
Tronditet bota letrare shqiptare, ndahet nga jeta shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi Riza Lahi
Nga Zenepe Luka
Shkrimtari, publicist dhe përkthyesi Riza Lahi është larguar pa u ndjerë nga jeta. Pa u ndjerë për mënyrën se si e rrëmbeu vdekja, për ditën që ndodhi dhe mungesën e medias për shkak të festës së ndërrimit të viteve. Ndërsa pinte një kafe, më 31 dhjetor, në orën 11:00 me një krijues të ardhur nga enkas për të nga Përmeti, tek kafe “Librari Agolli”, jeta e tij është shuar brenda pak minutash, nga një arrest kardiak. Si shumë krijues të tjerë edhe unë e kam njohur nga afër Riza Lahin. Kam njohur dhe vlerësuar krijimtarinë e tij në poezi, prozë, kam njohur dhe vlerësuar publicistikën e tij, por mbi gjithçka kam çmuar virtytet e tij njerëzore, mirësinë, buzëqeshjen, të qenit në krah dhe mbrojtje të njeriut të thjeshtë. E kujtoj me mall, tani që na mungon miku ynë, që vinte me një biçikletë të vjetër nga shtëpia tek kafe “Aleanca”, dhe nisnim bisedat si kolegë. Dalja e fundit publike e shkrimtarit është pikërisht mesi i muajit dhjetor, kur diskutoi rreth librit tim, “Kjo është jeta ime”, diskutim që përloti të gjithë sa ishin në sallë.
Diskutimi me pasion, por edhe revoltë. “Revoltë që koleges, aq më tepër një nëne me fëmijë, për shkak të profesionit, deshën ta shuajnë si racë”,- tha ai. Zëri i tij kumboi fuqishëm në fund të diskutimi, ku u shpreh: “Nuk mund të ketë demokraci në një vend, nuk mund të quhet shoqëri e përparuar, nëse dhunohet njeriu i medias. Jo, jo!”.
Telefonata pas mesazhit dërguar me rastin e Vitit të ri
Ishte ora 14:00 e datës 31 dhjetor, kur i përcolla një sms, kolegut tim Riza Lahi, duke i uruar Vitin e Ri 2014 dhe vënien në jetë të projekteve në krijimtari. Vetëm pas disa minutash që nisa mesazhin, bie zilja e celularit që përcillte emrin Riza Lahi. E gëzuar thirra sa munda. “Urime nga zemra miku im, kalofshi gëzuar festën e ndërrimit të viteve! Do të ngre një gotë verë për ty. Gëzuar me gjithë zemër dhe do të takohemi më 6 janar, ditë që do të vij në Tiranë!”. Ndërsa prisja zërin e butë të Rizait, shoqëruar gjithmonë me buzëqeshje, një zë tjetër m’u përgjigj: “Unë jam djali i Rizait. Babai ka vetëm tre orë që ndërroi jetë. Varrimi bëhet më 1 janar, në orën 14:00”.
“Çfarë?”,- thashë, ndërsa celulari ishte mbyllur. Ndarja e këtij miku të shtrenjtë, jo vetëm për krijuesit, tronditi festën e ndërrimit të viteve. Bota letrare shqipe u trondit rëndë. Gjatë këtyre ditëve kam jetuar vetëm me dhimbjen e ikjes së tij. Intervistova miq të tij, gjeta personazhin që piu kafen e fundit me të dhe që nuk mundi t’i shpëtojë jetën edhe pse ishte mjek. Miku im, e ndjej shumë ikjen tënde dhe në respekt të miqësisë, të asaj që ti ishe, po hedh këto rreshta për ty, njeriu i mirë, Riza Lahi.
Rrëfimi i mjekut Samit Lako
Samit Lako: Minutat e para dhe të fundit me shkrimtarin Riza Lahi
Samit Lako, me profesion mjek në qytetin e Përmetit, është njeriu që piu kafen e fundit me shkrimtarin. Ai rrëfen ekskluzivisht për “Koha Jonë”, çastet e bukura të takimit të parë me Rizain, i cili ishte dhe takimi i fundit ku ndodhi dhe ngjarja tragjike. Ai tregon dhe sesi u shua jeta e shkrimtarit në krahët e tij dhe me fjala e fundit: Ndihmomë.
