![]()
Katya Foreman, BBC
Veshja e shkurtër u shfaq në vitet 1960 si simbol i një kulture rinore rebele dhe vijon të rezistojë deri në ditët tona. Ajo është bërë një ikonë e stilit dhe e modës, shpikjen e së cilës e pretendojnë shumë dizajnë
Mes shumë revolucioneve të viteve ’60, të njohura si vitet e tronditjeve, nga “The Beatles” te njeriu i parë në Hënë, minifundi mbetet ikona më jetëgjatë. Ndërsa opinionet janë të ndryshme se cili ishte shpikësi i veshjes së shkurtër dhe Mary Quant, André Courrèges, John Bates e Jean Varon janë pretendentët kryesorë, në Londër – vendi nga ku u nis minifundi – ishte dizajnia Quant, forca udhëheqëse pas modës së viteve ’60.
![]()
Duke njohur këtë trashëgimi, një minifund nga Quant, i quajtur “zhveshja e bananes” – u vulos në njërën prej pullave të serisë së dizajnit klasik të Postës Mbretërore Britanike në vitin 2009, për të përkujtuar një shekull dizajni britanik. Te pullat e tjera gjendej avioni i famshëm luftarak “Spitfire”, avioni civil “Concorde”, kabina e kuqe telefonike dhe harta e trenave të nëndheshëm të Londrës.
![]()
“Minifundi ishte një fenomen i jashtëzakonshëm dhe pati ndikim shumë të madh, për shkak se qe pjesë e kulturës rinore që po fillonte në vitet 1960. Ishte një shprehje e asaj kulture, si edhe e fillimeve të lëvizjes për çlirim seksual, që pasoi shpikjen e pilulës kundër shtatzënisë së padëshirueshme. Ky ishte një lloj momenti historik”, thotë Valerie Still (Valerie Steele), drejtoreshë dhe mbarështuese në “The Museum”. “Ti ke diçka nga kultura rinore dhe një fustan të shkurtër edhe në vitet 1920… gratë në vitet ’20 shiheshin si më shumë të çliruara seksualisht sesa paraardhëset e tyre, gjë që më së shumti nënkuptonte se ato ndiheshin më të lira të shkonin në takime zemre pa mbikëqyrjen e familjeve, të zgjidhnin burrin e tyre të ardhshëm, të puthnin shumë burra para se të martoheshin dhe ndonjë rast të rrallë të fërkoheshin. Por ato qenë sërish të kërcënuara nga ajo që ka qenë gjithmonë rreziku i lirisë seksuale të femrës – pra rreziku i të mbeturit shtatzënë.”
![]()
Quant, e cila kishte dyqanin e famshëm të veshjeve në rrugën “King” (bashkëthemeluar me bashkëshortin e saj, Aleksandër [Alexander] Plunket Grin [Greene] dhe Arki Mekneir [Archie McNair]), filloi të merrej me minit – deri në atë kohë të përdorshme vetëm nga gratë sportiste – më 1966-n, por ajo pati eksperimentuar me të që kur ishte e re, kur tërhiqte lart fustanin e saj të uniformës së shkollës “për t’u ndier më joshëse”. Muza frymëzuese e Quant ishte një kërcimtare, ndaj së cilës e përgjonte në kohën kur ajo merrte leksione baleti. “Gjatë një leksioni baleti, unë mund të dëgjoja muzikë eksituese që vinte nga dera ngjitur, dhe kur u ngrita për të parë nga dritarja sipër derës, pashë kërcimin tap (tap-dancing), dhe në mes të dhomës, një çift vajzash disa vite më të mëdha se unë po kërcenin. Kjo më krijoi vizionin e asaj që unë desha të bëhem”, tha Quant për “The Week”.
![]()
“Ajo kishte veshur fustan të shkurtër rreth 25 centimetra me pala, një bluzë të ngushtë të zezë, si dhe kishte prerje flokësh të mesme (bob). Ajo që më goditi ishte se si e gjithë paraqitja e saj jepte përqendrim tek ajo që kishte te këmbët e saj: një palë çorape të gjata të bardha dhe një palë këpucë gjysma me rripa mbi kavilje… nga ajo ditë unë u bllokova nga ky vizion i ëmbël i këmbëve dhe nyjave.”
Quant, e cila u bë 80 vjeç në shkurt, i dha emrin minifundit sipas emrit të makinës së saj të parapëlqyer, Mini Cooper. “Makina mini shkonte ekzaktësisht me minifundin; ajo bënte gjithçka që dëshiroje, dukej shumë mirë, optimiste, e harbuar, e re, flirtuese, qe ekzaktësisht siç duhej”, tha Quant në dokumentarin “Mary Quant, Mini Cooper, Miniskirt”.
