LEDIA LLESHI
Historia shekullore e xhamive, ku dhe sot falen me mijëra besimtarë
ELBASAN – Dikur, pa frikë Elbasani mund të quhej qyteti i poetëve dhe minareve. Rreth 100 minare lartonin në këtë qytet. Vetëm pak prej tyre i kanë mbijetuar shekujve.
Xhamitë janë objekte kulti të besimit mysliman, të ndërtuara në Elbasan në fazën e parë të pushtimit turk. Nisur nga koha dhe vendi ku janë ndërtuar disa prej tyre, kanë vlera të veçanta fetare dhe historike, dhe për këtë arsye janë shpallur monumente të kulturës.
Pas dyndjes së turqve në trojet shqiptare, për shkak të pozitës së favorshme gjeografike, Porta e Lartë e ka konsideruar gjithmonë si pikë strategjike Elbasanin, qytet nga i cili merrnin zanafillën të gjitha ekspeditat luftarake.
Për të siguruar ushtrinë, fillimisht turqit rindërtuan kalanë, një kala e tipit fushor më e madhja e këtij lloji në Ballkan. Më pas nisi ndërtimi i xhamive, që ishin objekte simbol të kultit fetar islam.
Ndërtimet mesjetare
Sipas traditës islame, xhamia duhej të ishte ndërtesa kryesore, rreth së cilës formohej bërthama e qytetit, apo e fshatit e përbërë nga objekte publike dhe private me rëndësi për komunitetin.
Xhamitë e trashëguara në Elbasan janë dy llojesh.
Faltore të vogla të ndërtuara me tavan e çati druri, që përbëjnë numrin më të madh të xhamive, dhe xhamitë sulltanore me kupolë, me vlera arkitekturore, ku salla e lutjeve mbulohet nga një, ose disa kupola masive me bazë të rrumbullakët, ose shumëkëndëshe.
Në thelb, të dy tipet kanë të njëjtën skemë kompozimi të përbërë nga salla e lutjeve, hajati dhe minareja.
Në xhamitë e zakonshme salla e lutjeve është një hapësirë katërkëndëshe me çati në formë piramide dhe me tavan që mbështetet rigorozisht në katër mure.
Në xhamitë sulltanore salla gjithmonë ka qenë një imitim i xhamisë së Shën Sofisë së Stambollit. Kupola vishesh me fletë plumbi që të dallohej larg e të ngjallte një interes të veçantë ndër besimtarë.
Në Elbasan janë ndërtuar vetëm 3 xhami të tipit sulltanor me kupolë. Ato janë Xhamia e Nazireshës e ndërtuar para vitit 1599, Xhamia e Ballies e ndërtuar në vitet 1605-1606 dhe xhamia e Aga Biçakçi Zadesë. Dy të fundit nuk ekzistojnë më, ndërsa xhamia e Nazireshës është shpallur monument kulture përfaqësuese e historisë së arkitekturës mesjetare shqiptare.
Në vitet 1822-1823, një xhami e tillë u ndërtua në qendër të qytetit të Peqinit dhe ruhet në gjendje shumë të mirë dhe në ditët e sotme.
Xhamitë e famshme
Disa prej tyre lidhen me emrin e familjes së madhe çifligare shqiptare të Biçakçinjëve që zë fill që në shekullin e XV. Biçakçinjtë kanë dhënë një kontribut madhor në Perandorinë Osmane dhe qytetin e lindjes duke fituar tituj, ofiqe e grada të larta për kohën.
Sedefqar Mehmet Aga Biçakçiu (1570-1622) ishte kryearkitekti më i shquar i Perandorisë Osmane, ndërtues i xhamisë Blu në Stamboll, njërës prej kryeveprave të kulturës botërore.
Sipas Evlija Çelebiut, Sedefqar Mehmet Aga ishte autor i disa veprave të bamirësisë në Elbasan, ku nuk përjashtohet edhe ndërtimi i xhamive, objekte që kishin një rëndësi të jashtëzakonshme për kohën.
Sipas të dhënave të dokumentuara në shekullin XVI, në qytetin Elbasan numëroheshin 46 xhami. Xhamitë qëndronin pranë njëra-tjetrës në qendër të qytetit, duke formuar një ansambël të vërtetë minaresh.
Në vitet 1600-1650, Elbasani rezulton të jetë një ndër qytetet më të zhvilluara dhe të qytetëruara të kohës. Për shkak të zhvillimit kulturor në këtë kohë autorët e huaj e cilësojnë qytetin si “nusja e Shqipërisë”, “shtëpia e poetëve” etj.
Xhami të tjera
Ndër xhamitë monumentale të Elbasanit përmenden edhe Xhamia e vjetër e Fatihut. Ndodhej diku afër portës së Kalasë. Sot nuk gjenden gjurmë të saj.
Xhamia e Gazit të Sinanit. Njihej ndryshe edhe si “xhamia e poetëve” për shkak se në të gjithë muret e saj ishin shkruar vjersha, lëvdata e fjalë profetike nga poetët dhe udhëtarët që vinin nga të katër annët e Perandorisë.
Sipas Çelebiut, në muret e saj kishte aq shumë mbishkrime sa mund të formohej një vëllim me 1500 faqe. Mendohet se ka lidhje me Sinan Pashë Biçakçiun, i cili jetoi në vitet 1506-1596. Sinan Pasha ishte ushtarak dhe pushtetar i lartë. Ka qenë oficer pallati në kohën e Sulltan Sulejmanit, guvernator në Gaza e Tripoli. Merr titullin Gazi (hero) më 1564 me pushtimin e Jemenit, më pas komandant flote, kryekomandant i ushtrisë në luftën kundër Persisë, 1580. Kryevezir më 1582 dhe guvernator i Damaskut më 1568. Ka drejtuar ekspedita kundër Hungarisë dhe Serbisë. Mendohet se ka financuar ndërtimin e xhamisë, që njihet me emrin xhamia e Gazit.
