
Historia e Shkëlzen Dumanit tronditi opinionin publik. Pas arrestimit të dy imamëve të vetëshpallur, u mësua se në listën e të kërkuarve, tashmë edhe nga Interpoli, ishte edhe Dumani, pasi akuzohet jo vetëm si organizator dhe financues në rekrutimin, organizimin dhe dërgimin e myslimanëve shqiptarë për xhihad në Siri, por edhe se në fund të janarit të këtij viti ai ka mundur të kalojë kufirin së bashku me dy fëmijët e tij, Endri dhe Eva, përkatësisht 8 dhe 9 vjeç.
Si u implikua Shkëlzen Dumani me fenë
Nga të gjithë të afërmit në Bellovë të Dibrës, Shkëlzeni njihej si njeri punëtor dhe i sjellshëm. Ato rrëfejnë se nuk ishte shumë i shoqërueshëm. Pesë vite më parë, Shkëlzeni me profesion hidraulik shkon për gjashtë muaj në Arabinë Saudite. Pas kthimit nga Arabia, ai fillon të praktikojë fenë myslimanë duke lënë dhe mjekër. Të afërm bëjnë me dije se vetëm për të mbajtur mjekrën, Dumani është paguar me nga 300 mijë lekë në muaj.
Tentativa për ta kthyer bashkëshorten në praktikante të fesë myslimane
Të afërm rrëfejnë se pas kthimit nga Arabia Saudite, ai i është lutur bashkëshortes, Mides, me të cilën ka dhjetë vite martesë të mbulohej dhe të kryejë ritet e fesë myslimane. Madje në një bisedë, ai i ka thënë që të iknin së bashku me fëmijët në vendet arabe, me argumentin se atje bëhej jeta. Pasi është kundërshtuar nga bashkëshortja, ai i ka kërkuar falje duke i thënë se respekton mendimin individual.
Shitja e shtëpisë dhe makinës
Çifti Mide dhe Shkëlzen Dumani kanë pasur një jetë të lumtur bashkëshortore së bashku me dy fëmijët e tyre. Pas martesës, ata sistemohen në një apartament në Laprakë. Së fundmi, bashkëshortët në konsensus midis tyre kishin vendosur të merrnin një apartament më të madh. Kështu, ai shet makinën dhe shtëpinë. Dyshohet se në bllokun e dokumenteve për shitjen e shtëpisë ai ka mashtruar bashkëshorten, e cila ka firmosur një prokurë që ka bërë të mundur lejimin e fëmijëve në aeroport.
Mashtrimi i bashkëshortes
Shkëlzen Dumani duket se e ka menduar në detaj arratisjen së bashku me dy fëmijët e tij. Ai ka shfrytëzuar një sebep familjar të bashkëshortes për të kryer në heshtje largimin e tij. Ai i ka thënë bashkëshortes, Mides, të ikte tek i vëllai i saj, pasi ky i fundit fejonte të bijën dhe i ka kërkuar të qëndronte tre ditë atje. Ai së bashku me dy fëmijët të nesërmen do të ikte në Shkodër për të drekuar me një mikun e tij. Gjatë kësaj kohe ai është bërë gati dhe është nisur në aeroport me fëmijët. Teksa është telefonuar nga bashkëshortja, ai deri në momentin që kanë humbur kontaktet, i është përgjigjur se po ia kalonin mirë dhe se fëmijët janë mirë.
Udhëtimi drejt Turqisë
Dumani ka udhëtuar me fëmijët e tij përmes aeroportit të Rinasit me destinacion Turqinë. Mësohet se ditën e udhëtimit Dumani ka qenë i veshur me kostum dhe ka hequr mjekrën. Ai i ka shpjeguar personelit se arsyeja e udhëtimit drejt Turqisë është për operimin e djalit të tij. Më pas i ka humbur gjurmët dhe dyshohet se ka mbërritur në Siri së bashku me dy fëmijët.
Komunikimi në internet
Shkëlzen Dumani ka komunikuar disa herë me të afërm, madje edhe me bashkëshorten. Ai i ka thënë asaj se mund të shkonte kur të dëshironte tek ai, por pa i treguar vendndodhjen. Përsa i përket shtëpisë, ai i ka thënë Mides të mos shqetësohej dhe i ka treguar një grumbull para, dhe se me ato para mund të blejnë dy shtëpi.


Leave a Reply