
“Më shumë rëndësi se ngritja e shtëpisë së pleqve ka aftësimi i personelit nga Kosova në entet e këtij lloji në Zvicër, për të përcjellë më tutje kompetencën e tyre të fituar profesionale”
Për banuesit e qendrës për përkujdesje të personave të moshuar me demencë “Doldertal” të Cyrihut, kjo është streha e fundit në jetën e tyre. Stacioni i ardhshëm është varri. Sado i zymtë që të duket ky përshkrim, qendra e përmendur në kodrën piktoreske të Cyrihut, Dolderberg, është një ndër më të avancuarat të këtij lloji në Zvicër. Për 28 banorët e saj kujdesen gjatë gjithë kohës 22 punëtorë. Shumica e punëtorëve janë të huaj, ndërsa së paku katër prej tyre janë shqiptarë.
Siç shpjegojnë Bernadette Meier, udhëheqëse e shërbimit të përkujdesjes dhe Fadil Kqiku, ish udhëheqës, kushtet në këtë qendër janë ideale për gjendjen në të cilën janë banorët. Ata kanë nevojë për përkujdesje të plotë tërëditore nga personeli, pasi që gjendja e tyre nuk u lejon të kujdesen për vete. Deri në 16 mijë franga në muaj kushton “pansioni” i plotë në këtë qendër. Në shumicën e rasteve paguajnë vetë banorët ose familjarët e në disa raste harxhimet i heq shteti.
Znj. Meier e drejton delegacionin kosovar me ministrin e diasporës, Ibrahim Makollin, kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin dhe konsullin e Kosovës në Cyrih, dr. Sali Sefën nëpër ambientet e shtëpisë. Lirisht mund të quhej “kopsht i pleqërisë” kjo shtëpi me oborr të bukur sikur banorët e saj të mos ishin shumica të pavetëdijshëm për realitetin që i rrethon. Ne parakalojmë pranë tyre dhe ata/ato na vështrojnë me shikime të zbrazëta, pa ditur se për çka bëhet fjalë.
Delegacioni nga Kosova merr përvoja nga kjo vizitë me shpresën se një ditë ato përvoja do të barten edhe në shtëpitë e pleqve në Kosovë, ku pothuajse nuk ka të tilla. Nevoja për funksionalizimin e një shtëpie të tillë në Mitrovicë, konsultimi me përvojat zvicerane, i ka sjellë në Cyrih kryetarin e Mitrovicës dhe ministrin e diasporës.
Takime të frytshme
“Ne në Mitrovicë e kemi një ndërtesë të ngritur para sa vitesh si shtëpi e pleqve por që shfrytëzohet për nevoja të tjera. Këtë ndërtesë që ka 22 dhoma, mendojmë ta funksionalizojmë. Mirëpo për këtë na nevojitet ndihma, edhe financiare por në radhë të parë ajo profesionale nga jashtë, gjegjësisht nga Zvicra”, thotë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ai thekson se gjatë takimeve që kanë pasur me drejtorin e qendrave të përkujdesjes të Cyrihut, dr. Meier dhe zëvendësin dr. Zaug, u është premtuar angazhim në disa drejtime.
“Së pari adaptimi i ndërtesës si shtëpi e pleqve e mandej sjellja në Zvicër e personelit për trajnim dhe kualifikim, janë opsionet që janë biseduar”, thotë Bahtiri për albinfo.ch. Ai nga ana e tij siguron se angazhimi i komunës në këtë drejtim nuk do të mungojë në asnjë moment.
Ndërsa për konsullin e Republikës së Kosovës në Cyrih, dr. Sali Sefa, takimet e zhvilluara të martën kanë qenë jashtëzakonisht të frytshme.
“Me iniciativën e ndërmarrë nga bashkatdhetari ynë, dr. Bahri Rexha dhe specialisti zviceran i gjeriatrisë, dr. Held, jam njoftuar para disa muajsh dhe e kam përkrahur atë fuqishëm. Nisma ka të bëjë me rregullimin e ndërtesës ekzistuese në Mitrovicë si shtëpi pleqsh por më shumë rëndësi se kjo, për mua ka aftësimi i personelit nga Kosova, në entet e këtij lloji në Zvicër, që parashihet në projekt”, thotë konsulli. Sot është arritur një hap shumë i rëndësishëm, shton ai, pasi që “drejtori i qendrave të Cyrihut për përkujdesje, premtoi se do të marrin një grup teknikësh medicinalë që të aftësohen nga gjashtë muaj deri një vit në Zvicër.
