LABËRIA IME
Sot, do t’i këndoj Labërisë sime,
me dashuri, ëmbëlsi dhe shpresë,
është ëndërr që jeton brez pas brezi,
është trashëgimi që nuk vdes.
Do t’u këndoj atyre maleve ,
mbushur me shqopa dhe gjineshtra,
dheut që di të lindë vetëm trima,
për atë ndiej dhimbje në eshtra.
Ndër vite ke luftuar e mira ime,
ke qarë, burra, gra e fëmijë,
kapedanë me zemrën si stërrall,
çdo copë toke me gjak e lave ti.
Dhe emigrimi, nuk pati mëshirë,
varrezat u bënë qytet më vete,
trëndafilat i derdhe si vargje të dlira,
Labëria ime, pse pate kaq derte…?!
Ndaj sot, i këndoj Labërisë sime,
me dashuri, ëmbëlsi dhe shpresë,
është ëndërr që jeton brez pas brezi,
është trashëgimi që nuk vdes.
DËGJOMA ZEMRËN
Mos
trokit
në portën e zemrës,
eja,
puthmë në trup,
puthmë në buzë..
rrokullisëm
tej
në valët e erës,
bëhu stuhi
të bëhem shpuzë…
JE TI…
Të desha, të dua, o dhimbja ime,
prandaj të përgjërohem për një fjalë,
je ti që më shfaqesh nëpër ëndrra,
kalorës i reve, me kalë të bardhë.
Të betohem për të gjitha perënditë,
jetën, mos e gëzofsha në të gënjej,
dy sytë më ngelshin të verbër, pa dritë,
dhe trupi – kërmë, që korbat të ushqejë.
Bëj be, mbi kokën tënde të çmuar,
je ti, zoti im, aq shumë i adhuruar.
BUZËMBRËMJE
Ja nata, ulet në mermerin e dritares,
me vështrim lutës, buzëqesh si femër,
një cep i qiellit duket bosh atje tej,
dhe një gjysmëhënë, zhytur në ëndërr.
Fytyra e malit gjelbëron si çdo ditë,
e faqja e fushës me lulëkuqe stolisur,
një engjëll a demon shfaqet si dritë,
rreth meje ngre ajrin të boshatisur.
Frymoj me dallgë, ah shpirti më plasi,
dete mendimesh të derdhur si lumenj,
ngado që vete gangrenë m’ u bë marazi,
sido që të këndoj, çfardo që të them.
TEATRI I KUKULLAVE
Teatri i kukullave filloi, botën harrova,
bie në skenë sipari gri,njerëzit pëshpërisin ngjarjen,
në fund…në krye…maska me sy të trishtuara,
dikush flet, dikush hesht ! Rri e përgjoj…
Si një shurdhëmemece, po pse?
Të këndoj,
të qesh e pamundur, qaj si fëmi.
Teatri i kukullave, vazhdon…
REBELIM
Zoti
më bëri
një grua me flokë të gjatë,
me sy të mëdhenj ngjyrë kafe,
me lëkurën e mëndafshtë, çokollatë.
Një shpirt të bardhë,
zemër të butë prej laureshe,
një lirë e lindur për këngë
e pak ëndërrim prej poeteshe.
Më piketoi të bukur, por me kushte,
gracka ngriti ,e vuri kufinj,
që gardhin e Edenit mos ta kapërcej,
diellin mos ta shoh drejt në sy,
me hënën të mos grindem
dhe shejtanit udhën mos t’ ia pres …
Më bëri Zoti siç deshi vetë
më bëri të mos gaboj,
ndryshe portat e ferrit hapen për mua.
Më bëri Zoti ashtu siç deshi,
pa më pyetur,
fshehurazi…
…Dhe unë, do i rebelohem vullnetit të tij,
nga duart do t’i shpëtoj,
nëpër shtigje lumturie do shkel,
mendimet dhe mendjes sime do ia fsheh,
do bredh stinë më stinë,
në vende të ndryshme, të panjohura.
