Vullnet Mato
Nuk jam muzikant,
por me çelësat e frymës sime,
akordoj telat e kitarave në zemra,
nga lindja në perëndim.
Kur dëgjoni kitarat që kumbojnë,
muzgjeve me purpurime,
notat e ëmbla të shtatë telave,
kanë brenda dridhmat e zërit tim.
Fryn një erë e rebeluar,
me klithmat vdekjeve të vajzërisë,
që këput egërsisht telat e kitarave,
të dashurive mbrëmjesore.
Ndërsa unë i zëvendësoj me tela fryme,
nga rënkimet e dhembshurisë,
duke i shtrënguar me çelësat e bardhë,
të dashurisë sime rinore.
Tani s’ka më priftërinj të sakrifikuar,
si te idili i Shën Valentinit,
por Ofeli e Zhulieta shqiptare,
me shtatë tela kitare brenda zemrave,
që vriten për një puthje,
në kulmin e magjishëm të ngazëllimit,
kur topuzi i daulleve fanatike,
godet me gjëmim, ndjenjat e femrave.
Përgjaken telat e kitarave
në perëndimin e vonë të kohës së vjetër,
kur jehojnë melodi të reja
me cicërime nga zogëzat e blerimit.
Se ndodh në strofkat e shpellave,
rizgjohen sërish arinjtë e verbër,
që duan të kthejnë vajet e lahutave,
nga nenet e patriarkut të Dukagjinit…
Turpi i turpeve, sepse dhe kanuni i tij,
shmangte gjakderdhjen femërore!
Ah… për ju, o shpirtkëputura fatkeqe,
unë kitara do akordoj përjetësisht!…
Derisa këngët e të gjitha zemrave,
të paralizojnë kthetrat gjakësore,
që puthjet e çiltra të kohës sonë,
të mos martirizohen mizorisht!…
Derguar nga z. Flori Bruqi
Leave a Reply