
Në Kosovë sot mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare që vlerësohen si një sprovë për aspiratat integruese të vendit
Besim Abazi
Kosova voton sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Rreth një milion e 800 mijë qytetarë me të drejtë vote do të mund të zgjedhin ndërmjet 30 subjekteve politike të regjistruara që me mbi 1 mijë e 200 kandidatë synojnë të sigurojnë përfaqësim në parlamentin 120 vendesh të Kosovës. Nga ora 7 e mëngjesit për 12 orë do të jenë të hapura rreth 800 qendra votimi me rreth 2 mijë e 400 vendvotime në 38 komuna të Kosovës.
Autoritetet thonë se janë bërë përgatitje të mira për të siguruar mbarëvajtjen e procesit dhe mbrojtjen e votës së qytetarëve të Kosovës, të cilët janë përballur me një proces të parregullt në zgjedhjet e vitit 2010. Rreth 100 prokurorë do të jenë në terren gjatë tërë ditës për të ndjekur çdo parregullsi, ndërsa për sigurinë do të kujdesen policia e Kosovës, ajo e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s
Thirrjeve për një proces të qetë e të lirë u janë bashkuar edhe autoritetet vendase e ndërkombëtare që vlerësojnë se zgjedhjet e sotme do të jenë udhërrëfyes edhe për të ardhmen evropiane të Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar mbi 30 mijë vëzhgues, përfshirë ata vendës e ndërkombëtarë në mesin e të cilëve edhe ata të misionit të posaçëm të Bashkimit Evropian si dhe vëzhguesit e angazhuar nga ambasadat e vendeve euro perëndimore.
Zgjedhjet e parakohshme pasuan vendimin e parlamentit për t’u shpërndarë në fillim të muajit maj, pas dështimit për të siguruar shumicën e votave për miratimin e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.
Zgjedhjet e sotme shihen si një sprovë për synimet e shtetit të ri për të përparuar drejt integrimeve evropiane por edhe e zotimeve të partive politike për të ndryshuar gjendjen aktuale në vendin më të varfër dhe më të izoluar të Evropës. Kosova ka një shkallë të lartë të papunësisë dhe është vendi i vetëm i Evropës Juglindore, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.
Votimet e sotme shihen edhe si sprovë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nëpërmjet të cilave synohet zgjidhja e situatës në veriun e Kosovës të banuar më shumicë serbe.
Pjesëmarrja e pjesëtarëve të komunitetit serb në veri në këto zgjedhje, shënon herën e parë të votimit në zgjedhjet e përgjithshme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Pesë parti politike serbe janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, pjesëmarrje e mbështetur edhe nga Beogradi pavarësisht qëndrimit të tij kundër pavarësisë së Kosovës. Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë do të ndihmojë procesin e zgjedhjeve në komunat veriore ku ende refuzohet pranimi i institucioneve të Prishtinës dhe ku vazhdojnë pakënaqësitë me dukjen e fletëvotimeve ku janë vendosur edhe shenjat e shtetësisë së Kosovës.
Kushdo që do të jetë fitues i zgjedhjeve të sotme, do të përballet edhe me sfidën e punës së gjykatës së posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës. Pretendimet u ngritën në vitin 2010 nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dikc Marty. Themelimi i gjykatës u miratua nga Parlamenti i Kosovës në fund të muajit prill, ndërsa pjesa e dytë e këtij muaji mund të jetë periudhë shpalosjes së të gjeturave të hetuesve të një grupi punues që drejtohet nga prokurori amerikan Clint Wlliamson.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply