TË DHËNA GJEOGRAFIKE-SOCIOLOGJIKE NGA UDHËTARËT E HUAJ NË HIMARË NË SHEKUJT XVI-XIX (Prof. As. Dr. Romeo HANXHARI, Dr. Kristaq V. JORGJI III)
Duke qëndruar në postulatin sipas të cilit “kënaqësia e vërtetë e të udhëtuarit nuk qëndron në të parit e shumë vendeve, por në aftësinë e të parit të një vendi të vetëm me njëqind sy të ndryshëm” (Prust), rezulton gjithmonë veçanërisht ndjellëse të përdorësh sytë e të tjerëve për të përshkruar një vend që meriton të dashurohet. Kështu, të shohësh Himarën nga 100 këndvështrime të ndryshme me sytë e tu, sot rezulton po aq interesante sa ç’është ta shohësh atë me sytë e ndryshëm të njerëzve të huaj, me formime krejt të ndryshme, dhe në një kohë krejt të largët: një misionar, një piktor, një diplomat, një ushtarak, …një fizikant udhëtar. Këtë ndjesi të jep kjo sprovë pune që ka synuar të pasqyrojë në të sotmen ndjesitë e të huajve në të kaluarën jo pak të largët. Udhëtarët, apo të huajt në përgjithësi, që kanë shkruar për Himarën në tërësi gjatë kësaj periudhe janë murgjit unitë Bazilianë të misionit të Propaganda Fides në Shqipëri, Edward Lear, William Martin Leake, Sir Henry Holland, dhe François Charles Hugues Laurent Pouqueville..
Dëshmitë e këtyre njerëzve për Himarën janë me vlerë për shkakun se krijojnë mundësinë e mbivendosjes së të dhënave, përjetimeve, peizazheve dhe evolucionit të tyre, analizave sociale dhe tipologjike për krahinën. Por, pse rezultojnë kaq të rëndësishme këto dëshmi, veçanërisht për Himarën?. Thënia lapidar që përbën kornizën e kësaj Konference Ndërkombëtare sipas të cilit “Nëse Shqipëria ka me se mund të krenohet, një ndër to është historia e Himarës” (Leon Rey), më së pari ka mundur të dëshmohet apo të përgënjeshtrohet pikërisht nga këta dëshmitarë të shekujve të vështirë të kësaj treve të lavdishme. Për fat të mirë, të paktën në elementet që mund të observoheshin nga udhëtimet e shkurtra apo qëndrimet e gjata të këtyre udhëtarëve në Himarë, kjo gjetje konkluzive e fortë e Rey vërtetohet plotësisht..

Sepse pas momentumit të gjatë dhe fatkeq historik gjatë të cilit Himara ndërpreu evolucionin e vet pro-europian duke u futur në hijen e luftërave me Portën e Lartë për mbijetesën etnike dhe fetare, rrodhi natyrshëm fakti që kjo hapësirë që përfshinte fillimisht mbi 60 qendra të banuara dhe një territor mbi 10 herë më të gjerë se sot, u gjend të konsiderohej apriori si e pasigurt dhe jo tërheqëse për udhëtarët, misionarët, apo pelegrinët. Kjo është njëra nga arsyet se pse në periudhën midis shekujve XVI dhe XIX, të vetmit “udhëtarë” të huaj që “vizitonin” Himarën ishin detarët e anijeve që ankoroheshin për kohë të shkurtër në limanet e saj, karvanxhinjtë që përshkonin hinterlandin e saj në drejtim të Lindjes apo Jugut, apo oficerët e Serenisimës apo Mbretit të Napolit që rekrutonin stratiotë epirotë. Me fillimin e sprapsjes së Portës pas disfatave detare me peshë madhore në historikun e mbrojtjes së fuqive të krishtera, u spostua interesi i këtyre fuqive perëndimore më në Lindje, edhe në drejtim të trojeve të banuara nga epiroto-arbërorët. E, tjetra arsye se pse “udhëtarë” nuk ka patur deri në shekujt e mësipërm, është edhe fakti se edhe në Perëndim, udhëtimet me qëllime thjesht njohjeje filluan vonë në kufirin mes shekujve XVIII dhe XIX, atëherë kur anglezët e pasur filluan praktikimin e “tour”-eve duke krijuar kështu “turizmin” si qëllim kulturor njohjeje kulturash e mjedisesh të huaja, veçanëtisht atyre mesdhetaroveriore, duke u fokusuar edhe tek Ballkani ku ata kërkonin rrënjët antike të qytetërimit të atëhershëm Europian. Kjo shpjegon dhe faktin se pse trajtimet në shënimet e tyre tentojnë gjithmonë një përshkrim të hollësishëm dhe krahasues..

