![]()
Imponimi i një stili të caktuar qethjeje apo pamjeje të jashtme është një armë e përdorur nga shumë diktatura për të identifikuar besnikët dhe për të dhunuar disidentët përgjatë historisë së njerëzimit
Diktaturat
JAKE SCOBEY-THAL, Foreign Policy
Dëgjoni të rinj të paedukuar të Koresë së Veriut: revolucioni juaj i flokëve të gjatë përfundimisht është mbyllur.
Sipas radios “Azia e Lirë”, qeveria e Koresë së Veriut ka publikuar rregulla për të sanksionuar që të gjithë studentët universitarë meshkuj të vendit të kryejnë të njëjtën prerje flokësh si udhëheqësi suprem Kim Jong-un – një prerje e shkurtër në anët e kokës dhe një cullufe e çuditshme sipër. Dekreti raportohet se është shpallur në kryeqytetin Piiongiang, dy javë më parë dhe tashmë po zbatohet në të gjithë vendin.
Siç ndodh me shumicën e lajmeve nga Mbretëria Vetmitare, këto pretendime të fundit nga moda e Koresë së Veriut janë pa shumë burime. Lajmi mund të jetë edhe fals – vërtetësia e tij sakaq është vënë në pikëpyetje.
Por nëse është e vërtetë, kjo nuk do të jetë hera e parë që qeveria synon të imponojë kufizime në stilin e flokëve. Vitin e kaluar, qeveria miratoi 28 prerje flokësh të pranueshme, dhjetë për meshkujt dhe 18 për femrat – të cilat u paraqitën në foto të publikuara nga berberët e Piongiangut. Dhe më 2005-n, Koreja e Veriut nisi një kryqëzatë kundër flokëve të gjatë. Një fushatë mediatike deklaroi “le t’i presim flokët në përputhje me stilin socialist” dhe i nxiti meshkujt të ndjekin “kërkesat e epokës së parë ushtarake”. Flokët, shkroi “Minju Choson”, një e përditshme qeveritare, kanë një “çështje shumë të rëndësishme që tregojnë standardet kulturore të popullit, si dhe gjendjen e tyre mendore e morale”.
Në përmasat e depresionit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, Koreja e Veriut është unike; strategjia e aluduar për të për kontrollin shoqëror përmes modelit të flokëve nuk është unike. Në fakt, regjimet autoritare nëpër të gjithë botën përgjatë shekujve kanë imponuar vullnetin e tyre politik duke rregulluar mënyrën e qethjes së meshkujve.
Pasi Mançët pushtuan Kinën në vitin 1640, sundimtarët e rinj të perandorisë lëshuan një urdhër, duke i detyruar të gjithë meshkujt e rritur të rruajnë pjesën ballore të kokës dhe të lidhin pjesën e mbetur të flokëve gërshet. Ata që sfidonin rregullin dënoheshin me vdekje. Vendimi, shkruan ish-diplomati amerikan Eduard Ërl Rais (Edward Earl Rice) në librin e tij, “Rruga e Maos”, u rikujtoi “kinezëve nënshtrimin e tyre ndaj sundimit Mançu”.
Nga perspektiva e pushtuesit, “urdhri për të prerë flokët e dikujt apo për t’i prerë të gjithë kokën nuk është se thjesht i bëri sundimtarët dhe të sunduarit të kishin pamje fizike të ngjashme; ajo u dha sundimtarëve edhe një test perfekt besnikërie. Ky është interpretimi i historianit Frederik Uokeman (Frederic Wakeman) në librin e tij “Sipërmarrja e Madhe, mbi pushtimin mançurian të Kinës”.
Rreth kësaj kohe, në Rusi, Pjetri i Madh u përpoq të ndalojë mjekrat, të cilat shikoheshin si relike e pashpresë e së shkuarës së vendit. Me shpresë se do të modernizonte Rusinë, duke e afruar me Perëndimin, ai imponoi një taksë mbi mjekrën. Njerëzve që paguanin taksën u jepej një pllakë bakri, ku shkruhej: “Mjekra është një barrë e pavlefshme”.
Shumë shekuj më vonë, gjatë viteve 1970, diktatori shqiptar Enver Hoxha nuk pati nevojë të zbatonte mekanizma të tillë të tregut të lirë, por imponoi një ndalim me ligj të mjekrës.
Saparmurat Nijazov, ish-president i Turkmenistanit, e vulosi shtypjen e lirive personale kur doli në televizor në shkurt 2004 për të deklaruar se të gjithë të rinjtë nuk kanë më të drejtë të zgjasin flokët apo të mbajnë mjekër.
Në pjesë të tjera të botës, dekrete që qeverisin pamjen e jashtme shpesh janë lëshuar në emër të islamit. Pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit më 1996-n, ata u kërkuan të gjithë meshkujve të mbajnë mjekër në përputhje me interpretimin e ashpër të ligjit islamik sheriat. Më 2010-n, militantët islamikë në Somali urdhëruan burrat në kryeqytetin Mogadishu të mbajnë mjekrat të pakujdesura.
Klerikët iranianë imponuan markën e tyre të kufizimeve të motivuara me fe më 2010-n: stilet bishtkali dhe flokët e gjatë u ndaluan në favor të prerjeve të shkurtra të stilit ushtarak. “Stilet e propozuara janë të frymëzuara nga komplekset, kultura dhe religjioni, si dhe ligji islamik”, tha Jaled Khodajar, drejtor i Festivalit Iranian të Ferexhesë dhe Dëlirësisë. Xheli i flokëve u lejua, por vetëm në sasi modeste.
Pavarësisht religjionit, autoritarët nuk duket se kanë ndonjë dashuri të madhe për hipitë. Pas rrëzimit të qeverisë së zgjedhur në Greqi në një puç ushtarak më 1967-n, diktatori Georgios Papadopoulos ndaloi flokët e gjatë “dekadentë” për burrat dhe minifundet për gratë. Gjatë viteve 1970, Li Kuan Jeu i Singaporit u refuzoi hyrjen në vend disa të huajve, për shkak se flokët e tyre qenë tepër të gjatë. Të rinjtë pa një prerje të qartë të shkurtër, thotë Aleks Xhosej (Alex Josey) në librin e tij “Li Kuan Jeu: Vitet Thelbësore”, “nuk punësohen si ndihmës nëpër kurset e golfit”.
Pushteti: në disa raste ai rritet nga gërshërët e një berberi.
Gazeta Shqip






Leave a Reply