Së shpejti zgjidhen kandidatët që do të vijnë për t`u aftësuar në Zvicër
“U zotuan që brenda fatit sa më të shkurtë të bisedojnë me autoritetet qendrore të Zvicrës lidhur me ardhjen e njerëzve nga Kosova për tu aftësuar dhe lidhur me dhënien e vizave për ata që do të vijnë. Për konsullatën, që ka rolin e urës lidhëse në mes dy vendeve, mbetet detyrë që të ndihmojë në përgatitjen sa më shpejtë të grupit të parë të atyre që do të vijnë këtu. Ne jemi të interesuar që kandidatët e grupit të parë të jenë vërtet të zgjedhur mirë dhe të njohin gjuhën gjermane”, tha Dr. Sefa.
Në Kosovë, sipas tij janë mbi 6000 punëtorë shëndetësorë të papunë me shkollim të mesëm ndërsa vetëm në Mitrovicë janë 780 sish. Ndërkohë në Zvicër aktualisht ka nevojë për 25 mijë persona të këtij profili dhe ajo është në kërkim të tyre.
“Nëse ne e arrijmë marrëveshjen që e kemi synuar për aftësimin e personelit tonë shëndetësor në Zvicër, atëherë një pjesë e tyre mund të mbeten edhe këtu për të punuar. Po ashtu, duhet pasur parasysh edhe përfitimin që do të sjellë ky personel në Kosovë. Pasi që do të aftësohet vetë, ai do të bëjë edhe aftësimin e personelit tjetër të ri nga Kosova”, nënvizon Sefa.
Nga ana tjetër, në një fazë të dytë të planit, partnerët zviceranë parashohin edhe mundësinë që në Kosovë të ndërtohen shtëpi të pleqve edhe për pleqtë zviceranë, të cilët do të jenë të përkujdesur me standarde zvicerane por me çmime sigurisht shumë më të ulëta”, përfundon konsulli i Kosovës në Cyrih, Sali Sefa.
Ndërsa dr. Christoph Held, specialist i gjeriatrisë me përvoja shumëvjeçare në përkujdesjen e të moshuarve, tregon për albinfo.ch se miqtë e tij shqiptarë, kryesisht dr. Rexha, kanë pasur idenë që, duke u nisur nga përvojat në Zvicër, të bëjnë diçka në këtë drejtim edhe për Kosovë. “Me këtë synim, unë u jam bashkuar dhe tashmë disa herë kam qenë në Kosovë. Me shtyrjen në moshë të shoqërisë edhe në Kosovë po shtohen nevojat për përkujdesje të personave të moshuar, por, ndryshe nga Zvicra, në Kosovë pothuajse mungojnë fare strukturat për një gjë të tillë. Ne synojmë ngritjen e shtëpive pleqve atje sipas standardeve zvicerane. Në Kosovë do të ngriheshin institucione të tilla në radhë të parë për popullatën vendore, por nëse me kohë në to do të vijnë edhe zviceranë ose kosovarë që kanë jetuar në Zvicër, aq më mirë. Ne mund ta dërgojmë atje kompetencën nga Zvicra, kompetencë e cila do të përcillet edhe më tutje nga ata që do të marrin mësimet prej nesh”, shprehet dr. Held. Ana financiare sigurisht paraqet problem por ne do të shikojmë të lidhemi me partnerë privatë, familjarë të të moshuarve dhe me autoritetet lokale në këtë drejtim. Kështu shpresojmë të ecim përpara me projektin. Ai nuk është një projekt që ka lindur diku në zyrat e Brukselit por ka lindur nga baza, te kosovarët që kanë punuar në këtë fushë në Zvicër”, përfundon dr. Held.
..
Blerim Shabani
albinfo.ch


Leave a Reply