Minifundet prej kokete të Quant kishin një miks mesazhesh për vajza të pafajshme gojëmbyllura dhe njëkohësisht sjellje lozonjare. Këto mesazhe qenë një grusht rebel për gjeneratën e shtypur të pasluftës, e cila ishte rritur me dizajnë praktikë aspak ngacmues. Me një linjë shumë të shkurtër – të cilat në atë kohë visheshin me çizme të gjata deri në gjunjë dhe bluze të ngushta me ngjyra të nxehta – ato sollën një sfidë për shoqërinë dhe tronditën vlerat konservatore. “Burra biznesi në moshë të mesme shpesh dilnin nga dritaret dhe bërtisnin ‘është e turpshme, është neveritëse’. E jashtëzakonshme apo jo!” -deklaroi Quant në një intervistë për revistën “Vogue” të Britanisë. Mes refuzuesve të saj ishte edhe Coco Chanel, e cila e hodhi poshtë minifundin si “thjesht të tmerrshëm”.
![]()
“Ti kishe një sjellje gjithnjë e më konservatore që nga vitet 1930 deri në pjesën më të madhe të viteve 1950 dhe kultura e viteve 1960 e theu në mënyrë dramatike atë – megjithëse rrënjët i kishte në kulturën rinore të viteve 1500, fillimin e rritjes së rokenrollit dhe idesë së delinkuencës e të stilit të vajzave të shkollave të përziera gjinore, por në të vërtetë filloi të lulëzojë në vitet 1960”, vëren Valeri Still.
Për Quant, qenë vajzat në rrugë ato që shpikën minifundin. Klientet e saj kërkonin që ajo të bënte mini gjithnjë e më të shkurtra. “E gjitha filloi në Çelsi. Aty ishte kjo lloj ndjesie; rregullat qenë bërë për t’u shkelur”, tha dizajnia për “Sunday Mirror”. Para viteve 1960, vajzat e reja pritej të visheshin si nënat e tyre, ndërsa pas kësaj çështja u bë se si të rejat të dukeshin të reja. Papritur, moda, me të gjithë goditjen e saj me ngjyrat krejole (në kontrast të plotë me të verdhat dhe kafetë pa shkëlqim që përdoreshin në Britaninë e pasluftës), u bë një fushë loje me kujdesjen për fytyrën që udhëhoqi lëvizjen.
Modelet e reja të pamjes dhe të flokëve, të shoqëruara me këmbë të zhveshura, krijuan një thyerje nga modelet elegante të vajzave debutante të viteve 1950.
Bota ka një teori ekonomike, indeksi i vijës së kofshës, i cili sugjeron se centimetrat e gjatësisë së fundeve dhe minifundeve janë në varësi të ecurisë së ekonomisë. Minifundi kapi bumin ekonomik të Londrës të viteve 1960. Dhe, duke lundruar në vorbullën e “The Beatles” dhe “The Rolling Stones”, që u bënë mani botërore, kërkesa për funde gjithnjë e më të shkurtra filloi të rritej me shpejtësi. Duke çimentuar këtë tendencë, Xheki Kenedi (Jackie Kennedy) zgjodhi një fustan të shkurtër të bardhë për martesën e saj me Aristotle Onassis në vitin 1968.
Megjithëse popullariteti i minifundit u mjegullua shpejt nga silueta e re hipi e pantallonave të gjata në formën e kambanës (të ngushta te vithet dhe të gjera te këmbët), si dhe nga fustanet e gjera të lehta, minifundi vijoi të qëndrojë deri sa u bë pjesë e pandashme e çdo gardërobe, duke u rishfaqur me shije në vitet 1980.
Një limit moshe?
Duke mbledhur personalitete të ndryshme përgjatë viteve, bashkë me diskutimet mbi gjatësinë, materialin dhe aksesorët e ndryshëm që transmetonin ndjenja radikalisht të ndryshme, minifundi – më shumë se çdo lloj veshjeje tjetër – mbetet simbol i rinisë. Gratë janë kufizuar nga limitet moshore të imponuara nga shoqëria dhe veçanërisht në lidhje me kohët e bukura të udhëhequra nga trupat e të famshmeve, shumë gjykime janë hedhur mbi përshtatshmërinë moshore të minifundit. Sipas një studimi të kryer nga një rrjet qendrash tregtare, gratë sot janë të lumtura të veshin minifunde deri në moshën 40 vjeç, ndërsa në vitet 1980 raportohej se gratë nuk blinin më mini pas moshës 33 vjeç.
“Nëse kjo tendencë vijon, nuk ka dyshim se brenda dekadës së ardhshme, gratë në moshën 40 apo 50 vjeç do të shihen si të përshtatshme për minifundin”, thuhet në raport.
Por, mendime të tilla demokratike, mbeten shumë dritëshkurtra. Në shumë vende afrikane, minifundi është i ndaluar dhe as nuk shfaqet fare në rrugë. Dhe vonë në vitin 2010, kryebashkiaku i një qendre turistike në Itali, Kastelamare di Stabia, lëshoi urdhër për policët për të gjobitur vajzat me minifunde “tepër të shkurtra”.