Vetë më bëre poete…
Po…
Në dashuri me Naimin do të bie,
buzë të ftohta do të puth,
lëkurën si gjarpri do ta ndërroj,
mish nga mishi,
frymë nga fryma,
dritë nga drita,
mollën e ndaluar, bashkë ta ndajmë,
një botë të nëndheshme plot dashuri të ndërtojmë,
ku engjëjt të këndojnë këngë pa pushim,
yjet si fishekzjarre të flakërijnë,
çdo gjë timen do t’ i jap,
do dashuroj çmendurinë, gjer përtej dashurisë,
për qejfin tim,
për inatin tënd, im zot!
Jam poete!
Jemi poetë!
Dhe mos qesh…
Se gruaja di një më shumë se djalli,
një më shumë se Ti…
Shpejtësinë e ka si të dritës,
hapin si të erës,
puthjen si vetëtimë,
grindjen si gjëmimet,
buzëqeshjen si gjelberishte,
jetë që jep jetë…
E shikon ?!
Ti vetë më the:
-po të bej poete, po mos u dashuro,
të dua të freskët çdo ditë,
pranverë në kopshtin tim,
nuse të pa prekur nga flladi,
perëndeshë të pashoqe…
Udhëzimet përsërite sa herë…
Por harrove,
jam, apo nuk jam poete…?
Veç të vdekurit janë të besës,
heshtin
nuk tradhëtojnë…
Dënomë, po deshe,
tani që ta hapa zemrën,
me kamzhikët e mëkatit më gjuaj,
ose më duaj tej përjetësisë…
NË EMËR TË KUJT?
Në botë,
ka njerëz të egër,
shërbëtorë të djallit …
Vjedhin,
përdhunojnë,
vrasin,
dhe mashtrojnë pafajësinë.
Në emër të paqes,
atje, tutje në Orient…
Siri,
Irak,
Palestinë…
E më pas,
betohen për Zotin.
KUR TI VUAN
Oh shpirt, mos vdeksh kurrë,
as në ëndërr, as në këtë jetë,
se të kam dritë, të kam burrë,
për ty më digjet xhani, vërtet…
Eja, o diell, që vezullon çdo ditë,
herë i trishtuar e herë i lumturuar,
ja,bëj be për të gjitha perënditë,
bota më rrëshqet kur ti vuan.
Ndaj të afrohem lehtë si penda,
të puth lotin që derdhin sytë smerald,
dhe dhimbjen përze jashtë e brenda,
të kam për vete, të kam për merak.
MË PANË YJET
Po,
Me fjalë të ngrohta e ndeza shpirtin,
dhe ndoqa mugëtirën që ikte larg meje,
rreshtova sërish edhe njëherë vargun,
dhe trishtimin e mbolla prapa një reje.
Më panë yjet me habi në fluturim,
dhe hëna mërmëriste ca fjalë nën zë,
qiellin e ndrita kësaj nate si vetëtimë,
dhe erdha pranë teje që vetë mos të të lë.
PREMTIMET…
Shikoj
ca premtime boshe,
nderur në telat e ylberit,
mbuluar me mjegull,
në pritje të diellit..
Horizontit në të dalë…
DËSHIRË BOHEME
Më këndo një këngë, një dhe të vetme,
dhe unë për hatrin tënd do e dëgjoj,
jam betuar im zot, do dehem kësaj nate,
që zemra të qeshë, të qeshë e drithërojë.
Do vallëzoj zbathur deri sa të bëhet ditë,
mbi majat e gishtave, gishtat pa u lodhur,
si balerinë mbështjellë me petale e dritë,
veç, mos mbaj mëri, mos më rri pa folur.
BEHAR
Atë
natë
të nxehtë behari,
të dy
shtrirë
në rërën e njomë,
një
puthje
nga buzët rrëshqiti,
fshehurazi
fluturoi…
Agimi
ndezi dritat,
tutje në horizont…
SKLLEVËR TË PUTHJES
Në sytë e natës shikoj yjet, hënën e plotë,
varur në horizontin e ëndrrave si një perlë,
dhe kur endem t’ i kap, jo, nuk mundem dot,
e di mirë, çdo gjethe në vjeshtë të gënjen.
Flladi rrotullohet në gushën e zhveshur të erës,
si dielli në gjirin e tokës, dridhet e përdridhet,
kështu dhe ne të dy jemi skllevër të puthjes,
që e shpiku enkas, djalli apo zoti, nuk dihet…
Leave a Reply