
NE KETE PERVJETOR TE DITELINDJES TENDE
KE PLOT DHURATA MBI TAVOLINE 
E MIDIS TYRE KETE SHPORTE ME LULE
MIQTE NGA ALBA – DANSK TA KANE SJELLE !
NGA KRIJIMTARIA E POETES EDLIRA DOKO !
E-DLIRË…

Kur u linda unë ishte dimër
Dhe rënkonte ati im i bardhë,
Sytë qiellit, shihte vetëtimën:
-Katër vajza, pse s’më dhe një djalë..?
Qante nëna, se ndihej në faj,
Ndërsa unë, thithja racionin tim,
Bashkë me qumësht edhe lot’ i saj…
Dikush emrin ma vuri E-dlirë.!
Pas dy vjetësh, prapë lindi nëna,
Ndriçonte babai, lindi djalë,
Dhe vështonte qiellin, ku ish’ hëna,
Por mua më puthi gushë e ballë…
Pas tre vjet prapë edhe një tjetër,
Në buqetë dhe një trëndafil..
Dasëm bëri baba, tundi jetën,
I thosh nënës: i solli E-dlirë..!
Pse të dua kaq, o At’ i mire…!

KRENARIA E NËNËS
Ka ditë,
kur përmbi Vlorë,
bien pa pushim
petale trëndafilash,
në prehër i mbledh
Nëna e gjorë,
nën një kor me zëra bilbilash.
Lëvizin një çast
monumentet prej guri,
kur Nëna
u hedh petalet përmbi,
në sfondin e kaltër
valëvitet Flamuri
me ngjyrat e tij kuq e zi…
Nëna
ua përmend emrat
një nga një,
tek puth gurin e ftohtë
gjithë dashuri,
buzë detit
ngre dorën
e thërret me zë:
Këta trima janë bijtë e mi …!

NË GJIRIN TËND…
Më prit nënë, tek shkalla…mos hyrë brenda.
Po vij, me flladin e parë, sapo të çelë dita,
Hapi dritaret, të hyjë era, siç ma ka ënda,
Të kujtoj, ditën e atëhershme, kur të putha e ika!
Kujtim, kam lotin tënd në faqen time, edhe sot.
Sa herë ndiej mall, me dorë ia heq dhimbjen,
Lutem të jesh mirë, them: jepi jetë o Zot..!
Sa herë më thua: çupë, marrsh nga jeta ime !
Më merr, nëna ime në prehër, më merr…
Në krahët e tu të dremis, si dikur fëmijë,
Ngela ajo e vogla, nuk rritem asnjëherë,
E ndonëse jam vetë nënë …kërkoj tëndin gji !

SONTE DO VIJ UNË…
Natën e mirë, moj nënë…Natën e mirë..!
Mos u mbulo kësaj nate, se do vij unë,
Lehtë, pa të trembur, në ballë do të të puth,
Do të t’ mbuloj ngadalë, pa të prishur gjumë..!
Nëse zjarri i oxhakut, ka filluar të fiket,
Dy fjalë dashurie po i hedh, të të ngrohin natën.
Buzët do pëshpërisin: sa më ka marrë malli..
Dorën do të ta puth e ti do më japësh uratën !
Nënë, nënë..lëre zemrën hapur sonte…
Nga larg po vij, jam unë, bija jote.

MALLI DJEG
Nënë,
Oh…e mira nënë…
Pse s’ më dëgjon më,
Jam krah teje e vuaj,
Lotin, ta fshij pa zë
Puthmë, mallin të shuaj…
Oh,… e ëmbla nënë…
Mbama në prehër kokën,
Malli shkon gjer në hënë,
djeg qiellin e tokën.
Mëngjesit sa zgjohem,
Çel ditën me ty,
Në darkë kur shkoj të çlodhem,
Prapë të mbaj në sy.
Ëndrrave dritëbardha,
Ty të kërkoj sërish,
Rrezja e mëngjesit
Drejt teje më grish…
Nënë,
Oh…e mira ,nënë !

