
Marrëdhënie
Përgjatë muajve të fundit, ka pasur shumë lajme mbi sjellje seksuale “të papërshtatshme” dhe se kur kjo sjellje kapërcen kufirin dhe bëhet e paligjshme. Por cilat janë limitet e mirëkuptimit?
Jo Fidgen, BBC
Për shumë duket se rregullat në lidhje me marrëdhëniet dashurore po ndryshojnë dhe pasojat e të kuptuarit të shenjave gabim mund të bëhen probleme serioze.
Në gjyqin kundër deputetit konservator Nigel Evans, më herët këtë vit, gjykatës iu tha se ai u përpoq të puthte dikë, qe refuzuar dhe qe tërhequr. Kjo gjë u konsiderua nga Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës si diçka potencialisht kriminale. Por Evans u shpall i pafajshëm.
Gjithsesi, ky rast ngriti pyetjen se kur ne duhet të përcaktojmë kufirin mes një veprimi të pakëndshëm dhe një vepre penale seksuale.
Politika e puthjeve ka qenë në mendjen e 29-vjeçares Rosamund Urwin, e cila është gazetare e “Evening Standard” në Britaninë e Madhe dhe që rregullisht shkruan mbi marrëdhëniet gjinore.
“Kam qenë duke folur mbi këtë çështje me miqtë kohët e fundit, pra duke shtruar pyetjen nëse është normale që njerëzit të thonë, ‘a mund të të puth tani?’ dhe aktualisht mendoj se është një veprim shumë i ëmbël, sepse në fakt po thua, ‘nuk dua të bëj diçka që mund të të mërzisë’.”
Disa mund ta shohin këtë këndvështrim si demode, por gjetja e vlerave të vjetra mund të ndihmojë në zgjidhjen e dilemave moderne mbi konsensusin. “Ne mund të kemi mbërritur në pikën kur nuk ka kthim pas, që njerëzit duhet të kontrollojnë nëse pala tjetër është Ok, për shkak se kjo është një lëvizje në sferën personale”, thotë Urwin. “Por shumë njerëz nuk janë dakord me mua mbi këtë.”
Një grup punonjësish të rinj të lagjes financiare të Londrës, pasi pinë diçka pas pune, dhanë mendimin e tyre. Askush nuk dëshironte të jepte emrin, por njëri pranoi se kishte kërkuar leje për të puthur një vajzë – megjithëse nuk e rekomandon diçka të tillë për të tjerët.
“Mendon se është diçka e mirë herë pas here, veçanërisht kur (a) je i dehur dhe (b) e ke parë diçka të tillë në një film, ndoshta ndonjë film të ‘Disney’. Por është një ide e tmerrshme. Bën më mirë thjesht ta mbërthesh për ta puthur. Nëse je gabim, thjesht je gabim dhe duhet të kërkosh ndjesë në fund. Nuk duhet të ketë një vijë ndaluese kur vjen puna te puthja e parë.”
Edhe shokët e tij janë dakord. “Mos i kërko kurrë një vajze a mund ta puthësh, thjesht puthe. Puthja jote e parë duhet të dalë nga situata kur të dy e duan. Është diçka që e ndien, jo një lloj gjëje për të cilën nënshkruan një kontratë.”
Debati mbi pranimin se si duhet të krijohen kushtet për pranimin e njëri-tjetrit është i nxehtë në të dyja anët e Atlantikut. Këtë javë në Kaliforni, po debatohet për një ligj të ri, i cili do të sjellë rregulla të reja nëpër kampuset universitare për ta bërë të qartë për të dyja palët se për një takim seksual duhet të jepet “mirëkuptimi afirmativ”.
Ligji thotë se duhet të ketë një “vendim të shprehur, të padyshimtë dhe të ndërgjegjshëm nga secili prej pjesëmarrësve para angazhimit në një aktivitet seksual, për të cilin kanë rënë dakord në mënyrë të ndërsjellët”. Ai vijon duke thënë: “Mungesa e protestës apo rezistencës nuk do të thotë domosdoshmërish pranim dhe as heshtja nuk do të thotë pranim.”
Ky ligj ka gjeneruar debat të ashpër nëpër faqet e internetit me lajme, si edhe nëpër blogje. Disa kanë spekuluar se një leje me shkrim mund të jetë e nevojshme para seksit. Të tjerë i janë referuar debatit të vitit 1993 mbi politikat “pyet fillimisht” të vendosura nga Kolegji Antioch, ku u kërkohet studentëve të kërkojnë për mirëkuptim në mënyrë të tillë që pranimi të jepet me “(a) verbal, (b) i ndërsjellë dhe, (c) i përsëritur për çdo nivel të ri të sjelljes seksuale”.
Politika e shumëdebatuar e kolegjit Antioch bëri që njerëzit të thonë se hipotetikisht, pala tjetër duhet të thotë: “Po, unë dua gjithashtu të të puth ty”.
Disa komentatorë kanë dalë fort në mbështetje të “konsensusit pohues”, duke sugjeruar se qartësi e plotë është ajo që nevojitet për të zgjidhur problemet mes të rinjve nëpër kampuset universitare.
Por cila është mënyra më e mirë për të rregulluar këtë zonë kaq personale të jetëve tona?
Ka sakaq rregulla shoqërore, të cilat vështirë se mund të shkruhen dhe që zakonisht zbatohen nga presioni shoqëror. Prekjet e padëshiruara seksuale – ku mund të përfshihet puthja – është një veprim me potencial për t’u konsideruar vepër penale sipas Ligjit mbi Veprat Penale Seksuale të vitit 2003. Sjellja në vendin e punës është gjithashtu e rregulluar nga Ligji i Barazisë i vitit 2010.
