Kur në vitin 1985, në Shqipërinë komuniste u botua Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim zyrtar i regjimit, Vaçe Zela ishte 46 vjeç dhe tashmë praktikisht e kishte përfunduar karrierën e saj si këngëtare. Që prej vitit 1980 nuk këndonte më në festivalet e përvitshme të këngës në Radio-Televizion. Në vitet tetëdhjetë Vaçe Zela këndonte vetëm rrallë në koncerte propagandistike zyrtare. Kështu që gjithçka që kishte për të thënë regjimi komunist për Vaçe Zelën, çdo vlerësim që kishte për të bërë për të, supozohej që ta bënte në Fjalorin Enciklopedik. Shkalla më e lartë e vlerësimit të një personi në Fjalorin Enciklopedik ishte që atje të kishte një jetëshkrim të këtij personi, së bashku me një fotografi të tij. Fjalori Enciklopedik Shqiptar i botuar në Shqipërinë komuniste, në vitin 1985 ka 1248 faqe. Por në Fjalorin Enciklopedik nuk ka një jetëshkrim të Vaçe Zelës. Emri i Vaçe Zelës përmendet vetëm një herë në këtë libër, në zërin “Muzika vokale”(f. 737) Shikoni se si përmendet Vaçe Zela: “Në lëmin e interpretimit përveç koreve dhanë ndihmesën e tyre një radhë solistësh (Tefta Tashko Koço, Marie Kraja, Kristaq Antoniu, Ibrahim Tukiçi, Avni Mula, Mentor Xhemali, Ramiz Kovaçi, Gaqo Çako etj.), këngëtarë të këngës popullore (Luçie Miloti, Bik Ndoja, Fitnete Rexha, etj.), të këngës qytetare masive e lirike (Anita Take, Vaçe Zela, Nexhmie Pagarusha etj.) (f. 737)
Siç shihet, Vaçe Zela klasifikohet si një këngëtare e dorës së dytë, që nuk bën pjesë në grupin elitë të muzikës vokale, atë të solistëve. Vaçe Zela madje vjen pas Anita Takes. Në fjalorin enciklopedik thuhet një e vërtetë, që Vaçe Zela nuk ishte një soliste. Por Vaçja nuk u bë soliste se regjimi komunist nuk ia mundësoi asaj arsimimin muzikor profesional. Megjithatë Enver Hoxha e përdori talentin e Vaçes për nevojat e propagandës së tij më shumë se të gjithë solistët e tjerë të marrë së bashku. Shkurt, Vaçe Zela u përdor si një skllave nga ana e regjimit, si një vegël pune folëse. Në njëfarë kuptimi Enver Hoxha e përdori Vaçe Zelën ashtu si atë adoleshenten fatkeqe, Shkurte Pal Vatën, për të cilën Vaçe Zelën e detyruan që të këndonte një këngë në Festivalin VI të Këngës në Radio Televizion. Them e detyruan, se kur e shikon interpretimin e Vaçes duket se ajo ka një ngërç, ndjen një turp të brendshëm për atë që po bën. Shkurte Pal Vata nga Dukagjini u vra në Lushnjë, në vendlindjen e Vaçes, ku kishte shkuar si “vullnetare” për të punuar për ndërtimin e hekurudhës. Shkurte Pal Vata u vra duke gërmuar në një rrëzë kodre, ku një ekskavator mund t’ ua kishte kursyer fare mirë mundimin atyre qindra të rinjve që po rropateshin si skllevër bashkë me të. Duket qartë se Vaçes i vjen turp që po këndon se Shkurta u vra për Partinë e shokun Enver, të cilët, sipas shkarrashkruesit të tekstit të këngës, i donte më shumë se jetën e saj, u vra për atë Parti dhe atë Enver që Shkurtën dhe qindra shokët e shoqet e saj i donte më pak se një ekskavator, që mund të ishte blerë fare mirë me paratë që shpenzoheshin për financimin e grupeve marksiste-leniniste në botë, të cilët shpërndanin librat e Enver Hoxhës. Vetë Vaçja u detyrua nga Enver Hoxha që të bënte ekuivalentin e punës me kazmë në muzikë. As kjo nuk iu shpërblye së paku aq sa Shkurte Pal Vatës. Ndoshta Enver Hoxha priste që Vaçe Zela të binte në ndonjë hon kur shkonte këndonte nëpër kantiere, që ta nderonte sa Shkurte Pal Vatën.
Në Fjalorin Enciklopedik të vitit 1985 ka madje edhe një jetëshkrim të emisarit komunist serb të ardhur në Shqipëri, Miladin Popoviçit, por jo një jetëshkrim të Vaçe Zelës. Jetëshkrimi i Miladin Popoviçit ka 48 rreshta në Fjalorin Enciklopedik. Mund të ishin përgjysmuar rreshtat e Miladin Popoviçit dhe t’ i ishin dhënë 24 rreshta Vaçe Zelës. Por nuk ndodhi kështu. Raporti midis Vaçe Zelës dhe Miladin Popoviçit në Fjalorin Enciklopedik tregon qartë se si e shikonte Enver Hoxha Vaçe Zelën.