DASHURIA PËR TY
Nënë, e shtrenjta nënë,
hyjnorja dashuri,
Flokëbardha si argjend,
jam larg dhe kam mall,
Tregomë: në cilën thinjë
kam zënë vend tek ti,
Thuamë se cilën rrudhë
ta shtova përmbi ballë …
Je larg
dhe po të nis,
një puthje bashkë me dritën,
Të puth duart e tua
dhe lotin përmbi sy,
E di që gjithë jetën
kam mbetur vogëlushe,
Por e di që gjithë jetën
zgjat dashuria për ty…

KAM PARË…
Kam parë
Kështjella me bedena
e kapin qiellin
si me duar,
erën
e kam parë
nën gurë të futet
dhe ëndrrën
e qëndisur
mbi flamur realizuar.
Kam parë
degën e bajames
që lehtë lëkundet
dhe malin
që shqipes dykrenare
i përgjunjet.

NATË E RRALLË
Një natë
E rrallë
Një natë
E vecantë
Sonte
fola me babain
e qeshem,
shumë qeshëm
me batuta e bejte,
iso dhe këngë..
kur qesh ai,
edhe qiejt hapen më dysh,
si profeti Moisi
ujrat e detit..
Eh,
ai qesh ,
e perënditë heshtin
vjedhin brishtësi,
mirësi për engjujit..
dhe unë,
ndihem në qiellin e shtatë
e lumtur,
e lumtur, në pafundësi..
e dua shumë
shumë e dua, …babanë !

NUK TE DUA, POR PUTHMË…
Nuk të dua më, por ti puthmë..
Puthmë edhe pse nuk të dua..
Në sytë e tu jam unë Perëndia,
Je ti Perëndia që perëndon në mua…
Qelizat më djegin, në flakë trupi,
Urrejtja e dashuria janë në duel..
Mbase kemi gjakun të një grupi,
Dhe nëse vetëm një pikë ka ngelë…
Kaluan vite e vite nga ajo ditë..
Kur më puthe isha ende ferishte,
Drithërimat u shndërruan në drite
oh,po ti falmë, nuk e dija se ç’ishte !
Sot jemi dy shpirtra të kryqëzuar,
Nga një ëndërr, ja, lindën dy brinjë,
Dy trupa në një shtrat përqafuar,
Je këtu e puthjet vetvetiu vijnë.
Nuk të dua më, por ti puthmë
Puthmë edhe pse nuk të dua,
Në te vërtetë, unë çmendem për Ty,
Ashtu siç je ti i çmendur për Mua.

MES VETËTIMASH KËRKOJ DRITËN
Natën, e vetmuar, të pres në shi,
Pellgjesh shfaqesh si medaljon ,
Kërkoj të të prek, por ti sërish ik,
Valëve vidhesh, vjen dhe shkon.
Nuk mundem,nuk! Të pres ditën..
Durimin kësaj nate me gjak e shuaj,
Mes vetëtimash rri e kërkoj dritën,
Në poezi emrin tënd të shkruaj.
Përtej oqeaneve do t’i vërvis lotët ,
Në to të ushqehet e të rritet malli…
Gëzimi dhe dhimbja të vallëzojnë tok,
Të qeshin e të qajnë të dy nga halli..!

MA PËRCILL PARAJSËN…
E puthmë, i dashur, puthmë!
Trupit vend mos më lerë pa prekur,
këtë dashuri që më zien ndër vena,
gëzoje sa ende nuk kam vdekur!
Mos ki frikë, se nuk do tretemi..
ne jemi zjarr, do bëhemi shpuzë
nga flakët e ferrit nëse prekemi,
ti parajsën ma përcill në buzë.

LULE E EGËR
Jeta është një lule,
një lule me petale.
Në çdo petale ka një sekret,
Në çdo sekret ka një ëndërr,
Në çdo ëndërr ka një lot,
Në çdo lot ka një gëzim.
Jeta është një lule….
Një lule e egër…!

BRËNDA MEJE
Dje
binte shi
në ditën e verës,
e brënda
meje,
shpërthenin sythet..
-Jam
lule molle,
-i pëshpërita erës,
kam qenë,
jam
ëndërr e bardhë,
që s’ngryset.

KA LULE…
Në jetë,
ka ndarje e pritje,
ka gabime e falje,
stuhi kryqëzuar me tufane,
lule që diellëzojnë në çdo stinë,
ashtu si ka lule…
…që nuk mbijnë asnjëherë.