Kësisoj, nëse bëjmë një analizë të kujdesshme të atyre “udhëtarëve” që kanë lënë të shkruara gjetjet apo përshtypjet e tyre, do të evidentohet qartë se ata janë pak. Ata janë Pukëvil, Lik, Holland, dhe Lear. Ndërsa përshkruesit më të hollësishëm, më skrupulozët, dhe më besnikët në të dhënat e tyre janë misionarët Bazilianë të Propaganda Fide-s. Kjo për faktin se, pavarësisht faktit nëse ata mund apo jo të konsiderohen si “udhëtarë” të mirëfilltë, misionarët e kanë njohur më me rrënjë çdo gjë të cilën ata e kanë referuar tek eprorët ekleziastikë. Dhe po ashtu, ata e kanë patur për detyrë të jenë të saktë në çdo detaj sepse nga këto detaje vareshin edhe gjykimt dhe konkluzionet e Vatikanit për zonën dhe për misionin..

Në këtë punim ne kemi preferuar të bëjmë një klasifikim të shënimeve më të rëndësishme të udhëtarëve, por duke i klasifikuar këto dëshmi sipas tematikave të trajtuara prej tyre. Kjo na lejon që të bëjmë një analizë më të mirë të të dhënave duke synuar ballafaqimin dhe krahasimin..
Të dhëna të përgjithshme për Himarën si kryeqendër e Krahinës.
At Xhovani de Kamilis (Giovanni de Camillis), njëri prej më aktivëve në raportime ndër murgjit Bazilianë, në dëshminë e tij na tregon se “Himara pra është kryeqendra e krahinës. …Në kohët antike ishte fortesë dhe komandonte qytetet e tjera të krahinës; por aktualisht nuk i ka mbetur gjë tjetër veç emrit të madh, sepse duke qenë këta njerëz me prirje dhe dhunti jashtëzakonisht dashurues të iris, kanë shkundur nga shpina çdo lloj zgjedhe komandimi, ashtu si edhe kanë bërë pjesa më e madhe e zonave të krahinës, sepse e gjthë kjo krahinë është me male të larta, të gurta por sterile”. .
Misionarët Bazilianë e dinë që janë me mision në një zonë të rëndësishme nga pikëpamja e rolit që ka patur në territor. Rrjedhimisht, ata bëjnë krahasimin midis asaj çka Himara ka qenë, ose si atyre u është treguar, dhe asaj se çfarë gjejnë, pra çfarë ka mbetur prej saj. Gjithashtu, është e qartë se këtë krahasim ata mund ta kenë të huazuar edhe prej vetë banorëve të Himarës, të cilët me siguri e kujtojnë fare mirë kohën kur ajo kryeqendër kishte nën kontroll dhe komandë mbi 60 qendra të banuara, dhe mbi 10-fishin e territorit të atëhershëm. Kjo situatë, e sjellë prej evolucionit historik të kushtëzuar nga pushtimi otoman dhe islamizimi gradual por i vendosur i hinterlandit të Himarës, ka çuar pashmangshmërisht në lëshimin përfundimtar ekonomik të qytetit..
Qyteti i Himarës zhvillohet në malin Skutarà, dhe ka qenë i rrethuar me mure antike. Kështu përshkruhet qyteti nga misionarët Bazilianë në shekullin XVII. Ata shkruajnë: “Himara, prej ku ka marrë emrin gjithë krahina, gjendet në majë të një mali i cili sheh për nga ishulli i Korfuzit në detin Eolik, është kryeqendër e Krahinës, duke u bërë e fortë për shkak se pajiset me mbrojtje nga lartësitë e malit, e rrethuar nga gremina dhe thyerje të ashpra, duke qenë se është aty një përrua i thellë që shërben më së miri për të mbrojtur qytetin”. Vihet në dukje roli parësor i qytetit të Himarës, me praninë e përroit të thellë që sot njihet si përroi i Vishës, dhe i cili shndërrohet në element thelbësor në mbrojtjen e qytetit, ppra si një elementi i rëndësishëm i arsyes se pse qyteti është ndërtuar pikërisht aty. Fjala greke që tregon një “përrua të thellë dhe të ashpër”, pra fjala “khimàrra”, mund të shpjegojë etimiologjinë e emërvendit “Himarë”. Në fakt, dëshmitë e murgjve Bazilianë duket se nuk janë të rastësishme duke vendosur në evidencë elementin kryesor të lokacionit të Himarës, pra përroin e thellë. Dëshmia e tyre me siguri bazohet në të thëna nga vetë banorët e Himarës, duke na e bërë më të thellë në kohë këtë lidhje shpjeguese të emërvendit. Për këtë shkak, duket se ky shpjegim i emërvendit duket se mbizotëron mbi variantin tjetër që e lidh atë me figurën mitologjike të Kimerës..
