Nuk ka të mbaruar fluksi i marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë. Një tjetër rast trafiku lëndësh narkotike është regjistruar sot në Leçe dhe bëhet fjalë për 467 kilogramë kanabis sativa, e cila u gjet në plazh në lokalitetin “Le Cesine”. Bëhet fjalë për një superaksion të policisë italiane.
Falë edhe një telefonate anonime, forcat policore të Leçes, arritën të bllokojnë në një gomone të braktisur disa çanta me 432 kg marijuanë dhe 31.5 kg hashash.
Droga ishte e destinuar të shitej në rajonin e Puljias, kryesisht në lokalitetin e Leçes dhe të Barit.
Policia ka sekuestruar po ashtu edhe një gomone të gjatë 5 metra në gjendje shumë të keqe. Mjeti u gjet nga forcat e kapitenerisë së portit rreth 300 metra larg bregut, por policia nuk ka gjetur gjurmë të kontrabandistëve, pasi këta të fundit janë larguar para ardhjes së policisë.
Lënda, e cila sipas hetuesve e ka prejardhjen nga Shqipëria, kap vlerën e qindra mijëra eurove.
Gazeta Shqip



Leave a Reply