VETË MË FOLE…
Tashmë të dua, se të urrej,
Tashmë të urrej, sepse të dua .
Në krahët e tua ndihem si erë,
Jam zjarr që digjet, në krahët e tua…
Kërkoj të puth imazhin tënd,
Një lot prej syrit pikon ngadalë,
Kërkoj një kohë, kërkoj një vënd,
Kërkoj një vatër që të ndez mallë…
Ti vetë më fole për savanën,
Lëndinat, diellin, yjet e saj…
Pastaj më fole gjatë për hënën..
Dhe për një lule që çel në maj…

HËNË PA QIELL
Këtë ëndërr që pashë nuk e kuptova
M’ u duk sikur hëna nuk kishte qiell sonte…
Aty mbi çiklaminën poshte dritares kur kalova
hodha një vështrim tinëz, të shihja ç’do ndodhte.
Era seç pëshpëriste në heshtje, duke shkuar,
lagur supet nga shiu, po rëndohej më shumë,
e sikur yjet u shndërruan në zogj të dashuruar,
unë që ëndërroja…oh,miq: nuk jam stina unë !
Nata maste hapat mbi akrepat pishtarë
Kronometër në kohë, e sigurtë në fjalë,
agimi rrugën kish marrë si margaritar
dhe hëna, e trembur, mori sërish rrugën lart.

PUHJEN PASH TË DIGJET
Përgjatë ëndrrave ku bie hije,
degjohet një drithërim frike e vetmuar:
Mjegulla e fjalëve ngadalë po bie,
mengjes i ftohtë është duke shkuar…
Nje tingull I ëmbël ere ngrihet e ulet
mbi detin e trishtuar, ajri fillon e ndotet
me parfum lule-vere
dallandyshet nga larg duken gëzuar.
Është sezon i ngohtë,tronditës..!
Nga qielli një yll pesecepësh,lehtesisht bie..
Nën dritën e Hënës në nje kopësht të qetë
mes flakësh e puthjesh e pashë të digjet!

TRËNDAFILAT
-Mos
shpirt,
-i thashë…
Mos më bli më
tufa
me trëndafila,
më mjafton një,
më mjafton Ti !…
Dhe ai, nuk më dëgjon,
vazhdon
me dhuratat e veta.
Prej vitesh
më sjell,
jo një trëndafil,
por buqeta..

DHE ETHET MË ZËNË..
Sa herë të thashë : mos më shiko në sy,
se më merret mendja, e ethet më zënë,
ti, në qerpikët e natës ngre e ul stuhi,
e puthjet e tua më shpien deri në hënë.
Oh,dritë e bardhë, që më rrëmben kur më prek,
mes flakëve të ferrit më shndërron në hyjri,
mes duarve mbaj një diell, që trup e shpirt më djeg,
deri sa shuhem ngadalë, në shkrumb e në hi .

UDHËTIMI YNË NË KOHË
Të kam dashur atëherë , si tani,
Atë fund vere dhe fillim vjeshte,
Në shpirt të mbolla porsi një lis
Dhe ti nuk fole, vetëm qeshe.
Pastaj ëndërruam për një çast,
Si do të ishim plakur ndër vite,
Trenin e fundit e patëm për fat
Një vagon kënge, lokomotivë drite.
Dhe yjet vallëzonin me hënën
Në lëndinën e pafundme të qiellit
Dhuratë engjëjt na kishin lënë
Shumë bekime e ca rreze dielli.

U THYE HESHTJA…
Mjaft,mos pi më. Me kaq u thye heshtja…
e natën, në delire lëre të derdhet
a nuk e sheh, si tund gjethet vjeshta,
dhe yllësinë me një puthje të dehet?
Mos e pi vetminë, të trazuar me trishtim,
gotën e melankolisë mos e kthe si lumë,
se pastaj nis e trazohet si oqean shpirti im
dhe dashuria do na zerë të dyve për fund.
-Oh, ka vdekje që janë më të ëmbla se jeta,
kur ndjen që si dallgë të pushton dashuria,
të ndez një puthje e kërkon të tjera ,e të tjera..
e s’ di më ku është vdekja e ku lumturia.