Aty ngacmimi seksual përshkruhet si “sjellje e padëshirueshme e një natyre seksuale”, e cila ka për qëllim apo efekt… “krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësor, degradues apo poshtërues”.
Duhet të vëmë re fjalët “qëllim apo efekt”. Nuk ka nevojë të nisesh të ngacmosh dikë që të bëhesh fajtor për ngacmim. Ngacmimi seksual është një çështje civile, jo një çështje penale, pra mund të jesh përgjegjës, pavarësisht se çfarë qëllimesh ke.
Mendo këtë skenar të krijuar nga juristi i marrëdhënieve të punës Kiran Daurka. “Një grua mund të jetë ulur në tryezën e saj të punës dhe dy kolegë meshkuj mund të jenë duke qeshur me një shaka seksiste apo duke parë diçka me natyrë seksuale. Ata mendojnë se është gallatë. Ata nuk po e shënjestrojnë gruan.
Por nëse ajo ndien se këto shaka po krijojnë një mjedis frikësues apo armiqësor, ajo ka potencial për të ngritur një pretendim për ngacmim”. Daurka thotë se nuk shërben për mbrojtje që një situatë e tillë të quhet thjesht shaka.
“Nëse shakaja është agresive apo është degraduese apo po krijon një mjedis poshtërues, kjo përbën ngacmim”.
Por a ka gjasa që njerëzit të bien dakord se çfarë përbën shaka “poshtëruese” apo “degraduese” apo për çfarëdolloj termi tjetër të përcaktuar nga Ligji i Barazisë?
“Nuk mendoj se flitet për pranim të ndërsjellë në këtë rast”, – thotë Daurka. “Ajo që është frikësuese apo armiqësore apo degraduese sot, nuk ka qenë aspak e tillë 30 vjet më parë. Këto fjalë duhet të jenë pjesë e diskutimit. Na takon ne si shoqëri të vendosim nëse kjo apo ajo fjalë është e pranueshme apo e përshtatshme”.
Ashtu si në rastin e rregullave shoqërore, edhe këtu ka hapësirë për interpretim dhe pikërisht kjo hapësirë është vendi ku gjendet problemi.
“Rregullat mbi ngacmimet seksuale nuk funksionojnë dhe janë të pakuptimta”, – thotë Catherine Hakim, një kërkuese shkencore në Civias, një institucion kërkimor i interesuar në lidhje me kufijtë e qeverisë dhe liritë personale.
“Ligji është shumë i prerë dhe nuk mund të përdoret për të rregulluar ndërveprimin shoqëror në asnjë shoqëri”.
Hakim thotë se në disa kultura, si ajo e Britanisë, njerëzit janë tepër puritanë. “Paaftësia puritane anglosaksone apo e Europës Veriore në përballje me çdo gjë që është seksuale u jep ngjyrë sjelljeve për çdo gjë tjetër, përfshirë flirtimin në vendin e punës. Ajo që mund të shikohet si kompliment apo joshje në të gjithë kontinentin, në Europën Veriore ka më shumë gjasa të etiketohet si ngacmim seksual”.
Profesori i sociologjisë, Frank Furedi, argumenton se njerëzit duhet t’i besojnë gjykimit të vet dhe të mos udhëhiqen nga rregullat. “Sapo rregullat bëhen standardi me të cilin ne gjykojmë atë që është e drejtë dhe atë që është e gabuar, atëherë ne humbasim kapacitetin dhe maturinë për t’u marrë me ato që gjithmonë janë problemet tona të komplikuara”.
Ai u rrit përgjatë revolucionit seksual të viteve 1960 dhe mendon se gjenerata më e re është më konservatore. “Moraliteti seksual është bërë shumë më puritan dhe shumë më tepër i rregulluar. Unë shpesh shoh djalin tim, i cili aktualisht është 18 vjeç dhe gjeneratën e tij dhe kjo më sjell menjëherë ndër mend ngurrimin e shekullit të 19 të shprehur nëpër veprat e Jane Austen. Unë e gjej këtë shumë të huaj për socializimin tim. Ne po shkojmë në një botë që po bëhet gjithnjë e më shumë e mikromenaxhuar”.
Urwin nuk është e shqetësuar nga kjo. “Ka një arsye se pse njerëzit i dashurojnë romanet e Jane Austen”, – thotë ajo. Secili prej personazheve të saj nuk do të ëndërronte kurrë të zgjatej për një puthje pa krijuar më parë një nivel të lartë sigurie se kjo puthje do të pikëpritej.
Jepi sjelljes moderne sjellje të tilla demode me theksin tonë mbi mirëkuptimin dhe Urwin mendon se këto gjëra demode mund të na ndihmojnë të lundrojmë në terrenin e komplikuar të marrëdhënieve.
“Ne mendojmë për edukatën si gjëra të tilla p.sh. përdorimi i thikës së duhur, por nuk është kjo. Është të mësuarit për të lexuar qeniet e tjera njerëzore. Pra, po, unë mendoj se këto rregullat e vjetra mund të ndihmojnë shumë për të zgjidhur problemet tona të sotme”.
Ata thonë se sjelljet bëjnë njeriun. Ndoshta sjelljet mund të ndihmojnë edhe për t’i mbajtur njerëzit jashtë gjykatave.
Komenti
“Ajo që duhet të shikohet si një kompliment apo një joshje e zakonshme në kontinent, në Europën Veriore ka gjasa që do të klasifikohet menjëherë si ngacmim seksual”
Catherine Hakim, Civitas
Gazeta Shqip






Leave a Reply