Për sa i përket tipareve të qytetit, evolucionit të tij, dhe organizimit hapësinor dhe funksional të qytetit, murgjit Bazilianë përmendin disa mëhalla (borge – lagje) të Himarës, me karakteristika të ndryshme, për sa i përket dendësisë së popullsisë, nivelit të qytetërimit, dhe cilësisë së banorëëve. Giovani de Camillis në vitin 1667 shkruante se “Peshkopi kishte shkuar shëtitje për nga lagjia e qytetit që përmbledh numrin më të madh të njerëzve, të kaulifikuar, dhe pakrahisimisht më të mirë se popullsia tjetër”. Natyrisht nuk është e lehtë sot të identifikosh lagjen për të cilën flitet. Por e sigurt është që bëhet fjalë për një lagje me borgjezinë-aristokracinë e re qytetare të Himarës. Aq e vërtetë është ekzistenca e një shtrese të tillë sa që murgjit Bazilianë, menjëherë me ardhjen e tyre, patën evidentuar si njërin prej veseve më të këqinj të qytetit atë të përhapjes së madhe të fenomenit të “fajdes”, pra të dhënies së parave huà me interesa, shenjë kjo në fakt që dëshmon një proces të konsoliduar të akumulimit të pasurisë, tipike për qytetet me jetë ekonomike aktive..
Kjo e dhënë nga dëshmitë e murgjve Bazilianë mund të çojë në idenë se Himara mbetet ende në këtë periudhë një qytet i konsoliduar, që ka kaluar apo që po kalon atë proces diferencimi social që karakterizon qytetin premodern. Sidoqoftë, edhe evolucioni i mëtejshëm i qytetit dhe rrethinave të tij, reflekton mungesën e një klase udhëheqëse me natyrë aristokratike, siç ndodhte në fakt në qytetet perëndimore. Për më tepër, shoqëria karakterizohej në fakt nga prania e një klase elitë ushtarakësh, përbërë nga familjet e stradiotëve, por të cilët nuk luanin ndonjë rol të veçantë me karakter lider ekonomik në shoqëri..
Vetë misionarët shkruajnë se “Himara …dikur ishte fortesë dhe komandonte qytetet e tjera të Krahinës, por në të tashmen nuk i ka mbetur gjë tjetër veç emrit…”. Pra qyteti ishte sidoqoftë në proces degradimi në krahasim me periudhat e mëparshme. Janë të gjitha arsyet për të besuar se ky perëndim ekonomik ka filluar me sulmet shkatërrimtare të Otomanëve, pra prej fundit të shekullit XV AD..
Më vonë, rreth 180 vjet më pas na vjen dëshmia e Lear (fig 1) për qytetin e Himarës, i cili na jep të dhëna të rëndësishme, duke theksuar se ai është një qytet “i lënë pas dore”, “i çrregullt”, dhe disi “jo i pastër”. Kjo dëshmon se që para vitit 1848 qyteti kish humbur, në favor të qendrave të tjera, rolin e vet primar për zhvillimin e krahinës, edhe pse kish mbetur formalisht kryeqendra. Ka shumë të ngjarë që goditjen përfundimtare për një dekadencë të tillë urbane dhe ekonomike ta ketë dhënë periudha e gjatë e përndjekjes dhe shpërnguljes të popullsisë së qytetit nga ana e Ali Pashë Tepelenës në hapësirën kohore 1790-1820. Duke theksuar faktin se ai është “qytet i lënë pas dore” Lear na dëshmon se sheh ndoshta qartë shenja të lavdisë së dikurshme të qytetit, shenja të cilat në periudhën për tq cilën ai është dëshmitar okular mund të jenë në zhdukje e sipër..
Organizmi social-komunitar i Himarës .
Lidhur me mënyrën e qeverisjes së Himariotëve njëri prej misionarëve Bazilianë shkruante në raportet e tij: “lidhur me mënyrën që mbajnë këta njerëz për t’u qeverisur, nuk dyshoj se do të duket e çuditshme, për sa kohë që ajo mënyrë është krejt e kundërt me të zakonshmen e popujve të botës. Kjo krahinë, duke përjashtuar atë pak taksë që këta njerëz i paguajnë Turkut për të mos u ngacmuar, nuk njohin mbi vete eprorë të tjerë veç atyre që ndonjëherë ata vetë në liri të plotë i zgjedhin me qëllimin që në kohërat më të veçanta gjatë vitit të kujdesen për komunitetin. Gjyqtarë, kapitenë, zyrtarë, e titullarë të tillë të tjerë që një populli të madh në numër i duhen patjetër për t’u vetëqeverisur, në këto anë janë krejt të përjashtuar, por seicili zot i vetes dhe i shtëpisë së vet jeton si i pëlqen dhe pa patur frikë tjetër veç asaj prej Zotit, apo prej asaj të veprimeve madhore të shoqërisë”. .