MESAZHE HËNE
Rrëmbyer më ka këto ditë melankolia,
Mbyllur në kafaz të lotit po më mban,
Arratisur kush e di se ku dhe dashuria,
Në ç’lëndinë qesh a në ç’qiell qan?
Me ç’ këngë t’i këndoj që të vijë sërish,
Si dikur kur isha mjellmë në liqen,
Hëna e varur në qiell shumë zili më kish,
Ndaj mesazhi i saj me shkronja yjesh vjen
Për ty, për mua…
Për të dy !

DEHJE
-Rri me mua sonte,
mos ik !
Kam blerë gështenjat e para,
-të thashë…
Ti sille një gotë verë,
bashkë ta pimë,
Le të na dehë kjo natë
kur vjeshta grindet jashtë..!
Ngrije gotën,
dua të dehem me ty,
Se një jetë kemi,
nuk kemi dy!
ALEKSANDRA…
-Doktoresha e Patosit-
Ju
me siguri do thoni
kush është kjo perri,
me flokët bjonde
si ar e me emër hyjnor
Në ç’qytet banon,
pyeta perëndi më perëndi,
Peng më ka ngelur
ti çoja në kokë një kurorë.
Të më falni..
më falni, s’e nuk mbaj ment ç’thashë,
Në duar kam një botë me lëndina,
lule mbushur,
Dhe në sytë e mi të përlotur
ruaj buzëqeshjen e saj ,
Kur më shfaqet përditë,..
herë si lule, herë si flutur ..!
Doktoreshë,
moj doktoresha ime,
Me frymën tënde sa engjëj ke ringjallë
E tani
mos më thuaj pse të mbaj mëri,
Se ike pa përshëndetur,
pa të puthur në ballë.
Eja ,
afroje veshin të të tregoj një sekret:
Këtu në tokë dy yjet e tu,
Ndrisin një qiell me mirësi,
Dhe Inxhinjeri yt të kërkon,
Nga thellësi e tokës gjer në gjithësi.
Vetëm për një puthje…
Me vulën:
ALEKSANDRA !

BLETA NUK KA VETËM THUMB
Të mërzita, o shpirt , të mërzita,
Me fjalë herë të mira, herë të rënda plumb,
Veshin mos ma verë, se grua u linda,
Ashtu më bëri Zoti, bletë me thumb.
Dua ta dish, o jeta ime, dua ta dish,
Se në krahun tënd jam një furtunë,
Ato gjeste që na bënë të qajmë në kishë,
Tregonin se sa më do, e sa të dua unë..!

ËNDËRROJ
Eh,
ca degëza të plagëve të vjetra,
Derdhen si lumenj
në detin e dhimbjes,
Bërtas,
kur pesha e jetës
fillon e hesht,
Në rritje dyfish, tre…vuajtja.
Dështimi
i mijëra projekteve të vlefshme,
Pikëza djerse
olëzuar në këngë.
Mërmëritja e ajrit
ngrihet si vorbull ,
Vallëzon
në krahun e erës,
Në një horizont pa fund,
Në qiej ku duket tretja.
Oh, jeta ime..
ti më takon..!
Flokët e tu
shtrëngoj fort në grushta,
Je e imja
derisa të frymoj poezi.
E di që terri
tmerron ne të vdekshmit,
Këtë vibracion frike ,
diellit qetë rrezatoje.
Dhe rrudhat
pikturuar në sytë e kohës,
I mbështjell
me dhembshuri në zemër
Teksa koha,
Si një tik-tak
numëron vitet e mia…
Unë
Shpresoj
në një të ardhme
të frytshme,
Shpresoj
edhe kur,
Ju më flisni
dhe unë
veshët
i kam dyllëzuar.
Këndoj
edhe kur,
Ju më këndoni
edhe kur unë nuk dëshiroj.
Vallëzoj edhe kur
Ju më bëni
të kalëroj mbi valët e detit.
Ëndërroj edhe kur,
Ëndrrat
më kanë braktisur në detin e kuq.
Unë ëndërroj me sy hapur
Më lini ta bëj
Do t’ua di për nder

FJALËT E ERËS
Sot fryn një fllad i lehtë, duket pranverë
dhe shkulmon një mall, një mall të bardhë,
si luledielli e ktheva gjoksin nga kishte erë,
e pyeta për gushëkuqin nëse e kishte parë.
..Dhe fjalët u shndërruan në xixëllonja e dritësi,
u përplasën tej në murin e heshtjes,
duke u zvaritur, jehona e vrarë erdh përsëri,
mbi lotin tim u ndal të shuante etjen.

