
Artikulli më poshtë u vjen në ndihmë të gjithë atyre që i adhurojnë macet dhe kanë një të tillë në shtëpi. Ja se si t’i mbani larg macet tuaja nga lulet dhe bimët e shtëpisë…
Kultura e kafshëve
Macet janë kafshë shumë të këndshme dhe simpatike, megjithatë shpesh mund të bëhen të bezdisura, sidomos kur gërmojnë në kopsht ose kur nisin të përdorin si lojë lulet natyrale nëpër vazo apo edhe objekte të tjera, si letrën higjienike të tualetit. Bimët dhe kopshtet janë shpesh caku parësor i këtyre kafshëve dhe për këtë arsye disa njerëz janë gjithmonë në kërkim të mënyrave për të hequr macet nga këto vende. Për të arritur këtë rezultat nuk është e nevojshme të përdorni produkte drastike, si helme apo produkte me ultratinguj, sepse ekzistojnë mënyra të ndryshme “natyrale” për të larguar miqtë tuaj me qime të buta nga vazot me lule.

Largimi i maceve me ushqime
Macet nuk janë adhuruese të disa “erërave” dhe të disa ushqimeve të tjera, si për shembull ato nuk e durojnë dot aromën e rozmarinës, specave djegës, piperit të kuq, si edhe të kafes. Pra, nëse dëshironi të largoni macet nga lulet apo nga kopshti juaj, atëherë ju mund të përgatisni pjata të vogla me këta përbërës dhe t’i vendosni në to. Në rastin e luleve, kafen pluhur ose një nga përbërësit e tjerë të sipërpërmendur, mund ta vendosni te pjatat e vazove.
Shishet e ujit
Shishet e ujit i bezdisin shumë macet, si duket për shkak të reflektimeve që shfaqen në sipërfaqen e tyre, sidomos nga rrezet e diellit. Vendosja e shisheve në zonat që dëshironi t’i mbroni është zgjidhja ideale për t’i mbajtur macet larg tyre.
Bimët
Nëse dëshironi të largoni macet nga kopshti juaj, atëherë mund të mbillni disa lloje bimësh, të cilat për to janë vërtet të padurueshme. Kështu, ju mund të mbillni rozmarinë, livando, hudhra dhe një lloj bime apo bari që u përngjan qepëve të njoma.
Lule maceje
Ndryshe nga bimët më lart, bari i maces apo siç quhet ndryshe lulja e maces, i tërheq shumë ato, ndaj nëse mbillni një vazo me këtë lloj bime atëherë ju do t’i hapni vetes një telash të madh. Nëse e keni një të tillë, ju këshillohet që të mos e mbani më, sepse me siguri e keni vënë re se çfarë mund të bëjë macja juaj në të ose në bimët dhe lulet që janë rreth saj.
Bimët e dëmshme për shëndetin e maceve
Lulet janë të bukura për shtëpinë tonë dhe të shëndetshme për të gjithë ne. Por nëse në shtëpitë tuaja jeton edhe një anëtar me katër këmbë, siç janë macet, duhet të bëni kujdes me lulet që mbani, pasi një pjesë e mirë e tyre janë helmuese për to. Nëse macet hanë nga zambakët e verdhë, ato do të kenë shqetësime stomaku, të vjella etj. Aloe vera gjithashtu është helmuese për macet. Më poshtë po ju rendisim një sërë bimësh që janë të dëmshme për shëndetin e maceve tuaja. Sapo ndonjëra prej tyre të bjerë në kontakt ose të ushqehet me to, duhet menjëherë ta çoni te veterineri. Kujdesi më i madh ndër të tjera duhet treguar te zambakët, pasi në disa raste ushqimi me to ka shkaktuar edhe vdekjen e tyre. Bimët e dëmshme për macet janë: aloe vera, aglaonema, asparagus fern, tiger lily, autumn crocus, amaryllis, iris, tulip, narcissus, cyclamen, gladiola.
Si të parandaloni macen të urinojë kudo
Në rastin kur keni një ose më shumë mace, ju e dini mirë tashmë se ato kanë një zakon të keq: urinojnë kudo për të shënjuar territorin e tyre. Për të parandaluar këtë, hidhni një sasi të vogël piperi në vendin e saktë ku ju nuk dëshironi të shihni urinë maceje. Pastaj përpiquni ta mësoni macen që të jetë e pastër, mësojeni të urinojë në vendin e posaçëm.
Gazeta Shqip


Leave a Reply