Mënyra e funksionimit të jetës komunitare bazohet më shumë në respektimin vullnetar të vlerave morale dhe të bashkëjetesës sesa në frikën nga ligji i centralizuar tipik për shtetet e rregullta. Kodet e ndryshme që kanë shërbyer si rregullator i jetës shoqërore në Himarë, si në atë historiken ashtu edhe në atë të reduktuarën në 15 fshatra përgjatë bregut të Jonit, janë pranuar dhe respektuar në mënyrë të padiskutueshme, si mënyra e vetme e mundshme që siguron mbijetesën veçanërisht në kushtet e refuzimit kolektiv të administrimit qendror. Kanuni i Papa Zhulit është njëri prej këtyre kodeve sociale-komunitare, i cili është trashëguar deri vonë si më i përshtatshmi për këto komunitete të rrezikuara. Sekreti se pse këto kode kanë arritur të mbajnë të ngjizur bërthamën e këtij komuniteti qëndron në faktin se ata kanë përdorur instrumente të refuzimit social ndaj fenomeneve që mund të rrezikojnë të gërryejnë bazamentin e bashkëjetesës dhe të konsumojnë ashtën qëndrestare të komunitetit. Të tillë instrumente, psh, është ai i dekurajimit social dhe ekonomik të fenomeneve kriminale si vjedhja apo vrasja. Vrasja nuk tolerohet por gjykohet, dhe tentohet të ndërpritet që në fillim zinxhiri i gjakmarrjes. Vrasësi pa shkak delegjitimohet shoqërisht, dhe deri edhe shpronësohet apo detyrohet të shpërngulet duke i prishur kulmet e banesës. Këto instrumentet të forta kanë çuar në konsolidimin e vlerave komunitare për të cilat misionarët janë dëshmitarë të rëndësishëm..
Peizazhet e Himarës.
Gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX, peizazhisti i shquar anglez Edward Lear bëri shumë udhëtime nëpër Europë, prej të cilëve la shumë shënime dhe peizazhe. Nuk mundi të mos vizitonte edhe viset e Shqipërisë dhe të Greqisë. Në Himarë ai qëndroi plot 6 ditë, duke lëvizur nga veriu e deri në kryeqendrën e saj. Ishte i pari që përshkroi me detaje dhe shpirt poetik jetën dhe peizazhet e Himarës, dhe po ashtu ishte i pari që ka folur për “turistë” në këtë zonë..
Lir, në shënimet e veta, e rekomandon fort tek çdo koleg i tij piktor një vizitë ndër malet e Vetëtimës, sepse “derisa të mos e ketë bërë, nuk do ta dijë kurrë se çfarë do të thotë peizazh në gjendjen e vet më të egër. Veçse, përpiquni të jeni me një shoqërues të mirë, sepse nëse jo, mund të mos ktheheni më të gjallë: Akrokeraunet janë një terren i parrahur, dhe mund të rezultonte jo i kënaqshëm për një turist të vetmuar”..
Duke zbritur nga malet e Llogarasë, rrugës prej Dukatit ku kish kaluar natën përpara, ai përshkruan: “…fillojmë të zbresim, dhe shumë shpejt dalim nga retë në një dritën shkëlqyese të diellit, e cila na zbuloi gjithë vështirësitë e atij që quhet Strada Bianca apo Aspri Ruga, një shteg gjarpërues buzë greminash nga më të thepisurat, ende e vetmja rrugë komunikimi midis Himarës dhe Vlorës nga Veriu. Rruga është një shkallëzim absolut, dhe nëse do të përpiqeshe t’i zbrisje me vrap do të të dukej nga të katërta anët sikur do të bije ngultazi brenda detit të kaltër poshtë teje. Edhe nëse ecën tëposhtë, njeriu do të vinte frikshëm në kuptimin e asaj që do të mund të ndjente një mizë duke ngjitur apo duke zbritur një mur në vertikal” (figura 2)..
Ndërsa pranë fshatit të Vunoit, peizazhi i një lugine, me siguri ajo e Gjipesë, i kujton “ato në afërsi të të bukurës Cività Castellana” në Itali..
Edward Lear ka përshkruar edhe dislokacionin morfografik dhe elementet peizazhistike estetike të këtyre qendrave të banuara. Për Dhërmiun psh, ai përshkruan: “mbërritëm në një tjetër greminë të thellë ose grykë përroi i cili del si nga zemra e maleve drejt detit, dhe pikërisht këtu, varur dhe ekspozuar nga të gjitha pozicionet e mundshme mbi shkëmbinjtë e grykës, shtrihet Dhërmiu, më madhështori në pozicionin e vet se sa çdo vend tjetër që kam parë deri tani në Akrokeraune, dhe jo pak i ngjashëm me Atranin, apo Amalfin, apo Kanalin e Kalabrisë, edhe pse bukuria e arkitekturës në këto vende Italiane ka pak të krahasuar me koleksionin e shprishur dhe pa formë të shtëpive që varen mbi buzën e grykës shkëmbore, midis mureve të mbështetura të të cilave arrijnë të shohin majat e largëta të lartësive të malit të Çikës” 146″..