Pas kësaj periudhe, përmenden edhe xhamia e Lepurit, xhamia e Sinan Beut, xhamia e Tabakëve, xhamia e Beqarëve dhe 20 medrese. Sipas kronikanëve, xhamitë e Elbasanit zotëronin një cilësi të tillë ku të gjitha minaret ishin në harmoni mes tyre në të njëjtën lartësi.
Xhamitë kanë qenë ndërtuar në qendër të qytetit. Edhe në fshatra si në Fushë Buall dhe Godolesh ekzistojnë gjurmë të xhamive shekullore.
Flet Myftiu Agim Duka
“Xhamitë monumentale janë lënë në harresë”
ELBASAN – Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, shprehet se xhamitë monumentale të Elbasanit rrezikojnë të shfarosen, pasi prej vitesh ndaj tyre nuk tregohet asnjë interes. Madje xhamitë shekullore si ajo e Nazireshës dhe xhamisë Mbret, rrezikojnë të shemben dhe pasojat do të jenë tepër tragjike për besimtarët që i frekuentojnë rregullisht.
Myftiu thekson se Drejtoria e Monumenteve të Kulturës jo vetëm që nuk bën asgjë për riparimin e objekteve të kultit, që kanë fituar statusin e monumenteve, por edhe pengon Myftininë që të kryejë rikonstruksione me fondet e saj. Sipas tij, xhamia e Nazireshës dhe xhamia Mbret kanë nevojë për ndërhyrje emergjente.
Problem tjetër mbetet fakti se me shembjen e xhamive në sistemin totalitar, komunitetit mysliman në Elbasan nuk i janë kthyer në pronësi trualli i të paktën 36 xhamive, që ndodhen të dokumentuara.
Sipas të dhënave që disponon Myftinia sot, në rrethin Elbasan figurojnë 52 xhami, nga të cilat 47 janë funksionale, por gjithashtu largimi i shumë fondacioneve arabë ka bërë që ato të pësojnë dëmtime dhe të kërkojnë mirëmbajtje.
Xhamia Mbret
Konsiderohet si objekt kulti simbol edhe për myslimanët sot në Elbasan. Nuk ka të dhëna të sakta lidhur me vitin e ndërtimit të saj. Për kohën vinte e dyta në radhë pas xhamisë së ndërtuar nga Sulltan Mehmeti i Dytë, në vitin 1464, kur u rindërtua Kalaja e Elbasanit. Sipas të dhënave krahasuese, xhamia Mbret është ndërtuar në fund të shekullit XV. Ajo ndodhet në distancë të afërt me Portën e Kalasë. Nga pikëpamja stilistike, xhamia Mbret përfaqëson tipin e faltores me sallë të mbuluar me çati druri dhe me hajat përpara. Është xhamia që aktualisht frekuentohet më shumë në qytetin Elbasan.
Xhamia e Nazireshës
Mendohet të jetë ndërtuar në fillim të shekullit XVI. Sipas një mbishkrimi të shkruar me bojë në murin fundor të mafilit, lexohet data 1599. Xhamia e Nazireshës u ndërtua nga një funksionar i lartë perandorak, i cili i vuri asaj emrin e gruas së tij. Në të njëjtën kohë është ndërtuar edhe xhamia e Ballijes, i cili ishte vëllai i Nazireshës. Xhamia e Nazireshës përbën monumentin fetar tipik të arkitekturës mesjetare shqiptare. Është xhami e llojit sulltanor me minare e kupolë. Ndodhet në anë të unazës jugore të Elbasanit. Mendohet se dikur këtu ka qenë qendra e qytetit. Xhamia e Nazireshës ruan formën origjinale të sallës së faljes.
Xhamia e Ballijes
Xhamia e Ballijes ose e cilësuar si “Xhamia Blu e Elbasanit” është ndërtuar pas xhamisë së Nazireshës. Studiuesit mendojnë se ajo është ndërtuar në fillim të shekullit XVII në kohën kur në Perandori kishte shkëlqyer si kryearkitekt Sedefqar Mehmet Aga Biçakçiu. Xhamia e Ballijes është vizituar nga Evlija Çelebiu. Sipas Çelebiut, xhamia e Ballijes është ndërtuar në vitin 1017, të hixhretit (17 prill 1608 deri më 6 prill 1609) dhe është vendosur në qendër të qytetit. Ndërtuesi kishte shkruar për këtë xhami. ”Për hir të Perëndisë Hasan Balliu ndërtoi këtë shtëpi të Zotit, e cila shembëllen me parajsën”.
Xhamia e Agait
Plani rregullues i Elbasanit e përjashtoi atë nga monumentet e kulturës, ndonëse kishte vlera të veçanta arkitekturore pasi ekzistenca e saj kishte lidhje me emrat e arkitektëve të mëdhenj shqiptarë të kohës. Xhamia mendohet se ka qenë e projektuar nga Sedefqar Mehmet Aga Biçakçiu dhe u ndërtua disa vite më vonë. Sipas Çelebiut, xhamia është më e re se ajo e Ballijes dhe se kishte një minare shumë të bukur. Ka mendime se kjo xhami është ndërtuar në vitin 1640. Xhamia e Agait ka ekzistuar pranë vendit ku sot ndodhet Albtelekom dhe Banka Amerikane.
Burimi – Nga Arkivi



Leave a Reply