Mund të flisni për takimin tuaj me shkrimtarin Riza Lahi, në minutat e fundit të jetës së tij?
E takoja për herë të parë. Ma kish rekomanduar kryetari i shoqatës së shkrimtarëve të Përmetit, Ligor Shyti. Unë jam mjek, por takimi lidhej me botimin e librit tim “Historiku i letërsisë së Përmetit”. Në orën 11:00 të 31 dhjetorit, u takuam tek kafja “Librari Agolli”. Unë porosita një çaj, kurse Rizai një kafe. Më dha disa libra për shkrimtarët e Përmetit dhe filloi të fliste për projektet që kishte për vitin 2014.
Për një çast vura re që i ndryshoi zëri, po i trashej. Më pas vuri dorën në gjoks dhe tha me zë të mekur. Kam dhimbje të madhe, më ndihmo. Kjo ishte fjala e fundit e tij. E mora, e shtriva, i hoqa xhaketën dhe në sekondë i vendosa një trinitrinë nën gjuhë.
Pastaj lajmërova urgjencën, që për hir të së vërtetës, për shkak të trafikut të kësaj dite, u vonua, qoftë në të ardhur, ashtu edhe në të shkuar drejt spitalit. Edhe pse sirena binte vazhdimisht për të hapur trafikun, por edhe klithmat e mia nga dritarja e ambulancës, ishte e pamundur të shkoje më shpejt drejt spitalit.
Kur mbërritën në urgjencë, menjëherë iu bë goditja elektrike, por ishte e kotë. Shkrimtari Riza Lahi, kishte ndërruar jetë. Duket një arrest kardiak, i ndërpreu jetën buzëqeshjen në ditën e fundit të vitit 2013.
Kjo është një ditë e dhimbshme edhe për mua, ndërsa në kujtesë më mbetet buzëqeshja dhe mirësia e këtij njeriu të mirë me botë të madhe. Në vesh më kumbon edhe telefonata e fundit, që bëri me celularin e tij, zëri i tij i dashur që më pyeti: “Ku je, Samit? Po të pres tek “Agolli”. A thua se më njihte prej kohësh…”.
Riza Lahi, artisti që nuk u përkiste klaneve
Nga Kolec Traboini
Dita e parë e vitit 2014, është një ditë e dhimbshme për botën e krijuesve shqiptarë, pasi përcollëm për në banesën e fundit, mikun tonë të paharruar, shkrimtarin Riza Lahi. Isha bashkë me Pandeli Koçin, Kujtim Dashin, Roland Lushin e Bujar Feriatin. U bashkuam me grumbullin e madh të njerëzve, familjarëve, miqët e të afërmit, ku dalloheshin edhe pilotët, në respekt të kolegut të tyre, që punuan bashkë për 25 vjet.
Fjala e përcjelljes, e cila u mbajt nga Gurali Mejdani, zëvendëspresident i romëve të Europës, u ndërpre nga gulçima e dhimbjes. Mejdani kish të drejtë. Riza Lahi ka shkruar dhjetëra shkrime në mbështetje të komunitetit rom dhe i konsideronte miqtë më të mirë.
Por në përcjelljen e shkrimtarit, publicistit, Riza Lahi, që nuk e meritonte këtë fund tragjik, kur ishte në kulmin e krijimtarisë së tij, nuk na zunë sytë shkrimtarë të tjerë.
Duket se komuniteti i shkrimtarëve është shkatërruar edhe moralisht dhe gëlojnë veç si klane, që ndajnë çmime sipas tarafit dhe marrin donacione prej institucioneve shtetërore. Për turp të tyre, nuk i pamë. Riza Lahi, nuk u përkiste klaneve, ai gjendej kudo ku promovohej një libër, inkurajonte krijuesit me dashamirësinë dhe mirësinë që e karakterizonte.
E dimë që miku ynë Riza Lahi nuk i përkiste klaneve, ndaj nuk ju gjend një sallë e ndonjë institucioni kulturor ta nderonin publikisht, siç bënë thirrje shkrimtarët e diasporës nga Amerika. Kjo nuk ndodhi, sepse Riza Lahi i përkiste të drejtës, fitimit të meritave me djersë e mundim prej krijuesi. Ai ishte si një diell, i cili, që kur lind e perëndon rrezaton. Kishte shpirtin e butë, humanizëm e njerëzi, ndaj e përcolli turma e madhe e qytetarëve, njerëzve të thjeshtë në botën e amshimit me lot në sy.