Në Fjalorin Enciklopedik të vitit 1985, si gruaja më e shquar nga Lushnja, vendlindja e Vaçe Zelës është Lenka Çuko, e cila ishte “udhëheqëse”, anëtare e Byrosë Politike. Jetëshkrimi i Lenka Çukos në këtë Fjalor ka 27 rreshta. Lenka kishte lindur nëntë muaj para Vaçe Zelës dhe në kohën që u botua Fjalori Enciklopedik ishin të dyja afër të pesëdhjetave si moshë. Për karrierën e Lenkës në Fjalorin Enciklopedik thuhet se: “U formua dhe u kalit si revolucionare duke punuar në fillim si kooperativiste e thjeshtë dhe pastaj si kuadër drejtuese në bujqësi”. (f. 163) Ndërsa për meritat e Lenkës thuhet se: “Ka dhënë e jep ndihmesë të madhe për forcimin e Partisë dhe kalitjen revolucionare të kuadrove, ka luftuar me vendosmëri për mbrojtjen e vijës marksiste-leninistë të Partisë kundër imperializmit, revizionizmit modern dhe gjithë armiqve të brendshëm e të jashtëm”. (f. 163)
Pra, ish-kooperativistja (për ata që nuk e kuptojnë fjalën “kooperativste”, po e quaj ish-bujkesha), Lenka Çuko, për Enver Hoxhën ishte duke luajtur tashmë një rol të rëndësishëm në rang botëror, apo global, siç thuhet sot. Merret vesh, ai regjim që i atribuonte Lenka Çukos një rol botëror, nuk mund t’ i mundësonte Vaçes të shprehte talentin e saj në skenat ndërkombëtare.
Nderimi që meritonte Vaçja në funeralin e saj ishte që së paku me këtë rast të thuhej e vërteta mbi të, pra se sa e madhe do të kishte qenë Vaçja nëse nuk do të ishte penguar nga shteti komunist, që të zhvillonte talentin e saj. Por Kryeministri Edi Rama nuk mund ta thoshte këtë gjë në fjalimin e tij, se nëse do të përmendte kultin e Lenka Çukos, që i bëri hije Vaçes, do t’ i mërzitej deputeti Arben Çuko. Pse mungon Vaçe Zela në Fjalorin Enciklopedik të vitit 1985? Arsyeja nuk është e vështirë të kuptohet. Me këtë regjimi komunist donte të fshihte në stilin e tij krimin që kishte bërë ndaj këngëtares shqiptare më të talentuar gjatë ekzistencës së tij. Nëse do të publikohej një jetëshkrim i Vaçes në Fjalor atje do të fiksohej në një botim zyrtar të këtij rangu e vërteta e pakëndshme se Vaçe Zelës nuk i ishte dhënë e drejta të kryente arsim professional muzikor, të mesëm dhe të lartë. (Mbreti Zog i pati mundësuar Enver Hoxhës arsimim në Francë me bursë shteti.) Gjithashtu do të fiksohej në një botim zyrtar të këtij rangu e vërteta e pakëndshme se Vaçe Zela ishte bërë nga shteti komunist këngëtare estrade, një vend pune ku kishte qenë deri rreth moshës 30 vjeç, një moshë kjo në të cilën çdo këngëtare e talentuar në botë ka bërë një pjesë të rëndësishme të karrierës së saj. Në kohën e komunizmit në Shqipëri, ka qenë një shprehje: “U bëmë për në estradë!” Kjo thuhej kur dikush gjendej në një situatë të turpshme. Enver Hoxha e bëri Vaçe Zelën për estradë.
Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 2009 ka një jetëshkrim të Vaçe Zelës me 31 rreshta. Jetëshkrimi i femrës politikane më të pushtetshme të kohës, Jozefina Topallit ka katër rreshta më pak se i Vaçe Zelës, 27 rreshta. Kjo gjë është domethënëse dhe i bën nder Jozefina Topallit, me gjithë gabimet e mëdha që ka ajo si politikane. Kjo tregon se kulti i Vaçe Zelës nisi të marrë vendin që meriton. Por këtë kahje e përmbysi Kryeministri Rama me bufonadën e zezë që bëri në funeralin e Vaçes. Funerali i Vaçe Zelës, u shndërrua në sajë të Edi Ramës, në shfaqjen më tragjikomike ku ish-këngëtarja e Estradave, asaj të Ushtarit dhe të Tiranës, kishte qenë e pranishme në jetën e saj. Atë që bëri Edi Rama me funeralin e Vaçe Zelës mund ta bënte vetëm njeriu i cili mban mbi shpinë që në prill 1998 arkivolin e të atit të tij, i cili vdiq në mënyrë misterioze pikërisht në ditën që Edi Rama erdhi në Tiranë nga Parisi për të marrë postin e ministrit të Kulturës, me ç’ rast ze fill karriera e tij e çuditshme politike. Ajo që bëri Edi Rama me Vaçe Zelën e ka origjinën te fjalët që ai tha nga foltorja e Kuvendit në ditët e para kur ishte bërë kryeministër: “Prisni se nuk kini parë gjë akoma!”/Kastriot Myftaraj
Burimi – Facebook


Leave a Reply