Për fshatin e Vunoit ai përshkruan se “ashtu si fshati i Dhërmiut, edhe Vunoi është i vendosur përballë detit, në një lloj kurore në formë patkoi kali mbi një përrua të thepisur, ndërkohë që shumë tarraca shkëmbore mbajnë shtëpitë, prapa së cilave, malet lartësohen në mënyrë madhështore në një gjysëmrrethi, ndërkohë që drejt detit terreni zbret menjëherë në një zonë të sheshtë”. .
Këto përshkrime në fakt reflektojnë realitetin edhe të qendrave të tjera të banuara të krahinës së Himarës, duke patur parasysh të njëjtën tipologji vendbanimesh, të vendosur për arsye mbrojtjeje më të mirë larg prej bregut të detit, dhe po ashtu të vendosur në shpate të pjerrët për shkak të mungesës së tokës së bukës dhe për arsye të mënyrës tipike të menaxhimit të territorit për vendbanim..
Tiparet sociale të banorëve të Himarës .
Veç të tjerash, në qytetin e Himarës, Lear studion edhe karakteristikat e njerëzve himariotë, dhe bën një refleksion se si qytetarët e Himarës “përfaqësojnë më të egrin dhe më tipikun karakter Shqiptar: burrat mbajnë flokët ekstremisht të gjatë, dhe ecin me me hapin më të plotë të dinjitetit Shqiptar – shprehja më goditëse dhe më sovrane e krenarisë në çdo gjest”..
Ndërsa në përgjithësi mbi temperamentin e Himariotëve shprehej kështu: “…por, megjithëse këta njerëz kanë dhunti që anon nga përdorimi i armëve, kjo s’do të thotë aspak që janë të pamarrur vesh, përkundrazi, ata janë mjaft të urtë dhe familjarë, gjë që u vjen më tepër si një mirësi që buron prej zemrës se sa si gjest për të rrahur gjoksi, dhe janë aq me dhunti të pajisur natyrshëm, saqë nëse ndër këta njerëz do të kish qeverisje të rregullt politike dhe ushtrim të aftësive të lira, ata nuk do të ishin aspak poshtë në krahasim me shumë kombe të botës”..
Në Vuno Liri përshkruan jë shëmbull interesant të rreptësisë së zakoneve të Himariotëve lidhur me tradhëtinë bashkëshortore. Ja se ç’shkruan ai për këtë në pak rreshta me humorin tipik anglez. “Dukej se Himariotët kishin një kod ligjesh tepër të ashpra dhe të gjithë më thanë se ata nuk dinin ndonjë rast që ato të qenë shkelur. Për tradhëtinë bashkëshortore, ndëshkimi qe ekzekutimi i gruas dhe prerja e veshëve dhe e hundës e palës tjetër ofenduese. Sipas kujtimeve të informuesve të mi, në fshatra kishin ndodhur dy ose tre raste të tilla dhe unë pashë me sytë e mi një zotëri koka e të cilës nuk qe e pajisur me veshët dhe hundën. Dje më treguan një njeri tjetër, i cili kish shkaktuar një shqetësim të madh në Vuno duke shkatërruar paqen e një prej familjeve më të mira; gruaja u ekzekutua menjëherë në vënd, por i dashuri i saj shpëtoi dhe mbeti dy vjet jashtë shtetit, nga ku u kthye dhe tani është vendosur këtu. “Por ” – i thashë- ” si ngeli ai pa u ndëshkuar?”. “Sepse iku” “Por si ndodhi që megjithë ashpërsia juaj është kaq ekstreme, e lejuat që të kthehet ” “Sepse ne vramë të atin në vënd të tij “. “O cielo, por ç’kish bërë i ati?” “Niente! Ma ci vuol qualcheduno ammazzato in queste circostanze; e cosi abbiam’ preso il padre1. “Dikush duhej të vritej. E lo stesso – basta cosi- një shmangje e drejtësisë për të paralajmëruar prindërit me bij të pabindur.”..