Ledia, studentja e juridikut, që trashëgon krijimtarinë e të atit, Riza Lahi
Flet vajza e shkrimtarit: Pasuria më e madhe ishte mirënjohja e njerëzve
Është shumë e vështirë të komunikosh me të afërm të shkrimtarit Riza Lahi në këto ditë dhimbjeje. Tentuam të bisedojmë me të bijën, Ledian, vajza e vetme e shkrimtarit. Ajo që mundëm të zbardhim ishte se Ledia ka humbur njeriun më të shtrenjtë, që për të ishte gjithçka. Sidoqë është studente në juridik, ajo ka botuar dy libra, që kur ishte fëmijë, falë mbështetjes së të atit, që tek e bija shihte shkrimtaren dhe publicisten e ardhshme. “Unë do ta përballojmë dhimbjen, duke shkruar, duke trashëguar talentin e tim ati, që ishte dhe mbetet një shembull i njeriut me virtytet më të larta. Se sa shumë miq kishte, se sa shumë e donin njerëzit, këtë e pamë në ceremoninë mortore të përcjellës së babait”,- shprehet ajo. Ledia shton se babai i saj ishte modeli i krijuesit që e kërkonte suksesin me punë dhe ndershmëri profesionale. “Shpërblimi më i mirë i dashurisë së tij, është t’i ngjajmë babait, të manifestojmë në jetën tonë cilësitë e tij si: dashuria dhe respekti për njeriun. Se suksesi arrihet me punë dhe këmbëngulje, se ndershmëria e përjashton kategorikisht gënjeshtrën”,- thotë Ledia. Pyetjes nëse ishte një brengë për babanë që ishte gati i varfër, me një shtëpi të vogël, me një biçikletë të vjetër, Ledia i përgjigjet; “Jo nuk është brengë, pse pasuria më e madhe për babanë ishte mirënjohja ndaj njerëzve, krijimtaria që la pas”.
Flasin Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve në SHBA, Rajmonda Moisiu dhe shkrimtarja Vitore Leka Stefa
“Ike dhe kuptuam sa vend bosh ke lënë tek ne”
Ndarja nga jeta e shkrimtarit Riza Lahi është cilësuar si një humbje dhe nga emra të njohur të letërsisë shqiptare në diasporë. Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve në SHBA, Rajmonda Moisiu shprehet se ikja nga jeta e Lahit është një tronditje për letrat shqipe. “Ndarja e parakohshme nga jeta e shkrimtarit, publicistit, njeriut të mirë, mikut tonë të shtrenjtë, natën e fundit të vitit, ku ai sapo kish mbushur 63 vjeç, na tronditi rëndë. Tronditet bota e letrave shqipe, bota e publicistikës shqiptare, tronditet krejt bota shqiptare në trojet e saj”,- shprehet Moisiu.
Ajo shprehet se dhimbja për këtë ikje të parakohshme ka prekur dhe krijuesit shqiptarë në SHBA. “Riza Lahi, kryemiku im, miku i të gjithë shqiptarëve në trojet etnike, në Diasporë, Kosovë e Çamëri, i miri dhe i mrekullueshmi, i qeshuri e gazmori, punëtori dhe i palodhuri, aviator, që u bë shkrimtar i 35 librave Riza Lahi. Dhimbje e thellë, dëshpërim i pakufi për këtë gjëmë, për këtë pikëllim kaq të rëndë, që ai na la, në pragun e Vitit të Ri kapërceu edhe Atlantikun, deri këtu në Amerikën e Largët!”,- shprehet Moisiu.
Ndërsa shton se zbrazëtia që ka lënë është mjaft e madhe. “Si intelektuale e shkrimtare, si mike e kolege me shkrimtarin e publicistin e shquar Riza Lahi, por edhe si Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në Diasporë, në emrin tim personal e të shkrimtarëve shqiptaro- amerikanë, shprehim ngushëllimet më të sinqerta e të ngrohta, për familjen Lahi, miqtë e kolegët, njerëzit e letrave shqipe, dashamirësit e shumtë në të gjitha trojet shqiptare. Të paharruara qofshin kujtimi dhe vepra që la pas, kolegu dhe miku ynë i dashur, Riza Lahi. Prehu në Paqe, kryemiku im! Të Qoftë dheu i lehtë! Ike dhe kuptuam sa vend bosh ke lënë tek ne. Tani të duam më shumë!”,- shprehet Moisu.
