Nga: Albatros Rexhaj
Njeriu ndien… Dhe jo rrallëherë bie viktimë e ndjesive të veta, sepse përballja me jonjerëzit është shumë e rëndë. Së pari, derisa ta fitojnë besimin, shiten si engjëj dhe, kur më së paku e pret, atëherë e tregojnë fytyrën e vërtetë. Përballë këtij mashtrimi, hesht edhe pasioni, ndërkaq zemra mbyllet në blozën e zezë të zhgënjimit.
Heshtja e pasionit
Pasioni është tkurrur në heshtjen e vet. Si një vullkan i vjetër, që vetëm nga jashtë duket i shuar dhe pret çastin kur do të shpërthejë.
Ndonjëherë heshtja flet më shumë se mijëra fjalë që mund t’i them unë, që mund t’i thuash ti apo që mund t’i thotë dikush tjetër për ty. Heshtja di të jetë edhe kumtuesja më e mirë i gjithë atyre gjërave që vlojnë brenda nesh e që assesi nuk gjejnë shteg për të dalë në sipërfaqe.
Gjithnjë kam thënë se njeriu duhet të flasë dhe ta shprehë atë që mban brenda vetes. U qëndroj këtyre fjalëve, por nëse flasim dhe shprehemi para të tjerëve, nuk do të fitojmë asgjë.
Ndonjëherë, edhe kur flasim, askush nuk na dëgjon. Nëse ndodh të na dëgjojnë, atëherë refuzojnë të na kuptojnë ose kuptojnë vetëm atë që u intereson. Sado që t’i zgjedhim fjalët, disa njerëz gjithnjë do të gjejnë mënyrën që ta keqkuptojnë atë që themi! Njerëzit e tillë nuk meritojnë asgjë më shumë se heshtjen tonë.
Edhe heshtja flet!
Sidomos nëse di ta përdorësh për ta thënë atë që fjalët nuk e shprehin dot!
Kur jonjerëzit luajnë me dashurinë tënde
Nuk ka dyshim se dashuria është ajo që na nxit ta ndiejmë njerëzoren brenda nesh. Megjithatë, përjetimi i dhimbjes, brishtësia jonë sikur të ishim qelq, është ajo që na kujton se jemi vetëm njerëz.
Sikur të gjithë ta shihnin botën ashtu si e sheh ti, atëherë gjithçka do të ishte ndryshe. Ti do të mund të shihje çdo lëvizje dhe gjithçka tjetër do të funksiononte në një harmoni të përkryer. Por ja që një situatë e tillë nuk do të ishte aspak njerëzore dhe do t’i ngjante një shoqërie robotësh.
Ne, si njerëz, jemi të detyruar që raportet tona t’i bazojmë në besim. Të mbyllim sytë dhe të besojmë se njeriu para nesh është me të vërtetë ai që thotë se është. Me vetëdije ecim në një shteg me plot rreziqe.
Askush nuk mund të shohë në shpirtin e tjetrit dhe zakonisht realiteti dallon nga pritjet. Idealizimi i tepruar shtron themelin e një zhgënjimi edhe më të madh. Nëse nuk je i kujdesshëm, do të thyhet besimi i pakusht që ke tej tjetri. Fatkeqësisht, posa të vërejnë se ti dashuron me gjithë shpirt, njerëzit janë të prirë të mendojnë se u bë çka u bë, ti gjithnjë do të jesh aty për ta.
Disa madje mendojnë se ti nuk ke ku të shkosh tjetër. Dhe ndonjëherë shkojnë aq larg sa mendojnë se ti duhet t’ua falësh edhe aventurat e vogla poshtë e lart.
Të marrin për budalla e që duhet të durosh gjithçka.
Por ti prapë refuzon ta pranosh.
Jep gjithçka që ke! Dhe je i gatshëm të shkosh edhe më larg! Je i gatshëm, ndonëse gjithë kohë diçka të thotë se, edhe sikur ta bësh të pamundurën, as kjo nuk do të mjaftojë.
Ti madje ndryshon edhe veten! I lë mënjanë të gjitha parimet e tua, që i ke mbajtur për të shenjta.
E vërteta është se ti e humb veten!
Duke bërë këtë, ti e humb edhe njeriun që e dashuron.
Në kulmin e zhgënjimit, e ndien se në të vërtetë ke humbur gjithçka. Tani dhimbja jote është një mal i stërmadh, që nuk ka fund. Sado që ke besuar se je njëfarë mbinjeriu , dhimbja të shkund e të kujton se ti, megjithatë, je vetëm njeri!
Dhe ne vazhdojmë të besojmë!
Ne kurrë nuk mund ta dimë se kush është në të vërtetë njeriu para nesh. Nuk mund ta dimë se çfarë maske ka vënë. Asfare nuk mund ta dimë. Ne thjesht besojmë. Dhe ky besim ndonjëherë është edhe i verbër.
(Autori është shkrimtar. Ky shkrim është fragment nga libri i tij “Ditar dashurie i një shkrimtari”
Gazeta Tribuna



Leave a Reply