•Arben Gjoka 47 vjeç është prangosur nën akuzën e tentativës së vrasjes nga Policia e Durrësit
•Tentoi të vriste gruan me thikë pas mesnate . 27-vjeçarja për të shpëtuar zbret nga tubat e shkarkimit të pallatit, humbet ekuilibrin duke rënë në trotuar
Nikoleta Kovaçi
Tjetër rast dhune në familje që për pak sa nuk solli një tjetër tragjedi që do të konsiderohej si vetëvrasje. Një grua, duke dashur t’i shmanget dhunës së bashkëshortit, ka dalë nga ballkoni i apartamentit të saj dhe ka tentuar të zbresë nëpër tubat e shkarkimit të ujit. Mësohet se ka mundur të zbresë deri në afërsi të katit të dytë dhe më pas ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar, duke rënë në tokë pa ndjenja. Banorë të tjerë të pallatit kanë lajmëruar menjëherë policinë dhe ambulancën e për pasojë është bërë e mundur edhe shpëtimi i jetës së gruas, e cila mësohet se vijon të jetë në gjendje kritike për jetën në spital. Ndërsa bashkëshorti i saj ka rrëfyer ngjarjen si një tentativë e saj për vetëvrasje, por kanë qenë fqinjët që kanë dëshmuar tjetër të vërtet mbi historinë e rëndë që ka ndodhur në minutat e para të ditës së djeshme. Policia e ka vënë në pranga bashkëshortin e saj nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa ajo ka mundur të rrëfejë gjithë kalvarin e vuajtjeve në jetën bashkëshortore me burrin 20 vite më të madh se veten. Janë prindër të një fëmijë të mitur, vetëm 7 vjeç, i cili tashmë ka mbetur në mes të katër rrugëve; me një nënë në spital dhe me një baba në pranga.
Ngjarja sipas policisë Një burrë është vënë në pranga paraditen e djeshme pasi është vënë nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. Të paktën ky është versioni i parë që vjen nga policia e Durrësit, duke e klasifikuar ngjarjen fillimisht si tentativë për vrasje të bashkëshortes, pasi gjithçka që ka të bëjë me hetimin do t’i kalojë për kompetencë prokurorisë, ndërsa urdhri i arrestit ndaj tij është dhënë menjëherë pas marrjes së informacioneve të para. I prangosuri quhet Arben Gjoka dhe është 47 vjeç, banues në Durrës dhe baba i një fëmije. Arrestimi i tij ka ndodhur vetëm pak çaste pasi fqinjët e tij kanë lajmëruar policinë se në lagjen nr. 17 të qytetit A. Gjoka 27 vjeç është rrëzuar duke i ikur dhunës së burrit dhe frikës që ai do ta godiste me thikë. Gruaja mësohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka marrë dëmtime serioze në pjesën e legenit dhe të gjymtyrëve, ndërsa Arben Gjoka, ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë ushtruar dhunë ndaj saj e aq më tepër në momentin që është hedhur nga ballkoni. Referuar të dhënave të policisë bëhet me dije se ai i ka treguar policisë version krejt tjetër në lidhje me ngjarjen, por pavarësisht këtyre deklarimeve ai është prangosur dhe tashmë do të përballet me akuzën e rëndë të vrasjes së mbetur në tentativë. Burri mësohet se ushtronte dhunë prej shumë kohësh mbi gruan, e cila ia ka treguar policisë se gjithçka kishte të bënte vetëm me xhelozinë. Sipas burimeve policore bëhet me dije se mbrëmjen e së hënës mes çiftit ka nisur grindja ndërkohë që burri ka ushtruar fillimisht dhunë fizike mbi të. Më pas, sipas të dhënave, ai ka shkuar në kuzhinë dhe ka marrë thikën për ta goditur. Në këtë moment gruaja ka mundur të dalë në ballkonin e shtëpisë dhe ka mundur të zbresë nëpërmjet tubit shkarkues të ujërave që mbledh ballkoni. 27-vjeçarja ka mundur të ulet duke u mbajtur për tubin deri afër katit të dytë, por aty iu kanë shkëputur duart dhe ka rënë në tokë.