Një ngjarje të pabesueshme e cilëson ndarjen nga jeta dhe autorja Vitore Leka Stefa. “Riza Lahi është larguar nga jeta? E pabesueshme. Fola në telefon më 31 dhjetor, i uruam vitin e ri njeri-tjetrit. Kjo është një humbje e madhe dhe për krijuesit në diasporë. Ishte një mik, që i kish shokët e rrallë, që përcillte urtësi, mençuri, ishte i qeshur, por edhe serioz, i mençur, i ditur si vetë ai. Me krijimtarinë e tij, i ka dhënë frymëmarrje botës së krijuesve në Diasporë, kemi bërë shumë promovime librash të tij dhe tonat dhe si askush tjetër, ngrinte zërin për padrejtësinë që u bëhej njerëzve me ngjyrë”,- shprehet Leka. Ajo shton se “Rizai ishte një mik nga më të rrallët në jetën time, që nuk kam për ta gjetur më kurrë. Ai ishte mik dhe nderohej shumë edhe nga deputeti italian, Luca Bagliani, me të cilin bashkëpunonte në të mirë të kombit”. Veç të tjerash ajo bënë dhe një apel për institucionet shtetërore, duke u shprehur se duhet nderuar një figurë e tillë intelektuale siç ishte Riza Lahi. “U kërkojmë institucioneve përkatëse të shtetit shqiptar, të nderojnë këtë figurë të madhe të letërsisë shqipe, ti vendoset emri një institucioni kulturor”, shprehet Vitore Leka Stefa.
Kujtimet e një miku
Bashkim Alibali: Homazh për njeriun që falte vetëm dashuri
Këngëtari Bashkim Alibali është një nga njerëzit që e ka njohur herët shkrimtarin Riza Lahi. Ai e vlerëson atë si një nga miqtë më të mirë, që nuk ishte kurrë i vrenjtur, por u buzëqeshte dhe falte dashuri të gjithëve. “Na iku miku më i mirë, që falte vetëm buzëqeshje. Të kishe një mik si Riza Lahi, ndjeheshe komod, ishte privilegj, pavarësisht se ai i bënte të gjithë miq. Si shkodran e njoh Rizain, shkrimtarin, publicistin, që me veprën e tij ka nderuar jo vetëm Shkodrën, prej 35 vjetësh, që në rininë tonë të hershme.
Ajo që kujtoj, tani që miku nuk është mes nesh, theksoj se ky njeri me virtyte të rralla, nuk e meritonte këtë fund tragjik, është: Si nuk e pashë qoftë edhe njëherë të vetme me fytyrë të vrenjtur këtë mik? Përjetësisht i qeshur, përjetësisht njerëzor, që përcillte mirësi jo vetëm në veprën e tij të shkruar, por edhe në takimet e përditshme me njerëzit”,- shprehet këngëtari Alibali. Ai shprehet se veç shkrimtarit të talentuar, tek Rizai vlerësonte njeriun dhe familjarin e dashur. “Të gjithë e njohim krijimtarinë e tij, me bollëk të madh, si shkrimtar, poet, përkthyes, publicist, vepra të përkthyera në disa gjuhë dhe konstatojmë jo vetëm larminë e tematikës, por edhe artin e të shkruarit thjeshtë e sinqerisht.
Aty gulçon edhe thirrja e tij për drejtësi, mbrojtje të të drejtave të njeriut, veçanërisht të komunitetit me ngjyrë. Rizai ishte edhe një bir i mrekullueshëm që e donte me shpirt nënën e tij, Shemsien, që nuk e ngryste ditën pa e takuar apo biseduar me të, respektonte bashkëshorten, Afërditën dhe bënte kryq për dy fëmijët, vajzën e vetme, Ledian dhe djalin dhe dy nipërit e tij, që kur dilte me ta, ulej në moshën e tyre”,- shprehet Alibali. Këngëtari i njohur i skenës shqiptare shprehet se humbja e Riza Lahit është një humbje jo vetëm për familjen, por për gjithë botën e artit.