Ai vëzhgon edhe gratë Himariote duke përshkuar kështu qoftë zotësinë e tyre dhe mundimin sikurse edhe mënyrën e tyre të komunikimit në një botë ku nuk ekzistonte ende telefoni celular. “…..në tërë anët ka humnera të pakapërcyeshme – të pakapërcyeshme për të gjithë përveç grave Himariote, të cilat në punën e tyre të përditëshme për mbledhjen e druve dhe shkurre për dru zjarri, mund të ngjisin këto shkëmbij të mahnitshëm. Vështrova disa që po hidhnin barra drush prej shkëmbinjve tepër të lartë për në humnerën poshtë për tu kapur nga shoqet e tyre; dhe ndërsa ne ecnim nga shkëmbinjtë dhe rrëpirat çfaqeshin gra nga Vunoi, ….- të gjitha të përkulura nën peshën e madhe të barrës me shkurre apo dru barre, dhe secila duke u përgjigjur si Marina apo Margarita thirrjes së udhërrëfyesit tonë që i thërriste nga një distancë e pabesueshme. Mprehtësia e dëgjimit dhe e të parit tek malësorët shqiptarë nuk mund të përshkruhet dhe aftësia e tyre për të biseduar në distanca të largëta është e mbinatyrshme; barrierat normale që të vdekshmit e zakontë i gjejnë të pakapërcyeshme, në këtë rast janë plotësisht të kalueshëm”. .
Liri ngelet i mahnitur kur sheh gratë e ngarkuar himariote dhe reagimi i tij ndesh në një qëndrim tepër të “vendosur” të Anastasit. “0 Zot!” – thashë i habitur duke iu shmangur filozofisë time të udhëtimit, e cila kërkonte të mos habitesha me asgjë, “si mund t’i trajtoni kështu si skllave gratë ?. “0 Signore “- tha Anastasi- për ju, si i huaj, kjo mund të jetë jo e zakontë; por fakti që në Himarë s’kemi mushka, është shkaku që ne përdorim një krijesë kaq inferiore në fuqi si gratë (un animale tanto poco capace 147); por s’ka rrugëdalje, sepse mushka s’ka dhe pas mushkave vinë gratë. Vi assicuro, Signore, se ndonëse sigurisht janë tepër larg mushkave, janë në fakt më të mira se sa gomerët dhe bile sesa kuajt !!”. Kjo qe përgjigja për ndërhyrjen time..
Eshtë interesant vrojtimi i bërë nga Liri mbi ndryshimet midis krahinave të tjera dhe Himarës. Ai thotë se gjatë vizitës takoi shumë njerëz si dhe qëndroi në takime “por prania e shumë njerëzve të tregonte për zakone tepër të ndryshme nga të Gegëve të egër apo banorëve të ashpër të Dukatit “. Kështu ai përshkruan reagimin e një nipit të Anastas Kasnecit, shoqëruesit të tij gjatë kësaj vizite, kur takojnë grave të Dukatit. “Nipi i Anastasit, djalë që s’kish dalë jashtë Himarës, u tmerua nga pamja e grave të Kaninës, të cilët qenë veshur “a la turque”. “O Ajio Jani! O ajio Dhimitri! – thirri duke bërë kryqin për çdo fytyrë ne çarçaf që na kaloi.”. E kjo ndryshe nga Vunoi ku ndonëse gratë nuk qene të pranishme me burrat, kishte një atmosfer më të emancipuar. “Kur e pyeta Anastasin se përse gruaja dhe nëna e tij nuk erdhën për drekë, ai u përgjigj se gratë nuk hanë kurrë me burrat, porse gruaja e tij, Marina, do të vinte dhe do të rrinte gjatë drekës, pasi kështu ajo do të kish më pak “vergogna 2′ nga një i huaj, diçka jo e zakontë për gratë himariote”..
.
Niveli kulturor dhe standardi i jetesës i Himarës .
Në Dhërmi, Lear kupton se Himariotët “kanë zakonin të përdorin gjuhën italjane më shumë se gjithë shqiptarët e tjerë”. Dhe, duke transmetuar përshtypjen e menjëhershme që ka patur në shtëpinë ku ka bujtur, ai shkruan: “çudia ime ishte e madhe kur shihja muret e bardha të pastra të dhomave ku qëndrova, rradhët e vazove, pjatave, etj, nëpër rafte, karriget dhe divanin 4-vendësh, me çarçafë krejt të regulluara, si dhe çdo konfort tjetër në masën që duhet…”. Në Dhërmi ai kupton se “qytetërimi në këto vise të Shqipërisë (për sa i përket komoditetit të brendshëm të shtëpive) duket të jetë shumë përpara prej atyre që kam vizituar më parë”..
Një dëshmi e tillë e fortë lidhur me nivelin më të lartë të qytetërimit, të cilin ai në këtë rast e identifikon me standartin e jetesës brënda banesës, është shumë më e rëndësishme kur mendojmë se Lear ka vizituar më parë, Tiranën, Vlorën, dhe shumë e shumë qendra të tjera të banuara përgjatë këtij itinerari..