PASDITE VJESHTE NË VERONA
Bie shi .
Bie shi,
pa pushim në Veneto.
Bubullimat
rënkojnë plagë të vjetra.
Verona,
ka hedhur mbi kokë
vellon gri të vjeshtës,
dhe retë me sy të përlotur
derdhin melankolinë e qiellit,
ëmbël e butë mbi qytet.
Semaforët
në të dyja anët e rrugës,
ashtu të zbehtë ,
thyhen në asfalt
këtu në bulevardin e Arenës.
Në amfiteatrin e lashtë
Ka rënë tashmë sipari
I spektaklit të fundit të sezonit.
Veç shiu
vallëzon nëpër shkallë
pa shume pretendime…
Ndërsa ora
shënon gjashtëmbëdhjetë,
unë, pa hapur ombrellën ,
bëj një copë rrugë në këmbë
bukurive të lagura të kësaj dite .

DIGJEMI NË NATË
Ti qiri, që digjesh kaq ngadalë,
Mos u tret i tëri këtë natë !
Dhe bekomi me fllade stuhitë,
Më ndriço, nata është e gjatë..!
Ndërsa Deti më dërgon një valë…
Qiellit, shpirtin ta shikoj në sy,
Ndërsa shuhet, tretet si kometë,
Trup më trup të digjemi të dy,
Sa dhe dielli mbulohet nga retë…
Dhe prej tyre lindin vetëtima !
PUTHJA DHE ERA
-E dini sa zgjat një puthje e vertetë?
-pyeta yjet tek sodisja qiellin mbrëmë
Dyzet ditë,-tha dielli,
dyzet netë,- tha hëna,
sa një gjethe në vjeshtë,-pëshpëriti era…
NJE URIM ME ANE TE POEZISE PER POETEN EDLIRA DOKA,KA ARDHUR NGA SHKRIMTARI E POETI VASIL TABAKU,FITUES I CMIMIT “POETI I VITIT 2013 ” NGA SHOQATA “ALBA – DANSK”
Vasil Tabaku
PERËNDESHË E FJALËS
– Kushtuar poeteshës EDLIRA DOKO
– Në kuadrin e përvjetorit te ditëlindjes
Zgjohesh
Përmes
peshës së fjalës
Me fjalën
Ndërton
qiejt e fluturimit tënd
Një universe ëndërrash
Mijëra botë shpresash
Dhe rrugë…
Rrugë pafund dhimbjesh
Horizonte dashurish
Dhe dete
Përmbytur nga drita
Diejtë e shendritëshëm
Që burojnë
Nga shpirti yt…
Me peshën e fjalës
Si Sizifi
Me gurin e pengut tonë
Ngjit dhe zbret pareshtur
malet e dhimbjes…
Ti je vet dhimbja
Ndërsa thërret
-respektoni dhimbjen
Duajeni trishtimin,
Jepini dashurisë
Një piedestal
Mos e shkelni puthjen
Përqafimin
Kthejeni
Në një rit njerzor
Dhe botën
Bëheni më të bukur…
Ti thërret
Thërret
dhe përsëri thërret
Ndërsa digjesh e tëra
Brenda këngës
Për t’u shënfrruar
Në një Perëndeshë e fjalës…
Tiranë 8 Janar 2014




DHE SI PERFUNDIM TE KESAJ PERMBLEDHJE ME POEZI REDAKSIA E ALBA – DANSK,JU UROJ NE KETE DITE TE DITELINDJES SUAJ ,SHUME URIME DHE SUKSESE NE RRUGEN E BUKUR TE POEZISE. JETE TE GJATE E TE LUMTUR SE BASHKU ME FAMILJEN TUAJ.
Redaksia e Alba – Dansk


Leave a Reply