Sipas “Guardian”, në shkurt të këtij viti, rreth 200 gra dolën në rrugët e kryeqytetit të Ugandës për të protestuar kundër një ligji antipornografi – i njohur më së shumti si “ligji kundër minifundit” – i cili i ndalon gratë të zbulojnë kofshët, gjoksin dhe vithet dhe nga veshjet që konsiderohen eksplicite seksualisht.
Pesëdhjetë vjet pas shpikjes, kjo veshje ka ende shumë barriera për të thyer. “Me ngritjen e të gjitha llojeve të fondamentalizmave fetarë në botën e sotme, ne kemi parë një luftë kundër grave dhe çlirimit seksual, veçanërisht në lidhje me çlirimin e gejve… në njërën anë ne jemi mësuar të mësojmë diversitet në vendet Perëndimore, por nëse mendojmë në shkallë botërore, ne pak a shumë jemi kthyer djathtas dhe po shohim shumë kultura që po godasin gratë për veshjet”, thotë Still. Megjithëse faktori tronditës i minifundit është një gjë e së shkuarës në shumë qytete perëndimore, si dhe qytete të tilla si Tokio, e Shangai në Lindje, “në pjesën më të madhe të botës, përfundimisht do të ngurroja të vishja një minifund”, shton ai. “Nëse sheh përpara te një e ardhme shumë më e lirë dhe pas te një e shkuar shumë më e kufizuar, atëherë minifundi është një lloj simboli i së ardhmes.”
Legjenda
Indeksi i vijës së kofshës
Në vitin 1926, një profesor amerikan me emrin Xhorxh Tejlor (George Taylor), krijoi teorinë e indeksit hemline, (vija mbi gju apo vija mbi kofshë), në të cilën argumentonte se ecuria e çmimeve të aksioneve në bursë i paraprin dhe shkakton ecurinë e asaj që konvencionalisht nga shoqëria konsiderohet si fund apo minifund me gjatësi të pranueshme. Pra, sipas logjikës së tij, kur çmimet e aksioneve në bursë rriten, fundet bëhen më të shkurtra dhe anasjelltas, kur ato ulen, fundet bëhen më të gjata. Kjo u konsiderua për shumë dekada si një legjendë, megjithëse është e logjikshme se në një kohë të vështirë lufte, fjala vjen, njerëzit, qofshin burra apo gra, janë më të kujdesshëm me veshjet.
Teoria bazohet në logjikën konvencionale, e cila sugjeron se në kohë të vështira ekonomike, gratë, të cilat tradicionalisht goditen më rëndë nga kriza, nuk e kanë të lehtë të vishen në mënyrë provokuese, ndërsa në kohëra më të lumtura, diçka e tillë është tërësisht e pranueshme. Në vitin 2010, një studim empirik nga shkolla ekonomike Erasmus në Roterdam të Holandës, doli në konkluzionin se kjo teori është e vërtetë. U analizuan të dhëna të disponueshme që nga viti 1921 mbi ekonominë dhe gjatësitë e fundeve apo minifundeve të prodhuara dhe rezultati ishte bindës. Përmirësimi ekonomik i paraprin me tre vjet shkurtimit të fundit apo minifundit të grave.
E pra, nëse duam të shohim nëse ka krizë vërdallë, ndoshta do të na mjaftojë të shohim sesa i gjatë është minifundi i vajzave.
Minifundi ishte një fenomen i jashtëzakonshëm dhe pati ndikim shumë të madh, për shkak se ishte pjesë e kulturës rinore që po fillonte në vitet 1960 dhe ishte një shprehje e asaj kulture, si dhe e fillimeve të lëvizjes për çlirim seksual
Megjithëse popullariteti i minifundit u mjegullua shpejt nga silueta e re hipi e pantallonave të gjata në formën e kambanës (si dhe nga fustanet e gjera të lehta), minifundi vijoi të qëndrojë deri sa u bë pjesë e pandashme e çdo gardërobe
Në shumë vende afrikane, minifundi është i ndaluar dhe as nuk shfaqet fare në rrugë. Dhe vonë në vitin 2010, kryebashkiaku i një qendre turistike në Itali, Kastelamare di Stabia, lëshoi urdhër për policët për të gjobitur vajzat me minifunde “tepër të shkurtra”
Për Quant, qenë vajzat në rrugë ato që shpikën minifundin. Klientet e saj kërkonin që ajo të bënte mini gjithnjë e më të shkurtra. “E gjitha filloi në Çelsi. Aty ishte kjo lloj ndjesie; rregullat qenë bërë për t’u shkelur,” tha dizajnia për “Sunday Mirror”
Gazeta Shqip


Leave a Reply