Ndërsa në vetë fshatin e Vunoit komoditeti i një “shtrati të pastër dhe i dhomës relaksuese” i duket “një luks i vërtetë” në krahasim me përvojat e mëparshme. Në të njëjtin fshat ai shijoi, siç thotë, “verën më të mirë të të gjithë Shqipërisë”. Po ashtu, “interesimi i njerëzve të Vunoit për pikturën” e tij, si dhe “bashkëbisedimi i tyre inteligjent dhe i shumëllojshëm” i kujton atij banorët “e Abrucos apo të Kalabrisë” në Itali. E ndoshta për atë që i ndodhi në Dukat, i lejohet të bëjë edhe një koment hunorhollë “duhet shënuar se një nga pikat më të këndshme të qytetërimit në Vuno qëndron në mundësinë e shëtitjes në këtë qytet kompakt aty ku dëshëron, pa patur frikën e bërjes copë nga qentë e tërbuar të malit, siç mund të ndodhë në Dukat apo Tragjas”..
Tiparet arkitekturore të vendbanimeve dhe banesave.
Si piktor që është, përveç peizazhit që përshkruan me shumë zell, Lear përshkruan edhe arkitekturën e ndërtesave të Dhërmiut dhe Vunoit, nga ku ka kaluar dhe ku ka bujtur. Ato ndërtesa ai i krahason me ato të zonave të tjera të Mesdheut që ai ka vizituar në udhëtimet e tij të mëparshme. Krahasimi me Italinë është një konstante që Lear ruan për të përshkruar peizazhe dhe qendra të banuara të Himarës në tërësi. Kjo dëshmon për faktin se ai me syrin e kujdesshëm të një piktori sheh shumë elemente të përbashkëta mes tyre. Në fshatin e Dhërmiut, shtëpia modeste, siç e quan ai, e ungjit të shoqëruesit të tij himariot, i “kujton shumë të tilla në Sorrento apo në vende të tjera në Itali”. .
Ai shprehet i surprizuar “nga shtrirja dhe karakteri i ndërtesave në Vuno, një pjesë e të cilave, …ngjasojnë më shumë me pallatet në shumë qytete provinciale të Italisë se sa me ndërtesa në Shqipëri; dhe, i gjithë fshati duket me një rregull dhe sistemim të atillë, gjë për të cilën unë nuk isha aspak i përgatitur”. .
Kjo dhe dëshmi të tjera të Lear, na bëjnë të supozojmë se të paktën që prej fillimit të shekullit XIX duhet të ketë filluar konfigurimi i tipologjisë urbanistike të qendrave të banuara të krahinës, si shenja më e dukshme e ndikimit Venecian apo Napolitan në kulturën arkitektonike dhe urbane, fakt i dallueshëm edhe aktualisht si një specifikë që e dallon në mënyrë të qartë prej pjesës tjetër të territorit shqiptar. Linjat e përgjithshme të një rregulli dhe sistemimi të tillë, siç përmendet nga Lear, rezistojnë ende në qendrën historike të Vunoit, edhe pse i braktisur në këtë drejtim prej shumë vitesh..
Himara dhe vokacioni i saj “turistik”.
Lear ishte i pari që u konsiderua një “turist” në krahinën e Himarës. Në rrugën e kthimit nga qyteti i Himarës, guida e tij, Anastasi, në gjuhën italiane e fton të vendosë autografin e tij mbi shkëmbin ku shënonin emrat udhëtarët e rastit që kalonin prej aty. “Diçka mbi përrua është një shkëmb i veçuar, mbushur me shkrime Greke, dua të them janë emra modernë, të shkruar në gjuhën Romaike. Të gjithë shkruajnë, më tha Anastasi, shkruajeni edhe ju! Pra, meqënëse s’kisha gjë kundër, shtova emrin tim në librin e vizitorëve të Qafës së Himarës, i vetmi anglez atje, …dhe do të rrjedhë kohë e gjatë derisa të kalojnë të tjerë. Shumë kohë duhet të kalojë përpara se Himara të shndërrohet në vend ndjellës për banjo, dhe përpara se njoftime tërheqëse për situatë të shëndetshme, pushim absolut, shoqëri të zgjedhur, dhe akses të lehtë nga Italia, të mund të shihen në gazetat e Anglisë”. Ky është pasazhi më domethënës në fakt i piktorit të famshëm të shekullit të XIX Edward Lear. Sa interesante do të ishte nëse do të mund të gjendej ky shkëmb ku emri i Edward Lear-it është i shënuar. Ose të paktën, të mundohemi të identifikojmë me përafërsi se ku mund të ketë qenë, dhe të ideojmë një “itinerar kulturor” me këtë tematikë. Çfarë promocioni i pashembullt do të ishte për Himarën dhe turizmin e saj jo vetëm balnear, por gjithëvjetor!.
BIBLIOGRAFIA.