Dëshmia e gruas për policinë
Policia e Durrësit me të mbërritur në vendin e ngjarjes ka marrë rrëfimet e para, prej të cilave edhe dëshminë e bashkëshortit të së dëmtuarës, i cili ka tentuar ta shesë aktin e saj si tentativë vetëvrasjeje. Në fakt, fqinjët kanë dëshmuar se kanë dëgjuar zhurmë në apartamentin e tyre. Pas marrjes së të dhënave të para, policia ka mbërritur në spital dhe ka mundur të shkëpusë edhe një pjesë dëshmie nga gruaja, e cila edhe pse në gjendje të rëndë shëndetësore ka saktësuar se në fakt, ka tentuar t`i shpëtojë bashkëshortit të saj i cili ka tentuar ta godiste me thikë. Një burim i tha gazetës së: “ishte vetë e dëmtuara që tregoi gjithçka kishte ndodhur prej vitesh mes çiftit. Mbrëmjen e së hënës ato ishin konfliktuar si thuajse gjithmonë dhe se në momentin që gruaja ka vendosur të dalë nga ballkoni, dyshohet se bashkëshorti ka qenë duke e ndjekur me thikë.
Ajo tregoi se ai e dhunonte vazhdimisht pasi ishte xheloz”. Gruaja bëhet me dije se i ka thënë policisë se burri pasi kishte ushtruar dhunë barbare mbi të kishte kaluar nga dhoma e gjumit në kuzhinë për të marrë thikën. Duke patur frikë se nuk do ia arrinte dot të shpëtonte agresorit të tij për të dalë nga dera e apartamentit, ajo i ka thënë policisë se kishte vendosur të dilte nga ballkoni, çka nuk ia ka arritur dot duke u rrëzuar më pas dhe duke rënë në trotuarin pas pallatit. Referuar të dhënave të policisë mësohet se gruaja nuk kishte kryer asnjëherë denoncim në lidhje me dhunën që ushtronte Arbeni ndaj saj dhe në shpjegimet që ajo kishte dhënë para policisë ka pretenduar se gjithçka e kishte bërë vetëm për hir të djalit të tyre 7 vjeç, me idenë që burri do të përmirësohej dhe do të hiqte dorë ndonjëherë nga dhuna për shkak të xhelozisë.
Vrasja e 26- vjeçares, që u transmetua si vetëvrasje
Vetëm pak ditë më parë në periferi të Tiranës, ndodh një tjetër histori e rëndë kriminale. Një nënë e re gjendet e pajetë në dhomën bashkëshortore. Vdekja i kishte ardhur nga një plumb në zemër, ndërsa familjarët e burrit i thanë policisë se gruaja ishte vetëvrarë. Ashtu e besoi edhe policia dhe madje edhe familjarët e të resë, por pas dy ditësh nga krimi i rëndë, është i biri i saj i cili hedh dritë mbi ngjarjen e vërtet duke bërë me dije se nënën e tij e kishte vrarë babai.
Policia e arrestoi Agron Fjollën nën akuzën e mbajtjes pa leje të armëve, po vetëm kaq, ndërsa familjarët e viktimës lëshuan edhe akuzën se vajza e tyre Ana nuk ishte vetëvrarë po ishte vrarë nga bashkëshorti i saj dhe krimi ishte fshehur nga nëna e tij dhe nga njerëzit e tjerë të familjes. Tashmë prokuroria ka nisur hetimet për atë ngjarje, ndonëse në gjykatën e shkallës së parë, Agron Fjolla është lënë në burg vetëm për armëmbajtje pa leje.
Shekulli


Leave a Reply