LUMË I ZEMËRUAR
Ti nuk e di se kur jemi të zemëruar,
e fjalet i groposim në një varr të heshtur,
unë shtrihem në krevat krejt e lënduar,
ndërsa shpirtit nis e bie një shi i dendur.
Vjen dhe ti, por kthehesh në anën tjetër,
dhe mëri më mban, megjithëse nuk kam faj,
unë nuk duroj, përdor atë trukun e vjetër,
të prek si padashje, me zemrën në vaj…
Sepse unë nuk rri dot e zemëruar,
mëria nuk më shkon dhe ti këtë e di,
ndaj, pas pak, ashtu si pa kuptuar,
si pa dashje nis e më prek edhe ti…
Frymën ta ndjej dhe frymëmarrjen shpejtoj,
përmes frymës ndjej të ngjallem përsëri,
me puthje mbi ty, me vrull lumi vërshoj,
e në ç’det derdhem nuk dua ta di.

KUR SHFAQESH TI
Ti shfaqesh në mbylljen e kapakëve
të syve të mi,
aty ku bota përhumbet.
Ti shtrihesh ngadalë si pa u ndjerë
mbi kordat e mia zanore,
aty ku akordohen psherëtima kënaqësie.
Ti duket sikur zbret prej lartësive,
etjen shuan buzëve të mia
dhe syrin i shkel puthjes së Canovës.
DROJTJE
Asnjëherë s’ta dhashë as prush, as zjarr,
Edhe kur të ndjeja që digjej në thellësi.
Unë zjarrin tim e fikja në mall
E flakët i mbysja si valë në gji.
Edhe kur të putha, ngjaja si një mur,
Me ndjenjat në frymë shtrënguar
E ngriva zemren e bëra si gur,
Se puthjet diku më mbetën të harruar.



Leave a Reply