1.BORGIA N., 1935, I monaci Basiliani d’Italia in Albania. Appunti di storia missionaria. Secoli XVI-XVIII, Roma
2.COMNENA A., 1967, L’Alexiade: (règne de l’empereur Alexis 1. Comnène,) 1081-1118), Paris
3.DALLARI F., “Il turismo culturale per una ricomposizione territoriale. Il Progetto Turismo Uniadrion”, Sassari, Febbraio 2003
4.DE BLIJ H.J. MURPHY Alexander B., “Geografia umana. Cultura, società, spazio.”, Bologna, 2002.
5.DUCELLIER A., “L’Albanie entre Byzance et Venise, Xe – Xve siècle”, London, 1987, p. X-4.
6.LEAR E., (on line) “Journals of a landscape painter in Albania and Greece”, 1851, Century Hutchinson Ltd, Londra.
7.HANXHARI R., “La sostenibilità del turismo e le realtà locali albanesi”, in “Sviluppo sostenibile per l’Albania. Un piano nazionale di turismo alternativo e sostenibile. Il turismo verde ed i parchi naturali”, Tirana, 2002.
8.HANXHARI R., La possibilità dello studio dei travertini per l’interpretazione del Quaternario in Albania, Seconda Conferenza Geografica Nazionale, 1995, Scutari.
9.HANXHARI R., 1995, Les travertins de Borsh (Albanie méridionale). Fonctionnement, histoire, et perspective d’amènagement, Tezë DEA (master), Université d’Aix-en-Provence, Aix-en-Provence, France.
10.HANXHARI R., ISLAMI A., The analysis of the geomorfologic conditions of the zone Llogara-Palase in the vieë of aeronautic practising, Coast zones management, geomorfology, and tourism. (simposium of Academy of Sciences), november 1998, Tirana.
11.HANXHARI R., Le risorse del territorio per un turismo ambientale sostenibile nella regione meridionale Ionica di Himara (Albania meridionale), Università degli Studi di Lecce, Lecce (Itali) 2004.
12.MARKO P., “Retë dhe guret”, (autobiografi), 2000, Tirana.
13.PETTIFER J., “Albania and Kosovo. Blue Guide”, A&C Black Limited, London 2001,
14.PINNA M., , Alcune osservazioni sulla conservazione dei beni culturali e ambientali, in M. Pinna (a cura di), Atti della tavola rotonda sul tema: Ricupero e valorizzazione dei piccoli centri
15.QIRIAZI, Dh., “Krishterimi ne Shqiperi”, Tirane, 2000.
16.SANTORO LEZZI C., “From an environmental policy toëards a sustainable tourism industry. The Albanian case” in “Aquatic conservation: marine and freshëater ecosystems”, nr. 11, 2001, pp. 335-337.
17.SODERSTROM Ola, “I beni culturali come risorse sociali di progetti territoriali”, in “Beni culturali e geografia” a cura di Costantino Caldo e Vincenzo Guardasi, Patron editore, Bologna 1994.
18.VEIZI F., “Bregu i Detit ne kenge, Tirana 1992.
19.ZEQO, M., “Himara pa eklips”, Tirana, 2003.
Përmbledhje.
Përshtypjet e vizitorëve të huaj që kanë kaluar nëpër rajonin e Himarës gjatë shekujve XVII-XVIII si dhe shqyrtimi i mbresave të tyre për të ndriçuar veçoritë dhe karakteristikat e jetës Himariote gjatë këtyre viteve janë objekt i këtij shkrimi. Përmes përshtypejve te tyre, e veçanërisht të njërit më të shquarve, piktorit të pejsazheve Eduardi Liri, autorët tentojnë të japin një tabloo të jetës Himariotë me tërë aspektet e saj- tiparet arkitekturore, zakonet, nivelin kulturor (spesh duke i krahasuar me krahina të tjera), tiparet sociale-ekonomike, organizimi social etj. Ky këndvështrim eshtë teper i rëndësishëm për të rikonstruar jetën e atyre viteve në këtë krahinë si dhe një guidë e rëndësishme për nxitjen e turizmit kulturor që merr vlera edhe nga “prania” e vizitorëve të tillë të famshëm..
Summary.
The impressions of foreign travellers that visited the region of Himara during XVII and XVIII cantury and the examination of their impressions in sheding light on the particularities of the Himariote lifestyle during those days is in the focus of the paper. Through their stories, especially one of the most famous of them the landscape painter, Edward Lear, the authors tend to give a synopsis of the Himariote life in those days – the architecture of buildings, attitudes, the cultural life (often compared with other regions), the socio-economic feature, the social structure of their society. This viewpoint is very important to reconstruct the life of those early days and serves as an important guide for the promotion of the cultural turism, that has a major importance because of visit of such important visitors.
http://himara.eu/adver/KHimariot/konferenca3_6.html



Leave a Reply