“Riza ishte edhe një vëlla me cilësi të rralla. I donte dhe respektonte dy vëllezërit Brahimin dhe Bashkimin, ndërsa për motrën e vetme, Dritën, “nuk të falte”. Ai iku në një ditë feste, sapo kish uruar vëllanë Bashkimin për 60 vjetorin e lindjes, në ditën e fundit të vitit, kur jepte dhe merrte mesazhe urimi për vitin, që mbërriti 12 orë pas ndarje së tij nga jeta. Riza Lahi, u shua mes urimesh dhe buzëqeshjesh, ashtu sikurse ishte dhe mbeti vetë Ai”, shprehet këngëtari Bashkim Alibali.
Jeta dhe krijimtaria e Riza Lahit
Riza Lahi ka lindur në Shkodër në 16. 01. 1950. Për 30 vjet ka shërbyer si pilot në Forcat Ajrore. Ka punuar si gazetar në shtypin ushtarak, si dhe pranë zyrës së OSBE-së në Tiranë. Përveç çmimeve letrare të fituara në nivele të ndryshme në Konkursin Kombëtar 1994 ka fituar çmimin e parë të letërsisë për fëmijë. Pjesë nga veprat e tij janë botuar në SHBA, Greqi, Rumani, Maqedoni, Kosovë, Iran, dhe së fundi në Indi. Lahi është anëtar i Shoqatës Botërore të Poetëve. Është nënkolonel i ushtrisë shqiptare në pension.
Në Konkursin Kombëtar të viti 1994, ka fituar vendin e parë në Shqipëri me pjesën teatrale për fëmijë, botuar më pas nën titullin “Të shtunën në mesnatë në një yll”. Lahi ka fituar edhe çmime të tjera të niveleve të ndryshme, si edhe ka botuar pandërprerë në shtypin letrar apo faqet letrare të gazetave të përditshme. Pjesë nga krijimtaria e R. Lahit janë botuar edhe në Zvicër, Greqi, SHBA, Iran, Rumani , Indi, Sllovaki, Ceki dhe në Korenë e Jugut. Ai është autor i disa teksteve këngësh, kryesisht serenatash. Është anëtar i Shoqatës Botërore të Poetëve dhe i “Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve” me qendër në Nju Jork.
veprat e botuara
Tregime, përralla për fëmijë:
“Legjenda e Zerdelisë”, 1985
“Ledia në një natë me hënë”1995
“Aventurat e rosës Monda” ( Shqipërim nga E. Bosse) 2001
Vëllime me poezi gërshetuar me tregime
“Kosova, e fejuara ime”,1994
“Drenica, qeleshja kosovare”, 1998
“Trëndafilë” 1996
“Trëndafila nga Tirana” 2009
Tregime
“Engjëjt me krahë duralumini”, 2000
“Fluturime mbi qilimin persian”, 1998
“Nën hënën e Ulqinit”, 2001
“Ylli që sheh mbi sheshin “Skënderbej”, 2001
Romane
“Të shtunën në mesnatë në një yll”, 1997 (roman për fëmijë)
“Vorri i Ashikut”, në katër volume – 2005
“Serenatë korçare në Nju Jork” 2009
Biografi artistike
“Një violinë në Panteoinin e Orfeut”, 2008
“Dinosaurët e fundit”, 2003
“Maratonomaku nga Shkodra”, 2008
“Piloti i katër presidentëve”
Shqipërime
“Poezi për fëmijë nga vendet anglishtfolëse”, dy vëllime, 2006
“Në shiun e argjendë”, 2005
“Mbrëmë i pëshpërita një ylli”, Poezi të zgjedhura nga Xhelaludin Rumi, 2002
“Fluturoi qielli nga cepi i velit tim”, poezi të zgjedhura nga F. Forughazd, 2006
“Golgota shqiptare”, nga Leo Freundilch, 1990
“Ikja massive”, nga Hans Peter Rulmann, 1997
“Engjëlli i Mostarit”, nga Sally Becker, 2000
“Nuk ka engjëj në këtë botë”, nga Sally Becker, 2007
Koha Jone


Leave a Reply