëndohet gjendja e grevistëve, tashmë do nisin një grevë të re
24 ditë pa ushqim, ish të përndjekurit akuzojnë qeverinë
Në ditën e 24 të grevës së urisë, gjendja shëndetësore e ish të përndjekurve politikë është rënduar. Edhe dje ata nuk kanë pasur asnjë shpresë se mund të gjejnë një zgjedhje për kërkesat e tyre. Qeveria me anë të kryeministrit nuk ka lënë asnjë mundësi komunikimi duke i cilësuar si grevistë politikë.
Gjendja e grevistëve
Ata rrëfejnë se kanë kaluar një natë të keqe për shkak të rrebeshit të shiut që kanë lagur çadrën e improvizuar në qiell të hapur. “Pothuajse një pjesë e batanijeve kanë dalë jashtë përdorimit. Në qoftë se do të vazhdojë koha e keqe do të rëndohet edhe më keq situata”, u shpreh Fatmir Lamaj, ish i përndjekur. Gjatë ditës situata është tensionuar, kur koordinatorët e grevës kanë tentuar të rifusin në grevë ish-grevistin Arif Beu, por nuk janë lejuar nga forcat e policisë. Ish i përndjekuri ishte larguar nga greva dy ditë më parë për shkak të gjendjes shëndetësore të së bijës. “Vajza ime ndodhet në spital dhe unë duhet të kontaktoja me të, por tani nuk më lejojnë të rihyjë në grevë”, tha Beu. Pas përballjes me forcat e policisë, koordinatorët e grevës kanë paralajmëruar një tjetër grevë në një tjetër ambient me grevistë të rinj. Ish-të përndjekurit falënderuan Pandeli Majkon në cilësinë e qytetarit siç u shprehën ata, për ndihmat që ka ofruar për grevistët si dhe të gjithë qytetarët e tjerë që i kanë mbështetur.
Qeveria të hyjë në bisedime
Ish të dënuarit politikë kërkojnë nga ndërkombëtarët që të ndërhyjnë për të ulur në dialog grevistët e urisë me Qeverinë shqiptare. Në ditën e 24 të grevës së urisë, kreu i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë Skënder Tufa deklaroi, në një protestë para Kuvendit të Shqipërisë, se tashmë gjendja e grevistëve është tepër e rëndë dhe se duhet një reagim i menjëhershëm i shtetit për zgjidhje, në përputhje me ligjin, me qëllim që të mos ketë viktima në njerëz. Tufa deklaroi se greva e urisë është vetëm për çështje ekonomike dhe akuzoi politikën shqiptare është e pandjeshme ndaj këtij akti njerëzor.
Një grevist probleme në zemër, niset në spital Vllasi Koçi
Mesditën e djeshme gjendja e Vllasi Koçi dhe Ramazan Spahiu u përkeqësua për shkak të problemeve në zemër dhe rrugët e frymëmarrjes, ndërkohë që mjekët kërkuan shtrimin e tyre urgjent në spital. Kushtet aspak të favorshme atmosferike si dhe greva e gjatë ka rënduar akoma më shume gjendjen e grevistëve, ndërkohë që ato refuzojnë shtrimin në spital pasi kanë frikë se nuk lejohen t’i rikthehen asaj. Moti me shi e ka përkeqësuar më shumë gjendjen e tyre, pasi siç rrëfeu njëri prej koordinatorëve, Skënder Tufa, në çadrën ku po zhvillohet greva ka hyrë shiu dhe janë lagur edhe dyshekët ku rrinë grevistët. Zhvillohet tubimi para Kuvendit. Ndërkohë që grevisti Fatmir Lamajt thotë se janë të vendosur ta vazhdojnë grevën derisa qeveria të plotësojë kërkesat e tyre. Gjendja e rënduar dhe nevoja për mjekime urgjente ka bërë që në ditën e 24 të grevës së urisë, ish-përdjekuri Vllasi Koçi të ndërpresë grevën dhe të dërgohet menjëherë në spital. Koçi me gjithë thirrjen e bluzave të bardha, kishte refuzuar ndihmën e mjekëve, për shkak të frikës se nuk mund ti rikthehej më asaj. Gjendja e ish-të burgosurit politik Vllasi Koçi 55 vjeç , nga Vlora u përkeqësua pasditen e djeshme për shkak të komplikacioneve në zemër. Aktualisht kane mbetur edhe 7 greviste në tendë.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk “Shkodrani


Leave a Reply